Prokuroria do të vazhdojë hetimet ndaj deputetit të LDK-së Agim Veliu.
Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën rreth procedurave ligjore në rastin e deputetit Veliu
Prokuroria do të vazhdojë hetimet ndaj deputetit të LDK-së Agim Veliu. Tashmë u bë e qartë se prokuroria nuk ka pasur nevojë të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit në Kuvend për zhvillimin e hetimeve, sepse këtë e mundëson Kushtetuta e Republikës. ...
Postuar: 12:59:15 / 30.10.2009
Mungesa e rregulloreve apo ligjit për deputetët, ka bërë që të shkaktohet një konfuzion ligjor. Kjo ka nxitur edhe institucionin e Kuvendit dhe të prokurorisë që të hedhin fajin tek njëri-tjetri.
Prokuroria e qarkut në Prishtinë, më saktë prokurori Suad Kuraja, i cili ka në shqyrtim lëndën e deputetit Agim Veliu, më 28 tetor 2009, ka kërkuar një raport me shkrim nga dy policë hetues të Njësisë Regjionale të Krimeve Ekonomike në Prishtinë, të cilët janë marrë me hetimin e rastit, që të shpjegojnë rreth përmbajtjes së një takimi që ata kishin pasur me kryeparlamentarin Krasniqi me datën 22 tetor 2009, para se prokuroria të bëjë kërkesën për heqjen e imunitetit në kryesinë e Kuvendit. Prokuroria na lejoi të shohim raportin e dy policëve hetues dhe të mbajmë shënime nga ai raport.
Në raportin me shkrim që tashmë është protokolluar në Prokurorinë e Qarkut dhe që e ka pranuar prokurori Suad Kuraja, thuhet se dy policët hetues me autorizim të prokurorit kanë kërkuar një takim me kryeparlamentarin Krasniqi dhe janë takuar me të me datën 22 tetor 2009, në orën 11.00, për të kërkuar shpjegime nëse Kuvendi i Kosovës ka ndonjë rregullore të brendshme që përkufizon çështjen e imunitetit të deputetit. Sipas deklaratës me shkrim të dy policëve hetues thuhet se kryeparlamentari Krasnqi iu ka thënë atyre që Kuvendi nuk ka rregullore që përkufizon imunitetin e deputetit, ndërsa për rastin e z. Veliu, kryeparlamentari Krasniqi thuhet t’iu ketë sugjeruar dy policëve hetues se prokuroria mund t’i bëjë një kërkesë me shkrim kryesisë së Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Agim Veliu, e pastaj Kuvendi do të votonte për ose kundër.
Prokurori Suad Kuraja, pa e konsultuar mirë Kushtetutën dhe pa u menduar shumë, të nesërmen me 23 tetor 2009, e kishte bërë kërkesën me shkrim dhe e kishte dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Përmbajtja e raportit me shkrim të dy policëve hetues është protokolluar në prokurori me 28 tetor 2008, një ditë pas mbajtjes së mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e cila e kishte hedhur poshtë, kërkesën e prokurorisë, duke thënë se nuk ka bazë ligjore që prokuroria t’i bëjë një kërkesë të tillë Kryesisë së Kuvendit.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e cilëson si një papërgjegjësi të prokurorisë bërjen publike të këtyre të dhënave, duke thënë se takimi i tij me policët hetues ka qenë në shërbim të hetimeve.
“Mendoj që ajo është pa përgjegjësi e prokurorisë. Ajo ka qenë pjesë vetëm në shërbim të hetuesisë. Ata kanë kërkuar mendimin tim se si t’i bëhet kësaj pune, unë i kam thënë këtë çështje e sqaron Kushtetuta dhe prokuroria duhet të veprojë konform Kushtetutës dhe iu kam thënë se unë si kryetar i parlamentit nuk kam asnjë të drejtë të kërkojë heqjen e imunitetit një deputeti pa kërkesën dhe arsyeshmërinë që duhet të vijë nga prokuroria”, tha Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi tha për Radio Kosovën (RTK) se policët hetues nuk kanë pasure asnjë dokument me shkrim që do të tregonte arsyeshmërinë e hetimit.
“Nuk e ka pasur arsyeshmërinë. E ka pasur vetëm kërkesën dhe pas asnjë arsye dhe pas asnjë dokument”, tha Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi përsëriti se prokuroria është dashur ta konsultojë saktë Kushtetutën, para se të bënte kërkesë në Kryesinë e Kuvendit.
Krijoni Kontakt