Ekspertët për emrin, ka konflikt për destabilizimin e vendit


Nuk ka thjesht mosmarrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë, por ekziston një konflikt i cili ka për qëllim të destabilizojë vendin. Kështu u shpreh kryetari i institutit Evro-Ballkan, Jovan Donev në tribunën e organizuar nga Pavel Shatev në të cilën u debatua rreth temës ‘Kontest apo konflikt’.
“Nga viti 2008 e këndej për mua nuk ekziston kontest, ekziston konflikt, konflikt serioz i cili ka për qëllim që të destabilizojë Republikën e Maqedonisë. Ajo që po ndodh tani në Maqedoni është pjesë e asaj politike, do të thotë thellim i hendekut të brendshëm në Republikën e Maqedonisë, që të paraqitemi si një shtet jo stabil. Argumentet e kësaj teze janë shumë të thjeshta, nuk ekziston arsye por ekziston forcë që dikush kërkon që ne ta ndërrojmë emrin e shtetit”, theksoi Jovan Donev, kryetar i Institutit Evro-Ballkan.
Nga ana tjetër Nano Ruzhin, tha se po të mos ishin veprimet e qeverisë aktuale të cilat e kanë irrituar fqinjin jugor, sot Maqedonia do të ishte pjesë e NATO-s me referencën IJRM.
“Do të përmend vitin 2006, do të citoj ambasadorin grek në NATO, i cili thoshte se ju në NATO do të hyni me referencën IRJM. Megjithatë kur filluam ne ti ndërrojmë emrat e objekteve të ndryshme me emërtime antike, atëherë e nervozuam fqinjin tonë jugor i cili atë e pranoi si një lloj sfide, pas çka pasoi një seri e ngjarjeve të cilat gjithashtu e rënduan fqinjësinë e mirë, kështu që kemi faj, para së gjithash ka faj elita udhëheqëse e këtij shteti”, u shpreh Ruzhin.
Ndërkohë Tanja Karakamisheva, propozon që negociatat për çështjen e emrit nga OKB-ja të zhvendosen në Bashkimin Evropian dhe të dyja palëve si udhërrëfyes t’u shërbejë zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Sllovenisë dhe Kroacisë.
“Të zhbllokohet ky proces që po zhvillohet në OKB të cilin e vlerësoj si joefikas dhe joefektiv dhe në këtë kuptim edhe jo produktiv dhe gjërat të shtrohen në terrenin evropian, meqë mendoj se vetëm kjo për momentin mund të na nxjerrë në sipërfaqe. Mendoj se të dy kryeministrat duhet të ulën në tavolinë të përbashkët dhe ta shtyjnë procesin përmes negociatave direkte, në të kundërtën mendoj se kjo çështje do të zgjasë shumë dhe nuk do të gjejmë një zgjidhje përfundimtare të problemit”, tha Karakamisheva.
Gjatë tribunës pjesëmarrësit konstatuan se intelektualët nuk konsultohet nga qeveria për çështjen e emrit, por shërbejnë vetëm si dekor.

Bedri Rexhallari

http://alsat-m.tv/index.php/lajme/vendi/20712.html