ti e fal po qka mu ba ketyre tierve se
Ftesë për Festë
PDK fton votuesit në Drenas të festojnë fitoren e radhës në Drenas. Thaçi, i sigurt në fitore, nuk premton miliona në zemër të Drenicës, por e shpall të përfunduar periudhën e diskriminim të këtij rajoni. Nexhat Demaku premton që për katër vjetët e ardhshëm t’i realizojë mbi 160 projekte kapitale në Drenas
Nga Përparim Isufi më 29.10.2009 në ora 23:00
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka ftuar qytetarët e Drenasit që me festë t’i presin rezultatet e zgjedhjeve të 15 nëntorit.
Në tubimin e parë të mbajtur, deri më tani, në qiell të hapur, Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, nuk dha asnjë shenjë dyshimi për rikonfirmim të besimit në PDK’në nga drenicasit.
Të enjten, Thaçi e ka ndërprerë serinë e premtimeve në investime qindra milionëshe që po e bën nëpër komuna gjatë kësaj fushate, por ai i ka bërë simpatizuesit të brohorasin kur e ka shpallur të përfunduar atë që e ka quajtur periudhë gjysmëshekullore të diskriminimit të Drenasit me rrethinë. “E di se keni qenë 50 vjet të diskriminuar, por Drenasi dhe e gjithë Kosova do të kenë vetëm progres në të ardhmen, vetëm zhvillim dhe ndërtim”, ka thënë Thaçi, para mijëra simpatizantëve në Drenas
Që nga viti 2000, Drenasi dhe komuna tjetër e Drenicës (Skenderaj) janë bastione të PDK’së. Thaçi është treguar i sigurt se edhe kësaj here, votuesit në Drenas do të rrinë në shtëpitë e tyre më 13 dhjetor, ditën kur është caktuar të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve.
“Kjo mbështetje e juaj masive është inkurajim i ri, edhe për mua personalisht, që të vazhdojmë në rrugën tonë të përbashkët. Ishim bashkë në luftë dhe e fituam luftën. Ishim bashkë në paqe dhe e fituam paqen. Së bashku do ta ndërtojmë Kosovën”, ka thënë Thaçi, në sheshin e sapondërtuar të qytetit, që mban emrin e Fehmi Ladrovci.
Ai u ka thënë simpatizantëve të shumtë, që sikur bënin garë për t’i shtrënguar dorën, se për ta, dhe për gjithë qytetarët e Kosovës, “kurrë më nuk do të ketë kthim mbrapa, kurrë më nuk do të ketë regres, por do të ketë vetëm zhvillim, progres dhe mirëqenie”.
“Ju siguroj se çdo projekt për rrugë të reja, shkolla të reja, ambulanca, kanalizim, ujësjellës, janë projekte edhe të miat dhe do ta kenë mbështetjen time të plotë për t’u implementuar”, ka thënë Kryetari i PDK’së.
Nga ana e tij, kandidati i PDK’së për Kryetar të Drenasit, Nexhat Demaku, ka premtuar realizimin e shumë projekteve në qytet dhe fshatra gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar. Demaku ka thënë se për 18 muajt të qeverisjes së tij, Drenasi ka përfituar rreth 20 milionë euro investime. “Ne do të vazhdojmë, sepse askush nga ne nuk është i interesuar të ndalet, askush nuk dëshiron të kthehemi mbrapa. Do të ecim në rrugën e zhvillimit dhe të ndërtimit të komunës sonë. Ju siguroj se për mandatin e ardhshëm do të realizojmë mbi 160 projekte kapitale që do ta ndryshojnë përfundimisht Drenasin dhe gjithë fshatrat e tij”, është shprehur Demaku.
Ndërsa, Thaçi i ka quajtur banorët e Drenasit “njerëz të sakrificës” prandaj premtoi se nuk do të mungojë kurrë mbështetja e Qeverisë së Kosovës për ta.
Krijoni Kontakt