-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
Ah more i ndreruar qenke mbrapsht fare, keq po me vjen per ty, ama tek ky paragrafi fundit eshte komplet e anasjellta
,,por te jane erresuar syte!
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
Nje shembull i tolerances fetare. Ngjan me imazh horrori po ktyre qe i hypin gomarit mbrapsh u duket progres
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
Ati i Shenjtë i mëson botës, tolerancën fetare në trojet e Nënë Terezës
Stela Likmeta 22 Shtator 2014.
Valeria Dedaj
Mijëra njerëz pavarësisht fesë, myslimanë dhe të krishterë të mbledhur nga të gjitha trojet shqipfolëse i bashkoi dje besimi, besimi jo vetëm në fe, por edhe në atë që përfaqëson figura e Papa Françeskut. Pas takimit me Presidentin e vendit Bujar Nishani, Ati i Shenjtë teksa përshkroi gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë u shoqërua edhe nga pjesa “Ave Maria” e Shubertit, nën interpretimin e kantautorit Ferderik Ndoci dhe bashkëshortes së tij, sopranos Alisa Baraku, të cilët me zërin e tyre ishin pjesë e kësaj dite historike. Makina e bardhë e Papës ndonëse hera-herës ecte edhe shpejt, ishte zgjedhur tërësisht e hapur, sepse Ati i Shenjtë donte që të ishte më pranë njerëzve. Njerëz të thjeshtë që mbanin në duar fëmijët e tyre, duke kërkuar për ta puthjen, morën edhe bekimin e shenjtë të Papës. “Ky vend ka shumë të rinj dhe rinia është shpresa. Jeni një popull i ri dhe i buzëqeshur”, tha Papa gjatë fjalës së tij. Nuk mungonin as të moshuarit, as të rinjtë që këtë ditë të veçantë tentonin ta fiksonin me aparate fotografikë, ose me celularë, për ta përcjellë si një nga ato ngjarje, që ndodhin vetëm një herë në jetë. Fillimisht moti nuk ishte i favorshëm, por kjo nuk i pengoi besimtarët që të dëgjonin dhe ndiqnin të gjithë Meshën e Shenjtë. Pas ceremonisë së zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza”, për vizitën historike të Atit të Shenjtë, shqiptarët si rrallëherë e kanë ndier veten krenarë nëpërmjet mikpritjes që iu bë Papa Françeskut nga ana e Qeverisë shqiptare.
Mesha
Në sheshin "Nënë Tereza" përballë besimtarëve Papa Françesku para se të niste Meshën e Shenjtë tha se: “Duke ardhur sot në mesin tuaj, vëllezër e të dashur motra të Shqipërisë, në këtë shesh që i kushtohet bijës së madhe të së bekuarës, Nënë Tereza të Kalkutës, dua të përsëris: Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja dhe në kombin tuaj”.
Mesazh të rinjve shqiptarë “Shqiponja nuk e harron folenë e saj. Duhet të fluturoni lart”
Para altarit gjendeshin të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, përfaqësues fetarë, përfaqësues diplomatikë, zyrtarët e lartë të shtetit, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite, por edhe shumë të tjerë. Ati i Shenjtë gjatë meshës falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, por ndali veçanërisht tek të rinjtë. U kërkoi atyre që të refuzojnë dëshirën për para dhe dhunë, nën shembullin e martirëve shqiptarë, dhe i inkurajoi ata që të kultivojnë një kulturë, nëpërmjet së cilës do të kenë mundësin e rigjetjes shpirtërore. “Para se të përfundoja këtë festim, do të doja të përshëndesja secilin prej jush që ka ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe vendet e tjera. Ju falënderoj për prezencën. Veçanërisht do të doja të përshëndesja të rinjtë. Më thanë se, Shqipëria është vendi me popullsinë më të re në Evropë. Të dashur të rinj, ju jeni gjenerata e re e Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Ju do të dini t’i thoni “Jo” idhujtarisë së parasë, “Jo” lirisë false të individualizmit, “Jo” varësisë dhe dhunës, por mbi të gjitha do të dini t’i thoni “Po”, kulturës dhe solidaritetit. “Po” të bukurës që është e frymëzuar nga e mira dhe e vërteta, “Po” jetës së jetuar me entuziazëm dhe në të njëjtën kohë të vlerësoni gjerat e vogla. Shqiponja nuk e harron folenë e saj. Duhet të fluturoni lart”. Më tej Papa Françesku shtoi se, të rinjtë nuk duhet që të kenë frikë që t’i përgjigjen Krishtit. “Ju nuk duhet të keni frikë që t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që iu fton ta ndiqni! Në thirrjen e meshës do të gjeni gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve. Kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb”.
Papa Françesku bekoi djalin e Kryeministrit Edi Rama për herë të dytë
Pasi ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, Papa Françesku është pritur nga Kryeministri Rama, ku pak çaste më pas ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, së bashku me djalin e tyre në krahë, Zahon. Pak minuta para largimit nga Tirana, Papa Françesku bekoi djalin e Kryeministrit Edi Rama. Bekimi u bë në ambientet VIP të aeroportit “Nënë Tereza”.Ky është bekimi i dytë që Zaho ka marrë nga Papa Françesku, pasi të parin ai ia ka dhënë kur Linda Rama ishte në muajt e parë të shtatzënisë, gjatë vizitës që çifti kryeministror zhvilloi në Vatikan.
Pankartat
Predikuesit fetarë, por jo vetëm ata, me mesazhet e tyre të përbotshme, përcollën dje përgjatë bulevardit me pankarta në duar më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve. Për ta nuk kishte rëndësi besimi që i përkasin, por që vizita e Papa Françeskut të jetë një bekim për mbarë shqiptarët kudo që ndodhen. Pankartat në duart e tyre ishin nga më të ndryshmet, të shkruara në shqip, italisht, spanjisht, anglisht etj. Në disa prej tyre shkruhej se: “Papa Françesku sot është i yni”, “Përgjithmonë paqe”, “Papa Françesku midis nesh”, “Papa Françesku ndalon”, “Një bekim për të gjithë ne”, “Shqiptarët të mirëpresin dhe të përqafojnë Papa Françesku”, “Paqe për të gjithë” etj.
Populli shqiptar përjetoi ndjenja pozitive, besimi dhe shprese
Një nga figurat që ne krenohemi është e shenjta nënë Terezë, e cila jetoi duke i përkushtuar jetën e saj njerëzve në nevojë. Është edhe për nder të Nënë Terezës, që populli shqiptar sot (dje), në sheshin që mbante po të njëjtin emër, përjetoi ndjenja pozitive, besimi apo shprese. E vogla bijë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu, e madhja nënë e botës që i fali Shqipërisë sot (dje) vëmendjen e Atit të Shenjtë, lutjen e tij edhe në emër të saj. Në shesh dje gjendeshin edhe misionaret e saj, ato të përulurat e të thjeshtat motrat e Nënë Terezës, që përçojnë misionin e paqes dhe humanizmit nëpër botë. Nënë Tereza (Agnes Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997 ) pas shumë përpjekjesh të bëra gjatë regjimit komunist në gushtin e vitit vitin 1989 arriti që të zbriste tokën shqiptare. Nga lutjet e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët do të veçonim vargjet që ajo shkroi te “Në Shqipëri për herë të parë”. Nënë Tereza, sipas një studimi të një reviste prestigjioze të ShBA-së, të bërë në shtator të vitit 2012 është cilësuar si 1 nga 100 njerëzit më të shquar në botë, duke u renditur e katërta pas Krishtit.
Në Shqipëri për herë të parë
Shqipëria nuk është ëndërr/ njerëzit e mi kanë vdekur atje. Po unë kam marrë Krishtin prej dore, /t’ia çoj fisit tim, /të ringremë tempujt e fesë,/ me misionarët që ishin burgjeve. Dua të shkoj te nëna ime,/të takoj dhe motrën,/bashkë flenë pranë e pranë,/në dy varre,/në rrethinë të Tiranës. Lule të verdha të hedh,/ përzier me gjethe dafine,/ me gjethe kujtimesh e dhembjeje. Të përkëdhel gurët dhe të lutem,/ të lutem shqip. Nëpërmjet këtyre vargjeve kuptojmë se, Nënë Tereza realizoi dëshirën e madhe, si edhe u shpreh para largimit: "Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim".
Elita që iu hoq kombit shqiptar në emër të fesë
Ndonëse regjimi komunist e përçau shoqërinë shqiptare për gjysmë shekulli, në popull mbizotëroi fryma e pajtimit, sepse ata që kishin pësuar shtypjen dhe terrorin nuk treguan mungesë të tolerancës fetare. Papa nëpërmjet Shqipërisë dha dje për mbarë botën një mësim edhe për tolerancën fetare. Duke iu referuar historisë së kombit tonë, ndali edhe në nderimin, respektin e martirëve dhe bekimin e rrugës së popullit shqiptar drejt integrimit. Ati i Shenjtë e cilësoi Shqipërinë si vend martirësh, ku shumë besimtarë e paguan me jetë devotshmërinë e tyre, duke mos u përkulur përballë kërcënimeve të regjimit ateist: “Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh, të qëndrimit të pandashëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar. Sot jam shpirtërisht pranë murit të varrezave në Shkodër, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit”.
Papa ringjall kujtimin e Martirëve
Gjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” qëndrojnë fotografitë e 40 marrtëve të Kishës Katolike. Mons. Vinçenc Prennushi u arrestua në vitin 1947 dhe u dënua me 20 vjet burgim. Vdiq në burg në Durrës me 19 mars 1949. At Bernardin Palaj u arrestua në vitin 1946 dhe vdiq në tortura para se të dënohej, në vitin 1947 në Shkodër, e lidhën me tela të ndryshkur, duke bërë që të vdiste nga tetanosi. Dom Ndre Zadeja është meshtari i parë, që është pushkatuar në Shkodër, komunistët që sapo kishin hyrë në pushtet, më vitin 1945. Dom Lazer Shantoja është torturuar barbarisht dhe është pushkatuar në vitin 1946. At Gjon Shllaku u pushkatua në 4 mars të vitit 1946. Mons. Jul Bonati, të cilin për ta torturuar më shumë e futën në një manikom, ku vdiq, në vitin 1951 etj.
Edhe myslimanët morën bekimin e Papës
Në mesin e viteve ’60, në Shqipëri po merrte zhvillim një revolucion ideologjik dhe kulturor. Kryqëzata kundër fesë nuk ndaloi vetëm me shkatërrimin e institucioneve fetare të krishtera, por ajo kërkonte të zhdukte të gjitha “qëndrimet dhe paragjykimet” fetare, të popullarizonte “patriotizmin socialist” si zëvendësim të fesë dhe “moralin socialit” për vlerat fetare. Në vitin 1946, me shpalljen e Kushtetutës së re, qeveria komuniste filloi të përpunojë platformën për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Fillimisht testuan shqiptarët sa fetarë ishin. Në bazë të regjistrimeve dilte: 78% e popullsisë ishin myslimanë; 17.1% ortodoksë dhe 10.1% katolikë. Masa të hapura armiqësore kishin filluar të merreshin kundër institucioneve fetare. Drejtori i Medresesë Hafis Ismeti dënohet nga gjykata ushtarake, arrestohen kryemyftiu i Gjirokastrës, ai i Kukësit, Korçës etj.
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
ESE VOLTERIANE E ARSYES SONË TË DOBËT
“TRAKTAT MBI TOLERANCËN” ESE VOLTERIANE E ARSYES SONË TË DOBËT
Nga Bajram Peçi - 25 Prill 2015
Masakra e shën Bartolomeut
Nga shekulli IV i erës së re, kohë kur krishterimi u shndërrua në fe sunduese, kur perandoria-shtet filloi të shndërrohej në kishë, kur besimi i ri fetar paganët i vlerësoi si mëkatarë, ritet e tyre si blasfemi dhe selinë e saj, kishën kristiane, shekull pas shekulli e shndërroi në shtet, erdhi një cak kur Europa do të hynte në periudhën më të errët të historisë së saj. Obskurantizmi sundoi rreth dhjetë shekuj, bibliotekat e lashta u dogjën, papiruse dhe pergamenë ndesheshin rrallë, jo vetëm se prodhoheshin gjithnjë e më pak, por sepse dijet ishin groposur. Zgjati kështu deri sa epoka e Rilindjes, nisur nga Fiorentina dhe Italia, filloi të ndriçojë mendjet me artin, letërsinë dhe reformat fetare. Njerëzit, nga krijesa të dobëta e të përhumbura, që në praninë e sistemit ekonomiko-shoqëror të kohës emërtoheshin shumica si bujkrobër, me fenë e krishterë të keqkuptuar dhe me debatet teologjike përçarëse, kishin bërë të mundur të derdhej shumë gjak e shkaktuar shumë vuajtje. Mbërriti kështu historia në një fazë ngritjeje nga përgjumja e gjatë, që kulmoi me humanizmin, daljen nga shekujt e errët, shpikjen e shtypshkronjës, me Martin Luterin dhe kundërshtitë ndaj kishës së krishterë, e cila, nga ana e saj, me petkun e pisët që i veshi vetes me shitjen e indulgjencave (faljeve), mes të tjerash, kish mbjellë një pakënaqësi të përgjithshme që thërriste për ndryshim. Reforma luteriane u shoqërua me mungesë tolerance dhe, siç dihet, dhuna më shumë nxiti sesa shëroi një të keqe që i kishte rrënjët në shpirt. Kur Volteri merr pendën të shkruajë këtë ese të mrekullueshme, “Traktat mbi tolerancën”, në ujërat e lumenjve europianë kish rrjedhur shumë ujë e derdhur shumë gjak, kohërat po ndryshonin, një epokë e re, ajo e iluminizmit, po ndriçonte. I nxitur nga një ngjarje, Volteri merr përsipër që nga rrethanat e saj të mynxyrshme të përgjithësojë dhe nuk ngurron të akuzojë e të vendosë gishtin mbi plagë. Iluministi i shquar e sheh të keqen te mungesa e tolerancës fetare, mungesa e shpirtmadhësisë dhe përdëllimit, rrëmbimin e turmave nga vala e fanatizmit dhe vetë fanatizmin si një e keqe e madhe.
Feja duhet të jetë bamirëse apo mizore?
Librat e shenjtë thonë që është bamirëse, ndërsa krimet që kryhen në emër të saj duken açik, si në shekullin XVIII, ashtu dhe në shekullin XXI, që janë mizore. Që Volteri t’i kthente përgjigje kësaj pyetjeje duhej të hynte në një analizë, sinorët e të cilës pakkush i kish shkelur më parë. Kush ishte orvatur, kish ndier mbi zverkun e tij tehun prerës të inkuizicionit. Shkenca e astronomisë me martirët e saj, Kopernik, Bruno, Galileu, i kishte të freskët këta, si prova të rrezikut për të thënë të vërtetën mbi fenë: ishte bamirëse apo mizore?! Kush nuk kishte të njëjtin besim me ta në mesjetën e vonshme e shihnin si të ishte përbindësh. Mënyra e vdekjes së Zhan Kalasit, me besim protestant, vrasja e tij më 9 mars 1762, është rrjedhë – thotë iluministi – e mungesës së tolerancës. Në krye të traktatit përshkruhet nga Volteri histeria kolektive ndaj një njeriu të besimit tjetër, atij protestant. Numri i shtuar i protestantëve, të quajtur në Francë hygenotë, që shkonin deri 15 për qind e popullsisë, urrejtja ndaj hebrenjve, paragjykimi i përgjithshëm ndaj jezuitëve, ngaqë ishte mbjellë e kish lulëzuar mungesa e tolerancës dhe e respektit të besimit të tjetrit, në një moment i lëshoi vendin tërbimit dhe mizorisë së katolikëve në pushtet. Luftërat civile e kthyen Francën në kasaphanë, që kulmoi me më të kobshmen urrejtje e që shkaktoi, më 24 gusht 1572, Shën Bartolomeun, i pashembullt në historinë e krimeve.
Ku kanë mbërritur kombet me besimet fetare?
Shumëllojshmëri e pamasë besimesh. Fjalët, besim fetar dhe tolerancë, hasen rrallë pranë njëra-tjetrës. Të gjitha religjionet me origjinë abrahamike, judaizmi, krishterimi dhe islamizmi, vetëmbahen si hyjnore; të gjitha ndërtuar mbi dogma të paqarta, shumica prej tyre armiqësore ndaj njëra-tjetrës. Konflikti i Nikeas në Koncilin e vitit 325, për të pranuar trininë (me gjithë Birin) apo vetëm Atin dhe Shpirtin e Shenjtë (pa Birin) e ndau kishën e krishterë në katolikë dhe ortodoksë. Konflikti i Kishës Katolike për mosnjohjen e Papatit dhe hierarkisë fetare etj., i ndau katolikët në protestantë, luterianë, baptistë, ungjillorë, kalvinistë, anglikanë. Hebrenjtë, nga ana tjetër, me Talmudin e tyre njohin Dhiatën e Vjetër, por jo atë të Renë. Armiqësia mes tyre dhe të krishterëve, e patolerantë. Janë këta, hebrenjtë, që vihen nën akuzë nga katolikët se kanë komplotuar dhe konspiruar kundër tyre në mënyrë satanike, për t’i rrënuar bazat mbi të cilat ngrihet kisha.
Muhamedanët në Azi, Afrikë dhe Europë e përçanë islamin në suni e shiitë, sepse njëra palë ndiqte të zgjedhurit pas Profetit Muhamed dhe pala tjetër ishin ndjekës të Imam Aliut. Prej tyre rrjedhin dhe tarikatet Malveti, Kadri, Rrufai, Saadi, Bedevi, Melvlevi dhe Bektashi. Shumica prej tyre armiqësore dhe në luftë të pakompromis e të patolerantë mes njëri-tjetrit. Gjaku mes tyre vazhdon të derdhet rrëke në Lindjen e Mesme.
Në kontinentin aziatik gëlojnë qindra milionë besimtarë hindu dhe budistë. Krahas tyre qëndrojnë edhe ata që nuk i përmbahen parimit se njeriu është krijesë e Zotit, ateistët dhe darvinistët! Për besimet fetare, një ateist i arsyeshëm, do të ishte një e keqe po aq e kobshme sa një djall. Aktualisht, po qe se ndonjë syresh i ka qëlluar të jetë qytetar i Republikës Turke, jeta tani pothuajse po e bëhet e pamundur, gjendje që nuk mund të shpërfillet kur mendon se deri një dhjetëvjeçar më parë ata ishin të lirë dhe nuk ndienin frymëmarrje të nxehtë ethesh islamike. Paradoksi, që është i aftë të shohë Volteri, qëndron te fakti se doktrinat që mbronin dhe përhapnin besimet fetare mbështeteshin te paqja. “… kur paqja troket në derë të njerëzve, mostoleranca farkëton armët”, shkruan Volteri, qëndrim që e shpreh më së miri këtë gjendje.
Sa e dobishme është të mbash një popull në kthetrat e besëtytnisë?
“Kudo ku ka shoqëri – shkruan Volteri – nevojitet edhe feja. Ligjet merren me krimet që dalin sheshit, feja me ato të fshehtat”, por skepticizmi i tij është i hapur kur shtjellon injorancën që lindin besëtytnitë. Është koha kur besonin se Toka nuk lëviz, se nuk vjen rrotull Diellit, se baticat nuk shkaktohen nga forca tërheqëse, se ylberi nuk formohet nga përthyerja dhe pasqyrimi i dritës etj. Këtë besim e mbështesin fuqimisht edhe urdhëresat e kishës, të cilat bazoheshin në paragrafët e tejkaluar prej qindra vjetësh të dogmave të Shkrimeve të Shenjta. Njerëzit e arsimuar që polli epoka filluan t’i ironizonin dhe tallnin këto paragjykime. Në periudhën që pasoi Rilindjen, njeriu filloi të zbulojë botën dhe veten, mendjet u zgjuan dhe s’përtuan të dënonin forcën dhe përdhunën e hierarkëve kishtarë, për të përhapur paditurinë e tyre trashanike. “… ky rruzull i vogël, që s’është veçse një pikë – shkruan Volter – rrotullohet në hapësirë ashtu si shumë rruzuj të tjerë. Jemi të humbur në këtë pafundësi. Njeriu, as dy metra i gjatë, është një asgjë në krahasim me gjithësinë”.
Europa jonë e civilizuar, vendi ku dëshirojmë të shkojmë, përpos se është e pasur mbart edhe vlerat e një shoqërie të hapur e të moralshme, vlera këto që pamëdyshje janë edhe ndihmesë e kishës kristiane. Por, në veprën “Traktat mbi tolerancën”, afërmendsh që kuptohet lehtë se qëndrimet i përkasin një skepticisti ndaj besimit të krishterë dhe frymës së mbajtjes gjallë në popull të besëtytnive boshe. Është autori i Traktatit që vë në dukje tërthorazi se kjo injorancë i interesonte kishës, e cila në kohën e Volterit zotëronte një të katërtën deri një të tretën e të gjitha tokave në shumicën e vendeve europiane, të cilat i sillnin asaj fitime, pushtet të pakufizuar dhe vetëqeverisje absolute. Autori nuk druhet të pohojë se ata e kanë mbajtur tokën e njerëzit nën zgjedhë për një kohë të gjatë. Me frymën e re të humanizmit, vetëm kisha ende nuk ka arritur të kuptojë se është mbyllur koha e besëtytnive teologjike, krijuese për zotin Krisht dhe se ka filluar koha e shenjtërisë së tokës dhe njeriut mbi të.
Toleranca është pushteti i njeriut me nivel të lartë inteligjence
Vërehet një dukuri, rrjedhë e përciptë e leximit të veprave të Volterit, sikur ai është ateist dhe satira që drejtohet ndaj fesë në veprat e tij, flet për një kundërshtar kategorik të besimit fetar, çka nuk është e vërtetë. Para së gjithash, iluministi i shquar e dinte se nuk mund të ecte kundër rrjedhës botëkuptimore të kohës, pjesë e së cilës ishte dhe vetë. I edukuar në kolegjin jezuit më të mirë të Francës, e pranonte Zotin dhe “…pa dyshim që ne respektojmë gjithçka që na urdhëron kisha. Nderojmë martirët e shenjtë”, shkruan ai te Traktati. Volteri, më mirë se kushdo tjetër shpreh në vepër frymën e kohës dhe si personaliteti më i shquar i epokës, me mendjemprehtësi ai hyn në brendi të fenomeneve dhe shfaqjeve të fundshekullit XVIII, njeh ato formacione shoqërore me besimtarë fanatikë dhe është i mendimit se mënyra më e mirë për të pakësuar numrin e tyre, është që, “…kjo sëmundje e mendjes të kurohet nga arsyeja e shëndoshë, e cila i ndriçon njerëzit ngadalë, por në mënyrë të pagabueshme”.
Me botimin e “Traktat mbi tolerancën”, nuk ka ardhur ende koha që feja të shihet si një dogmë e mangët dhe aq më tepër, e keqe, siç u cilësua nga komunizmi. Të tillë Volteri sheh vetëm fanatizmin. Do kalonin dhe dy shekuj të tjerë, deri te shikimi i feve nga elita intelektuale dhe fanatizmi i tyre, si burim konflikti. “Fetë, të gjitha pa përjashtim, nuk do të shërbejnë kurrë për t’i afruar dhe paqësuar njerëzit – shprehet njëri prej mendjeve më të spikatura – përkundrazi, ato kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shkak vuajtjesh të parrëfyeshme, plojash, dhunimesh të përbindshme fizike e shpirtërore, të cilat përbëjnë një prej kapitujve më të errët të historisë së mjerueshme njerëzore”. Zërat se qëndrimi i Volterit te Traktati jo vetëm nuk do të kuptohet, por dhe mund të dëmtojë, te “Shënimet” sillet më së miri me letrën që dikush i ka shkruar: “Vepra juaj mbi tolerancën më duket plot humanizëm dhe vërtetësi, por druaj se familjes Kalas do t’i bëjë më shumë keq sesa mirë. Ajo mund të lëndojë gjykatësit që votuan dënimin me vdekje. Ata do t’i kërkojnë Parlamentit që të djegin librin tuaj dhe fanatikët (sepse të tillë ka gjithnjë) do t’i përgjigjen zërit të arsyes me britma tërbimi etj.”
Antisemitizmi i Volterit, keqkuptim apo realitet?
Çdo botim i kësaj vepre nuk i ka shpëtuar kritikës. Së bashku me vlerat që i shërbyen epokës dhe kohërave më pas, sjellja e botimeve “Traktat mbi tolerancën” sa herë ka ardhur, aq herë rëndom kanë ngritur krye edhe kritikat për antisemitizmin e Volterit. Ardian Ndreca, tek intervista botuar në gazeta “Shqip”, datë 22 prill 2015, sjell si shembull “Fjalori filozofik”, në të cilin Volteri i cilëson hebrenjtë si injorantë, koprracë, mosmirënjohës e barbarë. Te Traktati veçohet si më pikantja mbi temën, teksti: “… Në të gjithë historinë e këtij populli (hebrenjtë – shënim imi) nuk gjendet asnjë gjurmë bujarie, zemërmadhësie, bamirësie. Megjithatë, herë-herë mes reve të errëta të kësaj barbarie kaq të gjatë e të tmerrshme, vërshojnë rreze të një tolerance universale”. Më tej, ndërsa jepen shembujt tolerantë të perandorisë otomane dhe kineze, jezuitët i paraqet jotolerantë; po kështu, vë në dukje se romakët, jo vetëm që nuk i shtypën të krishterët, por ndëshkonin hebrenjtë që i përndiqnin.
Në kohërat kur Volteri ka jetuar, vepruar dhe shkruar fjalorin, antisemitizmi ishte farkëtuar në 1200 vjet krishterim dhe jo Volteri, por askush nuk ishte i lirë të dilte jashtë këtyre kornizave përcaktuese: nga teksti i “Besëlidhjes së Re”, e cila zbulon, që Krishti akuzoi judenjtë dhe jo romakët se dëshironin ta vrisnin atë; se judenjtë dhe jo romakët ishin ata që kishin qëllim të vrisnin Jezusin, të cilët, në raste të ndryshme, u përpoqën ta shkatërronin atë para Mundimit dhe Vdekjes së tij; se judenjtë dhe jo romakët ishin shtytësit dhe përgjegjësit e vërtetë për krimin; se Apostujt akuzuan judenjtë dhe jo romakët për vdekjen e Jezusit, shihet qartë pra se urrejtja, antisemitizmi dhe mungesa e tolerancës ishte me rrënjë të vjetra dhe të thella.
Në veprën “Komploti kundër kishës” të Maurice Pinaj, pa dashje mëson se antisemitizmi përbënte një doktrinë të kishës. Në këtë vepër voluminoze vihen në dukje një mori akuzash të kishës kristiane ndaj hebrenjve dhe shpjegon pse ata ishin vënë në shtyllën e ndëshkimit: ata keqinterpretonin, duke thënë e shkruar se populli izraelit qe zgjedhur prej Zotit si ruajtës i besimit të vërtetë fetar, se raca e tyre do arrijë sundimin mbi popujt e tjerë; se Talmudi, libri i shenjtë i hebrenjve, që zëvendësoi Biblën, u mallkua nga Papa Gregori IX dhe disa papë të tjerë më pas; se kisha i trajtonte hebrenjtë dhe fenë e tyre si sekt kriminal, si populli vrasës i Krishtit; se keqtrajtimi romak u shkaktua nga hebrenjtë dhe se me epitetin populli “Zot-vrasës”, i cili përdorej për hebrenjtë, dhe qyteti “Zot-vrasës” i përdorur për Jerusalemin, gjuha e Kishës i kishte thirrur ata “tradhtarë”. Edhe Martin Luteri, për ndarjen e kishës, ishte nën akuzë se kishte vepruar nën ndikimin e miqve të tij hebrenj. Në kohën që Volteri shkruante Traktatin, Papati shpallte frankomasonerinë si armike të kishës dhe hebrenjtë si themelues dhe udhëheqës të kësaj lëvizjeje.
Këto ishin rrethanat, bindjet, fryma dhe rryma e kohës. Volteri dhe po të donte, nuk dilte dot kundër mallkimeve të kishës. Urdhri domenikan, një lloj policie fetare e ngarkuar për zbatimin e inkuizicionit, i ngritur kryekëput si organizëm kundër hebrenjve dhe të tjerëve që nuk përputheshin me doktrinën e saj, ishte në veprim. Ndonëse Volteri e kish shpallur që në fillim bindjen e tij të patundur për sjelljen ndaj feve, duke renditur njerëzoren mbi dogmën, e dinte mirë se ende nuk ekzistonte konsensusi shoqëror. Krahas kufizimeve të tij, ai kish edhe të meta, mes të cilave, siç nxjerr në pah historiani Karl Grimberg, spikaste cinizmi dhe denigrimi i vlerave. “Fjalori” është mbushur me plot të tilla, ku s’përton të tallet edhe me “Komedinë Hyjnore” të Dantes. “Do përhapet fama – thotë – sepse atë askush s’e lexon”.
***
250 vjet pas krijimit volterian të Traktatit, lehtësisht vërehet se ai na është “kushtuar” edhe neve, qytetarëve të shek. XXI. Në madhështinë e vet, si diçka e përsosur, vepra përhap përjetësinë dhe, tek orvatemi, e kuptojmë sa e mundur është të krahasojmë epokat. Si dhe atëherë, me uljet e ngritjet e saj, religjionet ndjekin dogmat e librave të shenjtë dhe disa, më të zellshmit, kanë krijuar lëvizjet fundamentaliste që fenë e tyre duan ta shohin e ta kenë shtet, çka të bën të kujtosh se largësia kohore mes epokave është e papërfillshme. Realiteti është transformuar, por besimet fetare kanë ngelur pak a shumë të mëparshmet. Në periudha paqeje mes feve, ku vrulli i luftës dhe akuzave të ndërsjella bie, vërehet herë-herë vendosja e ekuilibrave të brishtë mes tyre. Mjafton radikalizmi i njërit prej besimeve – ka thënë Kadareja ynë, me shembull Shqipërinë – që ngrehina e tolerancës dhe harmonisë fetare të shembet. Që të mos ndodhë kjo, risillet edhe njëherë për lexim nga Shtëpia Botuese “Saras”, “Traktat mbi tolerancën”, prej të cilit mëson se, sa më të kulturuar e të arsimuar të jenë njerëzit, aq më të lirë e të çliruar janë nga dogmat e botëkuptimet që u kufizojnë lirinë, aq më e largët do jetë dihatja e frymës armiqësore të moskuptimit
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
Deklarata mbi lirinë fetare
DIGNITATIS HUMANAE
Pali ipeshkëv
shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit
në bashkim me etërit e koncilit të shenjtë
që kujtimi të mbetet përgjithmonë
Mbi të drejtën e personit dhe bashkësisë
në lirinë shoqërore dhe qytetare për çështje të fesë
Hyrje
1. Dinjiteti i personit njerëzor në ditët tona gjithë e më tepër po depërton në vetëdijen e njerëzve dhe po rritet numri i atyre, të cilët kërkojnë, që, në veprimet e tyre, të kenë mundësi të shërbehen, jo nën presion, por me vendim vetanak dhe me liri të përgjegjshme; të vetëdijshëm për detyrat dhe obligimet e tyre. Po ashtu, ata kërkojnë që pushetit publik t’i vihen kufijtë juridikë për të mos e ngushtuar hapësirën e lirisë së respektuar, si atë të individëve, gjithashtu edhe të bashkësive. Kjo domosdoshmëri e lirisë në shoqërinë njerëzore ka të bëjë posaçërisht me vlerat shpirtërore të njeriut, në veçanti në atë që i përket praktikimit të lirë të religjionit në shoqëri. Koncili i Vatikanit, duke i gjykuar me syçeltësi këto tendenca të shpirtit njerëzor dhe duke u angazhuar t’i shpjegojë se sa ato janë në përkim me të vërtetën dhe me drejtësinë, kërkon përgjigje në traditën e shenjtë dhe nga mësimi i Kishës, prej të cilave nxjerr risi në harmoni të përhershme me të vjetrën.
Prandaj, në rend të parë Koncili i shenjtë deklaron se vetë Hyji ia ka zbuluar rrugën racës njerëzore, përmes të cilës – duke i shërbyer Atij – njerëzit të kenë mundësi të shëlbohen dhe të shenjtërohen në Krishtin. Ne besojmë se religjioni i vërtetë është në Kishën Katolike dhe apostullike, të cilës Zotëria Jezusi ia ka besuar detyrën që ta përhapë tek të gjithë njerëzit, kur iu ka thënë apostujve: „Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!“ (Mt 28, 19-20). Të gjithë njerëzit janë të detyruar të kërkojnë të vërtetën, posaçërisht atë të vërtetë që i përket Hyjit dhe Kishës së tij dhe pasi e njohin atë, ta përqafojnë dhe të qëndrojnë besnikë ndaj saj.
Gjithashtu, Koncili i shenjtë deklaron se kjo detyrë e prek dhe e obligon ndërgjegjen njerëzore, sepse e vërteta nuk imponohet kurrsesi ndryshe, përveç me forcën e së vërtetës, e cila njëkohësisht me butësi dhe fuqishëm depërton në shpirt. Më pastaj, meqë liria fetare, që njerëzit e kërkojnë për t’i kryer detyrat e veta për lavdërimin e Hyjit, ka lidhje me lirinë prej trysnive në shoqërinë qytetare (civile), kjo e le të paprekur mësimin tradicional të Kishës Katolike mbi obligimin moral të njerëzve dhe të shoqërisë ndaj religjionit të vërtetë dhe ndaj të vetmes Kishë të Krishtit. Përveç kësaj, duke polemizuar mbi këtë liri fetare, Koncili i shenjtë ka ndërmend tutje të zhvillojë mësimin e Papëve të mëvonshëm mbi të drejtat e pacenuara të personit njerëzor dhe mbi të drejtën e rendit shoqëror.
I. PARIMET E PËRGJITHSHME TË LIRISË FETARE
Lënda dhe baza e lirisë fetare
2. Koncili i Vatikanit deklaron se personi njerëzor ka të drejtë në lirinë fetare. Kjo liri mbështetet në atë se të gjithë njerëzit duhet të jenë të lirë nga trysnitë e individëve dhe të bashkësive shoqërore apo nga çdo pushtet tjetër njerëzor; që në çështjet fetare askush të mos jetë i detyruar të veprojë kundër ndërgjegjes se vet, as të jetë i ndaluar të veprojë sipas ndërgjegjes së vet, privatisht apo publikisht, si individ apo me të tjerët, brenda kufijve të caktuar. Më tej, deklaron Koncili, se e drejta për liri fetare e ka bazën në vetë dinjitetin e personit njerëzor, ashtu si e njohim nga dëftimi i Fjalës dhe nga vetë arsyeja. Kjo e drejtë e personit njerëzor për liri fetare duhet të pranohet në rregullimin juridik të shoqërisë që ajo të bëhet e drejtë qytetare.
Mbasi njerëzit janë persona, d.m.th. të pajisur me arsye dhe vullnet të lirë dhe, sipas kësaj, me përgjegjësi personale, të gjithë janë të nxitur me/sipas natyrën/s e tyre dhe të lidhur me obligim moral që të kërkojnë të vërtetën, në rend të parë, atë të vërtetë që i përket religjionit. Janë të obliguar, gjithashtu, që të mbështetën në të vërtetën e njohur dhe tërë jetën ta sendërtojnë sipas kërkesave të së vërtetës. Njeriu nuk mund t’i përgjigjet këtij obligimi konform natyrës së vet, nëse nuk e gëzon lirinë e brendshme psikologjike dhe njëkohësisht lirinë nga trysnitë e jashtme. Pra, e drejta për lirinë fetare nuk bazohet në gjendjen subjektive të personit, por në vetë natyrën e tij. Për këtë arsye, të drejtë për këtë liri kanë edhe ata që nuk e kryejnë mjaftueshëm obligimin për të kërkuar të vërtetën dhe për ta përqafuar atë. Zbatimi i kësaj të drejte nuk mund të ndalohet derisa respektohet rendi ligjor publik.
Liria fetare dhe marrëdhëniet e njeriut me Hyjin
3. Këto pohime bëhen edhe më të qarta për ata që kanë parasysh, se norma kulmore e jetës njerëzore është vetë ligji hyjnor, ligji i amshuar, objektiv dhe gjithëpërfshirës, sipas të cilit Hyji me vendimin e tij të urtë dhe plot dashuri, e rregullon, e drejton dhe e udhëheq gjithë botën dhe të gjitha rrugët e bashkësisë njerëzore. Hyji e bën njeriun pjesëmarrës në ligjin e vet, që njeriu, sipas rendit të provanisë hyjnore, do të ketë mundësi ta pranojë gjithë e më tepër të vërtetën e pandryshuar. Prandaj, çdonjëri e ka për detyrë, madje edhe të drejtë, të kërkojë të vërtetën në çështje të fesë, që, duke përdorur mjete të volitshme, të krijojë për vetveten mençurisht gjykime të drejta dhe të vërteta të ndërgjegjes.
Të vërtetën duhet kërkuar në cilësinë e dinjitetit të personit njerëzor dhe natyrës së tij shoqërore, d.m.th., me hulumtime të lira, me ndihmën e Magjisterit dhe institucioneve, shkëmbimin e opinioneve dhe të dialogut, përmes të cilave njëri-tjetrit ia ofrojnë dhe shtjellojnë të vërtetën që e kanë gjetur apo mendojnë se e kanë gjetur, për t’i ndihmuar njëri tjetrit në kërkimin e së vërtetës. Ndaj të vërtetës së njohur njerëzit duhet të mbështeten fuqishëm me bindje personale.
Njeriu i njeh dhe i pranon urdhërat e ligjit hyjnor përmes ndërgjegjes; këto urdhëra ai duhet t’i ndjekë besnikërisht në veprimet e veta, që të mund të arrijë te Hyji, qëllimi i tij. Pra, s’lejohet imponimi mbi njeriun që të veprojë kundër ndërgjegjes as nuk lejohet ndalimi që të veprojë sipas ndërgjegjes, posaçërisht në çështjet fetare. Zbatimi dhe praktikimi i religjionit, sipas natyrës që ka, përbëhet parimisht në aktet e vullnetshme e të lirshme të brendësisë, me të cilat njeriu vetveten e drejton drejtpërdrejt kah Hyji. Akte të këtilla pushteti njerëzor nuk mund as t’i urdhërojë as t’i ndalojë. Kurse vetë natyra shoqërore e njeriut, kërkon që aktet e brendshme fetare njeriu t’i shprehë me gjeste të jashtme; që me çështjet e fesë të ketë mundësi të kontaktojë me të tjerët dhe religjionin e vet ta rrëfejë në mënyrë shoqërore.
Do të bëhej një padrejtësi ndaj personit njerëzor dhe ndaj vetë rendit të caktuar nga Hyji, nëse i privohet njeriut liria për të praktikuar religjionin në shoqëri, derisa nuk prishet rendi ligjor publik.
Përveç kësaj, aktet fetare me të cilat njerëzit i drejtohen Hyjit sipas bindjeve të tyre, në mënyrë private apo publike, sipas natyrës e tejkalojnë rendin hapësinor/tokësor dhe kohor të sendeve. Së këndejmi, pushteti civil, i cili ka për qëllim të përkujdeset për të mirën e përgjithshme kohore, duhet ta pranojë dhe ta mbështesë jetën fetare të qytetarëve, por në anën tjetër duhet të thuhet se do të gabonte, poqese i kalon kufijtë e vet dhe do të shkonte aq larg sa do të marrë vendim për t’i ndaluar aktet religjioze.
Liria e bashkësive fetare
4. Liria apo mungesa e imponimit në çështjet fetare që i përket secilit person, duhet t’i pranohet edhe atëherë, kur njeriu vepron në bashkësi me të tjerët. Bashkësitë fetare i kërkon natyra shoqërore e njeriut dhe vetë religjioni.
Derisa nuk e cenojnë rendin ligjor publik, këtyre bashkësive u përket, sipas të drejtës, liria që të jetojnë sipas rregulloreve të veta, që ta nderojnë hyjninë me kult publik, që anëtarëve të vet t’iu ndihmojnë në zbatimin e jetës fetare, t’i mbajnë me mësime dhe t’i promovojnë ato institucione, ku anëtarët e tyre do ta sendërtonin jetën sipas parimeve të tyre fetare.
Bashkësive fetare u përket e drejta të mos jenë të penguara me mjete ligjore apo me veprime administrative të qytetarëve në caktimin, edukimin, emrimin dhe transferimin e shërbëtorëve të vet; në komunikimin me prijësit/përfaqësuesit fetarë dhe në bashkësitë fetare, që gjenden në pjesët tjera të botës; në ndërtimin e objekteve fetare si dhe në fitimin dhe gëzimin e të mirave të duhura.
Gjithashtu, bashkësitë fetare kanë të drejtë mos të jenë të penguara që publikisht të mësojnë dhe ta manifestojnë fenë e tyre me shkrim apo me gojë. Por, në përhapjen e fesë dhe në aplikimin e traditave fetare, duhet përherë të përmbahen prej mënyrës së vet të të vepruarit, për të cilën mund të mendohet se ushtrohet trysnia apo bindje e pandershme, posaçërisht kur kemi të bëjmë me të pashkolluarit apo të varfërit. Këtë mënyrë të veprimit duhet për ta konsideruar keqpërdorim të të drejtës personale dhe ofendim ndaj të drejtës së tjetrit.
Përveç kësaj, liria fetare kërkon që bashkësitë fetare mos të jenë të penguara ta tregojnë lirisht forcën e mësimit të tyre për rregullimin e shoqërisë dhe për mënyrat në përjetimin e çdo veprimtarie njerëzore. Së fundi, në natyrën shoqërore të njeriut dhe në vetë bërthamën e religjionit bazohet e drejta, sipas të cilës njerëzit, të nxitur prej ndjenjave personale fetare, lirisht mund të takohen apo të formojnë shoqëri edukative, kulturore, karitative dhe sociale.
Liria fetare e familjes
5. Secila familje ka të drejtë lirisht ta rregullojë jetën e vet në shtëpi nën udhëheqjen e prindërve, sepse ajo është shoqëri, e cila ka të drejtën vetjake dhe natyrore (zanafillore). Prindërit kanë të drejtë të caktojnë se në çfarë mësimi fetar t’i edukojnë fëmijët, sipas bindjeve të tyre fetare. Prandaj, pushteti cilvil duhet të pranojë të drejtën e prindërve që të zgjedhë me liri të plotë shkollat apo format tjera edukative dhe nuk guxon, për shkak të kësaj lirie, t’iu imponohen atyre barrë të padrejta, as në mënyrë të drejtpërdrejtë as tërthorazi. Madje, do të cenoheshin të drejtat e prindërve, nëse do t’iu imponohej fëmijëve të vijonin mësime shkollore, të cilat janë kundër bindjeve të prindërve, apo nëse imponohet ekskluzivisht vetëm një sistem i tillë mësimor, ku përjashtohet çdo edukim fetar.
Përkujdesi për lirinë fetare
6. Meqenëse e mira e përgjithshme e shoqërisë qëndron më së tepërmi në mbrojtjen e të drejtave dhe në përkujdesjen e personit njerëzor, këto do të ishin rrethanat e jetës shoqërore, në të cilat njerëzve iu bëhewt e mundshme, që, në mënyre të përkryer dhe më të lehtë, ta arrijnë përsosmërinë e vet. Përkujdesja rreth të drejtave në lirinë fetare iu përket qytetarëve, grupeve shoqërore, pushtetit civil, Kishës dhe bashkësive të tjera fetare. Të gjitha këto duhet për t’u përkujdesur për cilësinë e tyre, sipas detyrave që i kanë ndaj të mirës së përgjithshme.
Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të pacenueshme të njeriut është detyra thelbësore e çdo pushteti civil. Nga kjo del se pushteti civil duhet të nxjerrë ligje të drejta dhe mjete të tjera të përshtatshme për të mbrojtur lirinë fetare dhe për të krijuar kushte të volitshme për kultivimin e jetës fetare, që qytetarët vërtetë do të kenë mundësi për t’i kryer të drejtat dhe obligimet e veta fetare, kurse shoqëria t’i gëzojë frytet e drejtësisë dhe paqes, të cilat rrejdhin nga besimi i njerëzve ndaj Hyjit dhe vullnetit të Tij të shenjtë.
Duke i marrë parasysh rrethanat e posaçme të një populli, nëse një bashkësie fetare i jepet vëmendje e veçantë qytetare në rendin e të drejtës në shtet; njëkohësisht është e domosdoshme që të gjithë qytetarëve dhe bashkësive fetare t’iu pranohet e drejta e lirisë në çështjet e fesë dhe ato të respektohen.
Së fundi, pushteti civil duhet për t’u përkujdesur që e drejta e barazisë mes qytetarëve, tek bën pjesë në të mirën e përgjithshme, mos të cenohet kurrë për shkaqe fetare as publikisht as fshehtazi dhe mes tyre mos të ketë kurrfarë diskriminimi.
Nga gjithë kjo, rrjedh se pushtetit publik nuk i lejohet që të imponojë forcën duke mbjell frikë, apo me mjete tjera për ta përqafuar apo braktisur çfarëdo religjioni apo ta ndalojë atë që dëshiron t’i bashkangjitet ndonjë religjioni apo vullnetarisht të largohet nga ai. Do të ishte vepër kundër vullnetit të Hyjit, të drejtave të shenjta të personit dhe të familjes së popujve, nëse në çfarëdo mënyre do të ushtrohej forca që të shuhet apo të ndalohet një religjion, të jetë kjo në tërë racën njerëzore, në ndonjë pjesë apo në një grup të caktuar njerëzish.
Kufijtë e lirisë fetare
7. E drejta e lirisë në çështje fetare zbatohet në shoqërinë njerëzore, për këtë arsye shërbimi me këto të drejta u nënshtrohet disa rregullave të caktuara shoqërore.
Në përdorimin e çdo lirie nuk duhet ta harrojmë parimin e përgjegjësisë personale dhe shoqërore. Çdo njeri dhe grup shoqëror gjatë përdorimit të të drejtave presonale, është i obliguar ta zbatojë ligjin moral, t’i ketë parasysh të drejtat e të tjerëve, detyrat e veta ndaj të tjerëve dhe të mirën e përgjithme të të gjithëve. Të gjithë njerëzit mes veti duhet të sillen sipas drejtësisë dhe njerëzisë.
Meqë shoqëria qytetare ka të drejtën e mbrojtjes nga keqpërdorimet që mund të shfaqen nën pëlhurën e lirisë fetare, pushteti qytetar parimisht është i obliguar të ofrojë mbrojtje dhe mbështetje. Por, ajo nuk guxon të ofrojë këso mbrojteje sipas dëshirës së vet apo padrejtësisht në dobi të njërës palë, por sipas normave të drejtësisë, që janë në harmoni me rendin objektiv moral dhe që kërkon mbrojtja vepruese e së drejtës për të gjithë qytetarët dhe për marrëveshje paqësore, si dhe kujdesi i duhur rreth kësaj paqeje publike, që përbëhet nga jeta e rregulluar në bashkësi në të drejtën e vërtetë dhe mbrojtja e obligueshme e moralit publik. Të gjitha këto e përbëjnë pjesën themelore të të mirës së përgjithshme dhe është pjesë e rendit publik. Mbi të gjitha duhet për ta ruajtur traditën e lirisë së plotë në shoqëri dhe sipas kësaj tradite duhet t’i pranohet njeriut e drejta në nivelin më të lartë dhe nuk guxon të përkufizohet liria vetëm kur dhe sa është e domosdoshme.
Edukimi për zbatimin e lirisë
8. Në kohën e sotme njerëzit iu nënshtrohen trysnive të llojllojshme dhe atyre iu kanoset rreziku që të jenë të privuar nga e drejta e zgjedhjes së lirës personale. Në anën tjetër është një numër i konsiderueshëm i atyre, që, nën preteksin e lirisë, mohojnë çdo nënshtrim dhe kanë shumë pak respekt ndaj dëgjesës së detyruar.
Për këtë arsye, ky Koncil i Vatikanit i nxit të gjithë, posaçërisht ata që kujdesen për edukimin e të tjerëve, që të përpiqen të edukojnë njerëz që i nënshtrohen rendit moral, që e dëgjojnë pushtetin ligjor dhe të kenë në zemër lirinë e vërtetë. Të edukojnë njerëz që t’i vlerësojnë gjërat në dritën e së vërtetës, që veprat e veta t’i kryejnë me përgjegjësi dhe të mundohen të ndjekin të vërtetën dhe të drejtën, duke bashkëpunuar me të tjerët.
Prandaj, liria fetare duhet të shërbejë si udhërrëfyes për njerëzit, gjatë zbatimit të detyrave të veta në jetën shoqërore e për të punuar me më shumë përgjegjësi.
II. LIRIA FETARE NË DRITËN E DËFTIMIT
Rrënjët e lirisë fetare në Dëftimin Hyjnor
9. Atë që e deklaron ky Koncil i Vatikanit mbi lirinë e njeriut në/për lirinë fetare, e ka themelin në dinjitetin e personit, kërkesat e të cilit arsyeja njerëzore, me përvojën gjatë shekujve, i ka njohur gjithnjë e më tepër. Aq më tepër, ky mësim mbi lirinë i ka rrënjët në Dëftimin hyjnor dhe mu për këtë të krishterët duhet ta zbatojnë shenjtërisht. Edhe pse Dëftimi nuk flet shprehimisht mbi të drejtën e lirisë nga trysnitë e jashtme në çështjet e fesë, megjithatë e vë në pah/e shpalos dinjitetin e personit njerëzor në gjerësinë e saj. Ai tregon sa Krishti e ka respektuar lirinë e njeriut në zbatimin e detyrës për të besuar në fjalën e Hyjit dhe na mëson në shpirt, që nxënësit e këtij Mësuesi duhet ta pranojnë dhe ta ndjekin në gjithçka. Gjithë këtë e qartësojnë parimet e përgjithshme, në të cilat është bazuar mësimi i kësaj Deklarate mbi lirinë fetare. Posaçërisht liria fetare në shoqëri është në përputhshmëri të plotë me aktin e lirë të fesë së krishterë.
Liria e aktit të fesë
10. Njëra nga pjesët e veçanta të mësimit katolik, e cila është e pranishme në fjalën e Hyjit e që Etërit vazhdimisht kanë predikuar, është: njeriu duhet t’i përgjithet Hyjit me vullnet të lirë, kështu që askush askend nuk guxon ta detyrojë që ta pranojë fenë kundër vullnetit të vet. Sepse akti i fesë, sipas natyrës, është akt i lirë. Meqë njeriu është i shëlbuar nëpër Krishtin Shëlbues dhe nëpër Jezu Krishtin është i grishur në birësinë e Birit , s’mund të mbështetet në Hyjin që dëftohet, përveçse, i tërhequr prej Atit , ia kushton Hyjit dëgjesën fetare me mendje dhe me liri. Mandej, krejtësisht është në linjën natyrore të fesë, që në çështjet fetare të mënjanohet çfarëdo trysnie njerëzore. Kështu, parimi i lirisë fetrare do të kontribuojë dukshëm në zhvillimin e gjërave, ku njerëzit do të kenë mundësi ta deklarojnë pa pengesa përkatësinë e fesë së krishterë, me vullnet ta përqafojnë atë dhe me krejtë jetën e vet ta rrëfejnë me zell.
Trajtimi i Jezusit dhe i apostujve
11. Hyji i thërret njerëzit që t’i shërbejnë në shpirt dhe në të vërtetën, për këtë arsye kjo thirrje i obligon në ndërgjegje, por nuk i detyron. Hyji shikon dinjitetin e personit njerëzor që e ka krijuar vetë, i cili duhet të jetë i frymëzuar e i drejtuar me vendim personal dhe të jetojë në liri. Kjo gjë më së tepërmi është shfaqur në Jezu Krishtin, në të cilin Hyji përsosmërisht e ka dëftuar Veten dhe udhët e veta. Jezusi, duke qenë Mësues dhe Zotëri, njëkohësisht i butë dhe i përvuajtur në zemër, nxënësit e vet i ka përfituar dhe i ka thirrur me plotë durim. Ai, vërtetë, predikimet e veta i ka përcjellur dhe i ka përfocuar duke bërë mrekulli, por vetëm ta zgjonte e ta përforconte pabesimin e dëgjuesve, e jo të bënte trysni në ta. Edhe mosbesimin e dëgjuesve e ka qortuar, por Hyji e ka rezervuar hakmarrjen për Ditën e gjyqit. Duke i dërguar apostujt nëpë botë, iu ka thënë: „Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.“ (Mk 16, 16). Vetë ai, duke parë se bashkë me grurë është e mbjellur edhe egjra, ka urdhëruar që të lihen e të rriten bashkë deri në ditën e të korrave, që do të jetë në mbarimin e botës. Mesia nuk ka dashur të jetë politik e të mbretërojë me forcë , por ka dashur të quhet Bir i Hyjit, i cila ka ardhur „të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.“ (Mk 10, 45). Është treguar Shërbëtor i përsosur i Hyjit , i cili „as kallamin e shkelur s’do ta thyejë, as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë.“ (Mt 12, 20). Pushtetin e shtetit dhe të drejtën e tij e ka pranuar, duke urdhëruar që t’i paguhet tatimi mbretit, por qartë ka tërhequr vëmendjen se më tepër duhet të nderohen të drejtat e Hyjit: „Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.“ (Mt 22, 21). Së fundi, duke e kryer veprën shëlbimprurëse, i mbërthyer në kryq, me të cilën njerëzve iu ka dhënë shëlbimin dhe lirinë e vërtetë, e ka plotësur dëftimin e vet. Ka dhënë dëshmi për të vërtetën , por kurrë s’ka dashur t’iu imponojë gjë atyre që e kanë kundërshtuar. Mbretëria e tij s’mbrohet me shpatë , por forcohet me dëshmi dhe dëgjim të së vërtetës, kurse rritet me atë dashuri me të cilën Krishti, i lartësuar në kryq i tërheq kah Vetja të gjithë njerëzit.
Apostujt e kanë ndjekur të njëjtën rrugë, të mësuar me fjalën dhe shembullin e Krishtit. Që në fillimin e Kishës, nxënësit e Krishtit janë angazhur t’i kthjenë njerëzit e ta rrëfejnë Krishtin si Zotëri, jo me forcë apo me ndonjë art të pahijshëm për ungjillin, por me forcën e fjalës së Hyjit. Me qëndrueshmëri kanë shpallur para të gjithëve planin e Hyjit Shëlbues „i cili thotë që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës.“ (1 Tim 2, 4); por njëkohësisht i kanë respektuar të dobëtit, edhe pse kanë bërë gabime, duke iu treguar me këtë se „secili prej nesh do t’i japë llogari Hyjit për vetvete“(Rom 14, 12) në përputhje me zërin e ndërgjegjes së vet. Sikurse Krishti, ashtu edhe apostujt kanë qenë përherë të gatshëm të japin dëshmi për të vërtetën e Hjyit, duke marrë guxim që para popujve dhe mbretërve të predikojnë „fjalën e Hyjit me guxim“ (Vap 4, 31). Me fe të ngultë kanë dëshmuar se vetëm Ungjilli është forca e Hyjit për shëlbimin e secilit që beson. Kështu i kanë mohuar të gjitha „armët trupore“. Sipas shembullit të butësisë dhe thjeshtësisë (varfërisë) së Krishtit, kanë predikuar fjalën e Hyjit me plotë shpresë në forcën hyjnore të kësaj fjale, se ajo mund t’i rrëzojë forcat armiqësore që janë kundër Hyjit, kurse njerëzit t’i afrojë që të besojnë në Krishtin dhe ta dëgjojnë atë. Sikurse Mësuesi i tyre, apostujt e kanë pranuar pushtetin legal të shtetit: „Nuk ka pushtet që nuk vjen prej Hyjit“, mëson Apostulli, mandej urdhëron: „Çdo njeri le t’i nënshtrohet autoritetit që ka mbi vete; ...ai që i kundërshton pushtetit, i kudërshton rendit të vendosur prej Hyjit.“ (Rom 13, 1-2). Njëkohësisht s’janë friguar ta kundërshtojnë të njëjtin pushtet publik, kur ai ka qenë kundër vullnetit të shenjtë të Hyjit. „Duhet më tepër të dëgjohet Hyji, se sa njerëzit.“ (Vap 5, 29). Këtë rrugë e kanë ndjekur një numër i madh i martirëve dhe i besimtarëve në të gjitha kohët nëpër të gjithë botën.
Kisha ndjek rrugën e Krishtit dhe të apostujve
12. Kisha, duke qenë besnike ndaj të vërtetës së Ungjillit, e ndjek rrugën e Krishtit dhe të apostujve, mbasi parimin e lirisë fetare e pranon dhe e shpall si përputhje me dinjitetin e njeriut dhe me Dëftimin e Hyjit. Mësimin e Mësuesit dhe të apostujve ajo e ka ruajtur dhe e ka bartur nëpër gjenerata gjatë shekujve. Edhe pse në jetën e popullit të Hyjit, i cili ka shtegtuar nëpër ndryshime të mëdha të historisë njerëzore, duke pasur herë mbas here edhe vepra me frymë të paktë të ungjillit, madje edhe kundër tij; megjithatë mësimi i Kishës ka mbetur përherë i njëjtë: askush askend nuk guxon ta detyrojë me forcë ta përqafojë fenë.
Brumi i ungjillit ka vepruar në shpirtërat e njerëzve për një kohë kaq të gjatë dhe ka kontribuar që njerëzit gjatë shekujve ta njohin gjerësisht e më mirë dhe ta pranojnë dinjitetin e personit njerëzor. Tashmë është pjekur bindja, që çështja e fesë duhet të ruhet e pacenueshme në shtet prej çdo trysnie njerëzore.
Liria e Kishës
13. Mes asaj që ka të bëjë me të mirën e Kishës, aq më tepër kur ka të bëjë me mirëqenien e shtetit tokësor dhe mes asaj që kudo e gjithmonë duhet të ruhet dhe të mbrohet prej çdo padrejtësie; më e rëndësishmja është që Kisha të gëzojë aq liri, sa kërkon kujdesi për shëlbimin e njerëzve. Kjo është, në fakt, liri e shenjtë, me të cilin Njëlinduri Biri i Hyjit ia ka dhuruar Kishës me gjakun e derdhur në kryq. Liria është pjesë përbërëse e Kishës; sa herë që dikush e kundërshton atë, është kundër vullnetit të Hyjit. Liria e Kishës është parimi bazor në marrëdhëniet me pushtetet publike dhe me gjithë rendin shoqëror.
Në shoqërinë njerëzore dhe para çdo pushteti publik, Kisha kërkon të drejtën në liri, si autoritet shpirtëror, i themeluar prej Jezu Krishtit Zot. Kisha, sipas urdhërit hyjnor, e ka për detyrë të shkojë në mbarë botën dhe t’ia predikojë ungjillin çdo krijese. Gjithashtu Kisha kërkon lirinë, sepse ajo është shoqëri e përbërë prej njerëzve, të cilët kanë të drejtë të jetojnë në shoqërinë civile sipas parimeve dhe rregullave të fesë së krishterë.
Nëse në një vend ku është në fuqi liria fetare, jo vetëm e propaganduar me fjalë dhe e pajisur me ligje, por sinqerisht e zbatuar në jetë, vetëm atëherë Kisha e fiton pozitën e drejtë dhe faktike për autonominë e domosdoshme për zbatimin e dërgimit hyjnor, autonominë që autoritetet kishtare në shoqëri e kanë kërkuar përherë me këmbëngulje. Njashtu, të krishterët, si të gjithë njerëzit tjerë, e kanë të drejtën qytetare (civile) mos të jenë të penguar në praktikimin e jetës sipas ndërgjegjes së tyre. Ekziston, pra, një harmoni mes lirisë së Kishës dhe çdo lirie fetare, të cilën duhet ta kenë të gjithë njerëzit dhe mes bashkësisë si të drejtë në rendin e drejtësisë të vulosur me ligj.
Dërgimi i Kishës
14. Kisha Katolike, për ta zbatuar urdhërin: „Bëni nxënës të mi të gjithë popujt“ (Mt 28, 19), duhet të punojë me zell të madh „që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet“ (2 Sol 3, 1).
Prandaj, Kisha i porosit vazhdimisht bijtë e vet, që, së pari të bëjnë „kërkesa, lutje, urata, falenderje për të gjithë njerëzit... Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetë.“ (1 Tim 2, 1-4).
Të krishterët, në formimin e ndërgjegjes së vet, duhet ta kenë parasysh doktrinën e shenjtë e të sigurtë të Kishës. Me vullnetin e Krishtit, Kisha Katolike është mësuesja e të vërtetës; është detyrë e saj ta predikojë të Vërtetën që është Krishti dhe ta mësojë me autoritet; njëkohësisht t’i predikojë dhe të japë mësim edhe për parimet e rendit moral, të cilat burojnë nga natyra e njeriut, t’i shpallë e t’i përforcojë me autoritetin e saj. Përveç kësaj, disa të krishterë, duke hyrë në urtinë e atyre që janë jashtë (kishës), „në Shpirtin Shenjt, në dashuri të çiltër, në fjalën e vërtetë“ (2 Kor 6, 6-7), me plot shpresë dhe trimëri apostullike, mundohen ta shpallin dritën e jetës deri në derdhjen e gjakut.
Nxënësi (apostulli) ka një detyrë të rëndë para Krishtit Mësues, që të Vërtetën që e ka marrë prej Tij, nga dita në ditë ta njohë më thellë, ta predikojë me besnikëri, ta mbrojë me qëndrueshmëri, duke iu shmangur mjeteve, të cilat janë kundër shpirtit të ungjillit. Njëkohësisht, dashuria e Krishtit e nxit nxënësin që me dashuri, urti dhe durim t’i takojë njerëzit që janë në gabim apo padijeni sa i përket fesë. Duhet patur parasysh jo vetëm detyrën ndaj Krishtit, ndaj Fjalës që jep jetën e që duhet predikuar, por edhe ndaj të drejtave të personit njerëzor. Njashtu, nuk duhet ta harrojmë edhe masën e hirit, që Hyji përmes Krishtit ia ka dhënë njeriut, i cili e pranon thirrjen që fenë ta përqafojë dhe ta rrëfejë më dëshirë.
Përfundim
15. Është evidente se njerëzit e kohës sonë dëshirojnë që lirisht të kenë mundësi për ta pranuar religjionin dhe ta rrëfejnë publikisht. Është fakt, njashtu, se liria fetare në shumë kushtetuta figuron si e drejtë qytetare dhe me dokumentet ndërkombëtare pranohet solemnisht.
Mirëpo, edhe pse ka shtete që me kushtetutat e tyre e pranojnë lirinë e kultit fetar, në anën tjetër vetë pushteti publik mundohet që qytetarët t’i largojë nga jeta religjioze dhe kështu ua rëndojnë jetën bashkësive fetare e ato ndihen të pasigurta.
Duke i përshëndetur me plotë gëzim ato shenja të mira të kohës sonë, e me keqardhje duke i paraqitur këto fakte të hidhura të cekura më lart, Koncili i shenjtë i nxit katolikët, kurse të gjithë njerëzit i lut që me kujdes të vështrojnë sa është e nevojshme liria fetare, posaçërisht në këtë gjendje të familjes njerëzore.
Është një fakt tashmë evident, se nga dita në ditë, të gjithë popujt po bashkohen, se popujt e kulturave dhe të religjioneve të ndryshme po ndërlidhen gjithë e më tepër dhe përfundimisht po rritet vetëdija e përgjegjësisë së çdo individi. Prandaj, që kemi forcim të marrëdhënieve paqedashëse dhe harmonizuese mes njerëzve, kërkohet që kudo në botë të mbrohet liria fetare me ligj të vërtetë veprues, si dhe të respektohen angazhimi fisnik dhe të drejtat e njerëzve, që të kenë mundësi për ta praktikuar lirisht jetën fetare në shoqëri.
Dhashtë Zoti dhe Ati i të gjithëve, që familja njerëzore, duke e ruajtur me kujdes parimin e lirisë fetare në shoqëri, me hirin e Krishtit dhe me forcën e Shpirtit Shenjt, të kenë pjesë në të lartësuarën dhe të përjetshmën „lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit“ (Rom 8, 21).
Gjithë ky tekst, në tërësi dhe çdo pjesë, i paraqitur në këtë Dekret, është pranuar nga etërit e Koncilit të shenjtë. Dhe Ne, me autoritetin që e kemi pranuar nga Krishti, në Shpirtin Shenjt, bashkë me etërit e nderuar, të gjitha i miratojmë, i vërtetojmë dhe i caktojmë si dhe urdhërojmë që, çfarë Koncili ka vendosur, të jetë e shpallur për lavdërimin e Hyjit.
Në Romë, në Shën Pjetër, më 7 dhjetor 1965.
Unë, PALI, ipeshkëv i Kishës Katolike
(vijojnë nënshkrimet e etërve)
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
NGA PËRMBLEDHJE E DOKTRINËS SHOQËRORE TË KISHËS
SHTETI DHE BASHKËSITË FETARE
A) Liria Fetare, një e Drejtë Themelore Njerëzore
421 Koncili II i Vatikanit e ka angazhuar Kishën Katolike në nxitjen e lirisë fetare. Deklarata “Dignitatis humanae” saktëson në nëntitullin që kërkon të shpallë “të drejtën e personit dhe të bashkësive për lirinë shoqërore e civile në fushën fetare”. Me qëllim që kjo liri e dashur nga Hyji dhe e gdhendur në natyrën njerëzore të mund të ushtrohet, nuk duhet të pengohet, meqë “e vërteta nuk diktohet në mënyrë tjetër vetëm në bazë të vetë të vërtetës”.857 Dinjiteti i personit dhe vetë natyra e kërkimit të Hyjit kërkojnë prej të gjithë njerëzve paprekshmërinë nga çdo shtrëngim në fushën fetare.858 Shoqëria dhe Shteti nuk duhet ta shtrëngojnë një person që të veprojë kundër ndërgjegjes së vet, as ta pengojnë që të veprojë sipas saj.859 Liria fetare nuk është leje morale për të rënë në gabim, as edhe një e drejtë implicite ndaj gabimit.860
422 Liria e ndërgjegjes dhe e fesë “ka të bëjë me njeriun në mënyrë individuale dhe shoqërore”861 : e drejta për liri fetare duhet të njihet në rregulloret juridike dhe të sanksionohet si e drejtë civile,862 megjithatë nuk është një e drejtë e pakufizuar. Kufijtë e drejtë të ushtrimit të lirisë fetare duhet të përcaktohen për çdo situatë shoqërore me maturi politike, sipas kërkesave të së mirës së përbashkët, dhe të ratifikuara nga autoriteti civil nëpërmjet normave juridike sipas rendit moral objektiv: këto norma kërkohen “nga mbrojtja e efektshme e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe e bashkekzistencës së tyre paqësore, nga një përkujdesje e mjaftueshme për atë paqe të ndershme publike, që është bashkëjetesë e rregulluar dhe e orientuar nga drejtësia e vërtetë, dhe nga ruajtja e duhur e moralitetit publik”.863
423 Për shkak të lidhjeve të saj historike dhe kulturore me një Komb, një bashkësi fetare mund të arrijë një njohje të veçantë nga Shteti: kjo njohje nuk duhet në asnjë mënyrë të krijojë një diskriminim të rendit civil apo shoqëror për grupet e tjera fetare.864 Vizioni i marrëdhënieve mes Shtetit dhe organizmave fetarë, i nxitur nga Koncili II i Vatikanit, i përgjigjet kërkesave të Shtetit të së drejtës dhe normave të së drejtës ndërkombëtare.865 Kisha është shumë e vetëdijshme që ky vizion nuk është i pranuar nga të gjithë: e drejta për liri fetare, për fat të keq, “dhunohet nga shumë Shtete, deri në atë pikë se sa të japësh, apo të bësh që të japin, apo të të bëjnë katekezë bëhet një krim që mund të pësojë masa ndëshkimore”.866
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
NGA PËRMBLEDHJE E DOKTRINËS SHOQËRORE TË KISHËS
SHTETI DHE BASHKËSITË FETARE
B. Kisha Katolike dhe Bashkësia Politike
a) Autonomia dhe pavarësia
424 Kisha dhe bashkësia politike, edhe pse duke u shprehur të dyja me struktura organizative të dukshme, kanë një natyrë të ndryshme si në përvijimin e tyre, ashtu edhe në qëllimin që duan të arrijnë. Koncili II i Vatikanit ka ripohuar solemnisht: “Në fushën e vet, bashkësia politike dhe Kisha janë të pavarura dhe autonome nga njëra-tjetra”.867 Kisha organizohet me forma që kanë për qëllim plotësimin e kërkesave shpirtërore të besimtarëve të vet, ndërsa bashkësitë e ndryshme politike krijojnë marrëdhënie dhe institucione në shërbim të gjithçkaje që përbën të mirën e përbashkët tokësore. Autonomia dhe pavarësia e këtyre dy realiteteve shfaqen qartësisht sidomos në rendin e qëllimeve.
Detyra për të respektuar lirinë fetare i dikton bashkësisë politike që t’i garantojë Kishës hapësirën e nevojshme të veprimit. Kisha, nga ana tjetër, nuk ka një fushë kompetencash specifike për sa i përket strukturës së bashkësisë politike: “Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka titull që të shprehë parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjidhje institucionale apo kushtetutore”868 dhe nuk ka as detyrën që të marrë meritat e programeve politike, vetëm atëherë kur bëhet fjalë për implikimet e tyre fetare dhe morale.
b) Bashkëpunimi
425 Autonomia e ndërsjellë e Kishës dhe e bashkësisë politike nuk bashkëmbart një ndarje që përjashton bashkëpunimin e tyre: të dyja, edhe pse me titull të ndryshëm, janë në shërbim të thirrjes personale dhe shoqërore të po atyre njerëzve. Kisha dhe bashkësia politike, në fakt, shprehen me forma organizative, që nuk janë qëllime në vetvete, por në shërbim të njeriut, për t’i mundësuar atij ushtrimin e plotë të të drejtave të veta, që kanë të bëjnë me dinjitetin e tyre si qytetarë dhe të krishterë, dhe një përmbushje korrekte të detyrave përkatëse. Kisha dhe bashkësia politike mund ta zhvillojnë shërbimin e tyre “në dobi të të gjithëve në mënyrë aq më të efektshme sa më mirë që të dyja të krijojnë mes tyre një bashkëpunim të shëndetshëm, duke marrë parasysh edhe rrethanat e vendit dhe të kohës”.869
426 Kisha ka të drejtë që t’i njihet juridikisht identiteti i saj. Pikërisht sepse misioni i saj përqafon krejt realitetin njerëzor, Kisha, duke u ndier “me të vërtetë dhe thellësisht solidare me gjininë njerëzore dhe historinë e saj”,870 rivendikon lirinë që të shprehë gjykimin e vet moral për këtë realitet, sa herë që kërkohet për mbrojtjen e të drejtave themelore të personit apo për shpëtimin e shpirtrave.871
Për këtë Kisha kërkon: liri të shprehjes, të mësimit, të ungjillëzimit; liri për të shfaqur kultin në publik; liri për t’u organizuar dhe për rregullimet e saj të brendshme; liri zgjedhjeje, edukimi, emërimi dhe transferimi të mbarështuesve të vet; liri për të ndërtuar struktura fetare; liri për të blerë dhe për të zotëruar të mira të përshtatshme për veprimtarinë e vet; liri për t’u organizuar në shoqata për qëllime jo vetëm fetare, por edhe edukative, kulturore, shëndetësore dhe bamirëse.872
427 Me qëllim që të parandalojë apo fashisë konflikte të mundshme mes Kishës dhe bashkësisë politike, përvoja juridike e Kishës dhe e Shtetit ka përvijuar në mënyra të ndryshme forma të qëndrueshme marrëdhëniesh dhe mjetesh të përshtatshme për të garantuar marrëdhënie harmonike. Kjo përvojë është një pikë referimi thelbësore për të gjitha rastet në të cilat Shteti pretendon të hyjë me të padrejtë në fushën e veprimit të Kishës, duke e penguar atë në zhvillimin e veprimtarisë së lirë deri në përndjekjen haptazi të saj ose, e kundërta, në rastet kur organizatat kishtare nuk veprojnë korrektësisht në lidhje me Shtetin.
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
E Vërteta dhe Toleranca
Plaku Dallin H. Ouks
Të dashur vëllezër dhe motra të mia të reja, Kristeni dhe unë ndihemi të privilegjuar të jemi me ju në këtë rast të rëndësishëm. Ne takohemi më 11 shtator, përvjetori i dhjetë i një ngjarjeje që ka ndikuar thellësisht jetën dhe mendimin tonë dhe do ta bëjë këtë për shumë vite që do të vijnë. Ai është përgjithmonë i shoqëruar me Kullat Binjake.
Unë kam pasur përshtypjen që të flas këtë mbrëmje rreth një grupi tjetër binjakësh, idetë binjake të së Vërtetës dhe të Tolerancës. Këto tema nuk janë zgjedhur sepse janë vetëm shqetësimi juaj si të rinj në moshë madhore, si takimet, daljet nga shtëpia dhe martesa që unë u përshkrova këtyre dëgjuesve disa vite përpara. Trajtimi im i së vërtetës dhe tolerancës do t’ju ftojë të merrni parasysh dhe të jepni mësim këto tema binjake sepse ato janë jetike për brezin që rritet, në të cilin ju jeni anëtarë madhorë.
Ne Besojmë në të Vërtetën Absolute
Së pari: E vërteta. Ne besojmë në të vërtetën absolute, përfshirë ekzistencën e Perëndisë dhe të drejtën e të gabuarën e përcaktuar nga urdhërimet e Tij. Ne këndojmë:
Qiejt të çahen, burimet të shpërthejnë,
E vërteta këto që të gjitha do i duroj’,
Për jetë, e njëjtë gjithmonë.1
Me fjalët e Presidentit Jozef F. Smith: “Ne besojmë në të gjithë të vërtetën, pavarësisht cilës temë mund t’i referohet ajo. Asnjë sekt ose grup fetar në botë nuk ka qoftë edhe një parim të vetëm të vërtete që ne nuk e pranojmë apo që do ta kundërshtojmë. Ne jemi të gatshëm të marrim të gjithë të vërtetën cilido qoftë burimi nga mund të vijë, sepse e vërteta do të qëndrojë, e vërteta do të rezistojë.”2
Ekzistenca dhe natyra e së vërtetës është një nga çështjet themelore të jetës së vdekshme. Jezusi i tha qeveritarit romak Pilatit se Ai erdhi në botë “që të dëshmojë për të vërtetën”. “Ç’është e vërteta?” u përgjigj mosbesuesi (shih Gjoni 18:37–38). Kohë më parë Shpëtimtari pati deklaruar: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Në zbulesën moderne Ai deklaroi: “Dhe e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (DeB 93:24).
Vëllezër dhe motra të mia të reja, ne e dimë se ekzistenca e Perëndisë dhe ekzistenca e së vërtetës absolute janë themelore për jetën në këtë tokë, pavarësisht nëse besohen apo jo. Ne gjithashtu e dimë se e keqja ekziston dhe se disa gjëra janë thjesht, seriozisht dhe përgjithmonë të gabuara. Juve të cilëve ju drejtohem, shmangeni të keqen dhe kërkojeni të vërtetën. Unë ju përshëndes për veprimet tuaja të drejta dhe dëshirat tuaja të drejta. Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë përpiqem t’ju ndihmoj të bëni zgjedhje të drejta në një botë që është duke u polarizuar gjithnjë e më shumë midis besimit dhe mosbesimit, midis së mirës dhe së keqes.
Informacione tronditëse vjedhjeje dhe mashtrimi në shkallë të gjerë në shoqëri të qytetëruara në dy muajt e fundit flasin për zbrazëti morale, ku shumë njerëz kuptojnë pak mbi të drejtën dhe të gabuarën. Rebelimet dhe plaçkitjet me shtrirje të gjerë muajin e fundit në Britani dhe mashtrimi skandaloz me shtrirje të gjerë nga mësuesit në provime shtetërore në shkollat fillore dhe të mesme në Atlanta të Xhorxhias, kanë bërë që shumë njerëz të pyesin veten nëse po e humbasim themelin moral që vendet perëndimore kanë marrë nga trashëgimia e tyre judeo-kristiane.3
Ruhuni nga Relativizmi Moral
Është mirë të shqetësohemi rreth themelit tonë moral. Ne jetojmë në një botë ku gjithnjë e më shumë njerëz me ndikim po japin mësim dhe po veprojnë sipas një besimi që nuk ka të drejtë dhe të gabuar absolute, që i gjithë autoriteti dhe të gjitha rregullat e sjelljes janë zgjedhje njerëzore që mund të mbizotërojnë ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Shumë njerëz madje pyesin nëse ka Perëndi.
Filozofia e relativizmit moral, që thotë se çdo person është i lirë të zgjedhë vetë çfarë është e drejtë dhe e gabuar, po bëhet kredoja jo zyrtare për shumë njerëz në Amerikë dhe kombe të tjera perëndimore. Në nivelin e skajshëm, veprimet e këqija që normalisht gjendeshin dhe mbuloheshin si çibanë, tani janë përligjur dhe parakalojnë si flamur. Të bindur nga kjo filozofi, shumë nga brezi që rritet – të rinj dhe të rinj në moshë madhore – janë mbërthyer në kënaqësitë boshe, vizatime dhe shpime pagane të pjesëve të trupit, gjuhë të ndyrë, veshje ekspozuese, pornografi, pandershmëri dhe kënaqësi seksuale degjeneruese.
Në besimin themelor tek e drejta dhe e gabuara ka një kontrast alarmues midis brezave të vjetër dhe të rinj. Sipas të dhënave të një studimi të dy dekadave më parë, “79 për qind e amerikanëve të rritur [besonin] se ‘ka vija të qarta rreth asaj se cila është e mirë dhe e keqe që zbatohen për cilindo pavarësisht nga situata’”4. Në të kundërt, një sondazh i kohëve të fundit në vitet e fundit të kolegjeve thotë se “tre të katërtat [e tyre] besojnë se ndryshimi midis së drejtës dhe së gabuarës është relativ”5.
Shumë udhëheqës fetarë japin mësim mbi ekzistencën e Perëndisë si Ligjvënësi më i Lartë, nëpërmjet veprimit të të cilit disa sjellje janë absolutisht të drejta e të vërteta dhe sjellje të tjera janë absolutisht të gabuara e të pavërteta6. Profetët e Biblës dhe të Librit të Mormonit e parashikuan këtë kohë, kur njerëzit do të jenë “dëfrimdashës më fort se perëndidashës” (2 Timoteut 3:4) dhe, me të vërtetë, kur njerëzit do të mohonin Perëndinë (shih Judës 1:4; 2 Nefi 28:5; Moroni 7:17; DeB 29:22).
Në këtë gjendje të trazuar, ne që besojmë në Perëndi dhe të vërtetën logjike të së drejtës dhe së gabuarës aboslute, kemi sfidën e të jetuarit në një botë të pafe dhe gjithnjë e më shumë të pamoralshme. Në këto kushte, të gjithë ne – dhe veçanërisht ju brezi i ri – kemi një detyrë që të ngrihemi dhe të flasim për të pohuar se Perëndia ekziston dhe se ka të vërteta absolute që i përcaktojnë urdhërimet e Tij. Duke vepruar kështu, ne shenjtorët e ditëve të mëvonshme mbështetemi në të vërtetën që e këndojmë në himnin që citova më sipër:
Po drita e t’vërtetës do duroj der’ n’fund,
fortësia e saj do durojë erën e shumt’;
Tiran’ve shpresat do t’ua shkat’rroj’.7
Duke parë këtë auditor të rinjsh të angazhuar, unë e di se disa nga ju mund të jenë duke pyetur veten përse po flas rreth diçkaje që është e qartë për ju dhe që, mund të supozoni ju, është e qartë për të tjerët. Kujtoni të dhënat e studimit që përmenda më sipër, i cili thoshte se rreth tre të katërtat e të gjithë studentëve të vitit të fundit të kolegjeve besojnë se ndryshimi midis së drejtës dhe së gabuarës është relativ.
Unë kam zgjedhur të flas rreth së vërtetës sepse mësuesit në shkolla, kolegje dhe universitete po japin mësim dhe praktikojnë moralitet relativ. Kjo po formon qëndrimet e shumë të rinjve amerikanë që po zënë vendet e tyre si mësues të fëmijëve tanë dhe formues të qëndrimeve publike nëpërmjet mediave dhe argëtimit popullor. Kjo filozofi e relativizmit moral mohon atë që miliona besimtarë të krishterë, hebrenj dhe muslimanë e konsiderojnë themelore dhe ky mohim krijon probleme serioze për të gjithë ne. Ajo që besimtarët duhet të bëjnë rreth kësaj, paraqet të dytën nga temat e mia binjake: Tolerancën.
Toleranca
Toleranca është përkufizuar si një qëndrim miqësor dhe i paanshëm ndaj opinioneve dhe praktikave të panjohura ose ndaj personave që i mbajnë apo i praktikojnë ato. Ndërsa transporti dhe komunikimi modern na kanë sjellë të gjithë në afërsi më të madhe me popuj të ndryshëm dhe ide të ndryshme, ne kemi nevojë më të madhe për tolerancë. Kur isha i ri në moshë madhore, rreth 60 vite përpara, vetëm në libra dhe revista amerikanët mund të shihnin ndryshimet e mëdha në kultura, vlera dhe popuj. Tani, ne përjetojmë të tilla ndryshime në televizion e internet, nëpërmjet udhëtimeve dhe shpesh në ndërveprime vetjake në lagjet dhe tregjet tona.
Ky ekspozim më i madh ndaj shumëllojshmërisë edhe e pasuron edhe e ndërlikon jetën tonë. Ne pasurohemi nga shoqërimet me njerëz të ndryshëm, që na kujtojnë për shumëllojshmërinë e mrekullueshme të fëmijëve të Perëndisë. Por shumëllojshmëritë në kultura dhe vlera gjithashtu na sfidojnë që të gjejmë çfarë mund të përqafohet meqë është në përputhje me kulturën e vlerat e ungjillit tonë dhe çfarë nuk mund. Në këtë mënyrë shumëllojshmëria rrit mundësinë për mosmarrëveshje dhe kërkon që ne të jemi më të vëmendshëm rreth natyrës së tolerancës. Çfarë është toleranca, kur zbatohet dhe kur nuk zbatohet?
Kjo është një pyetje më e vështirë për ata që pohojnë ekzistencën e Perëndisë dhe të së vërtetës absolute sesa për ata që besojnë në relativizmin moral. Sa më i dobët besimi i njeriut në Perëndi aq më pak absolute morale ka, aq më pak raste kur idetë apo praktikat e të tjerëve do ta përballin atë me sfidën për të qenë tolerant. Për shembull, një ateist nuk ka nevojë të vendosë se çfarë lloje dhe rastesh vulgariteti apo blasfemie mund të tolerohen dhe çfarë lloje duhet të kundërshtohen. Personat që nuk besojnë në Perëndi ose në të vërtetë absolute në çështje morale, mund ta shohin veten ndër njerëzit më tolerantë. Për ata, thuajse çdo gjë shkon. “Ju bëni gjënë tuaj dhe unë do të bëj timen” është përshkrimi i përhapur. Ky sistem besimi mund të tolerojë thuajse çdo sjellje dhe thuajse çdo person. Fatkeqësisht, disa që besojnë në relativizmin moral, duket të kenë vështirësi për t’i toleruar ata që këmbëngulin se ka një Perëndi që duhet të respektohet, dhe disa absolute morale që duhet të zbatohen.
Tre të Vërteta Absolute për Tolerancën
Unë nuk do të flas më shumë rreth tolerancës apo intolerancës së jobesimtarëve. Unë po flas për një auditor shenjtorësh të ditëve të mëvonshme që besojnë në Perëndi dhe në të vërtetën absolute. Çfarë do të thotë toleranca për ne e për besimtarët e tjerë dhe cilat janë sfidat tona të veçanta në zbatimin e saj?
Unë po filloj me tre të vërteta absolute. Unë i shpreh ato si Apostull i Zotit Jezu Krisht, por unë besoj se shumica e këtyre ideve janë të përbashkëta për besimtarët në përgjithësi.
Së pari, të gjithë personat janë vëllezër dhe motra nën Perëndi, të mësuar brenda feve të tyre të ndryshme që ta duan dhe t’i bëjnë mirë njëri-tjetrit. Presidenti Gordon B. Hinkli shprehu këtë ide për shenjtorët e ditëve të mëvonshme: “Secili prej nesh [nga përkatësi të ndryshme fetare] beson në atësinë e Perëndisë edhe pse ne mund të ndryshojmë në interpretimet tona për Të. Secili prej nesh është pjesë e një familjeje të madhe, familja njerëzore, bij dhe bija të Perëndisë dhe, si rrjedhim, vëllezër dhe motra. Ne duhet të punojmë më fort për të ndërtuar respekt të ndërsjelltë dhe qëndrim vetëpërmbajtës me tolerancë për njëri-tjetrin pavarësisht nga doktrinat dhe filozofitë që ne mund të përkrahim.”8
Vini re që Presidenti Hinkli foli për “respekt të ndërsjelltë” si dhe për tolerancë. Duke folur në Universitetin “Brigam Jang” një dekadë më vonë, një studiues musliman, Dr. Alui Shihab, indonezian, e përpunoi atë ide me këto fjalë: “Të tolerosh diçka do të thotë të mësosh të jetosh me të, madje edhe kur ju mendoni se është gabim dhe e keqe vërtet. … Ne duhet të shkojmë, besoj unë, përtej tolerancës nëse duhet të arrijmë harmoni në botën tonë.”
Duke u mbështetur në mësimet e Kuranit, Dr. Shihab vazhdoi: “Ne duhet të respektojmë këtë dinjitet që Perëndia i ka dhënë çdo qënieje njerëzore, madje edhe tek armiqtë tanë. Sepse qëllimi i gjithë marrëdhënieve njerëzore – qofshin ato fetare, shoqërore, politike apo ekonomike – duhet të jetë bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjelltë.”9
Të jetuarit së bashku me respekt të ndërsjelltë për ndryshimet e njëri-tjetrit është një sfidë në botën e sotme. Sidoqoftë – dhe këtu unë shpreh një të vërtetë të dytë absolute – kjo jetesë me ndryshime është ajo që ungjilli i Jezu Krishtit na mëson se duhet ta bëjmë.
Mbretëria e Perëndisë është si një maja, na mësoi Jezusi (shih Mateu 13:33). Majaja – tharmi – humbet në masën më të madhe deri sa të vijë i tërë brumi, që do të thotë që ngrihet nga ndikimi i saj. Shpëtimtari ynë gjithashtu na mësoi se ndjekësit e Tij do të kenë mundime në botë, që numri dhe zotërimet e tyre do të jenë të vogla (shih 1 Nefi 14:12) dhe që ata do të urrehen sepse nuk janë prej botës (shih Gjoni 17:14). Por ai është roli ynë. Ne jemi thirrur të jetojmë me fëmijë të tjerë të Perëndisë që nuk ndajnë besimin tonë apo vlerat tona dhe që nuk kanë detyrimet e besëlidhjes që ne kemi pranuar. Kështu ishte që, në përfundim të shërbesës së Tij, Jezusi iu lut Atit: “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu” (Gjoni 17:15). Ne jemi që të jemi në botë, por jo prej botës.
Gjersa pasuesit e Jezu Krishtit janë urdhëruar të jenë një maja – jo që të hiqen nga bota, por që të qëndrojnë në të – ne duhet të kërkojmë tolerancë nga ata që na urrejnë sepse nuk jemi prej botës. Si pjesë e kësaj, ne do të kemi nevojë ndonjëherë të sfidojmë ligjet që do të na pengojnë lirinë tonë për të praktikuar besimet tona, duke e bërë këtë në sigurinë e të drejtave tona kushtetuese ndaj ushtrimit të lirë të fesë. Siç është përshkruar nga një avokat që mbështeste një shkollë luteriane në një çështje tani përpara Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, shqetësimi i madh është “aftësia e njerëzve të të gjitha besimeve për të gjetur lidhjen e tyre me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin pa ndërhyrjen e qeverisë”10. Kjo është pse ne kemi nevojë për kuptueshmëri dhe mbështetje – përfshirë kuptueshmërinë dhe mbështetjen tuaj – kur ne duhet të luftojmë për liri fetare.
Ne duhet gjithashtu të praktikojmë tolerancë dhe respekt ndaj të tjerëve. Siç na mëson Apostulli Pal, të krishterët duhet “të ndjeki[n] … ato që ndihmojnë për paqe” (Romakëve 14:19) dhe, sa më shumë që është e mundur, “jetoni në paqe me gjithë njerëzit” (Romakëve 12:18). Si rrjedhim, ne duhet të jemi syçelët që të nderojmë të mirën që duhet të shohim te të gjithë njerëzit dhe në shumë opinione e praktika që ndryshojnë nga tonat. Siç na mëson Libri i Mormonit:
“Të gjitha gjërat që janë të mira vijnë nga Perëndia. …
… Prandaj çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia.
Prandaj, kini kujdes … të mos gjykoni … atë që është e mirë dhe e Perëndisë, të jetë e djallit” (Moroni 7:12–14).
Ajo qasje te ndryshimet do të prodhojë tolerancë dhe gjithashtu respekt.
Toleranca dhe respekti ynë për të tjerët dhe besimet e tyre nuk na bën që të braktisim angazhimin tonë ndaj të vërtetave që i kuptojmë dhe besëlidhjeve që kemi bërë. Kjo është një e vërtetë absolute e tretë: Ne nuk i braktisim të vërtetën dhe besëlidhjet tona. Ne jemi hedhur si luftëtarë në luftën midis së vërtetës dhe gabimit. Nuk ka terren të mesëm. Ne duhet të ngrihemi për të vërtetën, edhe kur praktikojmë tolerancë dhe respekt për besimet dhe idetë e ndryshme nga tonat dhe për njerëzit që i besojnë ato.
Ndërsa duhet të praktikojmë tolerancë dhe respekt për të tjerët dhe për besimet e tyre, përfshirë lirinë e tyre kushtetuese për të shpjeguar dhe mbrojtur pozitat e tyre, neve nuk na kërkohet të respektojmë dhe të tolerojmë sjelljen e gabuar. Detyra jonë ndaj së vërtetës na kërkon që të përpiqemi të lirohemi nga një sjellje që është e gabuar. Kjo dallohet lehtë për sjellje të skajshme që shumica e besimtarëve dhe e jobesimtarëve i njeh si të gabuara ose të papranueshme. Për shembull, ne duhet të gjithë të qortojmë vrasjen apo sjellje të tjera terroriste, edhe kur bëhen nga ekstremistë në emër të fesë. Dhe ne të gjithë duhet të kundërshtojmë dhunën dhe vjedhjen.
Monedha me Dy Anë e Tolerancës dhe të Vërtetës
Sa për sjellje më pak të skajshme, ku edhe besimtarët nuk bien dakord nëse janë gabim apo jo, natyra dhe shtrirja e asaj që ne duhet të tolerojmë është shumë më e vështirë për t’u përcaktuar. Kështu, një grua e vëmendshme shenjtore e ditëve të mëvonshme më shkroi mua rreth shqetësimit të saj që “përkufizimi i botës për ‘tolerancën’ duket të përdoret gjithnjë e më shumë në lidhje me tolerimin e stileve të këqija të jetesës”. Ajo më pyeti si do ta përkufizonte Zoti “tolerancën”11.
Presidenti Bojd K. Paker na dha një paraqitje të frymëzuar të kësaj teme. Duke folur përpara një auditori studentësh të institutit tre vite përpara ai tha: “Fjala tolerancë nuk qëndron vetëm. Ajo kërkon një objekt dhe një përgjigje për t’u kualifikuar si virtyt. … Toleranca kërkohet shpesh por rrallë kthehet. Ruhuni nga fjala tolerancë. Ajo është një virtyt shumë i paqëndrueshëm.”12
Ky kujdes i frymëzuar na kujton se për personat që besojnë në të vërtetën absolute, toleranca për sjellje është si një monedhë me dy anë. Toleranca ose respekti është në një anë të monedhës, por e vërteta është gjithmonë te tjetra. Ju nuk mund ta zotëroni apo ta përdorni monedhën e tolerancës pa qenë të vetëdijshëm për të dy anët.
Shpëtimtari zbatonte këtë parim. Kur u përball me një grua që kishte shkelur kurorën, Jezusi tha fjalët qetësuese të tolerancës: “As unë nuk të dënoj”. Pastaj, ndërsa i tha të largohej, Ai tha fjalët urdhëruese të së vërtetës: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11). Ne të gjithë duhet të ngrihemi moralisht dhe të forcohemi nga ky shembull i shprehjes edhe të tolerancës edhe të së vërtetës: mirësi në komunikim, por vendosmëri tek e vërteta.
Përballimi i Vulgaritetit, Bashkëjetesës dhe Shkeljes së Shabatit me të Vërtetë dhe Tolerancë
Le të shqyrtojmë si zbatohet ai shembull te disa sjellje të tjera. Një anëtar tjetër shdm i vëmendshëm shkruante:
“Te Mosia 18:9 Alma na tregon se kur pagëzohemi ne bëjmë besëlidhje ‘të qëndrojmë si “dëshmitarë” të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju mund të gjendeni’. … Çfarë do të thotë ky shkrim i shenjtë për ditët tona dhe si mund të zbatohet nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme?
Duke jetuar në terrenin e misionit, unë shpesh dëgjoj emrin e Zotit të përmendet kot dhe kam gjithashtu të njohura që më thonë se po jetojnë me djalin që duan. Unë kam parë se respektimi i Shabatit është thuajse i vjetëruar. Si mundem ta mbaj besëlidhjen time që të qëndroj si dëshmitar dhe të mos i fyej këta njerëz?”13
Vulgariteti, bashkëjetesa dhe shkelja e Shabatit – shembuj të shkëlqyer për të ilustruar se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund t’i drejtpeshojnë detyrat e tyre, që mund të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën, me të vërtetën dhe tolerancën në vetë jetën e tyre në këto rrethana të vështira.
Unë po filloj me sjelljen tonë personale, përfshirë mësimdhënien për fëmijët tanë. Në zbatimin e kërkesave ndonjëherë konkurruese të së vërtetës dhe të tolerancës në këto tre sjellje dhe shumë të tjera, ne nuk duhet të jemi tolerantë me vetveten. Ne duhet të sundohemi nga kërkesat e së vërtetës. Ne duhet të jemi të fortë në mbajtjen e urdhërimeve e të besëlidhjeve tona dhe ne duhet të pendohemi dhe të përmirësohemi kur bëjmë gabim.
Siç na mësoi Presidenti Tomas S. Monson në konferencën ku ai u mbështet si profeti ynë: “Miq të mij të rinj, jini të fortë. … Fytyra e mëkatit sot shpesh vendos maskën e tolerancës. Mos u mashtroni; prapa fasadës është dëshpërimi, hidhërimi dhe dhimbja. Ju e dini çfarë është e drejtë e çfarë është e gabuar dhe asnjë maskim, sado joshës, nuk mund ta ndryshojë atë. Karakteri i mëkatit mbetet po ai. Nëse të ashtuquajturit miqtë tuaj ju nxisin të bëni diçka që e dini se është e gabuar, ju të jini ai që do të qëndrojë për të drejtën, edhe nëse qëndroni të vetëm.”14
Po kështu, me fëmijët tanë dhe me të tjerët ne kemi detyrë që t’u mësojmë – si në thirrjet tona të Kishës – se detyra jonë ndaj së vërtetës ka rëndësi më të madhe. Sigurisht, përpjekjet për të dhënë mësim japin fryt nëpërmjet lirisë së zgjedhjes të të tjerëve, kështu ato duhet të bëhen gjithmonë me dashuri, durim dhe bindje.
Unë po kthehem tani te detyrimet e së vërtetës dhe të tolerancës në marrëdhëniet tona personale me shokë apo shoqe që përdorin vulgaritet në prani tonë, që jetojnë me partner jashtë martese ose që nuk respektojnë siç duhet ditën e Shabatit. Si duhet të reagojmë ndaj tyre dhe të komunikojmë me ta?
Detyrimi ynë ndaj tolerancës do të thotë se asnjë nga këto sjellje – apo të tjera që ne i konsiderojmë shmangie nga e vërteta – nuk duhet të na bëjë kurrë që të reagojmë me komunikime urryese apo veprime të ashpra. Por detyrimi ynë ndaj së vërtetës ka kompletin e vet të kërkesave dhe kompletin e vet të bekimeve. Kur ne “[i themi] të vërtetën të afërmit [tonë]” (Efesianëve 4:25) dhe kur ne “[e themi] të vërtetën me dashuri” (Efesianëve 4:15), siç na mësoi Apostulli Pal, ne po veprojmë si shërbëtorë të Zotit Jezu Krisht, duke bërë punën e Tij. Engjëjt do të qëndrojnë me ne dhe Ai do të dërgojë Shpirtin e Tij të Shenjtë që të na drejtojë.
Në këtë çështje delikate duhet së pari të marrim parasysh, nëse duhet dhe në çfarë shkalle t’u komunikojmë shokëve atë që ne e dimë se është e vërtetë lidhur me sjelljen e tyre. Në shumë raste ky vendim mund të varet nga ajo se sa drejtpërdrejt jemi personalisht të prekur prej tij.
Vulgariteti i përdorur vazhdimisht në praninë tonë është një shkak i përshtatshëm për ne që të komunikojmë faktin se kjo është fyese për ne. Vulgariteti i përdorur jashtë pranisë tonë nga jobesimtarë ndoshta nuk do të ishte një rast për ne që t’u kundërvihemi fyesve.
Bashkëjetesa ne e dimë se është një mëkat serioz, në të cilin shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk duhet të përzihen, cilatdo qofshin rrethanat. Kur praktikohet nga ata përreth nesh, ajo mund të jetë një sjellje private apo diçka që neve na kërkohet ta shpërfillim, nxitim apo lehtësojmë. Në drejtpeshimin midis së vërtetës dhe tolerancës, toleranca mund të jetë mbizotëruese atje ku sjellja nuk na përfshin ne personalisht. Nëse bashkëjetesa na përfshin personalisht, ne duhet të drejtohemi sipas detyrës sonë ndaj së vërtetës. Për shembull, është një gjë të shpërfillësh mëkate serioze kur ato janë private; është krejtësisht diçka tjetër të të kërkohet të nxitësh ose nënkuptueshëm t’i miratosh ato, si për shembull duke i strehuar ata në shtëpinë tonë.
Në respektimin e Shabatit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e dinë se neve na mësohet të respektojmë ditën e Shabatit në një mënyrë të ndryshme nga shumë të krishterë të tjerë. Shumica prej nesh shqetësohen nga qendrat tregtare të ngjeshura me njerëz apo veprimtaritë tregtare në Shabat. Ndoshta ne duhet ta shpjegojmë besimin tonë se respektimi ynë për Shabatin, përfshirë pjesëmarrjen tonë në sakrament, na ripërtërin shpirtërisht dhe na bën njerëz më të mirë për pjesën tjetër të javës. Pastaj, për besimtarë të tjerë, ne mund të shprehim vlerësim për faktin që ne kemi baza të përbashkëta mbi atë që është më jetike, sepse secili prej nesh beson në Perëndi dhe në ekzistencën e së vërtetës absolute, edhe pse ne ndryshojmë në përkufizimet tona të atyre bazave. Përtej asaj, ne duhet të kujtojmë mësimin e Shpëtimtarit se duhet të shmangim grindjen (3 Nefi 11:29–30) dhe që shembulli ynë dhe predikimi ynë duhet të jenë “zëri paralajmërues, çdo njeri të afërmit të tij, me qetësi dhe butësi” (DeB 38:41).
Në të gjithë këtë ne nuk duhet t’i lejojmë vetes të gjykojmë fqinjët apo shokët a shoqet tona mbi pasojat finale të sjelljeve të tyre. Ai gjykim është i Zotit, jo yni. Edhe Ai u shmang nga një gjykim përfundimtar me vdekje për gruan e kapur në shkelje kurore. Toleranca kërkon një shmangie të ngjashme në gjykimin tonë për të tjerët.
Katër Parime të së Vërtetës dhe Tolerancës Kur Kërkojmë Veprim Qeveritar
Pasi kam diskutuar drejtpeshimin e së vërtetës dhe të tolerancës në sjelljen tonë personale dhe në marrëdhëniet tona me shokët e shoqet, unë arrij në një pikë të ndryshme dhe më të vështirë. Kur besimtarët hyjnë në debate publike për t’u përpjekur që të ndikojnë në bërjen apo administrimin e ligjeve, të nxitur nga besimet e tyre, ata duhet të zbatojnë disa parime të ndryshme.
Si të rinj në moshë madhore, ju mund të pyesni veten përse po ju flas rreth parimeve që ne duhet të ndjekim kur kërkojmë veprim qeveritar, të tillë si prej organit legjislativ. Ju mund të thoni: “Kjo është një çështje për t’u trajtuar nga autoritetet e larta të Kishës”. Unë po i përshkruaj këto parime për ju të rinj në moshë madhore sepse ju jeni anëtarë të tanishëm dhe udhëheqës të ardhshëm të Kishës së Jezu Krishtit dhe juve do t’ju duhet të vendosni për këto lloj pyetjesh më herët nga sa e mendoni. Ju duhet të kuptoni se si përpjekjet tona në debate publike ndikohen nga drejtpeshimi midis së vërtetës dhe tolerancës.
Nëse ose si mund të kërkojmë të arrijmë ligjet, që do ta detyronin apo ndikonin sjelljen që e mendojmë të dëshirueshme për shkak të besimit tonë në Perëndi dhe urdhërimeve të Tij, është një temë tepër e gjerë për trajtim të mjaftueshëm në pak minutat përmbyllëse të bisedës sime. Prandaj, unë do të kufizohem të përshkruaj katër parime parësore që duhet të drejtojnë një përpjekje të tillë.
Së pari, kur besimtarët në Jezu Krisht i çojnë pikëpamjet e tyre të së vërtetës në debate publike, ata duhet të kërkojnë frymëzim nga Zoti që të jenë përzgjedhës dhe të mençur për të zgjedhur se cila parime të vërteta kërkojnë të mbështesin me anë të ligjit apo veprimit ekzekutiv. Në përgjithësi, ata duhet të shmangen nga kërkimi i ligjeve apo veprimeve administrative për të lehtësuar besimet që janë dalluese për besimtarët, të tilla si detyrimi i akteve të adhurimit, qoftë edhe tërthorazi. Besimtarët mund të jenë më pak të kujdesshëm në kërkimin e veprimit qeveritar që do t’u shërbente parimeve më gjerë se thjesht duke lehtësuar praktikimin e besimeve të tyre, të tilla si ligjet lidhur me shëndetin publik, sigurinë dhe parimet morale.
Në çdo rast, si mbrojtës të fesë, besimtarët mund dhe duhet të kërkojnë ligje që do të ruajnë lirinë fetare. Me rritjen e relativizmit moral Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një pakësim shqetësues në vlerësimin e përgjithshëm publik për fenë. Dikur, një pjesë e pranuar e jetës amerikane, feja është tani e dyshimtë në mendjet e shumë njerëzve. Për ata ajo është bërë diçka që duhet ta provojë ligjshmërinë e saj si pjesë e jetës sonë publike. Disa zëra me ndikim madje pyesin se në çfarë mase kushtetuta jonë duhet ta mbrojë ushtrimin e lirë të fesë, përfshirë të drejtën e praktikimit dhe predikimit të parimeve fetare.
Kjo është një çështje jetike për të cilën ne që besojmë në Qenien Supreme, një Qenie që ka krijuar të drejtën dhe të gabuarën absolute në sjelljen njerëzore, duhet të bashkohemi për të këmbëngulur që të lejohemi të kemi të drejtat tona kushtetuese, të drejta të cilat janë respektuar gjatë shumë viteve, që të ushtrojmë fenë tonë, të votojmë sipas ndërgjegjes sonë në çështjet publike dhe të marrim pjesë në zgjedhje dhe debate në çështje publike dhe në sistemin e drejtësisë. Duke bërë këtë ne qëndrojmë me engjëjt. Ne gjithashtu duhet të qëndrojmë sup më sup me besimtarët e tjerë për të ruajtur dhe forcuar lirinë për të mbrojtur dhe praktikuar besimet tona fetare, cilatdo qofshin ato. Për këtë qëllim ne duhet të ecim së bashku në të njëjtin shteg, me qëllim që të sigurojmë lirinë tonë për të ndjekur rrugët tona të veçanta kur ajo është e nevojshme sipas besimeve tona të veçanta. Të drejtuar nga qielli në këtë çështje të drejtë, fjalët tona do të jenë të ëmbla dhe do të zënë vend në zemrat e shumë njerëzve.
Së dyti, kur besimtarët kërkojnë të mbështesin pikëpamjet e tyre në çështjet publike, metodat e tyre dhe mbrojtja e tyre, gjithmonë duhet të jenë tolerante për opinionet dhe pozitat e atyre që nuk kanë besimet e tyre. Ne nuk duhet të shtojmë tek skajshmëria që ndan shoqërinë tonë. Si besimtarë, ne gjithmonë duhet të flasim me dashuri dhe të tregojmë durim, mirëkuptim dhe dhembshuri ndaj kundërshtarëve tanë. Besimtarët e krishterë janë nën urdhër që të duan fqinjët e tyre (shih Lluka 10:27), të falin (shih Mateu 18:21–35) dhe t’u bëjnë mirë atyre që i përdorin ata mizorisht (shih Mateu 5:44). Ata gjithmonë duhet të kujtojnë mësimin e Shpëtimtarit që ne të “beko[jmë] ata që [na] mallko[jnë], u [bëjmë] të mirë atyre që [na] urrejnë, dhe lute[mi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin” (Mateu5:44).
Si besimtarë, ne gjithashtu duhet të formulojmë argumentet dhe pikëpamjet tona në mënyra që të kontribuojnë në diskutimin dhe ujdinë e arsyeshme që janë thelbësore në qeverisjen demokratike në një shoqëri pluraliste. Me këto mjete, ne do të kontribuojmë në mirësjelljen që është thelbësore për të ruajtur qytetërimin tonë.
Së treti, besimtarët nuk duhet të frenohen nga akuza familjare që ata po përpiqen të legalizojnë moralitetin. Shumë fusha të ligjit janë bazuar në moralitetin judeo/kristian dhe kanë qenë bazuar për shekuj. Qytetërimi ynë është bazuar në moralitet dhe nuk mund të ekzistojë pa të. Siç deklaroi Xhon Adams: “Kushtetuta jonë ishte bërë vetëm për një popull të moralshëm dhe fetar. Ajo është krejtësisht e papërshtatshme për qeverisjen e një populli imoral dhe të pafe.”15
Së katërti, besimtarët nuk duhet të zbrapsen nga kërkimi i ligjeve për ruajtjen e kushteve apo politikave publike, që i ndihmojnë ata në ushtrimin e kërkesave të besimit të tyre, atje ku këto kushte apo politika janë të favorshme gjithashtu për shëndetin, sigurinë apo moralin publik. Për shembull, edhe pse besimet fetare janë baza e shumë ligjeve penale dhe disa ligjeve të familjes, ligje të tilla janë konsideruar për një kohë të gjatë si të përshtatshme për shoqëritë demokratike. Por atje ku besimtarët janë në shumicë, ata gjithmonë duhet të jenë të ndjeshëm ndaj pikëpamjeve të pakicës.
Ne shenjtorët e ditëve të mëvonshme ndonjëherë akuzohemi se i japim me tepëri të drejtë vetes dhe nuk jemi tolerantë ndaj të tjerëve, sidomos atje ku jemi shumicë ose ku të tjerët janë shumicë dhe besimet tona na bëjnë që t’i kundërshtojmë ata. Sigurisht shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të jenë më të mençur dhe të shkathët në shpjegimin e në zbatimin e pikëpamjeve tona dhe në ushtrimin e ndikimit tonë kur e kemi atë.
Këto janë parimet bazë të monedhës me dy anë të së vërtetës dhe tolerancës. Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë një shembull të shkëlqyer të praktikimit të këtyre virtyteve binjake. Gjatë gjithë jetës së tij ai ka qenë shembullor në vajtjen tek anëtarët dhe udhëheqësit e besimeve të tjera dhe në punën me ta, në përpjekje bashkëpunimi për çështje me interes të përbashkët dhe në shoqërimin dhe shqetësimin e krishterë që nuk kanë kufij ndarës.16
Më në fund, qëndrimi ynë në drejtpeshimin e së vërtetës dhe tolerancës shprehet në këto fjalë të Presidentit Gordon B. Hinkli: “Le të shkojmë tek ata në komunitetin tonë që nuk janë të fesë sonë. Le të jemi fqinj të mirë, të këndshëm dhe bujarë, dhe zemërbardhë. Le të përfshihemi në kauza të mira të komunitetit. Mund të ketë situata, do të ketë situata, ku, me çështjet morale serioze që përfshihen, ne nuk mund të bëjmë kompromis në çështjet e parimit. Por në raste të tilla, ne mund të mos biem dakord me mirësjellje pa qenë të pakëndshëm. Ne mund ta njohim sinqeritetin e atyre pikëpamjet e të cilëve nuk mund t’i pranojmë. Ne mund të flasim për parime më shumë sesa për personalitete.”17
Dhurata për të Ditur dhe Dhurata për të Besuar
Unë po e mbyll me këtë sigurim dhe këtë dëshmi:
Bibla na mëson se një nga detyrat e një profeti është të jetë një “rojtar” që të paralajmërojë Izraelin (shih Ezekieli 3:17; 33:7). Me zbulesë, Zoti shtoi këtë shëmbëlltyrë për Sionin modern: “Vendosni … një rojë në kullë”, që do të “[shohë] armikun, ndërsa ai [është] ende larg” dhe të japë paralajmërim për të shpëtuar vreshtin “nga duart e shkatërruesit” (DeB 101:45, 54).
Unë ju kam folur juve si një nga ata roja, për temën që Shpirti më ka caktuar mua. Unë ju siguroj se mesazhi im është i vërtetë. Nëse keni dyshime rreth kësaj ose nëse keni pyetje rreth mënyrës se si t’i zbatoni këto parime në vetë jetën tuaj, unë ju nxis të kërkoni drejtim nga i njëjti burim.
Për pyetjen më të përhapur që gjerësisht propagandohet nga ateistët e ditëve tona, unë deklaroj njohurinë time se Perëndia jeton! Krijesat e Tij janë fakte të ekzistencës së Tij dhe shërbyesit e Tij dëgjojnë e shpallin zërin e Tij. Zbulesa moderne na mëson se disa kanë dhuratën “të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë … [që] u kryqëzua për mëkatet e botës” dhe se u është dhënë të tjerëve që “të besojnë në fjalët e tyre” (DeB 40:13–14). Si një njeri që e di atë, unë ju ftoj juve të besoni në fjalët e mia.
-
-
i/e regjistruar
Për: "Toleranca fetare" - çfare është dhe çfarë nuk është
Dom Gjergj Meta. një artikull mbi tolerancënn fetare
Dom Gjergj Meta ka të drejtë kur, në një artikull të botuar në të përditshmen Panorama, sfidon nocionin e tolerancës fetare në Shqipëri, të cilën e sheh të nënkuptojë koncesion të shumicës (muslimane) ndaj pakicës (katolike) dhe ky padyshim nuk është përshkrim i drejtë i realitetit fetar në Shqipëri. Në Shqipëri, dhe ne e kemi thënë dhe këtu në këtë faqe, ashtu siç e kanë thënë analistë të tjerë, besojmë se kemi të bëjmë me bashkëjetesë fetare dhe kemi besuar e kemi bërë thirrje për bashkëpunim e respekt të ndërsjelltë.
Dom Gj. Meta ka të drejtë edhe kur thotë që ideja e koncensionit bie ndesh me sistemin demokratik dhe vlerat evropiane të lirisë së ndërgjegjes. Në një vend demokratik të gjithë qytetarët kanë të drejta e përgjegjësi të njëjta, pavarësisht nga religjioni i shumicës së popullsisë.
Logjikat e shumicave dhe pakicave kanë kuptim në suazën e politikave identitare apo qokave elektorale, por si Islami si Krishtërimi janë në gjenezat e tyre bashkësi minoritare dhe nuk ka asgjë në teologjitë e tyre që t’i atribuojë status më të lartë shpirtëror të qënit shumicë. Gjuha e politikanëve, që citohet në artikull, vret veshin e katolikëve ashtu si, në fakt, vrasin veshët e muslimanëve disa deklarime të politikanëve që i atribuojnë katolikëve një rol të vecantë, parësor apo superior në fatet e kombit shqiptar.
Por Dom Gjergji duket të transportojë të njëjtën logjikë të vlerave që mëtojmë sot edhe kur adreson dimensionin historik. Teksa idealet drejt të cilave duhet të mëtojmë si shoqëri janë ato të bashkëjetesës, respektit të ndërsjelltë e bashkëpunimit për të mirë, në aspektin historik, ka vend të flasim për tolerancë fetare.
Hebrenjtë që erdhën në Shqipëri si pjesë e territoreve të Perandorisë Osmane, erdhën sepse gjetën jo barazi, por tolerancë, dhe kjo në Mesjetë ishte një luks që nuk mund ta gjenin në Evropë. Tolerancën nuk mund ta gjenin në Evropë por e gjetën në Shqipëri edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nuk duam të biem për asnjë çast në pozitat e atyre që pikturojnë imazhe idilike të Perandorisë Osmane dhe ka pasazhe të politikave fetare apo etnike të kësaj Perandorie që qartazi kanë qenë faqe turpi historik. Pati edhe sulltanë që ngritën ëndrra për konvertimin e gjithë banorëve të perandorisë në muslimanë, por është tregues fakti që ishin sheh-ul islamët ata që u bënë pritë duke cituar Kuranin e Shenjtë për të treguar se ky nuk ka qenë vullneti hyjnor.
Të kesh qenë katolik në Perandorinë Osmane nuk ishte si të ishe musliman, as ortodoks e as hebre, por nuk ishte e pamundur të ishe katolik. Perandoria Osmane me politikat e veta fetare do dilte mangut në kontekstin e synimeve tona sot. Toleranca nuk mund të jetë synimi jonë sot, por përsërisim se toleranca osmane ishte për botën paramoderne një garanci, jo e barazisë, por e pluralitetit fetar.
Politikat fetare në Evropë si i njohim sot janë në rradhë të parë rezultat i luftrave fetare midis protestantëve dhe katolikëve, i të kuptuarit të potëncialit shkatërrues që kanë luftrat fetare. Por duhet bërë kujdes dhe për ligjërimin aktual mbi liritë fetare në Evropë në një kohë kur shohim intolerancë jo vetëm në vende si Greqia, Spanja e Zvicra, por edhe Franca e Hollanda. Në Greqi e Spanjë është vështirë të ndërtosh xhami: njihet referendumi kundër minareve në Zvicër.
Kemi thënë herë tjetër në këtë faqe se është fyese që refreni i pandërprerë i qokave të politikanëve tek sebepet e muslimanëve është refreni i tolerancës fetare. Nënteksti i saj është theksimi i Islamit shqiptar si ndryshe. Respekti që muslimanët mbartin për besimet e tjera dhe për të krishterët në veçanti nuk është një vlerë e vecantë shqiptare, por reflekton vizionin kuranor për pluralitet fetar, për njohjen e statusit të vecçantë të Merjemes (Maries) nënës së Isait (Jezusit) dhe njohja e këtij të fundit si lajmëtar i mesazhit hyjnor tek njerëzit. Në të njëjtën kohë është reflektive e thënieve të profetit për murgjërit e udhëheqësit fetar si njerëz që udhëzojnë pasuesit e tyre larg të ligës. Por duam të theksojmë se vlera e vetme e muslimanëve në këtë vend nuk është fakti se ‘nuk janë intolerantë.’ Ne besojmë se mbartim vlera si bashkësi që shkojnë përtej asaj ‘që nuk jemi’ dhe se vlerat tona janë reflektim i mësimeve esenciale të traditës tonë fetare.
E kemi theksuar këtu në faqe që Dom Gjergj Meta është dalluar si një zë i arsyeshëm, analitik dhe origjinal në ligjërimin katolik shqip. Në të njëjtën kohë, nuk mungojnë zëra klerikësh dhe intelektualësh publikë katolikë që përdorin fushën e historisë si vegël delegjitimi të prezencës historike të Islamit tek shqiptarët. Kjo nuk është histori por demagogji dhe është fushë e minuar për bashkëjetesën fetare të shqiptarëve ashtu si thirrjet për kthim në fenë e të parëve, që paraqesin Islamin shqiptar si rezultat i një llustre sipërfaqësore vendosur mbi një thelb të krishterë, ide që i është bërë jehonë edhe nga vetë Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.
Në të njëjtën mënyrë që të drejtat e katolikëve shqiptarë janë të mirëqëna dhe të panegociushme, në të njëjtën mënyrë legjitimiteti dhe e drejta e muslimanëve shqiptarë është e mirëqënë dhe e panegociueshme dhe muslimanë, të krishterë dhe ateistë duhet të artikulojnë qartazi dedikimin e një hapsire të drejtash dhe përgjegjsish të njëjta për të gjithë qytetarët e këtij vendi
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt