Rama, ose organizatori i deshtuar i "Revolucionit te Tetorit"
Nga Genc Ruli
E Premte, 04 Dhjetor 2009
Arsyeja perse reagoj sot, nuk eshte etiketimi qe perdori ndaj meje Edi Rama ne nje nga daljet publike me nervozizmin e deshperimit qe po tregon keto kohe, por sepse duhet qe, per cdo dite e per cdo ore, nga ne dhe jo vetem nga ne, ti Edi Rama te mbahesh nen akuze politike per ate cfare po ben.
Ti perdore sot epitetin "cingie". E perdore ne kuptimin me te rendomte, ne ate te "kercimtares qe kercen ndaj pageses", apo te femres qe pagesa e shtyn te beje gjithcka. Shqipja nuk eshte e varfer, madje edhe ne epitete denigruese, per te mos gjetur nje epitet te gjinise mashkullore kur thumbon kundershtarin po mashkull. Une nuk e di, e ke lapsus mendor jo te rastit, apo alegori kete krahasim me gjinine femerore.
Se si kemi ecur te dy ne politike gjate ketyre 20 viteve mund ta dine te tjeret, por mund edhe t'ia kujtojme njeri-tjetrit: Une dhe disa te tjere, i hyra politikes atehere kur ajo ishte ende vetem nje proteste guximtare e kur nuk te projektonte aspak nje mundesi pushteti politik e personal, e aq me shume mundesi pasurimi. Une kam qendruar ne politike per aq kohe sa kam menduar se i jap asaj, e ajo me jep mua. Dhe jam larguar nga politika atehere kur, ose une i beja dem asaj, ose ajo me bente dem mua, pa demtuar asnjehere me zgjedhjet e mia interesat as edhe te nje qytetari te vetem, e jo me te mijera shqiptareve.
Ti zotni iu qase politikes atehere kur kalkulove qarte se sa shume mund te perfitoje prej saj, se sa shume do te te jepte ky profesion i ri, duke qene se sa i varfer ishe ne emer dhe ne respekt, nga profesionet e meparshme. Ti i hyre politikes duke llogaritur vetem vetveten dhe perfitimet e tua personale, dhe me kete motiv i bere te gjitha betejat politike ne keta 10 vite, duke shkelur, braktisur dhe tradhtuar kedo qe nuk te duhej me, ose te pengonte sado pak ne ambicionin tend tashme te konsoliduar. Ti nuk e kupton se sa shume dem te ka bere politika ty, cfare transformimi dhe shperfytyrimi te ka stamposur, por kjo nuk ka perse perben shqetesim social as per mua, as per shqiptaret e tjere. Por ti po i ben dem politikes sot, politikes se shqiptareve, politikes se PS, madje ti po u shkakton dem interesave shume konkrete dhe jetike te ketij vendi. Ti kete e kupton, por nuk e pranon, pasi nuk te shqeteson aspak nje merak i tille njerezor, sepse ti jeton ne guacken hermetike te paranojes tende per pushtet.
Ti, Edi Rama, nuk di c'eshte pergjegjesia civile dhe ne as nuk mund te pretendojme qe te njohesh pergjegjesine politike.
Ti je nervoz dhe joracional, dhe ketu te con deshperimi i nje krize qe ti po e provokon dhe qe po e ndien se do te jesh ti vete viktima e pare e saj. Ti as vete nuk po e di me se drejt cilit qorrsokak po shkon, por vetem mundohesh te terheqesh pas vetes sa me shume te tjere, me qellimin per te fshehur ate qe ke me shume frike: vetevrasjen tende politike.
Ty t'u thane dje ne publik nga Kryeministri Berisha disa fakte reale, qe hedhin drite mbi ate cka eshte "Modeli Rama i qeverisjes", apo pse jo, edhe "Semundja Rama e shtetit dhe pushtetit". Shume prej nesh i kane ditur ato, madje me te shumtet qe i dine jane ne rrathet perimetrike qe te rrethojne ty tek zyra e Bashkise, apo zyra e PS. Por, ndoshta shumica e shqiptareve, shumica e socialisteve, madje edhe nje shumice e atyre qe vijne ne mitingje nuk i dine.
Zotni, nuk jam une qe shitem tek te tjeret, se pari se s'kam bere kurre ndere perallore te paligjshme o te pandershme ne favor te disa pak njerezve. Kjo, sepse une e di mire qe ketro lloj "favoresh" si shperblim te japin shume mbeshtetje, pushtet e para, por te kapin ne nje cark fatal e fillojne e te kontrollojne ty dhe vullnetin tend, te molepsin deri ne ate pike, ku nuk ka me shpetim e sherim.
Ti nuk ben nervozin e kokefortin sepse ke nje kauze ku beson, nje bindje se duhet te ndreqesh nje padrejtesi qe te eshte bere. Jo, ti je nervoz sepse nuk di ku te shkosh, se s'di te kthehesh mbrapa. Jo vetem kaq: ti je dy here i deshperuar sepse nuk te lene te kthehesh mbrapa. Ti po behesh viktima biblike e klanit tend, atij klani qe te sponsorizoi dramen tende politike, te mbeshteti, te beri fushatat e te numeroi votat. Duke te dhene ty pushtet, ai klan po behej vete me pushtet, sepse ti i shperbleve me nje "bujari" qe nuk e kishin gjetur tek askush me pare. Dhe ata te kerkojne sot ty pushtetin qe nuk ua dhe dot ne 28 qershor, dhe ata po te ngrohin tani me kete kokefortesi te verber per te ritentuar te marresh pushtetin per ta, ose perndryshe ti nuk vlen me. Ti je vetem zyrtarisht Kryetar i PS, por ne realitet je kryetar i klanit dhe u pergjigjesh vetem interesave te klanit.
Ta kam thene se je duke perdorur mashtrimin e radhes duke u thene shqiptareve se lufta jote eshte si "Revolucioni i kadifenjte", apo "Revolucioni Portokalli". Une e kuptoj tundimin tend per te perftuar nga lavdia e atyre, qe u bene aktore te ketyre levizjeve simbolike. Por, une dhe shume te tjere e dime mire qe ne mendjen dhe veprimet e tua dhe te klanit rrethues projektohen vetem pasionet dhe aspiratat qe provokohen nga nje tjeter lloj levizjeje politike, ajo e nje puci te madh politik sikunder ka qene "Revolucioni i Tetorit".
kj
Krijoni Kontakt