Nertila Maho
Ata që e kanë shkelur për herë të parë kanë ndierë kuriozitet dhe pak frikë për jetën larg familjes. Kush ka qenë pjesë e tij dhe më pas është larguar, gjithmonë e ka kujtuar me nostalgji. E ndërsa përjetimet ndryshojnë me kalimin e kohës, një gjë mbetet e njëjtë. Qyteti Studenti ka qenë dhe do të mbetet “qyteti i rinisë së përjetshme”. Ndër vite ka pritur dhe ka përcjellë me dhjetëra breza që i kanë dhënë jetë ambienteve të tij. Sot gjërat kanë ndryshuar pak, si për sa i përket godinave ku jetojnë studentët, ashtu edhe ambienteve që rrethojnë këto godina. E në këtë skenë “alla parajsore” në dukje, e cila ndodhet në një cep të Tiranës, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Pas lokaleve të zhurmshëm dhe të arreduar si jo më mirë, pas lulishteve të gjelbëruara dhe pas fytyrave të qeshura të studentëve që shijojnë moshën dhe jetën larg familjes, fshihen edhe shumë probleme. Për fat të mirë mungesa e ujit, dritave, dusheve dhe ngrohja, tashmë relativisht quhen mangësi të kapërcyera. Në skenë dalin probleme të tjera, që kanë të bëjnë me tërësinë e asaj që quhet botë studentore dhe me mënyrën si ajo funksionon sot. Në fakt vetëm pak orë të duhen për të kuptuar, se siç ndodh rëndom në Shqipëri edhe aty ekzistojnë paradokset. Teksa mendon që në konvikte jetojnë vetëm ata që nuk kanë shumë mundësi ekonomike për të përballuar një shtëpi me qira, të ndarë me shoqet, pamja që të shfaqet përpara syve është tjetër gjë.
Divorci me librin, gjithë ditën në kafe
Një krizë totale edukimi që reflektohet qartazi. Një divorc me librin, i bërë nga pjesa më e madhe e shoqërisë. Më së miri e sheh në qytetin Studenti. Nëse hedh një vështrim në total të hapësirave që ekzistojnë aty, me shumicë do të gjesh bare dhe kafe, më pak qendra interneti dhe akoma më pak librari. Dashje pa dashje ambienti të fton në “mëkat”. Askush nuk mund t’i shpëtojë dot tundimit që para stresit të studimit, të zgjedhë një kafe duke u hallakatur me shoqërinë. Pak vetë mund të shohësh që të kenë kokën ulur mbi ndonjë libër a ndonjë palë leksione. Ndoshta sepse është fillimi i vitit. Ndoshta studentët u rikthehen librave vetëm gjatë sezonit të provimeve. Këto, por edhe të tjera problematika, ngrysen dhe gdhihen çdo ditë me studentët në qytetin Studenti, por që për t’i parë nganjëherë duhen kërkuar përtej asaj që duket me sy të lirë. Sipas drejtuesve të qytetit Studenti, janë marrë masat e plota që në qytet të qarkullojnë vetëm mjetet e autorizuara. Por me një vëzhgim në hyrje të qytetit Studenti kupton se nuk mungojnë rastet kur nëpër qytet bëjnë xhiro “të fortët” e lagjes apo dhe më gjerë. Çdo ditë studentët duhet të jetojnë mes “parakalimit” luksoz dhe “gengsta” të atyre që nuk kanë lidhje aspak me këtë komunitet.
Si shiten dhomat
Një tjetër problem madhor, për të cilin studentët që flasin preferojnë të mbeten anonimë, është ajo e marrëdhënies me kujdestarët e godinave. Jo të pakta kanë qenë rastet kur kujdestarët janë etiketuar për mungesë etike, por që kjo ka kaluar dhe është lënë në heshtje. Sipas studentëve, ende ekziston marrja e ryshfetit për të gjetur një dhomë më komode. Përkufizimi për këtë të fundit lidhet me të qenurit e dhomës e pozicionuar nga ana e diellit, në një kat të mirë, me një numër më të vogël vajzash ose djemsh sesa pjesa tjetër. Fakti që persona të veçantë të stafit që shërben në qytetin Studenti, thyejnë etikën, qoftë edhe me një gjest minimal, nuk na jep të drejtën të bëjmë përgjithësime por kjo është një shenjë që jo gjithçka funksionon aq mirë sa duket në fasadë. Mbështetja e vetme për studentet, siç e konfirmojnë ata kur i pyet, mbetet shoqëria e tyre dhe jo institucionet përkatëse, sepse besimi i pakët për zgjidhje por edhe frika nga paragjykimi i bën të stepen. Por nuk mbaron këtu.
Qytet Studenti 2009
5700 studentë të regjistruar
2500 dhoma në total
270 dhoma janë me nga 4 studentë
1700 studentë i përkasin viteve të para
50 m2 është sipërfaqja e gjelbër për çdo student
7 : 3 është raporti djem vajza në QS
56% të ngrohjes në QS e mbulon kaldaja
» Panorama »
Krijoni Kontakt