“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Jer 31, 7-9
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.”
Fjala e Zotit.
Psalmi 126
Punë të mëdha bëri Zoti për ne
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
----------
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
----------
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
----------
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
----------
Leximi i dytë Heb 5, 1-6
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.
Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.”
Fjala e Zotit.
Ungjilli Mk 10, 46-53
“Çka dëshiron të bëj për ty?”
Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.
Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigji i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.
Fjala e Zotit.
Krijoni Kontakt