TIRANE :EKSODI KOSOVAR 1999, NË NJË EKSPOZITË FOTOGRAFIKE
Në përkujtim të 10 vjetorit të eksodit kosovar në Shqipëri është çelur pasditen e sotme në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, foto ekspozita e titulluar “Kosova dhe miqësia Tiranë-Marsejë”.
Në hollin kryesor të TKOB-it gjendeshin rreth 120 fotografi të realizuar 10 vjet më parë nga fotoreporterë shqiptarë dhe të huaj. Të përzgjedhura me kujdes nga kuratori Valter Gjoni, ato sillnin në sytë e shikuesve disa nga momentet më të vështira të asaj kohe. Punimet e katër fotografëve si Myftaraj, Gjoni, Fauchon e Calfas tregonin si momentin e mbërritjes së kosovarëve të parë në Tiranë, ashtu dhe ambjentimin e tyre në kampet e ndërtuara për ta.
![]()
Në një tjetër kënd të ekspozitës ndodheshin dhe foto të aktorëve politikë të asaj kohe. Njëkohësisht në këtë ekspozitë ishin ekspozuar edhe disa nga shkrimet e bëra në shtypin e kohës me reagime të shumta të përsonaliteteve ndërkombëtare si dhe pasqyrimi i miqësisë mes Tiranës dhe Marsejës, Bashkia e së cilës mundësoi në atë kohë ndihma humanitare.
Kuratori dhe njëkohësisht njëri prej fotografëve pjesmarrës në ekspozitë Valter Gjoni u shpreh për ATSH-në se “kjo ka qënë një ide e vazhdeshme, pasi nuk donim që puna jonë të humbiste. Nuk kishim qëllim krijimin e një ekspozite të karakterit artistik por me tepër dokumentare. Në këtë kohë, mikja e parë që i u gjend pranë Tiranës ishtë bashkia e Marsejës, ndaj dhe në një kënd të ekspozitës kemi paraqitur këtë miqësi mes qyteteve tona”.
I ndodhur në Shqipëri në atë kohë të vështirë, Pierre Calfas, Drejtor i Misionit Internacional të Bashkisë së Marsejës thotë për ATSH-në se “ekspozita duket shumë e bukur, dhe sjell një nga momentet më të vështira të historisë së Kosovës. E vlerësoj shumë mikëpritjen e shqiptarëve të cilët u treguan shumë të jashtëzakonshëm me kosovarët. Në kujtimet e mia janë përzemërsia dhe bujaria juaj, pasi ajo ka qënë një përiudhë e vështirë dhe për Shqipërinë pasi ishte dimër dhe një gjëndje e vështirë ekonomike”.
Ekspozita “Kosova dhe miqësia Tiranë-Marsejë” u zhvillua në kuadër të "Pranverës së Frankofonisë”. Kjo ekspozitë u mundësua nga Ambasada Franceze në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës
Krijoni Kontakt