Nga Tema
TEC-i i Vlorës është një kërcënim për mjedisin. Projekti në fjalë është zbatuar me shumë probleme për sa i përket vlerësimit të projektit, vendndodhjes, konsultimit etj.
Në këtë përfundim arrin raporti i Paneli të Inspektimit të Bankës Botërore për projektin e këtij TEC-i, ku ajo është pjesëmarrëse.
Raporti është diskutuar nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore së bashku me Planin e Veprimit të Ekipit Menaxhues që i përgjigjet këtij hetimi.
TEC-i është ndërtuar, tani duhet rregulluar sa mundet
Në raportin e tij Paneli i Inspektimit vë në dukje rëndësinë e projektit për përmbushjen e nevojave të Shqipërisë për energji elektrike. Megjithatë, Paneli konkludoi se “Banka Botërore nuk kishte respektuar disa dispozita të politikave të Bankës në lidhje me Vlerësimin e projektit, Vlerësimin mjedisor, Menaxhimin e pasurive kulturore dhe Vlerësimin ekonomik. Gjithashtu, Paneli konstatoi mangësi të ndjeshme në përmbushjen e kërkesave të politikave të Bankës për konsultimet. Megjithatë, Paneli i Inspektimit pranon se termocentrali tashmë është ndërtuar dhe vëmendja duhet drejtuar te funksionimi i tij në të ardhmen.”
Verner Kiene, kryetari i Panelit të Inspektimit vuri në dukje: “Për sa i takon së ardhmes, Paneli shpreh kënaqësinë që Ekipi Menaxhues pajtohet me nevojën për një Plan të detajuar për reagimin ndaj derdhjeve të naftës, përpara se termocentrali të vihet plotësisht në punë. Është e nevojshme të sigurohet sa më parë blerja pa vonesë e pajisjes së nevojshme, si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit atje. Paneli konstaton se Banka ka punuar ngushtë me qeverinë në hartimin e Ligjit për Planifikimin e territorit dhe shpreh kënaqësinë që Ekipi Menaxhues njeh nevojën e një planifikimi të përgjithshëm për Gjirin e Vlorës.”
Vetëm një firmë konsulente përgatiti studimin e fizibilitetit
Një shqetësim i Panelit të Inspektimit ishte se studimi i fizibilitetit dhe ai i vlerësimit të mjedisit u përgatitën nga një firmë e vetme konsulente, e cila nuk është në përputhje me politikën e vlerësimit mjedisor, që kërkon përgatitjen e një vlerësimi mjedisor të pavarur. Ekipi Menaxhues vë në dukje se, nëse në të ardhmen krijohen situata të ngjashme, menaxherët, jo vetëm që do të kenë kujdes që të bëhet një analizë e pavarur e vlerësimit mjedisor nga specialistë të kualifikuar, por ata do t’i kërkojnë Bordit të eliminojë dispozitën specifike të politikave.
Shqetësim për përzgjedhjen e vendndodhjes së TEC-it
Paneli i Inspektimit ngriti shqetësime për tërë procesin e përzgjedhjes së vendndodhjes dhe Ekipi Menaxhues ra dakord që të integrojë më mirë shqyrtimin e çështjeve mjedisore dhe sociale në procese të tilla në projektet e ardhshme. Gjithashtu, Ekipi Menaxhues pajtohet se, në kuadrin e vlerësimit mjedisor, duhet të ishte bërë një vlerësim i plotë i çështjeve sociale dhe duhet të ishin zhvilluar konsultime më të gjera, që do të kishte bërë të mundur një proces më të mirë të vendimmarrjes dhe zbatimit të Projektit. Ekipi Rajonal Menaxhues ka marrë masa që çështjet sociale të konsiderohen plotësisht gjatë fazave të përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të ardhshme në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Gjithashtu, Menaxhuesit do të marrin masa që vlerësimet e ardhshme mjedisore për projekte të mbështetura nga Banka të përcaktojnë në mënyrë më të plotë zonat që mund të dëmtohen, duke siguruar një njohje më të gjerë të çështjeve.
Plani i veprimit
Ekipi Menaxhues paraqiti një Plan Veprimi për të trajtuar çështjet e ngritura nga Paneli. Bordi miratoi Planin e Veprimit të Ekipit Menaxhues dhe u ra dakord që Ekipi do t’i raportojë Bordit në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit pas gjashtë muajsh. Plani i Veprimit përfshin elementët e mëposhtëm: të përqendrohen përpjekjet me qëllim që, përpara fillimit të aktivitetit komercial të termocentralit, të jetë në funksion plotësisht një Plan për parandalimin dhe reagimin ndaj derdhjeve të naftës; të bëhet kujdes që, në termocentral, të vazhdojë monitorimi modern i mjedisit edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit, dhe të shkëmbehen informacione me shoqërinë civile; si dhe t’i jepet ndihmë qeverisë Shqiptare (përmes një granti nga Fondi për Zhvillimin Institucional) për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e Konventës së Aarhusit në lidhje me proceset e informimit dhe konsultimit. Ekipi Menaxhues gjithashtu, vuri në dukje se do të vazhdojë të angazhojë qeverinë shqiptare në përmirësimet për planifikimin e territorit.
“Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë paguan një çmim të lartë nga mungesat në furnizimin e vendit me energji elektrike”, - tha Filip Le Huero, zv/President i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Por janë shqiptarët ata që paguajnë çmimin përfundimtar - duke u privuar nga ndriçimi, ngrohja, ftohja, dhe gatimi, të cilat prekin cilësinë e jetës dhe shëndetit, si dhe u kufizon mundësinë për arsimim. Ne po punojmë me qeverinë shqiptare për ta bërë këtë Projekt më të mirin e mundshëm. Ne do t’i përvetësojmë mësimet që përcaktoi Paneli i Inspektimit dhe do t’i zbatojmë ato më gjerësisht në punën tonë.”
Kërkesa për inspektim
Në maj 2007, Paneli i Inspektimit mori një kërkesë për inspektim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës në emër të banorëve të Vlorës. Kërkesa ngrinte një sërë shqetësimesh mjedisore, sociale, kulturore dhe ekonomike që lidheshin me projektin siç ishte hartuar. Në të citoheshin shqetësime se Projekti do të “…shkatërronte mjedisin, turizmin, zonat e sigurta për peshkim, habitatin natyror, ekosistemin, kolonitë koralore, si dhe vlerat unike historike dhe kulturore të gjithë Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës”.
Projekti
“Projekti për prodhimin dhe ristrukturimin e sektorit të energjisë” synon ta shtrijë dhe diversifikojë furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike të prodhuar në vend, me qëllim që të plotësohet kërkesa në rritje e vendit për energji, duke ndërtuar një central të ri me naftë me përmbajtje të ulët squfuri me fuqi 97 MW. Vitet e fundit, Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e energjisë elektrike, gjë që ka ngadalësuar zhvillimin ekonomik, dhe ka sjellë ndërprerje të shpeshta duke prekur popullsinë në mbarë vendin. Në vitin 2002, qeveria shqiptare i kërkoi Bankës Botërore të ndihmonte në sigurimin e financimeve nga donatorët për ndërtimin e një termocentrali të ri rreth gjashtë kilometra në veri të qytetit të Vlorës.
Vlerësohet se shpenzimet e përgjithshme për Projektin arrijnë në 112.66 milionë dollarë amerikanë. Përveç një kredie prej 25 milionë dollarësh amerikanë (16.9 milionë SDR) nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim e Bankës Botërore, projekti financohet edhe nga një hua e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) prej 37.5 milionë dollarësh amerikanë, dhe një hua e Bankës Evropiane për Investimet (EIB) prej 37.5 milionë dollarësh amerikanë.
Qeveria sërish: Banka Botërore i ka fajet
Ashtu si në rastin e skandalit të Jalës, në qendër të së cilit ishte dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, edhe në rastin e TEC-it të Vlorës, qeveria ka drejtuar gishtin nga Banka Botërore për ta fajësuar atë për dështimet me projektet që marrin fondet e saj, e që orientohen në terren nga qeveria jonë. Por kjo e fundit nuk sheh dështim në punën e saj si gjithmonë.
Duke folur për raportin e Panelit të Investigimit, ministri i ri i Energjitikës, Dritan Prifti, tha se fajtore është Banka Botërore. Ai tha se TEC-i është i një teknologjie shumë të avancuar, edhe pse Banka Botërore pohon krejt të kundërtën, kur pranon se ekziston një rrezik potencial për Gjirin e Vlorës. Por, si në rastin e Jalës, kur dhëndri i Berishës, duke u fshehur pas logos së Bankës Botërore ndërmori shkatërrimin e shtëpive të banorëve, edhe kësaj radhe ka një fajtor që qëndron në ekzekutiv. Ai është kryetari i saj që pareshtur po përkrah çdo nismë që ka si synim të kthejë gjirin e Vlorës në një kosh mbeturinash të atij që ai e quan revolucion industrial.
Krijoni Kontakt