BE nuk ka arritur ende ta marrë veten nga vala e zgjerimit me dhjetë anëtarë të rinj në vitin 2004.
Marrëveshja e Lisbonës për reformat në Bashkimin Europian ende nuk është ratifikuar nga të gjitha shtetet anëtare. Pa hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje mbetet i bllokuar çdo zgjerim i BE-së, mendojnë shumica e vendeve të Bashkimit Europian. Megjithatë pritet që Presidenti çek, Vaclav Klaus, të hedhë nënshkrimin e tij para ndërrimit të motmoteve, çka do të mundësojë hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Por edhe me Traktatin e Lisbonës vërehet qartë lodhja nga zgjerimi në Bashkimin Europian. BE nuk ka arritur ende ta marrë veten nga vala e zgjerimit me dhjetë anëtarë të rinj në vitin 2004.
A lejohet që në rrethanat e tilla të mendohet për hapjen e rrugëve të reja?
Sipas Komisionit Europian në parim dyert e BE-së qëndrojnë të hapura për ish-shtetet e Jugosllavisë, Turqinë dhe Islandën, në rast se ato plotësojnë kushtet e nevojshme për anëtarësim. Kroacia ndodhet e para në listë. Rasti i Islandës dallon prej të tjerave, por edhe ajo mund të bëhet pas ca vitesh anëtare, pasi plotëson qysh sot shumicën e standardeve të Bashkimit Europian. Maqedonia po ashtu duket se ka shanse të mira. Asaj para së gjithash i mbetet të zgjidhë konfliktin për emrin me Greqinë. Shumë më gjatë duhet të presin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë vetë perspektiva për anëtarësimin e një vendi në BE është treguar si shtysë me ndikim për reformat e nevojshme. Dhe kjo perspektivë krijon stabilitet në rajonet e njohura botërisht si jostabile. Gjasat për anëtarësim të mëvonshëm i shërbejnë si vendeve, që duan të anëtarësohen, ashtu dhe Bashkimit Europian. Megjithatë duhet të shtrohet pyetja themelore, se a ka kuptim apo jo pranimi i të gjitha këtyre vendeve në familjen europiane.
Përgjigjja është: Në të gjitha rastet është vetëm çështje kohe - me një përjashtim. Dhe kjo është Turqia. Shumica e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia do të kenë nevojë edhe për një kohë të gjatë, që të plotësojnë të gjitha kushtet e brendshme për anëtarësim. Edhe pas plotësimit të këtyre kushteve ato mund të vazhdojnë të mbeten vatra latente krizash. Por në parim ato janë të durueshme për Bashkimin Europian. Te rasti i Turqisë gjendja është pak më ndryshe.
Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për shpejtësinë e ngadalshme të përparimeve demokratike në Turqi dhe mosnjohjen nga e ana e Turqisë së Qipros, e cila është anëtare e BE-së. Për më tepër Turqia, për shkak të madhësisë së saj, mund të bëhet ngarkesë për Bashkimin Europian. Ky vend brenda pak vitesh do të ketë më shumë banorë se vendi më i madh deri i tani i BE-së, Gjermania. Turqisë si anëtare me të drejta të plota në BE do t‘i takonin për shembull shumica e posteve në Bashkimin Europian dhe do të fitonte ndikim të madh politik. Edhe pse çështja e fesë islame në parim nuk paraqet asnjë pengesë ajo bëhet pengesë, kur lidhet me madhësinë e vendit. Si anëtare e BE-së Turqia do të ndryshonte në një masë Bashkimin Europian edhe në aspektin kulturor, çka do të shkaktonte rezistencë të ashpër.
E tëra kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që mos të vazhdojë afrimi mes Turqisë dhe BE-së, përkundrazi. Para së gjithash në rrafshin ekonomik dhe të politikës tregtare nuk janë shterur ende të gjitha mundësitë. Por edhe zyrtarisht do të duhej të hiqej dorë nga synimi për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian.
Christoph Hasselbach, Dojcce Vele
Gazeta Shqip »
Krijoni Kontakt