
Postuar më parë nga
PresidenT.
Vizita e Salës, “rizbulimi i neoshqptarizmës”, iluzioni dhe realiteti
Shkruan : Fatlum Sadiku
Nëse vetëm një herë siç thotë Ingersoli ndalemi vetëm pak dhe nuk pasojmë mendësisht, por analizojmë krahasojmë e vlerësojmë, do të duhej që ta pyesnim veten se sa racional ishte/është i tërë pompoziteti i krijuar rreth vizitës së Sali Berishës në Kosovë. Duke frymuar e rezonuar ende me një mendësi anomike, të turmës, të emocioneve kolektive, e të subkoshiencës kolektive për mua personalisht nuk ishte rastësi i tërë bumi i krijuar pas kësaj vizite. Për mua personalisht është lajm i keq fakti se qytetarët e Kosovës, jo vetëm që nuk janë në binarë të sendërtimit të një qytetarie të mirfilltë, por dita ditës duket se me apo pa vetëdije po e venisin edhe vetë idenë e mundsisë për sendërtimin e saj. Po të ndalesha tek pyetja se kush është Sali Berisha në të vërtetë dhe cila është kredoja e tij morale që shqiptarëve të Kosovës t’u thotë se “jemi një komb”, shkrimi mbase do të merrte karakter të linçimit politik, ndaj që në këtë drejtim po kursehem. Mirëpo në sytë e atyre që në Sali Berishën shohin piemontin, “babain e kombit”, “madhështinë” apo nisen nga perceptime të ngjashme, më duhet vetëm tu’a përkujtojë se bëjnë gabim kardinal dhe hyjnë në gjynah në mos me veten e tyre, atëherë me parardhësit e tyre gjithsesi.
Duke ditur faktin se shqiptarët e Kosovës kanë qenë promotorët kyç të vetë krijimit të Shqipërisë si shtet dhe se Kosova gjatë tërë viteve të sundimit zogist dhe diktaturës enversite në Shqipëri ka shëmbëllyer dhe shërbyer si strumbullarë dhe bastion i neoshqiptarizmës dhe i nacionalizmit më klasik dhe gjenuin të mundshëm, ku njerëzit kanë shijuar me vite burgjet e madje edhe kanë sakrifikuar edhe jetërat e tyre vetëm e vetëm për ta dëshmuar se ne jemi shqiptarë dhe jo diçka tjetër (!?), atëherë për mua si qytetar, deklarimi i një njeriu si Berisha i cili tek në fund të viteve të 80-ve doli nga sorta e komunizmit si një inxhinjering politik më anti-shqiptar i mundshëm, (sortë kjo që ka eksterminuar çdo koleracion të mundshëm me Kosovën), që në fillim të të 90-tave u shiste naftë Karaxhiçit dhe Bullatoviçit (ky i fundit madje e falenderon edhe në libër) për të kryer krime në Bosnje dhe që kah mesi i 90-tave u propozonte shqiptarëve të Kosovës të bëjnë kompromis me Serbinë për një autonomi, se tani qenkemi “një komb” është ofendim. Është ofendim sepse luhatja e qëndrimeve politike të Berishës dhe loja e tij me emocionalitetin e kosovarëve nëpër periudha të ndryshme kohore janë evidente dhe vetëm e vetëm në shërbim të real-politikës së ngushtë meskine partiake.
Por më brengosës është fakti se si shoqëria jonë anomike nuk është në gjendje ta kuptojë këtë realitet por po vazhdon të jetë e katandisur në humnerën e inhibizimit dhe vetë-inferiorizimit total. Është alarmant fakti se si shoqëria kosovare denjon aq lehtë të kthehet në turmë brenda ditës , në “raste emergjente” (protesta & demonstrata & trazira) duke e shndrruar “racion në muskuj” siç do të thoshte Gustav Le Boni, ndërkaq në raste të “vizitave dhe tubimeve madhështore”, (si ky i Salës) aq naivisht të bie bie pre e “tribunit popullor” siç thoshte Danillo Kishi. Nuk kam gjë kundër atyre që ende rezonojnë me mendësi etnonacionaliste të shekullit XIX sepse fundja secili ka zgjedhjen e vet, dhe mua nuk më hynë kjo asgjë në punë pasiqë edhe theqafja mund t’u vie si sihariç vetëm atyre dhe jo mua, por po më dhimbsen që në rastin e vizitës së Sali Berishës, kanë pasur përpara një ligjërues skarco që i ka kënaqur me ders etnonacionalist primitiv të shekullit XIX dhe me floskula populiste të mendsisë jo të largët të fqinjëve tanë. Te kish pasë përnime bile ! Takimi i Ilir Metës me Jeremiçin po atë ditë në Budapest si dhe apologjia e vetë Salës drejtuar Sergej Lavrovit se ky i fundit “e ka keqkuptuar” dhe se ka ndodhur “gabim në përkthim” për sa i përket deklaratës së tij “për bashkim” tregojnë më së miri se të çfarë deregjeje janë “konstitenca” dhe “pernjëmendësia” e Sali Berishës. Këtu u pa vërtetësia e “baballarëve” që sot po e zbulojnë e rizbulojnë Kosovën e neoshqiptarizmën.
Por të dalim tek intenca e shkrimit. Në pyetjen se çfarë realisht solli për ne kjo vizitë, marrë nga konteksti i të kundruarit të asaj për të cilën ka më së shumti nevojë sot Kosova, pra për subjektivitet ndërkombëtar, del se kjo vizitë ekstrapoloi pikërisht paaftësinë e Kosovës për të dëshmuar kapacitetet e saja afirmuese për të hyrë siç thotë Maks Weberi në “marrëdhënje politikbërëse me shtetet e tjera”. Është krejtësisht në rregull që Berisha e viziton Kosovën, është krejtësisht e çartë që Shqipëria ka bërë, po bënë dhe do të bëjë për Kosovën në bazë të mundësive që ka, dhe për secilin gurë të lëvizur nga vendi ne duhet t’u jemi përzemërisht falenderues, mirëpo Kosova nuk ka probleme me Shqipërinë. Berisha e ka vizituar Kosovën më duket që nga viti 2000 disa here rradhazi, por që vizitat e tij nuk e kanë ndryshuar as gjendjen politike në Kosovë, as gjendjen ekonomike-sociale dhe as të ardhmen e Kosovës. Vizita e tij dëshmoi nonshalancën dhe impotencën e politikës kosovare që të merret të paktën me dy fqinjët e tjerë të saj me të cilët ka probleme (spo e përmendi Serbinë fare sepse impakti i estabilishmentit tonë në raport me të është i kufizuar), konkretisht me Malin e Zi që anipse na ka njohur si shtet, po i kushtëzon raportet bilaterale me Kosovën me njohjen e “pakicës malazeze” të cilës nuk i’u është dëgjuar zëri deri pas 17 shkurtit 2008 dhe që vetë ky kushtëzim i raporteve paraqet një fitore të diplomacisë malazeze karshi asaj kosovare që në start, pastaj me Shkupin zyrtar, për të cilin Thaçi po thotë se “i kemi raportet e mira” e në ndërkohë që demarkacioni kufitar po ngelë ai i 2001-tës, sipas Marrëveshjes “Hakeroop-Çoviç”, e plus kësaj me pikë të kastit po luajnë me ne nëpërmjet enciklopedisë tendencioze.
Nuk po them tani se do të duhet t’i kryçëzojmë heshtat me Podgoricën dhe Shkupin në sfondin nacionalist, por po them të bëjmë politikë sepse kjo është gjëja më e fundit që po e bejmë. Ç’është më paradoksalja Berisha dhe Thaçi nuk po dinë të jenë as nacionalistë. Nacionalisti (ama tamam nacionalisti a !?), do të shfryhej emocionalisht me krejt qenien e tij, po të kishte të bëntë me diçka konkrete si enciklopedia maqedone.Por Thaçi e Berisha e panë se nuk kanë takat praktik në atë drejtim konkret, dhe kështu shfrytëzuan atë që kishin : takatin teorik për ta ringjallur të paktën diçka në drejtim abstrakt : projektin e Samiut të shekullit XIX. Shumë më vizibile se sa vizita e Sali Berishës dhe pompoziteti tij do të ishte që Akademitë e Shkencave të dyjave vendeve (Tiranës dhe Prishtinës), të mblidheshin urgjentisht dhe t’a ngrisnin zërin kundër asaj enciklopedie me fakte dhe burime akadamike dhe shkencore, pa kurfarë shfryerjesh nacionaliste siç kanë bërë maqedonët. Pasiqë e drejta është në këtë rast plotësisht në anën tonë do të mjaftonin vetëm dëshmimi i fakteve dhe argumenteve që në esencë të shkërmoqet ofendimi tendencioz i maqedonëve. Por duket se individët që do të duhej të denjonin t’a bëjnë një gjë të tillë nuk janë askund në horizont sepse nga etnoacionalistët qorra që temë tabu e kanë logjikën, nuk pritet vizion. Shumë më potez i qëlluar do të ishte për Thaçin përpjekja për t’a futur nën kontroll efektiv veriun e vendit sesa pozimi me Berishën. Një shtëpi më shumë e ndërtuar në Kroin e Vitakut vlenë më shumë se njëqind deklarata të Berishës sepse pikërisht atje mbrohet sovraniteti i Kosovës, i cili nuk mund të defandohet as me vizita protokollare të percjellura me bume mediale e billborda, e as me tempime për qiell e “tubime madhështore”, por me hapa konkret politik që etablojnë në praktikë implementimin dhe respektimin e rendit konstitucional dhe etatist të kësaj krijese që po pretendojmë ta quajmë shtet.
Kjo pra i duhet Kosovës, patriotizmi konstitucional e jo ambivalencat demagogjike. Përgjegjësia qytetare e atyre që kanë fituar qoftë edhe qerekun e votave të qytetarëve të këtij vendi. Pastaj shumë më profitabil do të ishte nënshkrimi i ndonjë protokolli bashkëpunimi çoftë me Tiranën, Shkupin apo Podgoricën në fushën e doganave dhe në luftimin e krimit të organizuar kur dihet se kufinjtë po na gëlojnë nga kontrabanda e krimi i organizuar se sa fjalori abstrakt etnonacionalist i para dy shekujve. Këto janë vetëm disa nga çështjet e brendshme për të cilat Kosova nuk ka arsye të humbë kohë. Kur më lartë përmendëm subjektivitetin ndërkombëtar, besoj se të gjithë e dimë se Kosova nuk është njohur tash e disa muaj nga asnjë shtet. Zgjimi nga letargjia dhe intensifikimi i diplomacisë inerte kosovare dhe lobimet për njohje në çdo cep të botës janë nevoja imediate të kohës dhe shumë më me rëndësi për ne se sa folklori politik i Berishës. Nëse Berisha e do vërtetë Kosovën, le të kontribuon diçka në këtë drejtim e le ti lë floskulat boshe, njejtë sikurse paria jonë që për interesa meskine parazgjedhore luan me emocionalitetin e qytetarëve të saj. Shoqëria kosovare duhet t’a kuptojë se njohja nga sa ma shumë vende e konkretisht nga Serbia mbipeshojnë të gjitha deklaratat pompoze.Vizitat e tilla kur kihen parasysh raportet e ngushta të miqësisë me Shqipërinë nënkuptojnë tashmë vetëm rutinë, tranzit dhe eskurzion. Pa efekte konkrete në terren relevanca e këtyre vizitave nuk i tejkalon këto korniza.
Kështu edhe pas vizitës së Berishës në Kosovë, Kosova do të vazhdojë të ketë përqindje enorme të shkallës së papunsisë, veriu i vendit do të vazhdojë të rrëshqasë drejt federalizimit, kurse “ideali kryesor” i tij : “Bashkimi” për njerëz që logjikën nuk e kanë temë tabu, do të duhej të konsiderohej i avulluar me të dalur nga goja e tij. Berisha natyrisht se nuk e kishte përnjëmend sepse e di shumë mirë se bashkimi çfare e imagjinojnë kosovarët është i pamundur. Por pikërisht pse e di se kosovarët këtë nuk e dinë (disa e dinë por bëhen kinse nuk po e dinë), ai vie dhe luan me emocionalitetin e kosovarëve. Fjala “bashkim” në Shqipëri që nga periudha e Zogut (përjashto Shqipërinë Etnike të Mit’hat Frashërit, Xhafer Devës e Bedri Bejanit nën okupimin gjermano-italian gjatë Luftës së Dytë Botërore) e këtej nënkupton hajgarallëk. Kjo sepse Shqipëria kurrënjëherë përpos periudhës së lartëpërmendur nuk ka luajtur rol paternalist, separatist dhe irredentist karshi Kosovës. Fjala “bashkim” në Kosovë është fjalë që u’a lëkund njerëzve eshtrat në varr. Këtë e di fort mirë Sali Berisha dhe tërë ata politikanë që nuk kanë gjë në duar por që për interesa meskine denjojnë të mbajnë fjalime, por ama fjalën jo kurrë. Epo nuk e kishte keq Juvenali kur thoshte se “nacionet dalin nga zemra e poetëve, rriten dhe vdesin në duar të politikanëve”. Berisha flet si poet por nuk ja bënë apo më mire thënë nuk ka se si t’ia bëjë vi në terren. Suksesi më i madh i Sali Berishës për momentin do të ishte tentativa për kthimin e opozitës në parlament dhe në bindjen e opinionit se nuk i ka manipuluar zgjedhjet. Suksesi më i madh për shoqërinë kosovare momentalisht do të ishte siç thotë Patrice Canivezi, edukimi. Shqiptarët e Kosovës kanë nevojë më shumë se kurrë të edukohen. Ta kuptojnë faktin se nëse destinacioni i Kosovës është BE-ja, Kosova do të integrohet në Europë e jo në Shqipëri deshëm ne apo jo.
Të gjithë ata fakultetli naiva që mpihen nga vizita si kjo e Berishës duhet ta kuptojnë se autostrada e ndërtuar Prishtinë-Durrës nuk është e Sali Berishës e as e PD-së por e shqiptarëve dhe se meritokracia dhe atribuimet personifikuese janë gjëja më e ulët e mundshme kur bëhet fjalë për projekte të tilla madhore si ky i autostradës. Po kështu fakultetlitë snobistë dhe naivë duhet t’a dinë së pari për vete dhe më pas t’ua shpjegojnë edhe qytetarëve se Europa nuk po shkon drejt riformësimeve nacionaliste të shteteve kombëtare të modelit të shekullit XIX, por drejt transformimeve transnacionaliste dhe globalizuese të modelit të shekullit XXI.
Qytetarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se procesi komb-formues dhe shtet-formues i Shqipërisë është përmbyllur përfundimisht në periudhën e Ahmet Zogut. Qytetarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se Shqipëria tani si e integruar në NATO synon BE-në dhe jo prirjet kouptuse dhe aneksuese ndaj fqinjëve. Qytetarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se Kosova nuk është një shtet kombëtar por është një shtet qytetar apo “bashkësi e qytetarëve pa ndonjë instancë të ndërmjetme intermediare të quajtur etni” apo edhe “komb demokratik” siç denjon t’i quajë Dominique Schnapper modelet e tilla. Globalizimi edhe sipas Kissingerit edhe sipas Brzezeniskit edhe sipas Triftit po implicon në integrime dhe secesione (“bota edhe po bashkohet edhe po copëtohet”- thotë metaforikisht Kissingeri) por jo në riformësime të shteteve kombëtare të para dy shekujëve. Ky është trendi. Fqinji ynë perendimor Mali i Zi, para tre vitesh u nda nga Serbia (secesion), por me këtë të fundit po pret të bashkohet në Europë (integrim). Qytetarëve të Kosovës duhet t’u shpjegohet se Sali Berisha mund të shesë dushkë për gogla sa të dojë por ai nuk mund ta ndryshojë Aktin Final të Helsinkit, Parimet e Grupit të Kontaktit, Përfundimet e Komisionit të Batinderit, Kushtetutat e vendeve të rajonit (qy qy po as t’vetën more !), të cilat e pamundësojnë çfarëdo lloj bashkimi me Shqipërinë.
Qytetarëve të Kosovës, duhet t’u shpjegohet se inicimi i projektit të bashkimit me Shqipërinë, momentalisht e reprodukon simetrinë. E ndanë Kosovën n’midis t’Urës t’Ibrit edhe na rru’n dreçi masandej kur përpara kemi “pat pozicionin” politik. Qytetarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se në të njejtën menyrë siç mund të militojmë ne për bashkim me Shqipërinë, njejtë militojnë sabah e aksham Marko Jakshiçi dhe Millan Ivanoviçi që veriun e Kosovës t’ia kouptojnë Serbisë. Dhe kjo idenë e shtetndërtimit të Kosovës e shndrron në farsë. Kjo sepse dallimi në mes etnonacionalistëve shqiptarë dhe atyre serbë qëndron vetëm në kontekst dhe substrat, kurse substanca dhe koncepti i mendësisë dhe i fazonit të të rezonuarit mbeten të njejtë. Dhe natyrisht se ky fakt e eksterminon dhe e kolapson çdo përpjekje të shtetndërtimit. Qytetarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se ideja e bashkimit kombëtar implicon deantologjikisht në luftë së paku me nja katër shtete, sepse për qejfi askush nuk heq dorë nga sovraniteti i vet. Zhan Bodini argumenton se prekja e proviniencës sovranitare automatikisht reprodukon luftën. John Stoessingeri studiues eminent në fushën e konflikteve ndërkombëtare në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shpjegon se të gjitha përpjekjet për cënime sovranitetesh dhe ekspandime territoriale pas Luftës së Parë Botërore, kanë përfunduar me mossukses dhe dështim frapant të atyre që i kanë nisur këto implikacione. Bash qashtu çysh pati përfunduar pa sukses ideja ekspansioniste mbi transnacionalen gjeopolitike të “Shtatë B-jave” (Berlin, Bratisllavë, Budapest, Bukuresht, Beograd, Bagdat, Baku) e Haushoferit dhe Hitlerit edhe bash qashtu çysh e pati marrur era “Od Triglava do Djevdjelie-n” e Çosiçit dhe Millosheviçit.
E nëse Shqipëria si “shtet amë” është e gatshme dhe ka kapacitet të nisë luftë me katër shtete duke nihilizuar me të ardhmen e saj europiane dhe nëse edhe së këndejmi kufirit, shqiptarët e Kosovës nuk janë ngopur nga luftërat dhe pranojnë që integritetin e tyre biologjik t’a vënë në peshojë në favor të një pjesë të sovranitetit atëherë OK po i’a nisim luftërave. Por se ku qon e tëra kjo, për këtë gjë etnonacionalizmi nuk ofron përgjigjje. Nuk ofron përgjigjje sepse nuk ka agjendë. Shqiptarëve të Kosovës u duhet shpjeguar se të qenurit objekt i narracionit (globalizimit, integrimeve, transformimeve), nënkupton edhe akceptimin e narracionit dhe jo ekskomunikimin obstruktues të procesit me karshillëqe etnonacionaliste.
Përfundimisht Kosova definitivisht vuan nga mospasja e vizionit shtetndërtues dhe nga mungesa e agjendës për sendërtim të qytetarisë. Sali Berisha kreu vizitën e tij dhe shkoi. Kosova mbeti me po ato halle të njejta sikurse para vizitës së tij. Të vetmet gjurmë që la Berisha janë fotografitë me mbishkrimin “Mirë se vjen Sali Berisha”, në billbordët e Prishtinës. Por kënaquni edhe gjashtë ditë duke e shikuar fotografinë e tij. Kur të fillojë fushata zgjedhore fotografia e tij do të mbulohet me të ato të kandidatëve për kryetarë të komunave. Astrit Salihu veç ja ka nisë a !?
Krijoni Kontakt