Nga Express më 04.09.2010 në ora 18:45
Me rastin e dyvjetorit të themelimit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, drejtues të këtij Këshilli kanë shprehur pakënaqësitë dhe kritikat e tyre ndaj institucioneve të Kosovës për mos mbrojtjen e vlerave të luftës, ndërsa kërkuan edhe ndryshimin e Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, i cili sipas tyre ka shumë mangësi.
Kryetari i KMDL të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë të shtunën se pas presioneve të shumta të këshillit për miratimin e ligjit mbi vlerat e luftës, Qeveria e Kosovës me në fund ka miratuar një projektligj, i cili megjithatë nuk i zgjidh problemet e kësaj kategorie, dhe si i tillë duhet ndryshuar.
“Ne nuk jemi të kënaqur me shumë nene të këtij ligji, sepse ka shumë mangësi dhe nuk i zgjidh problemet e të gjitha kategorive të dala nga lufta. Pavarësisht nga nxjerrja e ligjit, këshilli nuk do të pushojë aktivitetin, por do të punojë edhe më me ngulm për implementimin dhe ndryshimin e disa neneve të atij ligji, gjithnjë në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së”, ka thënë Qeriqi.
Sipas tij, projektligji në fjalë nuk do ta ndryshojë për të mirë jetën e veteranëve dhe invalidëve të luftës, të cilët janë anashkaluar gjatë hartimit të këtij projektligji.
“Neve nuk na kanë ftuar, përkundrazi na kanë injoruar ne Ligjin e kemi këtu. Mirëpo është një ligj i paqartë edhe ka shumë mangësi në shumë nene, do të thotë është një ligj më tepër në letër. Nuk do ta ndryshojë jetën e veteranëve të luftës as për 2 për qind më mirë, do të jetë në këtë gjendje që ka qenë”, tha Qeriqi.
Për më tepër, Qeriqi ka thënë se nëse nuk do të përmbushen kërkesat e tyre, siç janë ndryshimi i ligjit dhe implementimi i tij, zgjidhja e banimit për këto kategori, si dhe shërimi pa pagesë, punësimi, lirimi nga taksat.
Lideri i Lëvizjes, “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili ka thënë se ideali dhe amaneti i dëshmorëve nuk është realizuar plotësisht.
Sipas Kurtit, ideali dhe amaneti i dëshmorëve nuk ka qenë për këtë Kosovë çfarë është sot.
“Sot një veteran i luftës e ka të pamundur të merret vesh me një qeveritar, sepse veterani i luftës ka mbet me 2 euro në xhep, e pushtetarit nuk i dalin as 2 milionë. 2 milionë euro nuk mund të bisedojnë me 2 euro, është shpërputhje tepër e madhe në botëkuptim e në interesa që këta të mund të merren vesh. Por, kështu me 2 euro në xhep është populli i Kosovës ashtu me 2 milionë euro janë pushtetarët, paratë e tyre janë në fakt paratë e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Kurti.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së është themeluar më 2 shtator të vitit 2008, si nevojë dhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të ish luftëtarëve të UÇK-së, të cilët nuk po trajtohen si duhet nga institucionet e Kosovës. Këshilli është i strukturuar, ka organizim të brendshëm, është i shtrirë në tërë Kosovën dhe ka mbi 6.000 anëtarë. /kosovapress/
Krijoni Kontakt