-
Të Përjetosh Thellësitë e Jezu Krishtit!
Të dashtun vllazën dhe motra,
Njitu do postoj një libër qi asht shkruejt nga një motër katolike e shekullit të 17. Emri i saj asht Jeanne Guyon. Jeanne Guyon asht konsiderue, akoma edhe prej anmiqve të saj, si nji prej grave ma të njohuna në historinë e kishës.
Dikur ky libër asht djeg publikisht në Francë dhe megjithate ky libër asht marrë nga të krishterët kërkues si nji prej librave të krishterë ma të fuqishëm qi asht shkrue ndonjiherë.
Kur Watchman Nee (Uoçmën Ni)e pa se ky libër asht përkthye ne gjuhën Kineze, e shpërndau te të gjithë të krishterët e "Kopesë së Vogël". Fenelon, Konti Zinzendorf, Xhon Wesley (Gjon Ueslei) Quakers-it e hershëm, Jessie Penn-Lewis dhe Hudson Taylor (Hadsën Teilër), të gjithë këta ja u kan rrekomandue kyt libër besimtarëve të kohës së tyne.
Shpresoj qi edhe për ju të bahet nji libër qi ka me ndryshue jetën tuej të lutjes.
-
-
Hyrja
Hyrje
E shkruar në pjesën e dytë të shekullit XVII
Ky libër i vogël, i lindur në një thjeshtësi të madhe, nuk u shkrua për t'u botuar. Unë e shkrova atë për disa individë të cilët kërkonin të donin Perëndinë me gjithë zemër. Por për shkak të përjetimit të madh frymorë që ata patën nga leximi i këtij dorëshkrimi, shumë të tjerë më kërkuan të kenë kopjen e tyre personale dhe për shkak të kësaj kërkese, ky libër i vogël u dorëzua për botim.
E kam lënë këtë libër në thjeshtësinë e tij origjinal. Nuk përmban kritikë ndaj mësimeve të të tjerëve që kanë shkruar rreth gjërave frymore. Për kundrazi, ky libër përforcon mësimet e tyre.
Tani, unë e lë librin nën gjykimin e njerëzve me shkollë dhe me përvojë duke bërë një kërkesë: Ju lutem mos ndaloni në sipërfaqe, por në qëllimin kryesor të shkrimit të librit tim. Qëllimi i tij është ta drejtojë tërë botën, që ajo ta dojë Perëndinë, e t'i shërbejë Atij në një mënyrë që është më e lehtë dhe më e thjeshtë se sa mund ta imagjinojë njeri.
Unë e kam shkruar qëllimisht këtë libër për ata ndjekës të dashur të Jezu Krishtit, të cilët nuk janë të kualifikuar për kërkime intensive, por që megjithatë, dëshirojnë t'i jepen plotësisht Perëndisë.
Lexuesi që do të vijë para këtij libri pa paragjykime, do të gjejë të fshehura poshtë shprehjeve më të thjeshta, një vajosje sekrete. Kjo vajosje do ta ngazëllojë atë për të vazhduar të ndjekë atë lumturi të brëndshme, të cilën të gjithë dishepujt e Zotit do dëshironin ta kishin dhe t'i gëzoheshin si fëmijë.
E kam thënë se përsosja mund të arrihet lehtësisht dhe kjo është e vërtetë. Jezu Krishti është përsosja dhe kur e kërkojmë Atë brënda vetes sonë, mund ta gjejmë Atë fare lehtë.
Por ndoshta ti do të pyesësh, "Po a nuk tha Zoti 'Ju do të më kërkoni por nuk keni për të me gjetur'?" (Gjoni 7:34) Ah, por Zoti juaj i cili nuk mund të kundërshtojë vetveten, gjithashtu u tha të gjithëve, "Kërkoni dhe do të gjeni" (Mateu 7:7)
Po, është e vërtetë se nëse ti e kërkon Zotin dhe ende nuk je i gatshëm t'i japësh fund të mëkatuarit, nuk ke për ta gjetur Atë. Përse? Sepse po e kërkon Atë në një vënd në të cilin nuk ndodhet. Prandaj është thënë: "Do të vdisni në mëkatet tuaja"
Por nëse ti e kërkon Perëndinë në zemrën tënde dhe nëse sinqerisht i largohesh mëkateve të tua që t'i afrohesh Atij, sigurisht që do ta gjesh Atë.
vazhdon...
-
-
Vazhdimi i Hyrjes
Unë e kuptoj se ideja e të jetuarit "një jetë të Perëndishme" është e frikshme për shumicën e të krishterëve dhe lutja shihet si diçka shumë e vështirë për t'ju dalë mbanë. Për pasojë shumë besimtarë shkurajohen shumë që në fillim, madje nuk kanë kurajo as për të hedhur hapat e parë në këtë drejtim. Është e vërtetë se nëse do të vëresh vështirësitë e një ndërmarrje të re, natyrisht që ajo mund të të dëshpërojë dhe të të heqë çdo dëshirë për të filluar. Nga ana tjetër, dëshirimi që të ngjall një aventurë e tillë dhe ideja se kjo mund të kryhet lehtësisht, mund të të bëjë që të nisesh me fuqi drejt saj.
Ky libër, ndriçon rrugën drejt dëshirës, kënaqësisë, avantazheve dhe lehtësisë së këtyre dy çështjeve: lutjes dhe devocionit.
Oh, sikur edhe një herë të vetme të mund të shihnim mirësinë e Perëndisë ndaj fëmijëve të Tij dhe dëshirën e Tij për t'ju zbuluar atyre! Atëhere, ne nuk do shkonim më pas dëshirave tona egoiste. As nuk do të shkurajoheshim kaq shpejt nga ndjekja e asaj që Ai ka mall të na dhurojë.
"Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?" (Romakët 8:32)
Na duhet vetëm pak kurajë dhe këmbëngulje. Në fakt ne i kemi me bollëk të dyja në çështjet tona tokësore, por nuk kemi asnjërën prej tyre në të vetmen gjë që ka rëndësi (Luka 10:42).
Disa prej jush, ndoshta mund ta vënë në dyshim se Perëndia mund të gjehet kaq lehtësisht. Në këtë rast mos u mjaftoni me këtë gë po ju them, por provojeni vetë çka propozoj. Sepse jam e bindur se do ta zbuloni që realiteti është shumë më madhështor nga ç'ju kam thënë unë.
I dashur lexues, lexoje këtë libër të vogël me një shpirt të sinqertë e të ndershëm. Lexoje atë me një mendje të përulur, pa prirjen për të kritikuar. Nëse e bën këtë do të përfitosh vërtet shumë prej tij. Unë e kam shkruar këtë libër me dëshirën që ti të mund t'ja japësh veten tënde tërësisht Perëndisë.
Të lutem, merre këtë libër me të njëjtën dëshirë në zemër.
Ky libër nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç këtij: të ftojë të thjeshtët dhe ata që janë si fëmijë, t'i afrohen Atit të tyre...një Ati që gëzon tek sheh besimin e përulur të fëmijëve të Tij dhe hidhërohet nga mosbesimi i tyre.
Prandaj me një dëshirë të sinqertë për shpëtimin tënd, mos kërko gjë tjetër nga ky libër, përveç dashurisë së Perëndisë. Me një shpresë të tillë në zemër pa dyshim që do ta marrësh atë dashuri.
Nuk them që kjo rrugë është më e mirë se ajo e dikujt tjetër. Unë veç po shpall ndershmërisht, nga përvoja ime dhe e të tjerëve, gëzimin që gjejmë duke e ndjekur Zotin në këtë mënyrë.
Ka edhe shumë subjekte të tjera që mund t'i kishim prekur, gjëra të një rëndësie të veçantë shpirtërore, por për shkak se nuk lidhen drejtpërdrejtë me subjektin tonë kryesor, të përjetuarit e Jezu Krishtit, ato janë lënë mënjëanë. Këtu nuk do gjeni asgjë ofenduese nëse libri do të lexohet me të njëjtën frymë në të cilën është shkruar. Për më tepër, ata që do ta vënë në provë seriozisht këtë mënyrë, do të shohin se unë kam shkruar të vërtetën.
O Jezu i shenjtë, vetëm Ti i do të thjeshtët dhe të pafajshmit. Është "pëlqimi Yt, së bashku me bijtë e njeriut të pushosh" (Proverbat 8:3) me ata që janë të gatshëm të bëhen "fëmijë të vegjël!" (Mateu 18:3). Ti je i vetmi që mund ta bësh këtë libërth të ketë ndonjë vlerë. I dashuri Zot, shkruaje atë në zemrat e atyre qe do ta lexojnë dhe drejtoi ata të të ndjekin Ty së brëndshmi. Pikërisht aty Ti qëndron, si në fole, duke pritur provat e dashurisë së tyre, dhe për t'ja rikthyer me dëshmitë e dashurisë Tënde. Oh, është e vërtetë që faji është i tyre që nuk përjetojnë gjithçka. Ti je kaq i gatshëm t'u japësh. E megjithatë, oh Fëmijë i Gjithëfuqishëm, Dashuri e pakrijuar, Fjalë e heshtur dhe Gjithpërmbledhëse, vetëm Ti e ke në dorë të bëhesh i dashuruar, i prekshëm e i kuptueshëm nga gjithkush. Ti mund ta bësh këtë dhe unë e di se Ti do ta bësh në këtë libër të vogël. Sepse ai të përket krejtësisht Ty, ai i tëri doli prej Teje, dhe ai flet vetëm për Ty.
Jeanne Guyon
Grenoble Francë, rreth 1685
Ndryshuar për herë të fundit nga marcus1 : 18-10-2009 më 15:39
-
-
Kapitulli I
Nga Sipërfaqja në Thellësi
Ndërsa merr në dorë këtë libër, mund të ndiesh se thjeshtë nuk je nga ata njerëz të aftë për një përvojë të thellë me Jezu Krishtin. Shumë të krishterë nuk ndjejnë që janë thirrur për një marrëdhënje të thellë të brëndshme me Zotin e tyre. Por ne jemi të gjithë të thirrur në thellësitë e Krishtit, jo më pak se sa jemi thirrur në shpëtim.
Kur flas për këtë "marrëdhënje të thellë të brëndshme me Jezu Krishtin", çfarë kam parasysh? Kjo është fare e thjeshtë. Duhet vetëm t'i kthesh dhe t'i dorëzosh zemrën tënde Zotit. Është shprehja e dashurisë për Të brenda zemrës tënde.
E di që Pali na inkurajon "të lutemi pa pushim" (Selanikasit 5:17). Edhe Zoti gjithashtu na fton të "mbajmë sytë hapur e të lutemi". (Marku 13: 33, 37). Nga këto dy vargje, si edhe nga shumë të tjerë, është fare e qartë se të gjithë ne jetojmë me anë të kësaj përvoje, kësaj lutjeje, po ashtu si jetojmë me anë të dashurisë.
Njëherë Zoti foli e tha: "të këshilloj të blesh nga unë ar të provuar nga zjarri. Atëhere do të pasurohesh". (Zbulesa 3:18). I dashur lexues, ai ar është për ty. Ky ar mund të bëhet i yti shumë më thjesht nga ç'mund ta mendosh. Ai është për ty. Qëllimi i këtij libri është të të nisë ty në këtë eksplorim e në këtë zbulim.
Unë po të bëj një ftesë: Nëse je i uritur, eja tek uji i gjallë. Mos shko kot kohën tënde të çmuar duke rrëmihur puse që s'kanë ujë. (Gjoni 7:37; Jeremia 2:13).
Nëse je i uritur e s'mund të gjesh asgjë për të shuar urinë tënde, atëhere eja. Eja dhe do të ngopesh.
Ti që je i varfër, eja.
Ti që je i lënduar, eja.
Ti që je rrëzuar përtokë nga barra e mjerimit dhe dhimbjes tënde, eja. Ti do të gjesh ngushëllim!
Ti që je i sëmurë dhe ke nevojë për një mjek, eja. Mos ngurro se ke sëmundje. Eja tek Zoti yt dhe tregoja Atij të gjitha sëmundjet e tua dhe atëhere do të shërohesh.
Eja!
I dashur fëmijë i Perëndisë, Ati yt i ka hapur krahët e dashurisë për ty. Hidhur në krahët e Tij. Ti që ke humbur dhe je larguar tutje si dele, kthehu tek Bariu yt. Ju që jeni mëkatarë, ejani tek Shpëtimtari juaj.
U drejtohem veçanërisht atyre prej jush që janë të thjeshtë, juve që jeni të pashkollë dhe madje edhe juve që nuk mund as të shkruani e as të lexoni. Ti mund të mendosh se je personi më i paaftë për këtë përjetim të përhershëm të Krishtit, këtë lutje të thjeshtësisë. Ty mund të të duket vetja si më i largëti nga përjetimi i thellë me Zotin; por në fakt Zoti të ka zgjedhur ty veçanërisht! Ti je më i përshtatshmi për ta njohur mirë Atë.
Askush pra të mos ndjehet i lënë mënjëanë. Jezu Krishti na ka thirrur të gjithëve.
Oh, mendoj se ka një grup që është lënë mënjëanë!
Mos eja nëse nuk ke zemër. Që ta dish, para se të vish, duhet të bësh diçka: së pari ti duhet t'ja japësh zemrën tënde Zotit.
"Por unë s'di si t'ja jap zemrën time Zotit".
Mirë atëhere, në këtë libër të vogël do të mësosh ç'do të thotë t'ja japësh zemrën tënde Zotit dhe si t'ja bësh Atij këtë dhuratë.
Lërmë të të pyes atëhere, a dëshiron ta njohësh Zotin thellësisht? Perëndia e ka bërë të mundur për ty një përvojë, një rrugë të tillë. Ai e ka bërë të mundur këtë përmes hirit që u ka dhënë të gjithë fëmijëve të Tij të shpëtuar. Ai e ka bërë këtë me anë të Frymës së Tij të Shenjtë.
Si do të vish ti atëhere tek Zoti për ta njohur Atë thellësisht? Çelësi është lutja. Por unë kam parasysh një lloj të veçantë lutjeje. Është një lloj lutje fare e thjeshtë, e megjithatë është çelësi i përkryerjes dhe mirësisë, gjëra që gjenden vetëm në vetë Perëndinë. Tipi i lutjes që unë kam parasysh, do të të çlirojë nga skllavëria ndaj çdo mëkati. Është një lutje që do të sjellë mbi ty çdo virtyt të Perëndishëm.
Siç e sheh, e vetmja rrugë për t'u përkryer është të ecësh në praninë e Perëndisë. E vetmja mënyrë që të mund të jetosh në praninë e Tij në një shoqëri të pandërprerë, është me anë të lutjes, por një lloj lutje shumë të veçantë. Është kjo një lutje që të shpie në Praninë e Perëndisë dhe të mban atje gjatë gjithë kohës, një lutje që mnd të përjetohet në çdo rrethanë, vënd apo kohë.
A ka vërtetë një lutje të tillë? A ekziston vërtet një përvojë e tillë më Krishtin?
Po, ka një lutje të tillë! Një lutje që nuk përzihet me punët e tua, apo me rrjedhën e jetës së përditshme.
Ka një lloj lutje që mund të praktikohet nga mbretër, priftërinj, ushtarë, punëtorë, fëmijë, gra dhe madje edhe nga të sëmurët.
Lejomë të nxitoj të them se lutja për të cilën flas nuk është një lutje që del nga mëndja. Është një lutje që fillon në zemër. Ajo nuk vjen nga të kuptuarit apo nga mendimet e tua. Lutja ofruar Zotit vetëm nga mëndja nuk do të ishte e mjaftueshme. Pse? Sepse mëndja jote është shumë e kufizuar. Mëndja nuk mund t'i kushtojë vëmëndje disa gjërave njëkohësisht. Lutja që del nga zemra, nuk ndërpritet nga të menduarit! Unë guxoj të them se asgjë nuk mund ta ndërpresë këtë lutje, lutjen e thjeshtësisë.
Përveç diçkaje. Dëshirat egoiste mund ta ndërpresin këtë lutje. Por edhe në këtë rast mund të marrim zemër, sepse pasi të jesh gëzuar në Zotin dhe të kesh shijuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij do të shohësh se madje edhe dëshirat e tua egoiste nuk do kenë më fuqi mbi ty. Do të shohësh se është e pamundur të gjesh kënaqësi në gjëra të tjera përveç Tij.
E kuptoj se disa prej jush ndjejnë se janë të ngadaltë, se nuk kuptojnë shumë gjëra dhe se janë shumë pak frymorë. I dashur lexues, nuk ka asgjë tjetër në këtë univers qëmund të përftohet më lehtësisht se bashkësia me Jezu Krishtin! Zoti yt është më i pranishëm te ti se sa ti vetë je në veten tënde! Për më tepër, dëshira e Tij për të të dhënë Vetveten është më e madhe se dëshira jote për ta pasur Atë.
Atëhere si të fillosh? Të duhet vetëm një gjë. Duhet të dish se si ta kërkosh Atë. Kur ta kesh gjetur mënyrën për ta kërkuar Atë, do të zbulosh se kjo rrugë drejt Perëndisë është më e lehtë dhe më e natyrshme se vetë frymëmarrja.
Me anë të kësaj "lutje të theshtësisë", këtij përjetimi të Krishtit thellë brënda teje, do mund të jetosh me anë të vetë Perëndisë me më pak vështirësi dhe me më pak ndërprerje se ç'jeton tnai me anë të ajrit që thith. Nëse kjo është e vërtetë, atëhere unë të pyes, a nuk do të ishte mëkat të mos luteshim? Po, do të ishte mëkat. Por pasi të kesh mësuar si ta kërkosh Jezu Krishtin dhe si të mbahesh fort pas Tij, për ty do të jetë aq e lehtë sa nuk do ta lësh më pas dore këtë mardhënje me Zotin tënd.
Le të vazhdojmë më tej pra dhe të mësojmë mënyrën e thjeshtë për t'u lutur.
-
-
Kapitulli II
Nisja
Do të preferoja të të drejtohesha sikur të ishe një fillestar në Krisht, si dikush që po kërkon ta njohë Atë. Duke bërë kështu, më lejo të të sygjeroj dy mënyra për të ardhur tek Zoti. Të parën do ta quaja "Të lutesh mbi Shkrimin"; të dytën do ta quaja "të vështrosh Zotin" apo "të presësh në praninë e Tij".
"Të lutesh mbi Shkrimin" është një mënyrë unike e trajtimit ë Shkrimit; ajo përfshin si leximin ashtu edhe lutjen.
Ja se si duhet të fillosh.
Eja tek Shkrimi; zgjidh ndonjë pasazh që është i thjeshtë dhe praktik. Pastaj eja tek Zoti. Eja me qetësi dhe përulje. Aty, para Tij, lexo një pjesë të vogël të pasazhit të Shkrimit tek i cili e ke hapur.
Bëj kujdes ndërsa lexon. Bëje tënden plotësisht, me butësi dhe me kujdes atë çka lexon. Shijoje dhe trete ndërsa lexon.
Në të kaluarën mundet që ta kesh pasur zakon që, ndërsa lexoje, të hidheshe shumë shpejt nga njëri varg i Shkrimit në tjetrin deri sa të kishe lexuar të gjithë pasazhin, me qëllimin ndoshta, për të gjetur çështjen kryesore të pasazhit.
Por duke ardhur tek Zoti me anë të "lutjes mbi Shkrimin", nuk duhet të lexosh shpejt, por shumë ngadalë. Nuk duhet të hidhesh nga një pasazh në tjetrin, së paku jo deri sa të kesh ndjerë vetë thelbin e asaj që po lexon.
Atëhere ti mund të ndjesh dëshirën për ta kthyer në lutje atë pjesë të Shkrimit që të ka prekur.
Pasi të kesh ndjerë diçka nga pasazhi dhe pasi të jesh i sigurtë se esenca e asaj pjese është nxjerrë dhe kuptimi i saj i thellë ka hyrë brënda teje, atëhere, shumë ngadalë, butësisht dhe me qetësi fillo të lexosh pjesën tjetër të pasazhit. Do të habitesh kur të shohësh se kur koha jote me Zotin ka mbaruar, do të kesh lexuar shumë pak, ndoshta jo më shumë se gjysëm faqe.
"Të lutesh mbi Shkrimin" nuk gjykohet nga sa shumë lexon, por nga mënyra se si e lexon.
Nëse do të lexoje shpejt, do të përfitoje shumë pak. Do të ishe tamam si ajo bleta që sa e prek sipërfaqen e një luleje. Ndërsa tani, në këtë mënyrë të leximit si lutje, duhet të bëhesh si bleta që depërton thellë në brendësi të lules. Duhet të zhytesh thellë brënda saj për të thithur nektarin më të thellë.
Natyrisht që ka edhe një lloj të lexuari të Shkrimit për studiuesit dhe për studim, por ky nuk është ai lloj. Ai lloj i të studiuarit serioz, nuk ka për të të ndihmuar kur të arrish në çështjet që janë hyjnore! Për të pasur një përfitim të thellë të brëndshëm nga Shkrimi, duhet të lexosh kështu siç e kam përshkruar. Zhytu në thellësitë e fjalëve që lexon derisa zbulesa, mu si një aromë e ëmbël, të përhapet mbi ty.
Jam shumë e sigurtë se nëse ti do të ndjekësh këtë drejtim, pak nga pak do fillosh të përjetosh një lutje shumë të pasur që buron prej qenies sate të brëndshme.
vazhdon...
-
-
Do ishte mirë qi para se me vazhdue me leximin e ktij libri duhet ma par të keni praktikue ate lloj lutje qi thuhet ma sipër: "lutjen mbi Shkrimin"
-
-
Le të shohim tani llojin e dytë të lutjes, të cilin e përmënda më sipër. Lloji i dytë i lutjes, të cilin e përshkrova më parë si "të vështrosh Zotin" apo "të presësh në Zotin" mbështetet në Shkrimin gjithashtu, por në fakt nuk është një kohë leximi.
Ki parasysh se unë po të drejtohem sikur të ishe një i sapokthyer. Kjo është mënyra e dytë për të takuar Krishtin. Dhe kjo mënyrë e dytë, megjithëse ti përsëri do përdorësh Shkrimin, ka një qëllim krejt të ndryshëm nga "të lutesh mbi Shkrimin". Për këtë arsye duhet të veçosh një kohë të caktuar që të mund të vish e të presësh në Të.
Duke u "lutur mbi Shkrimin" po kërkon të gjesh Zotin në atë çka lexon, në vetë fjalët. Në këtë shteg atëhere, përmbajtja e Shkrimit është ika qëndrore e vëmëndjes. Qëllimi yt është të marrësh nga pasazhi gjithçka që të zbulon Zotin.
Cili është shtegu i dytë?
Duke "vështruar Zotin", ti vjen tek Zoti në një mënyrë krejt të ndryshme. Ndoshta në këtë pikë duhet të të flas mbi vështirësinë më të madhe që do të hasësh duke pritur Zotin. Kjo ka të bëjë me mendjen tënde. Mendja ka një prirje shumë të fortë për t'u larguar nga Zoti. Prandaj, ndërsa vjen përpara Zotit tënd, për të qëndruar në praninë e Tij e për ta vështruar Atë, përdore Shkrimin për të qetësuar mëndjen.
Mënyra për ta bërë këtë është vërtet shumë e thjeshtë.
Së pari, lexo një pasazh nga Shkrimi. Pasi të kesh ndjerë praninë e Zotit përmbajtja e asaj që ke lexuar nuk ka më rëndësi. Shkrimi ja ka arritur qëllimit; ai e ka qetësuar mëndjen tënde; të ka sjellë tek Ai.
Që ta kesh më të qartë këtë, lejomë të përshkruaj mënyrën në të cilën ti vjen tek Zoti me anë të aktit të thjeshtë të vështruarit dhe të priturit në Të.
Fillo duke caktuar një kohë të posaçme për të qenë me Zotin. Kur vjen tek Ai, eja me qetësi. Ktheje zemrën tënde nga prania e Perëndisë. Si bëhet kjo? Edhe kjo është fare e thjeshtë. Ktheju Atij me besim. Nëpërmjet besimit ti je i bindur se ke ardhur në praninë e Perëndisë.
Së dyti, kur të jesh para Zotit, fillo të lexosh ndonjë pjesë të Shkrimit. Ndërsa lexon bëj një pauzë. Ky pushim duhet të jetë shumë i butë. Pusho që të mund të përqëndrosh mendimet tek fryma. Kështu ti përqëndron mëndjen në brendësi, te Krishti.
(Duhet të kesh gjithmonë parasysh se ti nuk po e bën këtë për të kuptuar atë që ke lexuar. Jo, ti lexon me qëllim që ta largosh mendjen nga gjërat e jashtme dhe ta kthesh në pjesët më të thella të qenies tënde. Nuk ke ardhur për të lexuar apo për të mësuar, por ke ardhur për të përjetuar praninë e Zotit tënd!)
Ndërsa gjëndesh para Zotit, hape zemrën tënde në praninë e Tij. Si? Edhe këtë e bën me anë të besimit. Po, me anë të besimit mund ta mbash zemrën në praninë e Zotit. Tani, duke pritur para Tij, ktheje gjithë vëmendjen drejt frymës tënde. Mos e lejo mendjen të livadhisë. Mëse mendja jote shpërqëndrohet, përqëndrohu sërish në pjesët e brendshme të qenies tënde.
Do çlirohesh nga shpërqëndrimi, do të çlirohesh nga çdo ngacmim i jashtëm dhe kështu do të afrohesh pranë Perëndisë.
(Zotin mund ta gjesh vetëm në frymën tënde, në brendësi të qenies tënde, në Shenjtoren e Shenjtoreve, pikërisht këtu rri Ai. Njëherë Zoti premtoi të vijë e të ndërtojë shtëpinë e Tij brenda teje. (Gjoni 14:23). Ai premtoi t'i takonte atje ata që e adhurojnë dhe që e zbatojnë vullnetin e Tij. Zoti do të të takojë në shpirtin tënd. Ishte shën Agustini ai që tregoi se sa shumë kohë kish humbur në fillim të përvojës së tij si i krishterë, duke u përpjekur ta gjente Zotin së jashtmi, në vend që të kthehej e ta kërkonte së brendshmi).
Pasi zemra jote të jetë kthyer së brendshmi drejt Zotit, ti do kesh njdesinë e pranisë së Tij. Di do jesh në gjëndjeta shquash praninë e Tij në mënyrë më të mbrehtë, sepse shqisat e tua të jashtme janë qetësuar tashmë. Vëmendja jote, nuk është më te gjërat e jashtme apo në mendimet e sipërfaqshme të trurit tënd; në vend të kësaj, heshturazi dhe ëmbëlsisht, mendja jote zotërohet nga ajo çka ke lexuar dhe nga prekja e pranisë së Tij.
Oh, kjo nuk do të thotë se ti do të mendosh për atë çka ke lexuar, por ti do të ushqehesh nga ajo. Nga dashuria për Zotin, ti e detyron vullnetin tënd ta mbajë mendjen në qetësi përpara Tij.
Kur ta kesh arritur këtë fazë, duhet ta lejosh mendjen tënde të pushojë.
Si ta përshkruaj atë që duhet bërë më tej?
Në këtë gjendje paqeplotë, gëlltit çka ke shijuar. Në fillim kjo mund të duket e vështirë, por ndoshta unë mund të të tregoj sa e thjeshtë është. A nuk të ka ndodhur ndonjëherë, të të ketë pëlqyer shija e një ushqimi shumë të shijshëm? Por po të mos ishe i gatshëm ta gëlltisje ushqimin, ti nuk do ushqeheshe. E njëjta gjë është edhe me shpirtin tënd. Në këto çaste të qeta, të thjeshta dhe paqeplotë, gëlltit atë që ke përpara si ushqim.
Po ngacmimet e jashtme?
Le të themi se mëndja jote fillon të livadhisë. Nëse je prekur thellë nga Fryma e Zotit dhe pastaj ndodh që të shpërqëndrohesh, ji këmbëngulës që ta sjellësh mendjen tënde të shpërqëndruar tek Zoti. Kjo është mënyra më e thjeshtë në botë për të mposhtur ngacmimet e jashtme.
Kur mendja jote është shpërqëndruar, mos u përpiq ta bindësh atë duke ndryshuar atë që po mendon. Nëse do t'i kushtosh vëmendje asaj që po mendon, mendja jote veç do të irritohet dhe do të trazohet më shumë. Në vend të kësaj, largohu nga mendja jote! Vazhdo me këmbëngulje të kthehesh në praninë e Zotit. Duke bërë kështu, ti do ta fitosh luftën me mendjen tënde të shpërqëndruar megjithëse pa marrë pjesë asnjëherë në mënyrë të drejtprërdrejtë në betejë!
Para se ta mbyllim këtë kapitull do dëshiroja të vija në dukje edhe një apo dy çështje të tjera.
Le të flasim pak mbi zbulesën hyjnore. Më parë ti mund të kesh pasur zakon që duke lexuar, të kaloje nga një subjekt në tjetrin. Por mënyra më e mirë për të kuptuar dhe për t'i gëzuar tërësisht misteret e fshehura në zbulesën e Perëndisë, është t'i lësh ato të gdhënden thellë në zemrën tënde. Si? Ti mund ta bësh këtë duke u ndalur në atë zbulesë deri sa të ndjesh Zotin. Mos nxito të kalosh nga njëra tek tjetra. Qëndro me atë çka Zoti të ka zbuluar; qëndro aty derisa edhe ndjesia e Zotit të jetë me ty.
Kur të fillosh këtë ndërmarrje të re, pa dyshim do të zbulosh se sa e vështirë është ta mbash mendjen nën kontroll. Pse ndodh kjo? Sepse për shumë vjet me rradhë, mendja jote është mesuar të bredhë në mbarë botën, ashtu si i pëlqen; kështu që ajo çka po them këtu është diçka që do të shërbejë si disiplinim i mendjes sate.
Të sigurio që sapo fryma jote të fillojë të mësohet me tërheqjen drejt gjërave të brendshme, ky proçes do të bëhet shumë më i lehtë.
Ka dy arsye që ta bëjnë gjithmonë e më të lehtë t'ja nënshtrosh mendjen tënde Zotit. Njëra është se pas shumë praktike, mendja do të fitojë zakonin e ri të kthimit thellë së brendshmi. E dyta është se ti ke një Zot të hirshëm!
Dëshira më e madhe e Zotit është të të zbulojë Vetveten dhe me qëllim që ta bëjë këtë, Ai të fal ty hir me bollëk. Zoti të jep përvojën e përjetimit të pranisë së Tij. Ai të prek dhe prekja e Tij është kaq e këndshme saqë tërhiqesh drej Tij më shumë se kurrë.
-
-
Të Përjetosh Thellësitë e Jezu Krishtit!
Thellësitë edhe për të pashkolluarit
Dëshiroj t'ja drejtoj këtë kapitull atyre prej jush që ndoshta nuk dinë të lexojnë. Për shkak se nuk di të lexosh, mund të ndjehesh në një pozicion më të dobët se të krishterët e tjerë. Ti mund të ndjehesh i pavlefshëm për të njohur thellësitë e Zotit tënd. Por në fakt, ti je vërtetë i bekuar. Bekimi i pamundësisë për të lexuar qëndron në faktin se lutja mund të bëhet leximi yt! A nuk e di se libri më i madh është vetë Jezu Krishti? Ai është një libër që është shkruar së brendshmi e së jashtmi. Ai do të të mësojë gjithçka. Lexoje Atë!
Gjëja e parë që duhet të mësosh i dashur mik është se "mbretëria e Perëndisë është brenda teje" (Luka 17:21)
Kurrë mos kërko për mbretërinë diku tjetër përveçse atje, brenda teje. Pasi të kesh kuptuar se mbretëria e Perëndisë është brenda teje dhe mund të gjendet veç atje, eja tek Zoti.
Ndërsa vjen, eja me një ndjenjë të thellë dashurie, eja tek Ai shumë butësisht, eja tek Ai me një ndjenjë të thellë adhurimi. Ndërsa vjen tek Ai, prano me përulësi se Ai është gjithçka. Shpalli Atij se ti nuk je asgjë.
Mbylli sytë ndaj gjithçkaje rreth teje; fillo të hapësh sytë e brendshëm të shpirtit tënd duke i kthyer ato mbi frymën tënde. Me një fjalë, përqëndroje vëmendjen plotësisht në pjesët e thella të brendshme të qenies sate.
Duhet vetëm të besosh se Perëndia jeton brenda teje. Ky besim dhe vetëm ky, do të të sjellë në praninë e Tij të shenjtë. Mos e lejo mendjen të bredhë, por mbaje nën fre sa më shumë të jetë e mundur.
Pasi të kesh ardhur në praninë e Zotit, qëndro i qetë e urtë para Tij.
Dhe tani, aty në praninë e Tij, fillo të përsërisësh Lutjen e Zotit. Fillo me fjalën "Atë". Ndërsa bën këtë, lëre kuptimin e plotë të kësaj fjale ta prekë thellë zemrën tënde. Beso se Perëndia që është brenda teje dëshiron vërtet kaq shumë të jetë Ati yt. Zbrazja zemrën tënde Atij, ashtu si një fëmijë ja zbraz zemrën atit të tij. Kurrë mos dysho në dashurinë e thellë që Zoti ka për ty. Kurrë mos dysho në dëshirën e Tij për të të dëgjuar. Thirr emrin e Tij dhe qëndro në heshtje para Tij për ca kohë. Qëndro atje, në pritje që Ai të të zbulojë zemrën e Tij.
Kur vjen tek Ai, eja si një fëmijë i dobët, i gjithi i zhyer dhe i rrahur keq - si një fëmijë që është vrarë duke u rrëzuar vazhdimisht. Eja tek Zoti si dikush që nuk kamë forcë në vetvete; eja tek Ai si i pafuqishëm për të pastruar veten tënde. Sill me përulje para syve të Atit gjëndjen tënde për të ardhur keq.
Ndërsa pret atje para Tij, herë pas here pëshpërit nga zemra një fjalë dashurie për Të dhe një fjalë hidhërimi për mëkatin tënd. Pastaj prit për pak kohë. Pasi të kesh pritur, ti do ta ndiesh se kur është koha për të vazhduar më tej; kur të kete ardhur ky çast, thjeshtë vazhdo Lutjen e Zotit.
Ndërsa thua fjalët "Ardhtë Mbretëria Jote" thirre Zotin tënd, Mbretin e Lavdisë të vijë e të mbretërojë brënda teje.
Dorëzoja veten tënde Perëndisë. Jepja veten Perëndisë që Ai të mund të bëjë në zemrën tënde atë që ti ke dështuar të bësh me përpjekjet e tua për kaq kohë. Njihe para Tij të drejtën që Ai ka për të të sunduar.
Në një pikë të caktuar të këtij takimi me Zotin tënd, ti do të ndiesh thellë në frymën tënde se është koha për të qëndruar në heshtje para Tij. Kur të kesh një ndjesi të tillë, mos kalo te fjala tjetër për sa kohë që kjo ndjesi vazhdon brenda teje. Është Vetë Zoti që po të mban në heshtje. Kur ajo ndjesi e të priturit para Tij të ketë kaluar, vazhdo me fjalët e tjera të Lutjes së Zotit.
"U bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu dhe në tokë".
vazhdon...
Ndryshuar për herë të fundit nga marcus1 : 21-10-2009 më 02:27
-
-
Të Përjetosh Thellësitë e Jezu Krishtit!
Duke u lutur mbi këto fjalë, përulu para Zotit duke i kërkuar Atij me etje të përmbushë vullnetin e Tij te ti dhe përmes teje. Dorëzoje zemrën tënde në duart e Tij. Dorëzoje lirinë Tënde në duart e Tij. Jepi Zoit tënd të drejtën të bëjë me ty ç'ti pëlqejë Atij.
A e di cili është vullneti i Perëndisë?
Vullneti i Tij është që fëmijët e Tij ta duan. Prandaj, kur ti lutesh, "Zot, u bëftë vullneti yt" ti po i kërkon Zotit të të mundësojë ta duash Atë. Kështu pra, fillo ta duash Atë! Dhe ndërsa e bën këtë, përgjëroju Atij të të japë dashurinë e Tij.
Gjithçka të kam përshkruar do të ndodhë shumë ëmbësisht e plot paqe përgjatë gjithë lutjes.
Dhe tani le të shohim një mundësi tjetër. Mund të ndodhë që ndërsa je me Zotin të kesh dëshirë ta lësh mënjanë Lutjen e Tij. Ndoshta do të duash të vish tek Ai si tek bariu yt.
Atëhere eja tek Ai si një dele që vështron bariun për të marrë ushqimin e vërtetë. Ndërsa vjen te Ai, përshpërit diçka të tillë: "Oh, i dashuri Bari, Ti e ushqen grigjën Tënde me Veten Tënde dhe Ti je vërtet buka ime e përditshme."
Është e nevojshme që të sjellësh të gjitha nevojat e tua tek Zoti yt. Por çfarëdo që të bësh, bëje duke besuar një gjë: që Perëndia gjendet brenda teje.
E kuptoj që mund të jesh një nga ata që kanë një model të caktuar, ose një ritual në lutjet e tyre. Mos e rëndo veten me ritualet që ke mësuar. Nuk është e nevojshme të përdoren lutje të përsërituar apo të mësuara përmëndsh. Në vend të këtyre thjesht përsërit Lutjen e Zotit ashtu siç e kam përshkruar këtu. Kjo do të sjellë fryte të bollshme në jetën tënde.
I dashur fëmijë i Perëndisë, të gjitha konceptet e tua lidhur me imazhin e Perëndisë shumëzohen me zero. Mos u përpiq të përfytyrosh se si është Perëndia. Në vend të kësaj, thjesht beso në praninë e Tij. Kurrë mos u përpiq të përfytyrosh se ç'do të bëjë Perëndia. Nuk ka asnjë mundësi që Perëndia t'u përshtatet koncepteve të tua. E ç'duhet të bësh atëhere? Kërko të ndjekësh Jezu Krishtin duke e vështruar Atë në qënien tënde më të brendshme, në frymën tënde.
Le ta mbyllim këtë kapitull duke parë një mënyrë të tretë me anë të së cilës mund të fillojmë një takim më të thellë me Zotin tonë.
Mund të vish tek Zoti duke e konsideruar Atë si Mjekun tënd. Sill te Ai të gjitha lëngimet e tua që Ai të t'i shërojë. Por ndërsa vjen tek Ai, mos eja me ankth ose i paqetë. Ndërsa vjen, pusho kohë pas kohe. Kjo periudhë e të priturit në heshtje para Zotit gradualisht do të rritet! Për më tepër, përpjekjet e tua në lutje, do të vijnë duke u pakësuar. Më ne fund, për ty do të vijë ai çast kur Ai do të marrë kontroll të plotë, e kur ti do t'i jepesh vazhdimisht punës së Perëndisë brenda teje.
Siç e sheh, ajo @ka filloi si diçka fare e vogël, do të rritet! Ajo do të rritet për t'u bërë njëmarrëdhënie e vërtetë jetësore mes teje dhe Perëndisë së gjallë.
Kur prania e Zotit të bëhet vërtetë përvoja jote, ti do të zbulosh se pak nga pak ke filluar ta duash këtë heshtje e pushim paqeplotë që vjen me praninë e Tij.
Ti ndjen një kënaqësi të mrekullueshme nga prania e Tij.
Ky shijim i mrekullueshëm i pranisë së Tij do të të ndihmojë tani të kalosh në një nivel tjetër lutjeje! Ne do të vazhdojmë me këtë nivel të dytë lutjeje në kapitullin tjetër. Është një thellësi lutjeje që mund të përjetohet nga të gjithë besimtarët, si nga ata të thjeshtët ashtu edhe nga ata të diturit.
---------------------------------------------------------------
P.S. Të gjithë ju që mund të lexoni mos e kaloni këtë kapitull sepse edhe për ju do jetë një ndihmë e madhe. Mos harroni se deri në shekullin 19 pjesa dërrmuese e popullsisë nuk dinin të lexonin. Jeanne Guyon u drejtohet pikërisht këtyre njerëzve. Megjithatë nëse ky libër i lexohet dikujt që nuk mund të lexojë, do jetë një ndihmë tepër e madhe për ta.
-
-
Të Përjetosh Thellësitë e Jezu Krishtit!
Niveli i Dytë!
Tani, ti ke disa njohuri mbi "të lutesh mbi Shkrimin dhe "të vështrosh Zotin" ose të "presësh në praninë e Tij". Le të themi se ti i ke praktikuar këto dy mënyra për të ardhur tek Zoti. Le të themi se ti ke kaluar përmes fazës së vështirë të kësaj praktike dhe ke ardhur në përjetimin real.
Tani le të vazhdojmë më tej për të parë një nivel më të thellë të përjetimit me Zotin; ë do të thotë një nivel më të thellë lutjeje. Disa e kanë përshkruar këtë nivel tëdytë sipërjetimin e "Besimit dhe qetësisë". Të tjerë i referohen asaj si "Lutja e thjeshtësisë". Unë parapëlqej emrin e dytë.
Le të themi që ti tashmë je mësuar kaq mirë me lutjen mbi Shkrimin dhe të priturit qetësisht në ndjesinë e pranisë së Zotit, sa këto janë bërë pjesë e jetës tënde. Në është kështu, do të kesh zbuluar se tani është shumë e lehtë të vish tek Zoti dhe të shquash praninë e Tij. Por dëshiroj t'ju kujtoj edhe një herë se ajo ç'ka është shkruar më parë është shkruar për ata që sapo fillojnë ta njohin Krishtin.
Në fillim të kësaj praktike, ishte shumë e vështirë për ty ta përqëndroje mendjen tënde të shpërqëndruar. Ishte e vështirë të ktheheshe vazhdimisht së brëndshmi tek fryma jote. Pak e nga pak, këto janë bërë shumë më të natyrshme dhe të thjeshta. Tani lutja është shndërruar në diçka të lehtë, të ëmbël dhe të natyrshme dhe një kënaqësi gjithashtu. Gradualisht ti zbulon se lutja është rruga e vërtetë, rruga reale për të gjetur Perëndinë. Dhe pasi e ke gjetur Atë, ti shpall me gëzim, "emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur" (Kënga e Solomonit 1:3)
Ti mund të mendosh tani se unë do të të inkurajoj të vazhdosh në këtë shteg të suksesshëm. Por në fakt unë të inkurajoj ta ndryshosh pak kursin tënd. Duke bërë këtë, do të gjëndesh edhe një herë në një pikë që mund të të shkurajojë pak. Të çapitesh në një shteg të ri për të eksploruar Zotin, gjithmonë do të thotë të hasësh disa vështirësi në fillim! Prandaj të inkurajoj të kesh një zemër me besim, duke filluar që nga kjo pikë, sepse nuk duhet të shkurajohesh. Patjetër që do të hasësh ca vështirësi gjatë rrugës, ndërsa kërkon të hysh në një marrëdhënie më të thellë me Zotin.
Tani, t'i lëmë këto fjalë pas e të shohim këtë nivel të ri lutjeje.
Para së gjithash, eja në praninë e Zotit nëpërmjet besimit. Ndërsa je aty para Tij, vazhdo të kthehesh së brendshmi drejt frymës tënde derisa mendja jote të përqëndrohet dhe ti të jesh plotësisht i qetë para Tij. Tani, kur e gjithë vëmendja jote është kthyer së brendshmi dhe mendja është përqëndruar tek Zoti, thjesht qëndro në qetësi për pak kohe para Tij.
Ndoshta ti do të fillosh të kesh një ndjesi të pranisë së Zotit. Nëse është kështu, mos u përpiq të mendosh për asgjë tjetër. Mos u përpiq të thuash asgjë. Mos u përpiq të bësh asgjë. Për sa kohë që vazhdon ndjesia e pranisë së Zotit, vetëm qëndro aty. Qëndro para Tij, pikërisht ashtu siç je.
Me kohë, vetëdija mbi praninë e Tij do të fillojë të pakësohet. Kur të ndodhë kjo, përshpërit disa fjalë dashurie për Zotin ose thjesht thirr emrin e Tij. Bëje këtë qetësisht dhe butësisht me një zemër plot besim. Duke bërë kështu, ti do të kthehesh edhe një herë në ëbmëlsinë e pranisë së Tij! Do të zbulosh se po rikthehesh në atë vend të ëbël tëkënaqësisë së tejskajshme që sapo ke përjetuar! Pasi ëmbëlsia e pranisë së Tij të jetë kthyer në plotësinë e saj, përsëri qëndro i qetë para Tij.
Nuk duhet të mundohesh të lëvizësh sa kohë që Ai është pranë.
Cili është qëllimi? Qëllimi është ky: brenda teje ka një zjarr dhe ky zjarr meket ose rritet. Kur meket duhet t'i frysh lehtë, por veç lehtë ama. Sapo zjarri të ngrihet prapë, mos bëj asnjë përpjekje tjetër. Përndryshe mund ta fikësh flakën. Ky pra është niveli i dytë i lutjes - niveli i dytë në përjetimin e Jezu Krishtit.
vazhdon...
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt