Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas, Nikola Gruevski, kanë nënshkruar të premten në distancë marrëveshjen për demarkacion fizik të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Palët janë marrë vesh që Marrëveshja të ratifikohet sot në parlamentet e të dyja vendeve. Kjo i hap rrugë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Nga Bekim Greiçevci më 16.10.2009 në ora 19:08
Më në fund, marrëveshja për demarkacion fizik të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Ish-Jugosllave të Maqedonisë është nënshkruar të premten dhe nëse nuk luhen fjalët në Shkup, ajo do të ratifikohet sot në seanca të jashtëzakonshme të parlamenteve të të dyja vendeve.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar për Express se sipas një marrëveshje që është arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, plani ka qenë që Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas, Nikola Gruevski, të nënshkruajnë dokumentin përfundimtar për demarkacion të kufirit në orën 14:00, të premten. Kjo ka ndodhur sipas planit dhe kopjet me dy nënshkrimet janë shkëmbyer mes Prishtinës dhe Shkupit.
Dy kryeministrat kanë zhvilluar edhe një bisedë telefonike pasi kanë vënë nënshkrimet.
Hapi tjetër, sipas marrëveshjes, ka qenë kërkesa e dy qeverive për parlamentet që të mblidhen të shtunën në orën 11:00 për të ratifikuar dokumentin. Në Prishtinë kjo procedurë ka ecur sipas planit. Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur përmes një kumtese se seanca e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës – marrëveshjen për demarkacion fizik të kufirit – mbahet të shtunën.
Pika tjetër e pajtimit mes Prishtinës dhe Shkupit ka qenë që menjëherë pas ratifikimit të kësaj marrëveshje të bëhet vendosja e marrëdhënieve diplomatike sa më shpejt, të shtunën, ose brenda pak ditësh në vijim. Edhe kryeministri Nikola Gruevski ka iniciuar procedurën që parlamenti maqedonas të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të njëjtën kohë me parlamentin kosovar.
Megjithatë, sipas mediave në Shkup, Branko Cervenkovski, kryetari i partisë opozitare LSDM, ka prishur planet e Gruevskit dhe Ali Ahmetit për konvokimin e mbledhjes parlamentare. “Cërvenkovski nuk e ka parë të arsyeshme urgjencën që të shtunën Parlamenti të debatojë dhe në të vërtetë ka kërkuar kohë për të parë se në çfarë mënyre është zgjidhur shënimi i vijës kufitare, në pjesën më kontestuese, në vendin e quajtur Kodra Furra në afërsi të Tanushës”, ka raportuar TV Alsat.
Edhe pse shumica parlamentare ka mundësi që edhe pa votat e LSDM’së opozitare të ratifikojë dokumentin për shënimin e vijës kufitare me Kosovën, Gruevski nuk dëshiron vetë të marrë përgjegjësinë rreth ratifikimit të këtij dokumenti dhe kërkon konsensus nga të gjithë subjektet politike. Atij i nevojiten dy të tretat e votave.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë në dijeni për këto zhvillime në Shkup. Ata presin që gjithçka të ecë sipas marrëveshjes me ndërmjetësim ndërkombëtar. Kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka deklaruar dje se është çështje orësh vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Ai ka theksuar se vendosja e këtyre marrëdhënieve, do të dëshmojë qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor, janë të aftë vetë t’i zgjidhin problemet.
Krijoni Kontakt