Thaçi: Marrëveshja për kufirin është në interes shtetëror të Kosovës
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme, ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, marrëveshje të cilën e ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës.
“Kjo marrëveshje është nënshkruar duke pasur parasysh gatishmërinë dhe përkushtimin reciprok për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, perspektivën euroatlantike të të dy vendeve, dhe në këtë mënyrë kemi hapur një periudhë të re ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë” është shprehur z.Thaçi.
Më tutje kryeministri Thaçi ka sqaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e njoftuar për shqetësimet e një pjesë e banorëve të fshatit kufitar Debëllde. “Shqetësimet e tyre janë të evidentuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe për këtë çështje dua t’i siguroj se askush prej tyre nuk e ka humbur pronën e vet, sepse prona e tyre është aty ku ka qenë, dhe pronësia nuk ka ndryshuar, prona është e tyre, e paprekshme, legjitime dhe do të respektohet. Qasja në këto prona do të lehtësohet dhe rregullohet edhe më lehtë, në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe përvojave edhe të vendeve tjera, edhe të BE-së”, ka thënë z.Thaçi Kështu që fshatarët e Debëlldesë do të mund t’i punojnë pronat e tyre pa asnjë problem, pa frikë dhe pa asnjë pengesë.
Kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin që ka pasur me përfaqësuesit e fshatit Debëllde, ku ata është ngritur edhe çështja e dëmeve që iu janë shkaktuar atyre nga pamundësia e qasjes në prona deri më tani.
Në këtë kuadër, me propozimin e kryeministrit Thaçi, qeveria ka marrë vendim për formimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të krijuara në pronat e pronarëve në fshatin Debëllde, Komuna e Vitisë, gjatë viteve 2001 – 2009. Në këtë komision janë përfshirë Ministria e Bujqësisë, MEF, MD, MPL, dhe përfaqësues nga komuna e Vitisë.
Krijoni Kontakt