KURR' SHQIPERI S'KAM ME T'HARRUE
EDHE N'VORR ME T'PËRMENDË KAM!
INTERVISTA/ Shqipëria dhe Kosova, flet Rexhep Qosja
Sunday, 07 February 2010 18:43
Prishtinë - Akademiku kosovar Rexhep Qosja dha këtë intervistë, ku flet rreth zhvillimeve, kryesisht politike e shoqërore që e karakterizuan 2009-ën si për Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e tjerë në Ballkan. Si ishin zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe ç’mendon Qosja për koalicionin e panatyrshëm, sipas tij, mes PDK-së e LDK-së. Në 20-vjetorin e LDK-së, akademiku shqyrton se cila është e vërteta për këtë parti dhe pse ajo e ka luftuar UÇK-në, e në këtë mënyrë edhe çlirimin e Kosovës… Qosja jep gjykimin e tij edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe pse mbeti jashtë këtij procesi Shqipëria dhe Kosova. A duhet marrë parasysh teza se Bosnja, Shqipëria dhe Kosova kanë shumicë muslimane në vend? Më tej në këtë intervistë, akademiku kosovar nuk i kursen kritikat fshikulluese për gjendjen e nderë politike në Shqipëri, për zgjedhjet e 28 qershorit dhe pasojat që erdhën pas tyre…
Profesor, cili është vlerësimi juaj për zhvillimet që karakterizuan Kosovën dhe shqiptarët në tërësi gjatë vitit 2009?
-Në këtë pyetje në të vërtetë janë të përmbajtura dy pyetje: njëra, për zhvillimet që karakterizuan Kosovën dhe tjetra për zhvillimet që karakterizuan jetën e shqiptarëve në tërësi, domethënë në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ka shqiptarë në Ballkan. Sipas mendimit tim, gjatë vitit 2009 Kosovën e karakterizuan përpjekjet për ndërtimin, funksionalizimin sa më të mirë dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të saj shtetërore, në njërën anë, kurse për njohjen ndërkombëtare, në anën tjetër. Nuk mund të mos vërehet se Kosova është shtet institucionalisht gjithnjë e më i ndërtuar, më i aftësuar, më funksional, më i qëndrueshëm. Rritet përvoja politike e shtetërore e këtyre institucioneve: përvoja e qeverisjes së vendit dhe përvoja politike ndërkombëtare. Një shtet i ri po rritet e po aftësohet shumë më shpejt se ç’janë rritur dhe aftësuar shtetet përpara. E kuptueshme. Zyrtarët e Kosovës sot edhe janë të shkolluar, edhe kanë ku të mësojnë: e kanë botën para sysh, por e kanë botën edhe këtu, në Kosovë. Le të thuhet se gjatë vitit 2009 Kosovën shtet e njohën 64 vende, ndërsa shumë më i rëndësishëm se ky numër është fakti se Kosovën e njohën disa prej shteteve më të rëndësishme, politikisht dhe ekonomikisht më të rëndësishme, të botës
Vlerësimi për zhvillimet që karakterizuan jetën e shqiptarëve në tërësi gjatë vitit 2009 ndryshon prej vlerësimit për zhvillimet që karakterizuan Kosovën si shtet. Në politikën shqiptare flitet mjaft për liritë politike dhe qytetare, por flitet pak për të drejtat sociale dhe ekonomike të qytetarëve. Liritë politike dhe qytetare janë tepër, tepër të rëndësishme për çdo njeri, por në qoftë se të drejtat sociale dhe ekonomike nuk mund t’i realizosh, për më keq në qoftë se të drejtat sociale dhe ekonomike të cenohen, atëherë edhe liritë politike dhe qytetare sikur bëhen më pak të rëndësishme. Megjithëse jemi në vitin e nëntë të shekullit 21, ne nuk guxojmë të harrojmë se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, vazhdojnë të mbyten në det në përpjekje e sipër për të dalë në Itali; se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, vazhdojnë të kalojnë ilegalisht kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë; se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, humbin jetën në kufirin ndërmjet Serbisë e Hungarisë në përpjekje për të kaluar në Gjermani a në Austri. Shumë shqiptarë edhe në vitin 2009 e kërkuan shpëtimin prej skamjes, prej varfërisë, prej padrejtësive sociale dhe ekonomike, në vende të huaja. Dhe, kjo e dhënë duhet ta bëjë shumë të menduar, shumë të brengosur dhe shumë më të përgjegjshëm çdo shqiptar që ushtron funksion politik e shtetëror.
Kosova mbajti zgjedhjet lokale, proces ky që nuk ka përfunduar ende. Si e komentoni rrjedhën e këtij procesi dhe rezultatin e zgjedhjeve?
-Ata që votuan, domethënë populli, treguan sjelljen politike, pjekurinë politike më të dëshiruar, që u vlerësua shumë pozitivisht prej të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë e vendorë dhe prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo, ndërkaq, nuk mund të thuhet për të gjithë ata që u votuan dhe për të gjithë kandiduesit e tyre. Me numrin e komunave në të cilat fituan kandidatët e saj dhe me numrin e zgjedhësve që i votuan kandidatët e saj, Partia Demokratike e Kosovës u ridëshmua shumë bindshëm si forca më e rëndësishme politike në Kosovë.
LDK-ja e kontestoi rezultatin në disa komuna, parti kjo e cila në balotazh hyri në koalicion me AAK-në, përderisa vazhdon të jetë pjesë e qeverisë qendrore me PDK-në. Si i vlerësoni këto veprime të LDK-së?
Ata që e dinë sadopak historinë e zhvillimeve politike në Kosovë prej viteve nëntëdhjetë, domethënë prej kohës së formimit të partive të reja politike në Kosovë, e kanë plotësisht të qartë se koalicioni midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është një koalicion i shtirë e i shtirë do të thotë i panatyrshëm, artificial, që i është imponuar PDK-së ose, të shprehem më qartë, që ia kanë imponuar PDK-së. Rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që PDK-ja të jetë e shtrënguar ta pranojë këtë koalicion të panatyrshëm. Çdokush që e njeh sadopak historinë e LDK-së do ta dinte se në këtë koalicion LDK-ja do të sillej shumëfytyrshëm. Dëshmia më e dukshme e kësaj shumëfytyrësie është kjo që ndodhi tani: LDK-ja në njërën anë është pjesë e qeverisë së Kosovës e në anën tjetër në balotazh bën koalicion me parti të tjera me qëllim që të jetë pjesë e qeverisë vendore. Kësaj i thonë papërgjegjësi politike ndaj partisë bashkëqeverisë se në nivel qendror. Por, për sjellje të tillë nuk duhet të gjykohet vetëm forca politike që vepron kështu, por edhe ajo që e duron.
Këto ditë LDK-ja festoi 20-vjetorin e themelimit, ku u dhanë vlerësime superlative për të dhe ish-kryetarin e saj. Ju, çfarë vlerësimi do t’i jepnit LDK-së në këtë 20–vjetor?
Krahas urimeve për përvjetorin, unë me këtë rast dua të them edhe disa fjalë për LDK-në. Drejtuesit dhe disa veprimtarë më të vjetër a më të rinj të LDK-së jo vetëm në këtë përvjetor të tyre flasin për LDK-në - thuajse vetëm ata janë gjallë, thuajse vetëm ata janë në Kosovë, thuajse vetëm ata e njohin historinë politike të Kosovës, thuajse vetëm ata dinë çdo gjë për zhvillimet politike në Kosovë, sidomos, prej se është themeluar partia e tyre, thuajse vetëm ata dinë shumëçka për lëvizjet politike në Kosovë prej vitit 1981, megjithëse për vitin 1981 dhe për disa vite menjëherë pas 1981-it nuk kanë shumë qejf të flasin! Dhe, për të gjitha këto flasin thuajse nuk ekziston asnjë dëshmitar tjetër i të gjitha këtyre ngjarjeve, zhvillimeve, lëvizjeve, vetjeve për të cilat ata flasin. Le të thuhet se patosi, retorika, propaganda dhe e pavërteta, në masë të madhe, përcaktojnë të gjitha ato që i thonë këta drejtues dhe veprimtarë të LDK-së kur flasin për partinë e tyre dhe për zhvillimet në Kosovë pas vitit 1981, sidomos pas viteve ’90. Kam shkruar jo pak faqe për politikën e kësaj partie dhe kam shkruar, jo pas kohës, po pikërisht në kohën kur ajo bënte veprimet e saj politike. Nuk i kam thënë bash të gjitha se kurrë, të gjitha, për arsye të ndryshme, nuk thuhen. Por, edhe ato që, për arsye të ndryshme, nuk janë thënë do të thuhen një ditë. Unë, tani, në këtë bisedë me ju, nuk do të flas më shumë për LDK-në dhe për drejtuesit e saj kryesorë. Do ta them vetëm një fjali. Kur flitet për të djeshmen e LDK-së, kur flitet për politikën e LDK-së, një e vërtetë duhet të jetë përcaktuese e të gjitha gjykimeve dhe vlerësimeve për të dhe për politikën e saj. Dhe, kjo e vërtetë është: LDK-ja ishte partia e cila me politikën e saj, në mënyrë të hapët dhe në mënyra të fshehta, ishte, dhe vepronte, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kjo do të thotë kundër luftës çlirimtare në Kosovë. Çka bënte hapët e çka bënte fshehtë – kjo është tema për të cilën do të shkruhet. Vetëm kur të jepet përgjigjja e vërtetë, shkencore, në këtë pyetje, do të mund të themi se kemi filluar të mendojmë objektivisht, ndershëm, shkencërisht, si një popull historikisht i pjekur për politikën dhe për luftën që i solli Kosovës lirinë dhe pavarësinë, e kjo është politika dhe lufta e UÇK-së.
Shqipëria e Kosova sivjet u lanë jashtë liberalizimit të vizave me BE-në. A janë fqinjët tanë para nesh në plotësimin e standardeve evropiane apo ka arsye të tjera, sipas jush?
Sa e njoh njëmendësinë politike dhe shoqërore të fqinjëve tanë, sa e njoh prej lajmeve, komenteve, analizave, që jepen në televizione dhe botohen në gazeta a në disa vepra publicistike, mund të them: ata, fqinjët tanë, janë para nesh në plotësimin e standardeve evropiane për liberalizimin e vizave. Nuk shoh arsye tjetër pse BE-ja nuk ua liberalizon vizat Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, Bosnjës. Unë nuk e them siç e thonë disa, dhe nuk e them sepse, sipas mendimit tim, kjo nuk është e vërtetë, se BE-ja nuk ua liberalizoi vizat këtyre vendeve sepse janë vende me popullsi shumicë të fesë myslimane! Jo. Por, unë nuk do ta krahasoja Kosovën me Shqipërinë dhe me Bosnjën. Kosova është shtet i ri, ende nuk i ka bërë dy vjet si shtet i njohur ndërkombëtarisht , prandaj nuk është shumë reale që të pretendojë që t’i liberalizohen vizat para ose krahas shteteve të tjera ballkanike. E pse Shqipërisë nuk i liberalizohen vizat në të njëjtën kohë kur edhe Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi? Përgjigjen e vërtetë në këtë pyetje mos e pritni prej qeverisë së Shqipërisë. Përgjigjen në këtë pyetje do ta gjeni, ndërkaq, në punimet e Kuvendit të Shqipërisë; në sjelljet despotike të kryeministrit të Shqipërisë dhe të disa ministrave të tij. Dhe, përgjigjen në këtë pyetje do ta gjeni në disa televizione shqiptare, sidomos në televizionin Top Channel, i cili ende po bën përpjekje që të jetë i pavarur. Përgjigjen e vërtetë në këtë pyetje do t’ua japë emisioni i këtij televizioni i quajtur Fiks fare. Prej këtij emisioni, prej Samirit e Doktorit dhe autorit që e shkruan tekstin e tyre Filip Cakuli, prej këtyre tre personave, që mund t’i quajmë ndërgjegjja e sotme e Shqipërisë, do të mësojmë sigurt pse, për ç’arsye Shqipërisë nuk i janë liberalizuar vizat kur edhe Serbisë, kur edhe Maqedonisë, kur edhe Malit të Zi. Dhe, më tej. Pse Shqipërisë nuk i liberalizohen vizat kur edhe fqinjëve ballkanikë do të na tregojë saktë, ndershëm, Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, në intervistën që i dha medieve shqiptare këto ditë. Fjalët e tij ishin fjalë të urta, të mençura, fjalë të mikut të vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që dallonin shumë, rrënjësisht, prej fjalëve të disa evropianëve, që sjell kryeministri i Shqipërisë në Shqipëri, për të mashtruar opinionin shqiptar. Ambasadori i Danimarkës u tha shqiptarëve: në përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe për inkuadrim në Bashkimin Evropian vitet e fundit e kjo vitet e fundit do të thotë gjatë viteve të qeverisjes së Sali Berishës, “Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshë m prapa”. Dhe më tej: Shumë sinqerisht e thënë - vazhdoi Ambasadori i Danimarkës – shumë veprime politike në Shqipëri, “nuk janë në përputhje me vlerat, që qëndrojnë në thelb të Bashkimit, dhe po ashtu të anëtarësimit në BE”.
Dhe, si të jenë! Shikojini televizionet e Tiranës! Lexojini gazetat e Tiranës –të pavarurat dhe ato që përpiqen të jenë të pavarura! Ato tregojnë se si shpërfillen e cënohen vlerat politike evropiane nga qeveria e Sali Berishës.
Në Tiranë zgjedhjet e 28 qershorit i dhanë edhe një mandat Sali Berishës, ndërkaq opozita vazhdon të mos i njohë ato duke bojkotuar parlamentin. Si i komentoni këto zhvillime?
Nuk mund të them, siç po thoni ju, se zgjedhjet e 28 qershorit i dhanë edhe një mandat Sali Berishës. Për të thënë siç po thoni ju, për të thënë se ato zgjedhje, vërtet, i dhanë edhe një mandat Partisë Demokratike të Shqipërisë do të duhej të hapen kutitë e votimit dhe të shihet çka krejt ka në to, në vendvotimet ku po kërkohet të çelen ato. Të dhënat që sjell një pjesë e shtypit shqiptar, të dhënat që sjellin disa televizione shqiptare, të dhënat që sjellin kamerat televizive, domethënë të dhënat konkrete, që shihen dhe dëgjohen, dëshmojnë se Sali Berisha me gardistët e tij pretorianë bëri shumëçka që nuk lejohet, shumëçka që nuk guxon të bëhet në zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike në një vend demokratik, shumëçka që mbulohet me nocionet; spekulim, shpërdorim, trysni, shantazhim në disa njësi elektorale i një numri votuesish, blerje e votave me mjete shtetërore në disa njësi elektorale, votim i të vdekurve, votim nga disa herë, vënie e administratës dhe e disa institucioneve shtetërore në shërbim të PD-së gjatë fushatës zgjedhore apo, madje, edhe gjatë vetë zgjedhjeve. E të tjera e të tjera. Sjellja e votuesve shqiptarë, e numrit më të madh të votuesve shqiptarë, ishte sjellje e çmuar, e denjë, demokratike, por sjellja e organizuesit kryesor të zgjedhjeve – jo. Nuk e them, në asnjë rast, se sjellja e opozitës ishte për shembull që duhet të mbahet mend; dhe nuk e them se Partia Socialiste me aleatët e saj bëri fushatën e duhur, përkatëse në kushtet në të cilat bën fushatë edhe Sali Berisha. Jo. Them se kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me fushatën e tij të vakët sikur punoi kundër vetes! Them se edhe me disa stoli fetare e zoologjike në kabinetin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i largoi disa votues që do të votonin për kandidatët e Partisë së tij! Them se me pëlqimin që i dha Kodit Zgjedhor Edi Rama i dëmtoi rëndë partitë e mesme e të vogla, që luanin rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin demokratik të Shqipërisë, duke i nxjerrë ashtu prej Kuvendit të Shqipërisë dhe duke e dëshpëruar ashtu edhe aleatin kryesor, Ilir Metën. E them se Edi Rama u soll keq, palejueshëm, ndaj aleatit kryesor, Partisë Socialiste për Integrim, dhe kryetarit të saj, Ilir Meta, që ishte, me Skënder Gjinushin, kritiku më i fortë i autoritarizmit, i shpërdorimeve dhe i korrupsionit të qeverisë së Sali Berishës. Megjithatë, duhet të shtoj: sjellja e Edi Ramës para dhe gjatë fushatës zgjedhore ndaj Partisë Socialiste për Integrim në asnjë rast nuk e arsyeton sjelljen e Ilir Metës dhe kalimin e tij në koalicion me Sali Berishën. E them me përgjegjësi politike, intelektuale dhe morale se duke kaluar në koalicion me Sali Berishën, Ilir Meta e ka dëmtuar Shqipërinë. Dhe, vetveten. Më vjen keq për të. Dhe, për Partinë Socialiste për Integrim.
Apel, thirrje për vëmendje, kritika dhe analiza të hollësishme deri në nënshtresat më të fshehta të krizave social-politike që po kalon shoqëria shqiptare. Ky është thelbi i pjesës së dytë të intervistës së akademikut Rexhep Qosja, ku ndalet në analizimin e gjendjes politike në Shqipëri, lëvizjet që po ndjekin të dy liderët, Berisha dhe Rama, çështja e hapjes së kutive të 28 qershorit, dhe një parashikim për ditët e ardhshme…
Qosja e cilëson të vështirë zgjidhjen e konfliktit politik që është krijuar mes pozitës dhe opozitës, dhe bën paralelizmin me konfliktet e vitit 1996-1997. Por, akademiku ndalet më së tepërmi tek një lumë kritikash për dy liderët kryesorë, dhe indinjohet për çka po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, gjuhën e ashpër dhe konfliktuale politike, ku tashmë sipas tij s’ka dallim mes burrave, grave e vajzave... “Çfarë populli jemi ne, që në Kuvendin tonë, që në institucionin tonë më të lartë politik dhe moral, çojmë edhe meshkuj të tillë, edhe gra a vajza të tilla, që me një gjuhë politike dhe psikiatrike aq të ndotur, aq poshtëruese, vrasin opozitën politike, dhe ashtu, duke ndotur Parlamentin, fyejnë rëndë popullin e vet! Duke i dëgjuar çka flasin e si flasin ato gra, kam menduar: A kanë burra ato? A kanë prindër ato? A kanë fëmijë ato? A kanë motra e vëllezër ato? A kanë dikë ato që do t’u thoshte: a jeni në vete?”, - nënvizon Qosja në një fragment të kësaj interviste.
Sipas jush, a mund të flitet për krizë politike në Shqipëri?
Është fjala, sipas mendimit tim, për konflikt politik midis partisë në pushtet dhe opozitës. Konflikti i këtillë, më pak a më shumë i ashpër, në Shqipëri vazhdon prej vitit 1996. Në disa raste, si në vitin 1997 dhe në vitin kur Sali Berisha me gardën e tij pretoriane e pushtoi Televizionin shqiptar, ky konflikt i pandërprerë u shndërrua në krizë, në të vërtetë u ashpërsua aq shumë saqë u bë krizë e thellë në vitin 1997, u bë krizë me shumë pasoja tragjike. Në qoftë se konfliktit të tanishëm nuk i gjendet më shpejt zgjidhja është e pritshme kriza, pasojat e së cilës tani për tani nuk mund të parashihen, së paku unë nuk mund t’i parashoh. E zgjidhja aq sa është e vështirë po aq mund të jetë edhe e lehtë.
E lehtë? Si e lehtë? Të hapen kutitë e votimit. Të shihet si është votuar në vendet ku kontestohet rregullsia e votimeve. Çdo pushtet demokratik, vërtet demokratik, do ta bënte këtë pa menduar as një ditë: do t’i hapte kutitë e votimeve. Shumë më e lehtë, shumë më e mençur, shumë më demokratike shumë më njerëzore është të hapen kutitë e votimeve e të shihet si është votuar në vendet ku kontestohet rregullsia e votimeve se të terrorizohet më shumë se gjysma e Shqipërisë, me refuzimin që të hapen ato kuti. Mjeti i demokracisë, dhe i kulturës është argumenti; dhe jo vetëm argumenti që njëherë i vihet në dispozicion opinionit, po argumenti që i vihet në dispozicion opinionit dy herë, tri herë, njëqind herë, në qoftë se e kërkon ai opinion. E në rastin për të cilin flasim nuk kemi të bëjmë me opinionin e një njeriu, një prijësi politik, një grupi njerëzish, po me opinionin e 65 deputetëve, me opinionin e qindra mijëra votuesve të tyre, me opinionin e më tepër se gjysmës së Shqipërisë e cila, megjithatë, ka votuar për Partinë Socialiste dhe për partitë e tjera të majta që mbahen me të.
E vështirë? Si e vështirë? Pse e vështirë? Pse është e vështirë zgjidhja e konfliktit të tanishëm politik në Shqipëri? Është e vështirë sepse Sali Berisha e bën, në të vërtetë e vazhdon politikën e tij të konfliktit, që është thelbi i politikës së tij, që është qenia e tij politike. Refuzimit për të hapur kutitë e votimit, ai, tani, ia ka shtuar fushatën kundër Edi Ramës, fushatën, pa dyshim, më të paskrupuj dhe më të poshtër në historinë e shtetit shqiptar dhe në historinë e politikës shqiptare në përgjithësi. Dhe, kjo fushatë është e përbërë prej atentatesh më të tmerrshme në Edi Ramën, në prindërit e tij, në familjen e tij në tërësi, në opozitën politike! Siç vepron gjithnjë Sali Berisha kundër kundërshtarëve të vërtetë apo kundër kundërshtarëve të imagjinuar politikë, në fushatat e tij të shpeshta ai i inkuadron të dëgjueshmit e tij dhe mediet e nënshtruara.
Për t’u bindur se si zbatohet fushata e tij e fundit shikojini mbledhjet e Kuvendit të Shqipërisë! Shikojini disa televizione të Tiranës! Shikojini edhe mbledhjet e qeverisë! Dëgjojini disa ministra në konferencat me gazetarët! Të dëgjueshmit, më saktë të quhen të nënshtruarit e Sali Berishës në Kuvend, në Kuvendin në të cilin nuk është asnjë deputet i opozitës që do të thoshte një fjalë mbrojtëse për Edi Ramën, e shfrytëzojnë institucionin më të lartë politik dhe moral të popullit shqiptar – e shfrytëzojnë Kuvendin e Shqipërisë për ta mposhtur, për ta varrosur njëherë e përgjithmonë politikisht dhe moralisht Edi Ramën, njeriun, i cili, megjithatë, si kryetar i Partisë Socialiste përfaqëson vullnetin e më shumë se gjysmës së popullit shqiptar në Shqipëri – për ta mposhtur e varrosur politikisht e moralisht me”të dhëna” e vlerësime të cilat , për çdo dëgjues mendjeshëndoshë , janë tepër të pandershme. Në atë Kuvend, në të cilin vendoset për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, në atë Kuvend në të cilin populli shqiptar pret të shohë e të dëgjojë njerëzit e vet më të ngritur , më të kulturuar, më të mençur, më të njerëzishëm, më shembulldhënës për të mirë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mbi tridhjetë e pesë minuta e zhvesh, e përtokë, e përul, e fyen, me teshë e koteshë, me baba e nënë, me grua e fëmijë, me miq e ithtarë, atë përfaqësues të vullnetit politik të më tepër se gjysmës së popullit shqiptar, që i thonë Edi Rama! Prej pikës gjeografike ku Sali Berisha e përbalti ashtu Edi Ramën e deri në Amazoni dhe prej Amazonisë e deri në Indi nuk mund të dëgjohet qerrexhi, i cili me aso fjalësh, me aq pështymë, dhe aq gjatë, do ta shante, pështynte, fyente qerrexhiun tjetër, që i duket se ia ka zënë rrugën! Dhe, mandej çdo ditë prej asaj dite turpëruese për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, prej 26 nëntorit e këndej, sa në Kuvend, sa në Qeveri,sa në takime me gazetarë të të gjitha medieve, gardianët partiakë të kryeministrit vazhdojnë të pështyjnë në Edi Ramën duke i përtypur gjithë fyerjet e prodhuara prej Sali Berishës dhe, natyrisht, duke iu shtuar fyerje të reja. Edhe më të neveritshme këtë fushatë e bën pjesëmarrja e grave deputete dhe zëdhënëse partiake. Ku në këtë botë mund të shihen zonja e zonjusha duke shqiptuar fjalë aq të ndyta dhe duke derdhur aq përbuzje e urrejtje para qindra mijëra dëgjuesve dhe shikuese! Ku në këtë botë mund të shpërdoret dhe ndotet ashtu Parlamenti i një Shteti dhe i një Kombi! Ku? Dhe kur? Kurrkund dhe kurrë! Kurrkund përpos në Shqipërinë e sunduar prej Sali Berishës! Hajde e mos e bë pyetjen shumë dhembjesjellë se: çfarë populli jemi ne që në Kuvendin tonë, që në institucionin tonë më të lartë politik dhe moral, çojmë edhe meshkuj të tillë, edhe gra a vajza të tilla, që me një gjuhë politike dhe psikiatrike aq të ndotur, aq poshtëruese, vrasin opozitën politike dhe, ashtu, duke ndotur Parlamentin, fyejnë rëndë popullin e vet! Duke i dëgjuar çka flasin e si flasin ato gra kam menduar: a kanë burra ato? A kanë prindër ato? A kanë fëmijë ato? A kanë motra e vëllezër ato? A kanë dikë ato që do t’u thoshte: a jeni në vete? Duke folur me atë gjuhë ndotëse e poshtëruese kundër Edi Ramës ju shumë më tepër po flisni për veten dhe për ne – bashkëshortët tuaj, prindërit tuaj, fëmijët tuaj, vëllezërit e motrat tuaja!
E marr me mend se një numër i lexuesve të kësaj bisede mund të mendojnë se Rexhep Qosja po mbron Edi Ramën. Jo. Rexhep Qosja nuk po e mbron Edi Ramën. Sa për Rexhep Qosjen, Sali Berisha dhe Edi Rama mund të hyjnë në ndonjë bodrum a mund të dalin në ndonjë pyll dhe të qërojnë hesapet si të duan: me kallashë, me revole, me shishe, me kazma, me sakica, me tërfurq – si të duan. Nga dy metra tokë katrorë ky popull do t’ua jepte – për varre.
Rexhep Qosja, si edhe shumë qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës, si edhe shumë gazetarë e publicistë, po e mbron sërish Shqipërinë, po e mbron demokracinë e saj të dëshiruar, po e mbron kulturën e saj, që aq shumë janë të cenuara, të nëpërkëmbura, të shpërdorura, të ndotura, të fyera prej Sali Berishës dhe disa gardistëve të tij partiakë.
Dhe, po mbron nderin e qytetarëve të saj, vlerat etike të saj në të cilat Sali Berisha po shkel aq poshtërueshëm.
Dhe, po mbron Shqipërinë e shqiptarët prej një politike e cila, siç e tha Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, në intervistën e tij aq të rëndësishme për ne, po e mban Shqipërinë larg Evropës.
Dhe, po e mbron qytetarin e Shqipërisë prej luftës së pandërprerë, gati njëzetvjeçare, të forcave politike, po e mbron prej luftës politike partiake pa kurrfarë kufizimesh morale, e cila atë qytetar të Shqipërisë po e shtyp , po e traumatizon, po e shfrytëzon, po e nëpërkëmb, po e zhvlerëson, duke e bërë të kërkojë shpëtim kudo qoftë në botë – sa më larg prej atdheut të vet, prej atdheut të bërë çiflig i një numri njerëzish, disa prej të cilëve që tani mund të quhen njerëz të hurit e të konopit!
Nuk ka dyshim se fushata e Sali Berishës dhe e gardianëve e gardianeve të tij partiake kundër Edi Ramës dhe opozitës është vetëm ana e jashtme, e shëmtuar, e neveritshme, e përmbajtjes së sundimit të tij autoritar, despotik. Përmbajtja e këtij sundimi është shumë më e dëmshme, shumë më shkatërruese për shumicën e popullit shqiptar, sepse është përmbajtje, që e karakterizojnë :
-korrupsioni i shtuar në nivele të larta;
-trysnia e vazhdueshme mbi mediet dhe nënshtrimi i plotë i disave prej tyre;
-cenimi i pandërprerë i pavarësisë së gjyqësorit;
-largimi nga puna në sektorin publik i atyre që nuk çmohen partiakisht luajalë;
-mjerimi social ekstrem në të cilin jeton pjesë e madhe e popullsisë në qytete dhe në fshatra;
-mjerimi moral, domethënë shembja e vlerave;
-mjerimi mendor, domethënë indiferenca e pashembullt ndaj të drejtës e të vërtetës;
-propaganda e tipit stalinist përmbajtje kryesore e së cilës janë rrenat e vazhdueshme të kryeministrit;
-deliri fashist
-e të këqija të tjera.
Të gjitha këto e bëjnë sundimin e Sali Berishës të paligjshëm. Në vende demokratike, në të cilat politika dhe etika shoqërore ndërtohet mbi parimin e filozofisë së demokracisë: është mëkat të shtypësh e të keqpërdorish të tjerë, por gjithashtu është mëkat të durosh shtypjen e keqpërdorimin, Sali Berisha do të detyrohej të tërhiqej prej pushtetit. Në qoftë se këtë nuk do ta bënte vetë, atëherë do ta detyronte sovrani – populli që këtë ta bënte: me protesta dhe demonstrata si mjete të demokracisë.
Keni thënë se nuk po shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve. Si mund të rritet ky bashkëpunim dhe të forcohen këto lidhje?
-Me keqardhje më duhet të them se politika e Kosovës ndaj Shqipërisë është e njëanshme, dhe është e njëanshme sepse kryesisht është partiakisht e kufizuar. Kosova zyrtare sikur dëshiron të bashkëpunojë me një pjesë politike të Shqipërisë. Dhe, këtë mësim të gabuar Kosova zyrtare, fatkeqësisht, e mësoi prej Sali Berishës. Nuk është hiç e vështirë për të vërejtur se zyrtarët e Kosovës, se partitë kryesore të Kosovës, i shmangen bashkëpunimit me forcat politike të Shqipërisë, që quhen e majtë, megjithëse përmbajtja e të majtës dhe e të djathtës në Shqipëri (dhe në Kosovë) është shumë e lëvizshme. Mund të jepen mjaft shembuj për këtë të vërtetë. Po e tregoj një prej këtyre shembujve, që tregojnë shumë. Në Universitetin e Prishtinës u shpallën doktorë nderi, njëri pas tjetrit, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha. Si figurë shkencore kryeministri Sali Berisha është i pa merita, kurse si figurë politike ai do të përmendet si njeriu i cili në çastet më vendimtare politike për ardhmërinë e Kosovës ka furnizuar Serbinë me naftën shqiptare, ka mbrojtur tezën e disa ndërkombëtarëve se Kosova mund të jetë vetëm autonomi në Jugosllavinë e mbetur, ka kundërshtuar Konferencën e Rambujesë, ka burgosur pjesëtarët e UÇK-së që ishin për t’u ushtruar në Shqipëri, kurse ata që mbronin idenë e luftës çlirimtare në Kosovë i kualifikonte terroristë. Pse atëherë u pengua shpallja e ish-kryetarit Rexhep Mejdani doktor nderi dhe u shpall doktor nderi kryeministri Sali Berisha? Sepse Rexhep Mejdani është i majtë, kurse Sali Berisha e Bamir Topi të djathtë.
Nuk ka dyshim se ngurrimi i zyrtarëve të Kosovës për nderimin universitar e shtetëror të të majtëve e kjo domethënë edhe për bashkëpunim me të majtën e Shqipërisë vetëm sa mund ta rrëgjojë, ta dëmtojë bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe vetëm sa mund ta kufizojë procesin e integrimeve kulturore dhe të përgjithshme shqiptare.
Kurrfarë arsyetimesh politike, kombëtare apo ndërkombëtare, për këtë ngurrim, në të vërtetë për këtë drojë prej të majtës shqiptare nuk ka dhe nuk mund të ketë. Opinionit kosovar do të duhej t’i bëhej me dije se edhe kryetari Bill Klinton, edhe kryetari Barak Obama shikohen si të majtë në opinionin amerikan dhe botëror; më në fund e majtë karshi Partisë Republikane është Partia Demokratike në SHBA. Të majta janë disa prej partive më të mëdha evropiane pavarësisht e kanë a nuk e kanë të shënuar cilësorin socialiste në emrin e tyre. Të majtë në Angli janë laburistët. Opinionit kosovar, sidomos, opinionit politik dhe kulturor kosovar do të duhej t’i bëhej me dije se të majtë ishin apo janë intelektualët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës, duke filluar prej filozofit të lavdishëm francez, Dekartit, Sartrit, Kamysë, Openhaimerit, Pikasos, Çaplinit e deri te Hoze Saramago, Gynter Grasi, dhe Gabriel Markezi. Droja jonë prej të majtës shqiptare nuk flet për kufizimet e saj po për paragjykimet dhe kufizimet tona.
Këto ditë Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, e ftoi kryetarin e Serbisë, Boris Tadiç për të vizituar Shqipërinë. Çka mund të thoni për këtë ftesë?
Është në stilin e ftuesit!
Por, megjithatë, për këtë ftesë do të thuhej të mendohej seriozisht; dhe të flitej seriozisht. Ftesa që i bëhet kryetarit të Serbisë për të vizituar Shqipërinë sot flet për një politikë në të cilën mungojnë pjekuria dhe dinjitetit historik politik. Kjo ftesë, fatkeqësisht, tregon se sa lehtë Sali Berisha i shpërfill arsyet, ndjenjat dhe interesat e Kosovës. Ende nuk janë shëruar plagët e luftës! Ende nuk janë gjetur trupat e gjithë atyre që kanë vrarë e masakruar ushtria, policia dhe paramilitarët serbë! Ende Serbia vazhdon të cenojë rëndë tërësinë territoriale të Kosovës! Ende Serbia bën çmos për të penguar njohjen e Kosovës prej shteteve të ndryshme! Ende Serbia vazhdon të pengojë serbët e Kosovës që të njohin institucionet e Kosovës! Ende Serbia është palë akuzuese kundër Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë! Ende Serbia vazhdon t’i shantazhojë fqinjët e Kosovës që e kanë njohur Kosovën dhe do të donin të vendosin marrëdhënie diplomatike me të! Në qoftë se pranon të shkojë në Tiranë, kryetari i Serbisë, Boris Tadiç, edhe më vendosur se në Beograd do t’i thotë ftuesit, Sali Berisha, se sa i vendosur është ai dhe se sa e vendosur është Serbia për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk e di, ftuesi, se Boris Tadiçi është biri i akademikut dhe filozofit, Lubomir Tadiç, i njohur jo vetëm si filozof po edhe si nacionalist serb, që me dhjeta vite ka marrë pjesë në ndërtimin e politikës antishqiptare serbe, qoftë edhe si mik i shkrimtarit Dobrica Qosiç.
Pse Sali Berisha bën lojëra politike të padinjitet mbi shpinën e Kosovës nuk më çudit. Por pse ftesën që iu bë a do t’i bëhet kryetarit serb për të vizituar Shqipërinë e miratojnë miqtë e mi, Sabri Godo dhe Paskal Milo, - këtë nuk mund ta kuptoj!
Në pranverë pritet të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë procesi i shqyrtimit të legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si e shihni këtë proces dhe fundin e tij?
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akt juridik dhe politik i kryer, i njohur deri sot prej 64 shteteve, ndër të cilat janë shtetet me ndikimin më të madh politik dhe ekonomik në botë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Është e palogjikshme që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ngrihet kundër politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. E drejta ndërkombëtare edhe është e ndërtuar mbi parime juridike dhe filozofike që njerëzimit ia kanë dhuruar filozofët e këtyre vendeve dhe rendet politike shoqërore që kanë ndërtuar këto vende.
“Bashkimin e bëjmë në BE”, është parulla e politikës zyrtare shqiptare sot kur flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. A mjafton kjo sipas jush?
Për fat proceset e mëdha, ngjarjet e mëdha, historike, shpesh ndodhin në mospajtim me parullat zyrtare. Edhe në vetë Kosovën, edhe në Shqipërinë, gjatë, shumë gjatë, deri në çastet e fundit, politika zyrtare ishte politikë autonomiste, domethënë politike kundër pavarësisë së Kosovës. E Kosova u bë e pavarur. Kështu do të jetë puna edhe me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Cila është pesha e shqiptarëve sot në Ballkan?
Mjerisht, më e vogël se ç’do të mund të ishte realisht. Pesha politike, shoqërore, kulturore, demokratike, pesha e përgjithshme e shqiptarëve në Ballkan do të ishte e madhe sikur politika të mos ishte siç po shohim se është politika që bën kryeministri i Shqipërisë: politikë familjare në vend se politikë kombëtare; politikë e çastit në vend se politikë e historisë; politikë përçarëse në vend se politikë bashkuese; politikë burokratike në vend se politikë vizionare; politikë autoritare në vend se politikë demokratike; politikë e servilizmit në vend se politikë e dinjitetit.
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
R. Qosja: Kur shpërfytyrohet kultura!
Figura poliedrike prej studiuesi, kritiku, shkrimtari, eseisti, Akademik Rexhep Qosja, padyshim është njëri ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, i cili me punën e vet shkencore ka arritur të ngjitet në majat e shkencës shqiptare. Ai përveç që merret intensivisht me shkencat albanologjike, ka shkruar edhe drama, romane dhe libra publicistikë. Aktualisht është punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cili së shpejti do t’ia botojë kompletin prej disa vëllimesh.
Intervistoi: Vera Pelaj
Z. Qosja, zhanri në të cilin ju keni krijuar, është proza. Pas shumë vitesh krijimtarie, a ka ndonjë moment kur ju keni shqetësim nëse përmes këtij zhanri e keni dhënë maksimumin?
Rexhep Qosja: Edhe kritikët e letërsisë edhe historianët e letërsisë edhe teorikët e letërsisë mendojnë se nga të gjitha llojet e letërsisë, romani është lloji që i ofron më së shumti mundësi shkrimtarit. Në roman mund të futen të gjitha: mund të futet poezi, mund të futet dramë, prozë, filozofi. Unë kam shfrytëzuar romanin për të shprehur mendimin, qëndrimin tim, botëkuptimin, pikëpamjet e mia, për të trajtuar jetën. Nuk besoj se e kam arritur atë që kam synuar.
A e keni arritur qëllimin potencial në krijimtarinë tuaj?
Rexhep Qosja: Sigurisht qё jo. Njeriu krijon gjithë jetën dhe në qoftë se do të mendonte se e ka arritur maksimumin, në qoftë se do të ishte i vetëkënaqur, atëherë praktikisht do tё humbte motivet për krijimtari të mëtejshme. Është në natyrën e krijuesit që të dëshirojë më shumë, të aspirojë më shumë, që të jetë i pakënaqur me vetveten. Nuk mund të them se i kam shfrytëzuar të gjitha mundësitë. Shpresoj që të kem edhe ndonjë vit jete dhe t’i sendërtoj edhe disa dëshira krijuese.
Kritikët kanë vlerësuar se brenda përvojës tuaj personale, në krijimtarinë tuaj është edhe përvoja e Fjodor Dostojevskit, Prustit etj... Është e vërtetë?
Rexhep Qosja: Njeriu mëson gjithë jetën. Edhe në qoftë se nuk merret me krijimtari, njeriu mëson. Mëson prej të tjerëve, mëson prej përvojës së të tjerëve, mëson prej të kaluarës, mëson prej të tashmes. Krijuesit mësojnë prej paraardhësve të tyre, prej bashkëkohësve të tyre. Shkrimtari i madh gjerman, Gëte, e ka një mendim, në të cilin thuhet:” Vetëm budallenjtë mendojnë se janë origjinalë në të gjitha pikëpamjet, se janë plotësisht origjinalë”. Ta marrim shembull dramën. Ne shkruajmë dramë, por para nesh dikush ka shkruar në formën e dramës. Ta marrim romanin. Ne shkruajmë roman, por para nesh dikush ka shkruar në formën e romanit. Kjo domethënë se ne mësojmë prej të tjerëve. Shkrimtarët që ju përmendët, Dostojevskin dhe Prustin, i kam lexuar, por a janë pikërisht këta shkrimtarë prej të cilëve kam mësuar më së shumti, nuk e di. Janë disa shkrimtarë të tjerë që i kam lexuar dhe që i adhuroj. Njeriu edhe mund të mos ta dijë se cili shkrimtar mund të ketë ndikuar më shumë në krijimtarinë e tij. Prandaj nuk e përjashtoj që edhe përvoja e atyre dy të përmendurve është shprehur në krijimtarinë time.
Jeni shkrimtar dhe kritik i letërsisë. Njëri nga poetët tanë thotë se po përballemi me një krim kulturor. A mendoni se po bëhet një kritikë e mirëfilltë ndaj krijimtarisë së shkrimtarëve sot?
Rexhep Qosja: Nuk jam i sigurt se mund të thuhet ashtu: se përballemi me një krim kulturor. Por, do të thosha se kemi mjaft arsye që të jemi të pakënaqur me kritikën tonë të sotme. Kemi arsye të jemi të pakënaqur me pozitën e krijimtarisë në përgjithësi dhe me pozitën e kulturës në përgjithësi. Kemi një shpërfillje të kulturës, si një prej veprimtarive shumë të rëndësishme në jetën e një populli, një kombi, në jetën e një shteti. As në Shqipërinë shtetërore as në Kosovë, në kulturë nuk investohet sa e meriton kjo e fundit. Unë para disa ditësh lexova se Austria investon në kulturë shumë më tepër se në ushtrinë e saj.
Nuk kemi kritikë e cila merret me letërsinë shqipe si tërësi. Kemi kritikë që shkruajnë për veprat letrare që botohen në Shqipëri, në Kosovë apo Maqedoni, po sikur mungon kritiku që shkruan për vepra letrare në gjuhën shqipe pavarësisht ku botohen. Kjo do tё thotё se kritikët shkruajnë duke pasur parasysh përkatësinë shtetërore, madje dhe krahinore!
Mund të vërehet se disa kritikëve ua degjeneron, ua deformon mendimin edhe më shumë përkatësia partiake. Nuk e përjashtoj mundësinë që disave fatkeqësisht ua deformon mendimin edhe përkatësia fetare. Shkurt e thënë, nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me kritikën letrare sot si as me kritikën e arteve të tjera apo kritikën shkencore.
Vepra juaj “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, deri më tani është vepra më e përkthyer dhe më e mirëpritur në botë. Po veprat pasardhëse mendoni që janë të këtij niveli apo duhet pritur për t’u vlerësuar meqenëse që janë botuar më vonë?
Rexhep Qosja: Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, është vërtet vepra ime më e përkthyer. Nuk mendoj se është romani im më i mirë. E kam shkruar në një moshë më të re dhe në kushte shumë të veçanta. Ndoshta pa një përvojë që e kam fituar më vonë. Mendoj se dy romanet e mia të mëvonshme “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”, janë romane më të mira sesa “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Por, romani i parë ka pasur një fat të tillë të mirë ndoshta edhe pse është botuar në vitet 70. Ka trajtuar presionet e shtetit mbi intelektualët, përndjekjet e intelektualëve, format e stalinizmit në jetën tonë, dhunën e UDB-së ndaj shqiptarëve dhe kjo ka qenë shumë tërheqëse për lexuesit, por edhe për opinionin e huaj.
Si studiues i letërsisë shqipe, a mendoni se një shkrimtar shqiptar me krijimtarinë e vet letrare e meriton çmimin Nobel për letërsi?
Rexhep Qosja: Çmimi Nobel për Letërsi, u është dhënë dhe iu jepet shkrimtarëve të ndryshëm të letërsive kombëtare, me disa kritere. Ato kritere nënkuptojnë, e para, vlerën artistike të një vepre për të cilën jepet apo të krejt krijimtarisë së shkrimtarit; e dyta, humanizmin e asaj vepre dhe, e treta, teknikat e reja krijuese, novatorizmin, të renë që sjell në procedimet e veta ai shkrimtar. A mund t’i bashkojmë këto të tria te një shkrimtar i yni, nuk e di, mund të mendojmë për këtë. Ne mund të themi se ky ose ai shkrimtar e meriton Nobelin me vlerën artistike të disa veprave por, në qoftë se ai shkrimtar i ka shërbyer, të themi, diktaturës, i ka shërbyer dhunës dhe ashtu u ka shërbyer shumë të pavërtetave, me të cilat mbahet diktatura, atëherë ai shkrimtar e ka tradhtuar humanizmin. Nuk është e lehtë të gjenden të gjitha vlerat e përmendura te një shkrimtar i yni sot. Megjithatë, unë them se letërsia shqipe ka shkrimtarë që e meritojnë Nobel-in. Pse them kështu?
Nobel-i, u është dhënë edhe disa shkrimtarëve, që nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë për letërsinë botërore. Fjala vjen, shkrimtari italian, Dario Fo, nuk është ndonjë shkrimtar i shquar botëror. E mori çmimin Nobel dhe pothuaj u harrua. Shkrimtarja austriake Jelinek, po ashtu, nuk është ndonje shkrimtare e shquar botërore. Tek e fundit, Nobel-in, nuk e kanë marrë Tolstoi, Kafka, Xhojsi, sadoqё kanë jetuar në kohën kur ai çmim është dhënë. Nuk e kanë marrë edhe shumë shkrimtarë të mëdhenj, por ka ndodhur që ta marrin shkrimtarë, që janë harruar dhe nuk përfaqësojnë krijues të veçantë në letërsinë botërore. Më në fund e ka marrë edhe Shollohovi i cili, si po shkruhet pas rënies së komunizmit, nuk ishte ndonjë shkrimtar posaçërisht me merita. Për më tepër, po shkruhet se ishte shkrimtar që i shërbente shumë përulshëm Stalinit e kjo domethënë diktaturës më gjakatare në histori!
Jeni konsideruar “Baba i Kombit”. I jeni mirënjohës popullit për vlerësimin që ju ka bërë?
Rexhep Qosja: Nuk e ka bërë populli atë vlerësim. Ky nocion është përdorur për mua prej gazetarëve të ndryshëm, prej publicistëve dhe individëve të ndryshëm, në situata të ndryshme. Në radhë të parë, në kohën kur ne bënim përpjekje për pavarësinë e Kosovës. Kishim një Lëvizje, që bënte përpjekje këtu edhe në botë, për pavarësinë e Kosovës. Sigurisht se shkrimet e mia, veprimtaria ime, kanë ndikuar te disa autorë, gazetarë, publicistë që ta përdorin këtë nocion për mua. E kanë përdorur tanët dhe e kanë përdorur të huajt, por unë them se ky është një nocion i gabuar. I përdorur pa të drejtë, gabimisht. Asnjë popull, asnjë komb nuk ka nevojë për Baba. Popujt, kombet janë mjaft të pjekur, të mençur dhe nuk iu duhet farë Babai. Janë vetë babai e biri. Për fat, këtij nocioni të përdorur në një kohë, tash i ka kaluar koha dhe është harruar.
Epiqendra e romaneve tuaja “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “ Nata është dita jonë”, është intelektuali shqiptar. Si duhet të jetë një intelektual i mirëfilltë në raport me shoqërinë?
Rexhep Qosja: Siç thashë, në veprat e mia kryesisht kam trajtuar fatin e intelektualit shqiptar. Në radhë të parë, në kushtet e Kosovës, në kushtet e shqiptarëve në ish - Jugosllavi. E kam trajtuar, pra, fatin e intelektualit që ka rezistuar ndaj atij pushteti, ndaj atij regjimi dhe fatin e intelektualit që ka rënë viktimë apo, më në fund, fatin e intelektualit që ka hequr shumë, por që më në fund është larguar prej vendlindjes së vet dhe ka rezistuar prej një vendi tjetër.
Intelektuali duhet të jetë i pakënaqur me gjendjen aktuale. Gjithmonë duhet të mendojmë se nesër mund të jetë më mirë sesa sot... Ai mbron të vërtetën kurdo e kudo.
Konsideroheni si shkrimtar me mendim shumë të thellë, me një alegori e me metaforë shumë të zgjeruar. A do të thotë përdorimi i këtyre figurave në veprën tuaj, që ju i drejtoheni një klase të caktuar të shoqërisë?
Rexhep Qosja: Nuk i drejtohem një klase të caktuar të shoqërisë. Shkruaj për lexuesin, për të gjithë lexuesit mundësisht. Shkruaj për t’u shprehur, për të thënë atë që dëshiroj ta them, shkruaj për të shprehur moskënaqësitë që mund të kem. Nuk thuhet kot se e keqja e frymëzon krijimtarinë më shumë sesa e mira. Por, për t’u përgjigjur në pyetjen tuaj unë do të them shkurt: shkrimtari nuk duhet ta ulё nivelin e shprehjes së vet, të krijimtarisë së vet, për hir të këtij apo atij lexuesi. Ai duhet të mendojë se lexuesi duhet të ngrihet që ta kuptojë e ta përjetojë veprën e tij.
Sa jeni i kënaqur me pozitën e letërsisë shqipe në botë dhe Evropë?
Rexhep Qosja: Para disa kohësh, unë kam pasur një ligjëratë për letërsinë shqipe në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ndaj së cilës mandej pati shumë reagime. Pati reagime ndaj një fjalie të vetme që e kam përdorur në atë ligjëratë. E ajo ishte fjalia, se letërsia shqipe nuk e ka arritur ende nivelin artistik të letërsisë evropiane. Pra thash: letërsia shqipe nuk e ka arritur nivelin artistik të letërsisë evropiane. Kur them letërsia shqipe, mendoj për letërsinë shqipe prej Buzukut e deri sot. Mos harroni, nuk jam unë i pari që e kam shprehur këtë mendim. Para pesë ose gjashtë vjetësh, historiani i letërsisë shqipe , albanologu i njohur Robert Elsie, ka bërë një punim për letërsinë shqipe dhe e ka botuar në një revistë, më duket, në Shkodër, në të cilën thotë se letërsia shqipe është si të gjitha të tjerat në jetën shqiptare. Si ekonomia, si kultura , si politika, si urbanizmi, si jeta, ka nivelin e tyre në përgjithësi. Mos të harrojmë se ne jemi vendi më i varfër në Evropë, me ekonominë më të pazhvilluar në Evropë, me urbanizmin më të pazhvilluar në Evropë etj, etj. Po e përsëris: letërsia shqipe nuk e ka nivelin e letërsisë evropiane dhe, njëkohësisht, letërsia shqipe nuk është e përkthyer sa duhet në gjuhë të tjera. Ne sot jemi dëshmitarë të një dukurie: ka shkrimtarë, që vetë i përkthejnë shkrimet e veta dhe mandej i botojnë në gjuhë të tjera dhe këto përkthime, po lexojmë, po dëgjojmë, janë shumë të dobëta. Te ne nuk ka një interesim shtetëror, shoqëror për përkthimin e letërsisë shqipe dhe për prezantimin e krijimtarisë letrare dhe shkencore shqipe në gjuhë të huaja. As Shqipëria as Kosova! Ministritë tona nuk e mendojnë këtë fare, prandaj mund të jemi shumë të pakënaqur me pozitën e letërsisë shqipe në Evropë dhe në botë. Edhepse niveli artistik i letërsisë shqipe në krahasim me letërsinë evropiane dhe letërsinë botërore është ende modest, prapë ka vepra që do të duhej të përktheheshin e të botoheshin në gjuhë të huaja.
Kujt do t’i drejtoheshit si model për nivelin e letërsisë sot?
Rexhep Qosja: Për nivelin e letërsisë shqipe në Evropë, unë do t’iu drejtohesha shkrimtarëve Hose Saramago, njё shkrimtar portugez, qё jeton shpesh edhe në Spanjë, shkrimtarit italian Umberto Eko, shkrimtarit gjerman Gynter Gras, shkrimtarit pakistanez Salman Ruzhdi, që ka jetuar në Angli, e tash thonë që jeton në Nju Jork. Këta, për mendimin tim, janë 4 shkrimtarët më të mëdhenj, të gjallë, të Evropës sot. Veprat e tyre përcaktojnë nivelin e lartë artistik të letërsisë evropiane. Natyrisht janë edhe disa shkrimtarë të tjerë që unë i konsideroj të mëdhenj, mjerisht ende të papërkthyer në gjuhën shqipe. Njëri quhet Mishel Turnje, është shkrimtar i madh, prozator i madh, e tjetri quhet Zhan D’Ormeson. Janë shkrimtarë të mëdhenj, për të cilët botuesit tonë, fatkeqësisht, nuk kanë treguar interesim.
Po për çmimet që ndahen për letërsi, a u ndahen njerëzve që e meritojnë apo është bërë komercializëm edhe ndarja e çmimeve për letërsi?
Rexhep Qosja: Çmimet zyrtare që jepen prej ministrive tona në Tiranë e në Prishtinë, e keni parë, e keni lexuar besoj, zakonisht, u jepen njerëzve të partive, të cilave iu përkasin edhe ministrat e ministrive. Ndoshta në Tiranë, ndonjë emër ka dalë prej atij rrethit partiak sivjet, përndryshe nё të gjitha rastet, çmimet i kanë marrë anëtarët e partive, të cilave u takojnë edhe ministrat. Kjo po përsëritet në dëmin e letërsisë dhe në dëmin e kulturës në përgjithësi. Por, edhe çmimet e tjera që jepen, zakonisht, jepen duke pasur parasysh përkatësi e lidhje të ndryshme etj.
A jeni duke shkruar ndonjë libër të ri?
Rexhep Qosja: Mos kërkoni t’ju flas tani për librin që jam duke e shkruar. Folkneri e ka një fjali që e dua shumë: “Libri që tregohet përpara, nuk shkruhet kurrë”.
Diçka për fund?
Rexhep Qosja: Për fund? Është një mendim i shkrimtarit të madh francez, Romen Rolan, që unë e kam vënë si moto në disa vepra të miat, që e dua shumë dhe që po e përsëris edhe sot në këtë bisedë me ju, në fund të këtyre pyetje interesante gjithsesi. Ky është mendimi: “Duhet të mendojmë ndershëm, vetëm ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, sepse ashtu mendojmë për të gjithë!". /Telegrafi/
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Rexhep Qosja: “Serbët dhe Shqiptarët Nesër” (Pj.I)
Politika serbe e rraskapitjes së shqiptarëve
Vitet e fundit kanë dëshmuar se te serbët dhe te shqiptarët janë ruajtur disa parafytyrime tradicionale, që janë krijuar në kohët e përparshme. Edhe pse e padëshiruar, ruajtja e këtyre parafytyrimeve tradicionale të serbëve ndaj shqiptarëve ndaj serbëve është, pak a shumë e kuptueshme, sepse parafytyrimet tradicionale të një populli për tjetrin nuk mund të tejkalohen ashtu shpejt, për disa dhjetëra vjet, pa marrë parasysh shkallën e njohjes dhe të afrimit të tyre. Parafytyrimet e trashëguara të një populli për tjetrin, posaçërisht kur janë negative apo përafërsisht negative, ruhen në gjendje latente dhe rilindin në situata të veçanta historike, kryesisht nën ndikimin e faktorëve shoqërorë, ekonomikë, kombëtarë e, më së shpejti, politikë. (nenvizimi Linda) Politika është një veprimtari që i zgjon dhe i ashpërson paragjykimet e vjetra, që krijon edhe paragjykime të reja te një popull për tjetrin me qëllim përmes tyre të pushtojë vetëdijen dhe ndjenjat shoqërore në dobinë e saj, megjithëse pushtimi i vetëdijes dhe i ndjenjave në atë mënyrë mund të tregohet shumë i dëmshëm për marrëdhëniet ndërmjet popujve, kurse veçanërisht i dëmshëm për vetë politikën. Kështu edhe parafytyrimet tradicionale të serbëve për shqiptarët, ose të shqiptarëve për serbët, janë ruajtur edhe mbas Luftës në mënyrë që në trajta dhe me përmbajtje pak a shumë ekstreme të paraqiten vetëm viteve të fundit, në kohën e keqësimit të marrëdhënieve të tyre të ndërsjellta. Parafytyrimet tradicionale të serbëve për shqiptarët, kryesisht, mbështeten në paragjykimet që përbëjnë bazën politike të disponimit të kohëpaskohshëm kundër shqiptar, kurse parafytyrimet tradicionale të shqiptarëve për serbët mbështeten në disa përjetime, dukuri, ngjarje dhe vendime historike, që kanë cenuar rëndë fatin historik të shqiptarëve - që përbëjnë bazën politike të disponimit të kohëpaskohshëm kundërserb. (nenvizimi Linda) Kjo domethënë se shkaqet e disponimit të kohëpaskohshëm kundërshqiptar dhe të disponimit të kohëpaskohshëm kundërserb janë të ndryshme: janë të kushtëzuara me pozitën e ndryshme historike, shoqërore dhe politike që kanë pasur serbët në raport me shqiptarët, kurse shqiptarët në raport me serbët.
Të shohim prej çkajes ushqehet disponimi i kohëpaskohshëm kundërshqiptar te serbët.
Në qoftë se merren parasysh trajtat në të cilat shprehet, mund të thuhet se disponimi i kohëpaskohshëm kundërshqiptar i serbëve ndaj shqiptarëve më së shpeshti mbështetet në mosbesimin që serbët kanë në shqiptarët për disa shkaqe historike, në të vërtetë për shkak se serbët e kanë dëmtuar rëndë historikisht popullin shqiptar, mandej në dallimet fetare, që kanë serbët prej shqiptarëve dhe, më në fund, në paragjykimet që kanë serbët për mentalitetin, për karakterin dhe për shtimin e shqiptarëve.
Pa marrë parasysh pse prej 75 vjet jetojnë me ta brenda kufijve të një shteti, qarqet politike, sunduese dhe intelektuale serbe mendojnë se serbët janë të dënuar që shqiptarët t'i durojnë në shtetin e vet, domethënë në shtetin serb! Një ish-politikan serb në fjalimin që ka mbajtur në Kosovë para më tepër se njëzet vjetësh, e ka shqiptuar edhe këtë fjali: shqiptarët këtu, në Kosovë, duhet ta ndiejnë veten si në shtëpi të vet! Një mendim i tillë na lejon të besojmë se ai shqiptarët i konsideron mysafirë në Kosovë! Pse? Edhe në bisedat ndërmjet shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë, në Beograd, është dëgjuar mendimi i përsëritur disa herë, prej disa diskutuesve: se Kosova historikisht, gjoja, është territor serb! Të gjithë ata që thonë ashtu qëllimisht harrojnë se Kosova edhe historikisht është më tepër tokë shqiptare se sa serbe sepse shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, janë ata që në Kosovë kanë vazhdimësinë më të gjatë historike. Monumentet fetare mbitokësore serbe në Kosovë fillojnë të ngrihen prej fundit të shekullit XIII, kurse monumentet kulturore historike nëntokësore të ilirëve, përkatësisht të shqiptarëve, janë disa shekuj më të vjetër. Jo vetëm pse shqiptarët janë shumicë dërrmuese e Kosovës, por edhe pse janë popull autokton, i lashtë i Kosovës, disa socialistë serbë, që respektonin parimet historike dhe parimet etike, kanë shkruar se serbët më 1912 nuk e kanë çliruar, por e kanë pushtuar Kosovën. Domethënë: Kosova prej vitit 1912 është tokë e okupuar. Duke i konsideruar shqiptarët mysafirë në trojet e tyre, ndërkaq, serbët e tjerë, që nuk kanë menduar si ata socialistët serbë, pas luftërave ballkanike do të jenë të pakënaqur pse brenda kufijve të Serbisë së Madhe do t'u mbesin, vërtet, shumë shqiptarë - pothuaj gjysma e kombit shqiptar dhe pse do të jenë të bindur se, pikërisht për shkak se do ta ndiejnë veten si popull i përgjysmuar dhe për shkak se do të jenë aq shumë, do t'u shkaktojnë shumë kokëçarje. Për këto arsye regjimet serbe gjatë dhjetëvjetshave të ardhshëm do të marrin masa të ndryshme të shumta me qëllim që shqiptarëve t'ua bëjë jetën të padurueshme dhe t'i shpërngulin: do të bëjnë kolonizimin e Kosovës me serbë e malazias, do t'ua marrin tokat shumë shqiptarëve, nuk do t'u lejojnë kurrëfarë të drejtash kombëtare, do të organizojnë ndjekje, terror e pogrome dhe do t'i mbajnë nën dhunën e ushtrisë dhe të gjindarmërisë serbe. Shumë shqiptarë do të gjejnë shpëtimin duke u shpërngulur në Turqi apo duke ikur në Shqipëri. Projekti famëkeq për zgjidhjen e çështjes së ashtuquajtur arnaute, që Vasa Çubrilloviqi do t'i propozojë Klubit kulturor serb më 1937, Marrëveshja jugosllavo-turke për shpërnguljen e myslimanëve (shqiptarë), më 1938 dhe projekti shqiptar që ka bërë diplomati Ivo Andriq më 1939 për nevojat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të mbretërisë jugosllave më së qarti tregojnë se sa shumë ishte e preokupuar borgjezia serbe me çështjen shqiptare përkatësisht me çështjen kosovare dhe si dëshironte ta zgjidhte. Fjalët e rralla mbrojtëse të disa socialistëve serbë nuk do ta ndryshojnë aspak fatin tragjik të shqiptarëve në mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, përkatësisht në mbretërinë jugosllave.
Prej mosbesimit dhe brutalitetit të kohëpaskohshëm, për të njëjtën arsye për të cilën ishin shtypur para Lufte, shqiptarët nuk do të jenë të kursyer as pas Lufte, megjithëse mosbesimi për atë arsye, së paku deri në vitin 1948, do të jetë i penguar nga bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë deri në vitin 1948. Projekti (i dytë) i Vasa Çubrilloviqit mbi pakicat kombëtare, para së gjithash, mbi shqiptarët dhe gjermanët, i punuar për pushtetin partizan më 1944, në të cilin shqiptarëve u caktohet një fat gati i ngjashëm me fatin e caktuar në projektin për zgjidhjen e çështjes arnaute më 1937; vrasja e një numri shqiptarësh të mobilizuar, në Tivar më 1945, nga ana e përcjellësve të tyre serbë e malazias; vendosja e administratës ushtarake në Kosovë, po ashtu, më 1945 dhe likuidimet e shumë e shumë shqiptarëve; vdekja misterioze e një numri shqiptarësh të mobilizuar, që po barteshin në tren në drejtim të Sllovenisë - të frontit veriperëndimor, më 1945 ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar mbas lufte; shtypja që u bëhej shqiptarëve që të regjistrohen turq dhe të shpërngulen për Turqi; procesi i montuar i Prizrenit në të cilin planifikohej të likuidohej apo së paku të përgjysmohej udhëheqja politike shqiptare e Kosovës; aksioni për mbledhjen e armëve te shqiptarët dhe maltretimet e rënda të shumë njerëzve të pafajshëm, që armët nuk kishin ku t'i merrnin; ndjekja e vazhdueshme deri më 1966 e intelektualëve shqiptarë nga ana e udbashëve të Aleksandër Rankoviqit; mbyllja e disa shkollave shqipe në Kosovë, kurse e shkollave shqipe përgjithësisht në Mal të Zi në vitet pesëdhjetë e të tjera - të gjitha këto janë dëshmi e mosbesimit politik dhe historik në shqiptarët dhe e përpjekjeve të Serbisë që ata të molisen kombëtarisht! Në këtë mënyrë, politika serbe e zhdukjes së shqiptarëve para Lufte do të evoluojë në një politikë të lodhjes, të rraskapitjes së tyre kombëtare pas Lufte, sidomos, deri në vitin 1966. Rexhep Qosja "Populli i ndaluar", faqe 166-168.
(Vijon)
Materiali u postua nga Linda
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Rexhep Qosja: “Serbët dhe Shqiptarët Nesër” (Pj.II)
Paragjykimet dhe disponimi kundërshqiptar
Jo vetëm në gazetarinë, në publicistikën, në historiografinë dhe, madje, në letërsinë serbe të paraluftës, por edhe në ato të pasluftës mund të gjenden mjaft shembuj prej të cilëve do të shihet se sjelljet e disa shtresave të shoqërisë serbe ndaj shqiptarëve janë, ndonjëherë, të motivuara nga disa veti të mentalitetit dhe të karakterit të tyre, që ata ua atribuojnë e, mandej, edhe i përjetojnë negativisht! Në rastet më të shpeshta ata ua veshin shqiptarëve mentalitetin despotik, mosdisiplinën, mosrespektimin e rendit dhe të ligjeve, javashllëkun dhe pakujdesinë! Duket se ndër serbët mbizotëron mendimi se në mentalitetin dhe në karakterin e shqiptarëve ka mbetur më së shumti aziatizëm, që popujt e Ballkanit, natyrisht cili më pak cili më shumë, e kanë trashëguar prej robërisë shumëshekullore turke. Mendimi serb se shqiptarët vuajnë prej aziatizmit, sigurisht, bazohet në paragjykimin mbi rolin, vërtet të paqenë, të fesë myslimane në kulturën e tyre shoqërore.
Çka të thuhet për paragjykimin sipas të cilit shqiptarët akuzohen për brutalitet dhe sjellje despotike? Në historinë dhe në kulturën shqiptare, është, pothuaj e pamundshme të gjenden të dhëna në sajë të të cilave do të dëshmohej se shqiptarët janë më të prirur se popujt e tjerë të Evropës të sillen vrazhdë, despotikisht, qoftë ndaj pjesëtarëve të popullit të vet, qoftë ndaj popujve të tjerë. Është e njohur, ndërkaq, se disa popuj, me traditë shumë më të vjetër shtetërore se shqiptarët, në historinë e tyre shpesh janë treguar të ashpër dhe despotë si ndaj popujve të tjerë, ashtu edhe në marrëdhëniet mesveti. Por ata despozitizmin e tyre, ose të shprehem ndryshe - duke parafrazuar një mendim të Svetozar Markoviqit, - barbarizmin e tyre e kanë veshur në rrobet e ligjit. Sido që të jetë puna, brutaliteti dhe despotizmi nuk janë veti kombëtarisht dhe biologjikisht, por historikisht dhe politikisht të kushtëzuara të individëve dhe të shoqërive.
Çka të thuhet për parashikimin sipas të cilit shqiptarët janë të padisiplinuar, nuk respektojnë rendin dhe ligjet? Ky është një paragjykim që borgjezia serbe e ka shpikur atëherë kur përpiqej të bindte shtetet e mëdha evropiane, që ia prenin rrobat Ballkanit, se shqiptarët janë barbarë pa prirje për jetë demokratike, pa prirje për rend, ligje e disiplinë, që nuk dinë dhe nuk dëshirojnë të jetojnë në shoqëri të organizuar dhe juridike. Jehonën e vonuar të paragjykimeve të këtilla - që i ka kompromentuar rëndë zhvillimi shoqëror politik, kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues i kombit shqiptar - e kemi dëgjuar, mjerisht, shpeshherë edhe gjatë këtyre viteve. Shkrimtari, historiani dhe politikani shqiptar, Fan Noli, duke iu përgjigjur shpifjeve të tilla kundër popullit shqiptar në fillim të këtij shekulli, në një artikull të shkruar në gjuhën angleze, do të citojë mendimet e zyrtarëve të njohur amerikanë, të cilët mërgimtarët, shqiptarët në SHBA do t'i shquajnë si qytetarë shembullorë, që tregojnë kuptim të veçantë për disiplinën dhe për jetën kolektive, që respektojnë ligjet dhe normat shoqërore. I njëjti autor, në të njëjtin artikull, do të citojë edhe mendimin e misionares angleze, Edit Durham, që në fillim të shekullit ishte në Ballkan, që shqiptarët i kishte parë dhe dashuruar si popull krenar, me norma të forta morale, me prirje të theksuar për rend dhe disiplinë. Por, si brutaliteti dhe despotizmi, ashtu as mungesa e prirjes për disiplinë, për rend dhe ligje nuk janë veti të kushtëzuara në pikëpamje kombëtare dhe biologjike; ato janë veti të kushtëzuara në pikëpamje socialiste dhe politike. Shqiptarët ndërkaq, gjatë historisë së tyre nuk i kanë përfillur ligjet vetëm atëherë kur me ligje janë bërë përpjekje që të përligjet robërimi i tyre. Është afër mendsh se ligje të tilla ata nuk do t'i pranojnë as tani. (nenvizimi Linda)
Çka të thuhet për paragjykimin sipas të cilit shqiptarët nuk e duan punën, vuajnë prej javashllëkut? Edhe këtë paragjykim e kemi dëgjuar shpesh viteve të fundit. Nuk ka dyshim se shqiptarët prej përtacisë dhe javashllëkut nuk vuajnë më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit që, porsi ata, kanë kaluar, disa shekuj nën sundimin otoman. Megjithatë, viteve të fundit është shkruar se situata posaçërisht e rëndë ekonomike në Kosovë në radhë të parë është pasojë e mospunës dhe javashllëkut të popullatës kosovare. Nuk ka dyshim se rezultatet e dobëta në ekonominë e Kosovës nuk janë pasojë e mentalitetit dhe karakterit të shqiptarëve apo të popujve të tjerë që këtu jetojnë, por e dobësive, mosdijes dhe sjelljeve jopërkatëse të atyre që janë caktuar të organizojnë jetën shoqërore dhe ekonomike. Nuk janë shqiptarët jopunëtorë, jo. Dhe nuk kanë mbetur shqiptarët të varfër gjatë historisë për shkak se nuk kanë dashur apo nuk kanë ditur të punojnë, por pse të tjerët i kanë robëruar, shtypur, eksploatuar. Javashllëku që mbretëron sot në kolektivat tona punonjës nuk është pasojë e farë vetive të trashëguara të popullit shqiptar, të mentalitetit dhe të karakterit të tij, por e sistemit politik shoqëror e korrupcionit burokratik, që ka pushtuar krejt shtetin. Si shtresë prej së cilës rekrutohen individët moralisht më të pasigurtë, madje më të deformuar, si shtresë që e përbëjnë individë, shpesh, pa kurrfarë skrupullash dhe frejsh moralë, burokracia ka arritur që me privilegjet dhe pangopësinë e saj të demoralizojë, pothuaj të gjitha shtresat e tjera shoqërore, kurse kuptimin e punës së tyre ta shndërrojë në pakuptimësi. Në qoftë se mospuna është problem në krejt shtetin, është joobjektive të kërkohet që në qëndrimin ndaj punës të jenë përjashtim vetëm shqiptarët. Sido që të jetë puna, mospuna dhe javashllëku nuk janë veti të kushtëzuara në pikëpamje kombëtare dhe biologjike, por veti të kushtëzuara në pikëpamje shoqërore, ekonomike dhe politike.
Një paragjykim që në kohët e përparme nuk ishte posaçërisht i dukshëm, por është shquar gjatë disa vjetëve të fundit, është paragjykimi mbi rritjen e shpejtë të shqiptarëve, domethënë mbi naivitetin shqiptar. Shkalla e lartë e rritjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi, në shtypin serb - e nën ndikimin e tij dhe në shtypin maqedon dhe malazias - gjithnjë e më shumë përjetohet si ekspansion i paramenduar nacional, përkatësisht nacionalist dhe politik; i paramenduar kush e di ku, kush e di kur dhe kush e di prej kujt! Në panik flitet dhe shkruhet mbi epërsinë e madhe etnike të shqiptarëve në Kosovë, në Luginën e Pollogut dhe në disa mjedise të tjera ku jetojnë shqiptarët dhe mbi energjinë e tyre etnocentrike! Kështu, fjala vjen, një gazetar serb nuk e fsheh aspak shqetësimin e tij prej natalitetit të shqiptarëve: "As mua nuk më lënë të qetë prognozat sipas të cilave menjëherë pas fundit të këtij shekulli shqiptarët do të jenë kombi më i madh në Jugosllavi", ndërsa bashkëbiseduesi i tij, një punonjës shkencor i njohur, e qetëson; "në krejt Ballkanin nuk do të bëhen më shumë se kroatët"! Epërsia e shqiptarëve në numër, në njërën anë, kurse energjia e tyre etnocentrike, në anën tjetër, përjetohen, për më tepër, si dukuri kundërserbe dhe kundërmaqedone, në të vërtetë si dukuri kundërsllave në përgjithësi! Nuk është e nevojshme të tregohet se paragjykimi mbi "fabrikën" biologjike lartproduktive shqiptare është pasojë e një frige iracionale të ushqyer prej politikës kundërshqiptare serbe, që s'ka kurrfarë lidhjeje me realitetin. Nataliteti i lartë i shqiptarëve është i kushtëzuar prej prapambeturisë së territoreve në të cilat ata jetojnë po aq sa edhe prej pozitës së gruas shqiptare, e cila edhe sot e kësaj dite është rrallë e punësuar. Lindjen e fëmijëve nuk e nxisin mosdurimi dhe cmira. Atje ku ndërgjegja e njerëzve është ende tradicionale, lindja e fëmijëve shikohet si dhuratë perëndie. Atje ku sundojnë mendimet moderne shkencore, lindja e fëmijëve shikohet si dhuratë natyre, që rritet apo zvogëlohet varrësisht prej shkallës së zhvillimit të mjedisit shoqëror. Nataliteti i lartë, rëndom, vendoset në shtrat kurse hulumtimet sociologjike tregojnë se sa më i varfër të jetë shtrati aq më shumë foshnja bëhen në të. Persiatjet e sotme serbe, maqedonase dhe malaziase mbi natalitetin e lartë shqiptar janë pasojë e paragjykimit të mjerë mbi rrezikun sllav prej ekspansionit biologjik të shqiptarëve! Dhe, në këtë paragjykim, mjerisht, nuk është e vështirë të gjenden edhe ide, që i takojnë korpusit të teorisë raciste! Rexhep Qosja "Populli i ndaluar", faqe 169-171
(Vijon)
Materiali u postua nga Linda
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Rexhep Qosja: “Serbët dhe Shqiptarët Nesër” (Pj.III)
Dhuna e padrejtësisë historike serbe si shkaqe të disponimit kundërserb
Të shohim, tani, cilët faktorë e nxisin disponimin e kohëpaskohshëm kundërserb te shqiptarët.
Në qoftë se merren parasysh trajtat në të cilat shprehet, mund të thuhet se disponimi i kohëpaskohshëm kundërserb te shqiptarët, më së shpeshti, mbështetet në këta faktorë; në vetëdijen historike; në etnocentrizmin kulturor serb dhe në sjelljet policore serbe ndaj shqiptarëve, domethënë në dhunën e tyre.
Në shkencën e historisë shpeshherë është shqiptuar fjalia; populli më i lumtur do të ishte ai që s'do të kishte histori! Meqenëse nuk ka popull pa histori nuk mund të ketë as popull pa vetëdije historike! Nuk e thonë kot teorikët e historisë se historia është diçka që jetohet, se sjelljet e njerëzve janë të kushtëzuara edhe prej së kaluarës së tyre. Dhe, meqenëse nuk ka popull pa histori dhe meqenëse sjelljet e njerëzve janë të kushtëzuara edhe nga e kaluara e tyre, është joshkencore, ndoshta të kërkohet që shqiptarët të jenë të pa vetëdijë historike, ashtu sikundër është jodemokratike të kërkohet që shkrimet a diskutimet mbi të dhënat historike, që mund të ndikojnë në vetëdijen e tyre historike, të pengohen apo, ç'është edhe më tragjike, të shpallen delikt mendimi - sikundër po veprohet shpesh në jashtë Kosove, kurse më shpesh në vetë Kosovën.
Vetëdijen historike të një populli e përcaktojnë para së gjithash, ngjarjet, dukuritë dhe figurat, që kanë pasur ndikim vendimtar në fatin e tij historik - megjithëse në vetëdijen historike investohet krejt e kaluara. (nenvizimi Linda) Vetëdija historike e popullit shqiptar është e përcaktuar mbi të gjitha, prej ngjarjeve të dy periudhave të historisë së tij - e para, prej ngjarjeve me të cilat është e mbushur historia e tij në shekullin XV, kur nën udhëheqjen e Skënderbeut e ka mbrojtur, por s'ka arritur ta mbrojë, lirinë para pushtimeve turke dhe e dyta, prej ngjarjeve me të cilat është e mbushur historia e tij prej shpërthimit të krizës lindore e deri te krijimi i shtetit kombëtar më 1912, madje deri te Lufta e Dytë Botërore. Edhe periudha e parë edhe kjo periudha e dytë janë ngulitur në kujtesën e popullit shqiptar si kohë e vuajtjeve dhe e padrejtësive të mëdha. Derisa në rastin e parë fatin historik të popullit shqiptar e ka përcaktuar Perandoria turke, në rastin e dytë fatin historik të popullit shqiptar e kanë përcaktuar fuqitë e mëdha të Evropës, por edhe disa shtete ballkanike. Në përcaktimin e fatit historik të popullit shqiptar duke filluar prej gjysmës së dytë të shekullit XIX rol të veçantë ka pasur shteti serb. Padrejtësitë historike që i ka bërë shteti serb popullit shqiptar në dhjetëvjetëshat e fundit të shekullit XIX, posaçërisht duke pushtuar Kosovën, si truall i shumicës shqiptare, në kujtesën e popullit shqiptar do t'i mbizotërojnë përmbajtjet pozitive të marrëdhënieve serbo-shqiptare në disa shekuj të përparshëm. Nuk ka dyshim se vetëdija mbi padrejtësitë historike dhe vuajtjet që u janë bërë prej shtetit serb te shqiptarët do të jetë më e shprehur menjëherë pas luftave ballkanike dhe deri te Lufta e Dytë Botërore - kur atyre u mohohej çdo e drejtë kombëtare. Por një vetëdije e tillë, në një shkallë kur më të butë e më të fortë, do të shprehet edhe më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, posaçërisht atëherë kur shqiptarëve u shkeleshin liritë dhe të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare. Vetëdija mbi të kaluarën, zakonisht, forcohet kur është e pakënaqur me të tanishmen. Sigurisht këtu duhen parë shkaqet pse shqiptarët kurdo u shkelen liritë dhe të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare, kurdo trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, kurdo nuk përfillet vullneti i tyre politik, te Serbia shohin shtetin që u ka bërë padrejtësi të mëdha historike, që vazhdon t'u bëjë padrejtësi në të gjitha fushat e jetës. Por jo vetëm kaq. Qëndrimin kombëtar dhe politik të shqiptarëve ndaj Serbisë, prandaj edhe ndaj serbëve, e përcakton edhe vetëdija e tyre për të drejta që u takon, por ende u mohohet: që të mund të vendosin vetë për fatin e vet, domethënë që të mund të vetëvendosin si shumicë dërrmuese e Kosovës.
Në gazetarinë, publicistikën, etnografinë, etnogjeografinë, historiografinë, madje, edhe letërsinë serbe tradicionalisht është shprehur një qëndrim etnocentrik ndaj kulturës shqiptare, për çka, mjerisht, jemi bindur rishtazi viteve të fundit. Si në disa shkrime të përparme ashtu edhe në shumë krijime të tashme të autorëve serbë nuk është e vështirë të gjenden mendime raciste për kulturën shqiptare, për mentalitetin dhe karakterin shqiptar. Vlladan Gjorgjeviqi, që shqiptarët i paraqiste si fise që ende kacavirren në drunj; Jovan Duçiqi, që ua mohonte çdo traditë dhe çdo prirje për krijimtari kulturore dhe Velko Petroviqi, që me një personazh mentalisht të lënë në prozën e tij donte të karakterizonte shqiptarët si popull …. nuk janë autorët e vetëm serbë të cilët me nënçmim kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë për shqiptarët, për kulturën, mentalitetin dhe karakterin e tyre. Në letërsinë serbe edhe sot mund të hasen mendime në të cilat përçmohet pamja trupore e shqiptarëve. Në romanin e një shkrimtari bashkëkohor serb, në të vërtetë malazias të serbizuar, të botuar para disa vjetësh, përshkruhet një grup grash të zëna rob prej italianëve me këto fjalë; të vogla, të dobëta, të zeza - ishin shqiptare! Ky shkrimtar serb, që nuk është as i vogël as i thatë, por, megjithatë, është shumë i sëmtuar, do të duhej të shkonte deri në Prishtinë, në Tetovë, në Pejë, në Ulqin, në Shkodër, në Tiranë a në Korçë që të bindet se pamja e tillë e shqiptarëve është vetëm një paragjykim i mjerë, që ia kanë lënë trashëgim shovinistët kundërshqiptarë Vlladan Gjorgjeviqi, Jovan Duçiqi dhe Velko Petroviqi. Në disa gazeta dhe revista serbe, ndërkaq, përqeshen edhe pjesë të veshjes kombëtare shqiptare si, çakshirët dhe qylahu. Sikur në letërsitë e ndryshme kombëtare të përqesheshin ashtu veshjet e popujve të tjerë, letërsia botërore do të shndërrohej në propagandë, që përhap urrejtjen mes popujve. Qëndrimi nënçmues i disa autorëve serbë ndaj shqiptarëve, ndaj veçorive kombëtare shqiptare, dikur ishte aq i madh dhe aq agresiv saqë krijonte kompleksin e inferioritetit te ata. Për këtë arsye deri vonë ka ngjarë - mund të jetë se diku diku ngjan edhe sot - që studentët dhe intelektualët e rrallë shqiptarë në Beograd dhe, në qytete të tjera të Jugosllavisë nganjëherë të ngurrojnë të tregojnë se janë shqiptarë. Por, në përgjithësi, si popull me një traditë të pasur kulturore, si popull i ndërgjegjshëm se letërnjoftimi i tij historik është më i lashti në Ballkan, shqiptarët e ndiejnë veten të fyer për shkak të nënçmimit të tillë të kulturës së tyre shoqërore, të mentalitetit, të karakterit dhe të vlerave të tyre kulturore; nënçmimi i tillë, natyrisht, mund ta nxisë, kohë pas kohe, disponimin e tyre kundërserb.
Përpos qëndrimit etnocentrik serb ndaj tyre, disponimin kundërserb te shqiptarët e nxit edhe pushteti serb me sjelljet e tij ushtarako-policore ndaj tyre. Pushtetin serb, përfaqësuesit e të cilit shpesh kanë theksuar se serbët janë kombi më i madh në Jugosllavi, se i kanë çliruar sllavët e tjerë të jugut prej Austro-Hungarisë dhe prej Turqisë, se kanë luajtur rol vendimtar në krijimin e shtetit të Jugosllavisë më 1918, zakonisht nuk e duan as popujt e tjerë në Jugosllavi! Çka domethënë hegjemonizmi serbomadh e kanë kuptuar të gjithë në mbretërinë jugosllave e, në mënyrë të veçantë, maqedonët, myslimanët, malaziasit, por edhe kroatët e sllovenët. E ç'do të thotë terror serb e kanë provuar sidomos shqiptarët dhe e kanë provuar jo vetëm në atë kohë. Pushteti serb me terrorin e tij ushtarako-policor u ka dhënë shqiptarëve për së tepërmi mundësi që në Serbinë të shohin shtypësin dhe terrorizuesin! Ky pushtet i ka privuar shqiptarët prej çdo të drejte kombëtare, kurse gjindarmëria e tij i ka rrahur kur kanë folur dhe kur kanë heshtur dhe i ka vrarë kur janë çuar në kryengritje dhe kur kanë varur kokën! Ata që nuk kanë pranuar të varin kokën, ndërkaq, janë shpallur spiunë apo kaçakë dhe i kanë vrarë, të akuzuar se kanë dashur të kalojnë kufirin! Persekutimet dhe vrasjet - kjo ishte gjuha në të cilën Serbia u thoshte shqiptarëve se sa janë të padëshiruar në Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht. Jo rrallë edhe pas lufte - deri më 1966, por, mjerisht, edhe pas vitit 1981 - Serbia me atë gjuhë po flet me shqiptarët! Me atë gjuhë shtypjeje e dhune! Me atë gjuhë të plumbave!
A është e nevojshme të theksohet se disponimi kundërserb zgjohet te shqiptarët gjithmonë kur me ta flitet me atë gjuhë! (nenvizimi Linda) Rexhep Qosja "Populli i ndaluar", faqe 172-174
(Vijon)
Materiali u postua nga Linda
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Rexhep Qosja: “Serbët dhe Shqiptarët Nesër” (Pj.IV)
Shqiptarët: krenarë për mënyrën si janë mbajtur në histori Sikundër mund të shihet prej kësaj pamjeje të paraqitur në vija të përgjithshme të paragjykimeve dhe të stereotipëve - në të cilat mbështetet disponimi kundërshqiptar te serbët dhe të shkaqeve në të cilat mbështetet disponimi kundërserb te shqiptarët, disponimi kundërshqiptar që lajmërohet te serbët sidomos në kohë të tendosura dhe në kohë krizash, çfarë është kjo e tanishmja, është ndjenjë - e mund të jetë edhe ideologji - e atyre që në raport me shqiptarët, gjithmonë kanë qenë në pozitën e kombit zotërues, madje të kombit sundues, që kanë pasur pushtetin politik dhe shtetëror, që kanë vendosur për fatin e tyre, që i kanë shikuar prej lartësie, duke i nënçmuar, që i kanë shtypur dhe shfrytëzuar kur kanë dashur.
Disponimi kundërserb, që te shqiptarët në Jugosllavi mund të zgjohet gjithashtu në kohë politikisht të tendosura dhe në kohë krizash është ndjenjë e popullit që ishte, dhe është, në pozitë të nënshtruar, që kurrë s'ka pasur as pushtet politik, as pushtet shtetëror, që për fatin e vet kurrë s'ka mundur të vendosë lirisht, që te serbët shikon sunduesin ndaj të cilit i duhet të sillet i përkortë.
Domethënë: disponimi i kohëpaskohshëm kundërshqiptar te serbët dhe disponimi i kohëpaskohshëm kundërserb te shqiptarët që janë të kushtëzuar nga paragjykime dhe stereotipe të ndryshme, përkatësisht nga shkaqe të ndryshme qëndrojnë në marrëdhënie të ndërsjella të atilla në çfarë qëndrojnë zotërimi dhe nënshtrimi, zotërimi dhe shtypja, madje, nënshtrimi dhe liria.
Marrëdhëniet e ndërsjella midis serbëve dhe shqiptarëve në Jugosllavi qe më tepër se dyzet vjet ecin në drejtim të tejkalimit të raportit të tillë (zotërim-nënshtrim), por nuk e kanë tejkaluar. Serbia ende nuk do të heqë dorë prej pozitës së saj mbisunduese ndaj shqiptarëve! Marrëdhëniet e ndërsjella midis serbëve dhe shqiptarëve në Jugosllavi që më tepër se dyzet vjet ecin në drejtim të tejkalimit të paragjykimeve dhe të sterotipëve në të cilat bazohet disponimi kundërshqiptar te serbët dhe i shkaqeve në të cilat bazohet disponimi kundërserb te shqiptarët, por - skundër ka mundë të shihet sidomos viteve të fundit - nuk do të mund të tejkalohen lehtë Serbia ende nuk do të marrë qëndrim bashkëkohor demokratik dhe qytetërues ndaj shqiptarëve!
Çka të bëhet që të shuhen paragjykimet në të cilat bazohet disponimi kundërshqiptar te serbët dhe shkaqet në të cilat bazohet disponimi kundërserb te shqiptarët?
Sipas pikëpamjeve të mia, tejkalimi i disponimit kundërshqiptar te serbët dhe i disponimit kundërserb te shqiptarët, në radhë të parë varen prej serbëve të cilët e kanë fjalën kryesore në Jugosllavi mbi fatin politik të shqiptarëve dhe të cilët ende nuk janë liruar prej disa parafytyrimeve tradicionale për ta. E kjo domethënë se prej serbëve, në pjesën më të madhe, varet edhe cilësia e marrëdhënieve të këtyre dy popujve.
Siç ka mundë të shihet prej mendimeve të sipërthëna, disa paragjykime të serbëve ndaj shqiptarëve bazohen në qëndrimet tejet të njëanshme të shtresave sunduese serbe ndaj veçorive etnike dhe kulturore të popullit shqiptar. Nuk është e nevojshme të theksohet veçmas se këto paragjykime në politikën serbe dhe në shkencën serbe që i ka shërbyer asaj politike janë krijuar në kohët kur borgjezia serbomadhe zhvillonte teorinë shoviniste mbi shqiptarët si fise primitive - që nuk mund të kenë shtetin e vet kombëtar, dhe mbi shqiptarët si ardhacakë në Kosovë - që, për këtë arsye, janë të privuar nga e drejta historike dhe etnike, domethënë natyrore në Kosovë. Kështu shkruhej mbi shqiptarët në shtypin, historiografinë dhe etnogjeografinë serbe me qëllim që Serbisë t'i dëshmohej "e drejta civilizuese" që të zgjerohet në tokat shqiptare! Viteve të fundit shpesh kemi pasur rastin që të bindemi se disa politikanë dhe intelektualë serbë me pikëpamjet e tyre mbi shqiptarët nuk dallojnë shumë prej paraardhësve të vet, prandaj kulturën shqiptare e shikojnë, kryesisht, prej aspektit të tyre kombëtar, jo rrallë prej aspektit të tyre pravosllav! Se pikëpamje të tilla për popullin shqiptar dhe kulturën e tij - apo për cilindo popull dhe kulturën e tij - janë shkencërisht dhe moralisht të papranueshme besoj se nuk është fare e nevojshme të dëshmohet. Nderimi i ndërsjellë midis popujve mund të ndërtohet vetëm në sjelljen pozitive, e kurrsesi negative, ndaj dallimeve kulturore dhe dallimeve të tjera. Është e njohur se çdo mendim për të tjerët është njëkohësisht mendim për veten. Për këtë arsye mund të thuhet se sjelljet e sotme megalomane ndaj shqiptarëve, ndaj historisë dhe kulturës së tyre, më në fund, më së shumti dëm moral do t'u sjellin pikërisht serbëve. Historia dhe kultura shqiptare me të vërtetë në asnjë pikëpamje nuk janë më pak të denja, më pak të pasura dhe më pak të vlefshme se sa historia dhe kultura serbe. Shqiptarët janë popull i vogël (e as serbët s'janë më i madh), por populli vogël me tradita të mëdha. Shqiptarët janë popull i varfër, por popull i varfër me thesare të pasura kulturore. Gjuha shqipe, edhe pse gjuhë e një populli të vogël, i ka rezistuar gjatë shekujve presionit të disa gjuhëve të fuqishme, që i imponoheshin jo vetëm me kulturat që ishin krijuar në to, por edhe me mjetet politike dhe shtetërore, që përdornin ata që i flitnin ato gjuhë. Kultura shqiptare, edhe pse kulturë e një populli të vogël, është zhvilluar në kulturë të madhe popullore, sepse në marrëdhënie me kulturat e popujve të tjerë, të Lindjes dhe të Perëndimit, ka arritur të bëhet kulturë me identitet dhe integritet të forcuar. Ndaj një populli i cili është gjetur në kushtet historike në të cilat gjatë shekujve është gjetur populli shqiptar dhe prapë ka ruajtur gjuhën e vet dhe kulturën e vet, i cili prapë ka ruajtur qënien e vet, ndaj një populli të tillë kurrë dhe kurrkush nuk ka të drejtë të sillet ashtu sikundër po sillen sot ndaj shqiptarëve në Jugosllavi disa qarqe politike dhe intelektuale në Serbi (dhe në Maqedoni).
Siç ka mundë të shihet prej shtjellimit të deritanishëm, disa prej paragjykimeve që kanë serbët për shqiptarët bazohen në gjendjen e rëndë sociale të popullit shqiptar, keqësimit të së cilës shumë i ka kontribuar gjithnjë shteti serb. Megjithëse edhe sot një numër i dukshëm i shqiptarëve jeton në varfëri, ata as në pikëpamje sociale nuk janë më ata që kanë qenë. Ndryshimet në jetën e tyre shoqërore dhe ekonomike doemos janë shprehur edhe në pozitën e tyre sociale. Shqiptarët, në përgjithësi, sot janë një kualitet i ri social. Ata edhe më tutje, diku diku, janë lustraxhi të këpucëve dhe pastrues të rrugëve - sepse edhe këto janë punë për njeriun, por ata janë, njëkohësisht, madje në numër gjithnjë e më të madh, punëtorë shumë të zotët në fabrika, bujq të dorës së parë, mjeshtër dhe minatorë të aftë, ekonomistë dhe juristë, inxhinierë dhe arkitektë, matematikanë dhe fizikanë, mjekë dhe profesorë, shkrimtarë dhe shkencëtarë në të gjitha fushat e dijes e të artit, misionarë, humanistë dhe gjeneralë, diplomatë, politikanë dhe burra shteti. Si dhe të gjithë njerëzit e tjerë, si edhe të gjithë popujt e tjerë, edhe shqiptarët janë të aftë dhe të talentuar për të gjitha punët e mundshme prej më të vështirave deri te më të përbërat, por të gjitha punët për të cilat janë të nevojshme edhe profesionalizmi më i lartë edhe gjenialiteti krijues. Aftësitë dhe talentin e tyre e kanë dëshmuar edhe në shekujt e përparshëm; si shkrimtarë të shquar, si shkencëtarë, si reformatorë kulturorë, si ndërtimtarë, si politikanë, si komandantë, si burra shteti, dhe jo vetëm në historinë dhe kulturën e popullit të vet, por edhe në historinë dhe kulturat e popujve të tjerë. Për këtë arsye të shkruash për shqiptarët me nënçmim, sikundër po shkruhet prej sa vjetësh në shtypin dhe publicistikën serbe, kjo domethënë të mos kesh ndjenjë as për historinë as për realitetin e sotëm - kjo do të thotë të kesh humbur busullën historike!
Shqiptarët, pa dyshim, nuk janë pa të meta, sepse pa të meta, pa dyshim, nuk është asnjë popull. Shqiptarët, gjithashtu, të metat e tyre nuk duhet t'i fshehin dhe prej tyre nuk duhet të turpërohen as, madje, t'u ndalojnë të tjerëve që të flasin për to, megjithëse, si edhe të gjithë popujt e vegjël, si edhe vetë serbët, ata, ndoshta, ende nuk e kanë ndërtuar një kulturë të tillë shoqërore, që do t'u lejonte që të jenë mjaft kritikë ndaj vetes. Por të bësh teori prej paragjykimeve mbi shqiptarët, siç po bëjnë qarqet politike dhe intelektuale serbe sot, dhe në teorinë e tillë të bazosh sjelljet ndaj tyre - sikundër ka ngjarë prej gjysmës së dytë të shekullit XIX, sikundër ka ngjarë deri te Lufta e Dytë Botërore, sikundër po ngjan prapë sot, pas vitit 1981 - e kjo domethënë të të ketë rënë flamuri në orën historike: sepse "teori" të tilla jo vetëm mund të shtojnë mosmarrëveshjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por teori të tilla, më në fund, janë të gjora po aq sa janë kundërqytetëruese. Serbët, si edhe popujt e tjerë të Ballkanit, e dinë se shqiptarët janë popull me histori të gjatë dhe të pasur, popull në kuptimin e madh të kësaj fjale, në jetën e të cilit nuk ka asnjë ngjarje, asnjë dukuri, asnjë datë, që do t'i bënin të turpërohen. Përkundrazi. Shqiptarët janë popull që kurrë nuk kanë robëruar askënd, që kurrë nuk kanë pushtuar, që kurrë asnjë populli s'i kanë bërë ndonjë të keqe. Shqiptarët - ky është popull që mund të jetë krenar për mënyrën si është mbajtur në histori. Shqiptarët - ky është popull me vetëdije posaçërisht të zhvilluar për nderin dhe dinjitetin. Fati historik i popullit shqiptar, i përcaktuar në luftë të lavdishme për liri, hiç më pak se në vuajtje dhe durime, thuase ndjek mendimin e njohur të Heraklitit: Më fatkëqinj do të jenë ata që i shkaktojnë se sa ata që i pësojnë vuajtjet! (nenvizimi Linda)
Për të gjitha këto arsye, që të bëhen marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve në Jugosllavi marrëdhënie të besimit, të tolerancës dhe të nderimit të vërtetë, serbët, si komb në numër më i madh, prej sjelljeve të të cilit ndaj shqiptarëve varen shumë edhe sjelljet e shqiptarëve ndaj tyre, do të duhej t'i tejkalojnë paragjykimet mbi këtë popull, se me paragjykime të tilla ata, praktikisht, i zbresin në njerëz të rendit të dytë.
Por me kaq, megjithatë, nuk zgjidhet çështja. Kjo që kërkohet deri këtu është më e pakëta që mund të bëhet për sjelljet e një populli ndaj tjetrit. Mund të thuhet kështu për arsye se për tolerancën, nderimin dhe mirëkuptimin mes popujve, në rrugë të gjata historike, është e nevojshme të kihet mirëkuptim për qenien kombëtare të popullit tjetër në të vërtetë për vetëqenien e tij. Rexhep Qosja "Populli i ndaluar", faqe 174-176
(Vijon)
Materiali u postua nga Linda
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Rexhep Qosja: “Serbët dhe Shqiptarët Nesër” (Pj.V)
Ne jemi popull dhe na takon e drejta e vetëvendosjes
Çdokush që sadopak njeh historinë e popullit shqiptar përkatësisht historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare, ka të drejtë morale të konstatojë: serbët nuk tregojnë mirëkuptimin e duhur për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, edhe pse shteti serb i ka sjellë padrejtësi të mëdha popullit shqiptar. Qenia kombëtare e shqiptarëve ende nuk është e qetësuar dhe për këtë ende ekzistojnë arsye të shumta objektive historike. Disa intelektualë serbë flasin - e këtë e kemi dëgjuar edhe në bisedat e shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd - për pakënaqësinë e popullit serb për shkak se pas Luftës së Dytë Botërore, në Federatën jugosllave, pjesë të këtij populli kanë mbetur të ndara në dy republika: në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci. Por këto republika i takojnë të njëjtit shtet federativ të cilit i takon edhe Republika e Serbisë, në të cilën Serbët janë populli në numër më i madh dhe në të cilin, objektivisht, kanë pozitë mbizotëruese politike. Pas luftërave ballkanike, ndërkaq, populli shqiptar është ndarë në tri shtete: Shqipëri, Serbi dhe Greqi. Me krijimin e Jugosllavisë Federative, shqiptarët janë gjetur të ndarë në tri republika: Serbia, Maqedoni dhe Mal të Zi. Dhe kjo ndarje është bërë, pa dyshim, me qëllim të caktuar: që të copëtohen shqiptarët edhe më shumë dhe ashtu kombëtarisht të dobësohen, të margjinarizohen apo, madje, në rrugë të gjatë historike, të asimilohen. Shqiptarët sot jetojnë në pesë shtete të Ballkanit. Shqiptarët, në numër edhe jo pak, prej disa shekujsh jetojnë edhe në Itali dhe në Turqi. Ka edhe popuj të tjerë në Evropë, por edhe në Ballkan, qënia kombëtare e të cilëve, objektivisht, nuk mund të konsiderohet historikisht e qetësuar, sepse janë të ndara në disa shtete, apo sepse ende nuk kanë shtetet e tyre. Por fatin historik të popullit shqiptar nuk e ka asnjë popull tjetër evropian a ballkanik.
Disa intelektualë serbë ankohen - e këta, gjithashtu, kemi pasur rastin t'i dëgjojmë në bisedat e kaluara në Beograd - se kultura serbe sot është e dezintegruar kombëtarisht. Nuk ka dyshim se kjo vetëm në shikim të parë duket ashtu. Kultura serbe, si kulturë e popullit në numër më të madh, jo vetëm se nuk është e dezintegruar, por përmes gjuhës së vet, që është gjuhë e kombit më të madh, objektivisht ka supremaci në marrëdhënie me kulturat e popujve të tjerë në Jugosllavi. Për këtë arsye identiteti serb, në disa pjesë të Jugosllavisë është jashtë Republikës së Serbisë, objektivisht realizohet si sizerenitet kulturor.
Po çka për pozitën e kulturës së tyre mund të thonë shqiptarët në Jugosllavi, të cilëve u është bërë i pamundshëm komunikimi me pjesëtarët e kombit të tyre në Shqipëri - natyrisht me diktatin e Serbisë? Çka mund të thonë shqiptarët në Kosovë, të cilëve sot u është bërë e pamundshme komunikimi kulturor me shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi? Çka mund të thonë shqiptarët në Maqedoni të cilëve u janë shkelur të drejtat themelore, sikundër janë e drejta e shkollimit, e drejta e kultivimit të traditës historike dhe kulturore, e drejta e përdorimit të gjuhës amnore e të tjera? Çka mund të thonë shqiptarët në Kosovë historisë dhe kulturës së të cilëve po u kanoset shpata e quajtur dealbanizim, që e kanë farkuar qarqet politike dhe intelektuale serbe me qëllim që t'i krasisin sa më shumë të drejtat kulturore dhe të drejtat e tjera kombëtare të shqiptarëve? Mos janë kufizime të tilla në komunikimin e shqiptarëve në Jugosllavi, me shqiptarët në Shqipëri, kufizime të tilla të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe kufizime të tilla të të drejtave dhe vetëdijes së shqiptarëve në Kosovë - domethënë mos janë shtypja dhe ndjekjet që u bëhen sot shqiptarëve në Jugosllavi arsye plotësuese që i zvogëlojnë mundësitë, edhe ashtu të pakta, për qetësimin e qenies kombëtare të shqiptarëve?
Për të gjitha këto arsye unë do t'i lejoj vetes lirinë, që ju, si intelektual, si kolegë, t'ju pyes: pse në Serbi vazhdon historia e moskuptimit të tillë të ndjenjave kombëtare të shqiptarëve? Mos është ky qëndrim kundërqytetërues ndaj një populli sot? Pse edhe më tej dëshironi të na sundoni? Pse? Duhet ta dini se ne nuk mund të kënaqemi më vetëm me bark të ngrirë, megjithëse as barkun s'e kemi të ngrirë. Ne jemi popull që e meriton lirinë. Ne dëshirojmë të jemi të vetes, të bëjmë jetë të kuptimshme, të vendosim vetë për fatin tonë. Dhe kjo dëshirë, e dini fare mirë, është plotësisht e natyrshme. Të ishte ndryshe do të ishte e panatyrshme. Dhe sikur të mos ua thoshim këtë, nuk do të ishim të sinqertë. A është e nevojshme t'ju përkujtoj se janë të natyrshme, të drejta dhe mroalisht të larta, përpjekjet e çdo populli që të sendërtojë të drejtën e vetëvendosjes - sepse vetëm ashtu mund ta pushtojë lirinë; që të ketë shtetin e vet - sepse vetëm ashtu mund ta mbrojë fatin e vet; të jetojë në demokraci - sepse vetëm ashtu mund t'i zhvillojë plotësisht të gjitha fuqitë e veta krijuese. (nënvizimi Linda)
Këto janë arsyet, kolegë të nderuar, pse dëshira për liri ka imagjinatë jashtëzakonisht të pasur.
Duke i shqiptuar këto mendime, besoj, kam theksuar çështjen qëndrore, çështjen e çështjeve prej të cilës, prej zgjidhjes të së cilës, varet qëndrimi i shqiptarëve ndaj serbëve dhe i serbëve ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Por të ndalem këtu… Rexhep Qosja "Populli i ndaluar", faqe 177-178
Materiali u postua nga Linda
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE
Krijoni Kontakt