TË GJEJ E MË HUMB
Dy copa shegësh
Buzët e tua.
Sytë,
Dy zjarre në djegie!
Kur qesh,
Ti e gjitha bëhesh diell.
Dhe bëhesh hënë
Kur vrenjtesh!
Rrugë ku ngatërrohem
Flokët e tu.
Balli
Si një mëngjez vere!
Dita më e bukur
Që e gjej e më humb,
Ul kokën
Para teje!
Dy harqe ylberi
Vetullat e tua.
Krahët
Dy degë molle në prill.
Them:është ky lumë
Trupi yt,
Dhe fustani që vesh
Është shkuma e tij.
Fëshfërimë ere
Fjalët e tua.
Shpirti yt sensibël,
Si i asnjë tjetre!
Edhe në dy varre
Do pranoja të tretesha,
Që të mos kishe ti
Asnjëherë vdekje!
NË ATË MBRËMJE
STUDENTËSH
Ajo refuzoi një shokun e saj.
Dhe një të dytë.
Dhe një të tretë.
Si një mister e kishim pranë,
Por edhe larg si një kometë!
Bluza e saj pak e shkopsitur,
I bëri djemtë të mëkatojnë!
Sa shumë sy hynë atje,
Sa shumë duar,prej andej dolën!
Për dreq dhe unë që po thinjem,
(Paçka se bëj sikur s’i shoh!)
Ia futa duart përmes gjinjve
Dhe bëra… ç’mund të bëjnë ato!
Pas pak u zgjova nga lajthitja,
Edhe e ftova në vallzim!
-‘’Me ju pranoj – më tha ajo,
Se jeni krejt si babi im!’’
Shuplakë-djegëse si këtë,
Në jetë,jo,s’kisha provuar!
Sa keq që s’mund të isha më,
‘’Fatzi’’,si djemtë e refuzuar!
NATËN BUZË NILIT
Jam i trishtuar tmerrësisht,
Tek eci buzë Nilit kësaj nate!
Kam filluar të ta harroj fytyrën,
Mënyrën si qeshje,
si më kapje për qafe!
Jam i trishtuar tmerrësisht,
Pranë kësaj egjiptianke
që nga Nili ka dalë.
Që më thotë:’’më puth!’’arabisht,
Dhe anglisht më pëshpërit
të tjera fjalë!
Jam i trishtuar tmerrësisht,
Kush dreqin gjer këtej më solli!?
Kam filluar të mendoj si të ik,
Si të kap ndonjë zhurmë avioni!
Jam i trishtuar tmerrësisht,
Tek eci buzë Nilit kësaj nate!
Kam filluar të ta harroj fytyrën,
Dhe kjo është sa mijra mëkate!
Kajro 11 nëntor 1998
NË MARMARA,PA TY
Deti Marmara
Dhe unë para tij,
Si para një çudie të madhe!
Zhytem në të
Dhe vetja më duket,
Si brenda barkut të një kitare!
Dhe dorën zgjas,
Telat kërkoj,
T’i bie asaj kitare çmëndurisht!
Por kot e paskam,
Ajo s’ka si bie,
Kur s’ke në dorë asnjë gisht!
Se gishtat i lashë
Mbi supet e një gruaje,
(Harruar nga nxitimi,ndoshta!)
Deti Marmara,
Sa keq që më ardhka,
Që s’je edhe ti nga Korça!
Marmara,Stamboll,1993.
Krijoni Kontakt