India: Eshtrat e Nënë Terezës në Tiranë? Kërkesa, turp

India: Eshtrat e Nënë Terezës në Tiranë? Kërkesa, turp
Intelektualët indian: "Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj në Kalkuta dhe ishte një shtetase indiane".
India nuk fsheh indinjatën e saj të thellë dhe irritimin ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha mbi kërkesën për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Tiranë.
Qeveria shqiptare ende nuk i ka bërë një kërkesë zyrtare Indisë por në një konferencë për shtyp, pak ditë më parë Berisha deklaroi se planifikonte që eshtrat e Nënë Terezës të kthehen në atdhe në gushtin e ardhshëm, kohë që përkon dhe me 100 vjetorin e lindjes së saj.
Mediat indiane citojnë zyrtarë të lartë të qeverisë së këtij vende, zyrtarë të Misionit bamirës të Nënë Terezës si dhe intelektualë e akademikë të cilët e quajnë të pandershme dhe të papërshtatshme kërkesën e shqiptarëve.
Misionari i misionit humanitar Nënë Tereza, prifti salesian Robin Gomes thotë se nuk ka marrë ndonjë kërkesë për transferimin e eshtrave të Nënë Terezës në vendin e saj të lindjes dhe nuk mund të komentojë. Por shton se Drejtuesit e urdhrit të Nënë Terezës, nuk do të ishin dakord për kërkesën e transferimit të eshtrave jashtë varrit të saj, i cili është i vendosur në një dhomë në bodrumin e Shtëpisë së Nënë Terezës.
"Nuk do të ishte e ndershme të lëvizësh eshtrat nga ai vend" thotë Gomes duke shtuar se megjithëse nobelistja është shqiptare, kërkesa nuk është e përshtatshme.
Ai gjithashtu vërejti se që kur Nënë Tereza ishte një shtetase indian, qeveria nuk do të pajtohej për kërkesën për transferim jashtë vendit.
Reagon dhe qeveria indiane. Në një deklaratë të publikuar të dielën shkruhet se ajo pritet të konsultohet përpara se qendra të marrë një vendim përfundimtar.
Motra Christie, zëdhënëse për Misionaret e Bamirësisë, nuk pranoi të komentojë duke thënë se askush nuk kishte rënë në kontakt me organizatën në lidhje me këtë çështje.
Sekretari i brendshëm në qeveri thotë "Është shumë e vështirë që Qendra t'i kërkojë qeverisë së shtetit të dërgojë mbetjet në atë vend"
Intelektualët, në anën tjetër, reagojnë ashpër mbi një kërkesë të tillë nga qeveria shqiptare.
"Për sa kohë që ata ishin komunistë, nuk e pranuan Nënë Terezën. Tani ata vijnë me këtë kërkesë. Ajo letër duhet të hidhet në shportat e mbeturinave" tha Sunil Gangopadhyay, presidenti i Akademisë së Sahitya
Edhe regjisori Gautam Ghosh gjithashtu shprehu ndjenja irrimiti- "Është poshtërsi. Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj në Kalkuta dhe ishte një shtetase indian. Si mund të pretendojnë ato tani. Është e çuditshme që kjo të jetë një kërkesë zyrtare, "tha ai.
Qeveria vendosi të kthejë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Ahmet Zogu ndërsa premtoi kthimin e eshtrave dhe të Fan Nolit dhe Mit'hat Frashërit. /BalkanWeb/
Krijoni Kontakt