Kryeministri i Shqipërisë ka kërkuar nga Qeveria e Indisë që eshtrat e Nënës Terezë të kthehen në Shqipëri. Ai ka pohuar se negociatat për këtë do të intensifikohen gjatë këtij viti. Mirëpo kancelari i Ipeshkvisë së Kishës Katolike në Kosovë, Don Shan Zefi, thotë se një gjë të tillë nuk do të lejonte populli i Indisë. Sipas tij, ajo që mund të kemi është ndonjë relikt i saj.
Nga Dafina Myrtaj më 11.10.2009 në ora 9:53
Pas kërkesës për kthim të eshtrave të Mbretit Zog të cilat janë të varrosura në Francë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka kërkuar që të kthehen edhe eshtrat e Nënës Terezë. Qeveria Berisha ka kërkuar nga India që eshtrat e Nënë Terezës të kthehen në atdhe, në gushtin e vitit të ardhshëm, pikërisht në kohën kur festohet 100-vjetori i lindjes së saj.
Ai ka thënë se për këtë çështje, shteti shqiptar ka filluar negociatat me Qeverinë e Indisë, vendin ku është e varrosur Nëna Terezë, dhe se “negociatat do të intensifikohen gjatë këtij viti”. Ky propozim i thënë nga kryeministri i Shqipërisë, për kancelarin e Ipeshkvisë së Kishës Katolike në Kosovë, Don Shan Zefin është i parealizueshëm. Ai thotë se përkundër dëshirës së madhe të shqiptarëve që të kenë trupin e Nënës Terezë në vendlindjen e saj, një gjë e tillë nuk do të lejohet nga Qeveria e Indisë.
“Tani për tani është hipotetike në kuptimin e së mundshmes. Është një procedurë shumë e madhe dhe tash për tash është e parealizueshme. Kjo është jashtëzakonisht e ndjeshme për popullin e Indisë. Sipas burimeve që kemi, India nuk do të lejonte një gjë të tillë kurrë. Në shqiptarët kemi të drejtë natyrore të kërkojmë një gjë të tillë, mirëpo kjo është një çështje jashtëzakonisht e ndërlikuar”, thotë për Express, Don Zefi. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova do të mund të kërkonin ndonjë prej relikteve të saj. Ndonjë prej këtyre relikteve, në të ardhmen, mund të vendoset në Katedralen e Prishtinës, e cila është në ndërtim e sipër.
“Mund të bëhen përpjekjet e njerëzve kompetentë që në Katedralen e Prishtinës të sjellin ndonjë relikt të saj. Edhe për këtë duhet të bëhet një studim, se çka mund të kërkohet diçka prej relikteve të saj. Për këtë mund të bisedohet. Ne mund të kërkojmë diçka prej saj të sillet në Shqipëri edhe në Kosovë, sepse dashur e pa dashur ne kemi një gjak dhe një gjuhë”, thotë ai.
Pas vdekjes së Nënës Terezë, më 5 shtator 1997, Qeveria Indiane e nderoi me funeralin e Shtetit dhe trupi i saj u varros në Shtëpinë - Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt, varri i saj u bë vend shtegtimi e lutjeje për njerëz të besimeve të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Ndërsa eshtrat e nënës dhe motrës së saj prehen në Tiranë.
Biografia e Nënës Terezë
Lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, e cila u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze. Në moshën 18-vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t'u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Në Kalkutë arriti më 6 janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për "amshim". Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu, për të hyrë në botën e të varfërve. Mori shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t'i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Ajo vdiq më 5 shtator 1997, me ç’rast Qeveria e Indisë e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë - Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Më 20 dhjetor 2002, Papa Gjon Pali II miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
Krijoni Kontakt