Prishtinë, 8 Shkurt 2010
PARTIA E DREJTËSISË
PROGRAMI PËR REFORMËN E SISTEMIT SHËNDETËSORË TË KOSOVËS
PARIMET
Realizimi i funksionalitetit të plotë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Barazia e sektorit publik dhe privat të shëndetësisë, nëpërmjet themelimit të ndërmarrjes publike të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë.
Barazia e qasjes ndaj shërbimeve kualitative shëndetësore për të gjithë qytetarët, nëpërmjet themelimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Mbikëqyrja dhe përparimi i profesioneve shëndetësore nga ana e vet punëtorëve shëndetësorë.
Integrimi i procesit akademik në Fakultetin e Mjekësisë me procesin e edukimit dhe aftësimit profesional mjekësor: universitar; specialistik pasdiplomik dhe pas – specialistik (zhvillimin e vazhdueshëm profesional) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe institucionet e kujdesit parësor dhe dytësor shëndetësor.
AKTIVITETET
1. Realizimi i funksionalitetit të plotë të Ministrisë së Shëndetësisë.
1.1 Depolitizimi i shërbimit civil në Ministrinë e Shëndetësisë.
1.2 Decentralizimi i rolit menaxhues administrativ dhe financiar të Ministrisë së Shëndetësisë.
2 Sigurimi i barazisë së sektorit publik dhe privat të shëndetësisë, nëpërmjet themelimit të ndërmarrjes publike të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë.
2.1 Riorganizimi dhe korporatizimi i sistemit të institucioneve publike të shëndetësisë në të tri nivelet e kujdesit shnëdetësor, si ndërmarrje publike në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike (Neni 11) dhe Ligjit për Shoqërit Tregtare (Neni 35 dhe Neni 36);
2.2 Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit të shëndetësisë dhe ligjit të sigurimeve shëndetësore, në pajtim me paragrafin paraprak.
3. Barazia e qasjes në shërbime kualitative shëndetësore.
3.1 Themelimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Parimet organizative dhe funksionale:
3.1.1 Dy lloje të kartelave të sigurimit shëndetësor:
3.1.1.1 Kartela e sigurimit shëndetësor në bazë të statusit social: Shërbime pa pagesë për poseduesit e kartelave të asistencës sociale, pensionit invalidor, dhe kategorive të tjera të qytetarëve të përcaktuara me ligj. Për këtë qëllim do të shfrytëzohen mjetet e deritanishme buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të buxheteve komunale të dedikuara për shëndetësi.
3.1.1.2 Kartela familjare e sigurimit shëndetësor në bazë të pagesës vjetore të premiumit për sigurimin themelor shhëndetësor, në bazë të shkallës rrëshqitëse varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.
3.1.1.3 Me qëllim të eliminimit të kostos së aparatit të madh administrativ, kartelat e sigurimit shëndetësor në bazë të premiumit do të mund të sigurohen në bankat komerciale ose në kompanit e sigurimit.
3.2 Shërbime shëndetësore në bazë të çmimit ekonomik për qytetarët, që nuk posedojnë asnjërën nga kartelat e sipërmendura.
3.3 Me qëllim të realizimit të ndryshimeve të sipërmendura reformuese duhet të bëhet ndryshimi i Ligjit të shëndetësisë dhe koncipimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore, në pajtim me paragrafet paraprake.
4. Mbikëqyrja dhe përparimi i profesioneve shëndetësore nga ana e vet punëtorëve shëndetësorë.
4.1 Themelimi i Odës shëndetësore me katër Urdhëra, në bazë të ligjit të veçantë.
4.2 Me qëllim të realizimit të këtij ndryshimi reformues duhet të bëhet ndryshimi i Ligjit të shëndetësisë.
5. Integrimi i procesit akademik në Fakultetin e Mjekësisë me procesin e edukimit dhe aftësimit profesional mjekësor: universitar; specialistik pasdiplomik dhe pas – specialistik (zhvillimin e vazhdueshëm profesional) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe institucionet e kujdesit parësor dhe dytësor shëndetësor në Kosovë.
5.1 Nxjerrja e aktit të përbashkët nënligjor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;
5.2 Ndryshimi i Statutit të QKUK dhe Statutit të Universitetit të Prishtinës duke respektuar specifikat e Fakultetit të Mjekësisë.
Krijoni Kontakt