Kadare merr çmimin ‘Rexhai Surroi’
Sikurse vjet, edhe sivjet laureat i çmimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë në gjuhën shqipe të botuar në vitin 2009 ishte një shkrimtar jokosovar. Vitin e kaluar këtë çmim e fitoi shkrimtari shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti, ndërsa sivjet çmimin “Rexhai Surroi” e mori shkrimtari i njohur nga Shqipëria Ismail Kadare me romanin e tij “Darka e gabuar”. Pas njoftimit se në këtë konkurs kanë konkurruar emra të njohur të letërsisë shqipe, midis të cilëve edhe Fatos Kongoli, Ben Blushi, Ismail Kadare e shumë të tjerë, lajmi se ky i fundit është fitues i çmimit askujt nuk iu duk i befasishëm. Befasia më e këndshme ishte vet prania e laureatit të sivjetshëm. Duke e marrë çmimin, Kadare tha se ndihet mirë këtu në Kosovë. Pasi i falënderoi organizatorët për këtë çmim, Kadare theksoi se duke ardhur këtu i ishte kujtuar një varg i poetit Naim Frashëri nga poema e tij “Bagëti e bujqësi”. “Nata atje është tjetër natë dhe dita tjetër ditë” ishte vargu i Naimit, të cilin e perifrazoi Kadare, duke shtuar se ‘çdo udhëtim në Kosovë është tjetër por edhe një çmim në Kosovë është tjetër’. “Kur them tjetër d.m.th. është tepër i veçantë, tepër i çmuar, tepër vlerësues dhe me këtë besoj se kam shprehur jo vetëm atë që ndjej unë por atë që do të ndjente çdo shkrimtar shqiptar i hapësirës shqiptare i letërsisë shqipe që vjen këtu në Kosovë, që ftohet këtu në Kosovë, për të marrë një çmim, për të marrë një vlerësim. Ju falënderoj dhe jam mirënjohës edhe një herë”, u shpreh Kadare. Këtë çmim, i cili ka vlerën prej tre mijë euro, e dha për të dytën herë grupi Koha. Konstatimi i jurisë për dhënien e çmimit, e cila përbëhej nga Sabri Hamiti, Eqrem Basha dhe Bardh Rugova, ishte se Ismail Kadare, edhe me këtë roman, vazhdon të zgjerojë opusin e tij krijues, që i sjellin letërsisë shqipe begati të rrallë, e cila tash e sa vite po pushton botën gjithandej. “’Darka e gabuar’ të kujton darkën e fundit biblike me misteret dhe magjinë e saj, ka ardhur te ne me mjeshtërinë e lojës filigranike me kufijtë e reales dhe fiktives, historikes dhe artistikes. ‘Darka e Gabuar’ po dëshmon se shkrimtari ynë, jo vetëm që nuk ndalet, siç veprojnë shumë shkrimtarë në kulmin e krijimtarisë së tyre, por vazhdon të na pasurojë edhe më”, u shpreh Eqrem Basha, duke e lexuar vendimin e jurisë. Ndërsa çmimi “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar, i cili sivjet u dha për herë të parë pasi që vjet nuk ishte dhenë për arsye se niveli i shkrimeve nuk përkonte me standardet e larta të cilat kërkohen për t’u nderuar me shpërblimin, iu dha gazetarëve Serbeze Haxhiaj dhe Rexhep Krasniqi për shkrimin e tyre “Jeta në kërkim të një varri” të botuar në Koha Ditore, me datë 27 prill 2009. Anëtarë të jurisë për këtë çmim ishin Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu dhe Naser Miftari. Edhe ky lajm nuk qe shumë i befasishëm për të pranishmit, pasi që pritej që ndonjë gazetar i Kohës ditore ta merrte atë. Laureatët e çmimit për shkrimin më të mirë nuk qenë të pranishëm dhe në emër të tyre çmimin e mori vet drejtoresha e Grupit Koha, Flaka Surroi. Ajo tha se gazetarët nuk e kanë ditur se janë fitues të këtij çmimi. Por shtrohet pyetja, si e ka marrë vesh Kadare se është fitues? Drejtoresha e ‘Grupit Koha’, Flaka Surroi, theksoi se dhënia e çmimeve “Rexhai Surroi”, do të ngelet traditë dhe ai do të jepet për çdo vit për romanin dhe shkrimin e cilësuar më të mirë, të botuar gjatë një viti. “Në do të vazhdojmë t’i kërkojmë e t’i veçojmë ata që kanë frymëzimin dhe talentin që të krijojnë të bukurën dhe të paharrueshmen, përgjithmonë të rrënjosur në një libër apo gazetë. Do ta bëjmë këtë ngase frymëzimi dhe talenti nuk do të shuhet kurrë”, u shpreh Surroi. Me këtë rast u bë edhe promovimi i librit “Izolimi: Rrëfimet nga tunelet e tmerrit”, i ribotuar nga “Grupi Koha”. Në këtë libër janë një numër rrëfimesh të treguara nga personazhet e torturave të izolimit, që ishin ushtruar njëzet vjet më parë mbi personalitetet e shquara intelektuale shqiptare, të cilat janë përmbledhur në këtë libër nga Ibrahim Osmani, vetë personazh i torturave. “Izolimi, një praktike poshtëruese që kishte nisur pas demonstratave të vitit ’81, ishte mjeti më denigrues që përdori pushteti i atëhershëm përmes policisë së vet, për ta mbytur shpirtin e shqiptarëve të Kosovës. Trajtimi çnjerëzor i njerëzve, që u shpallën armiq të shtetit, u përdor si mjet torturimi i gjithë një populli, tashëm të zënë rob në burgun Kosovës”, ka thënë Flaka Surroi. Ndërkaq, vëllai i saj, publicisti Veton Surroi, përmendi disa fakte që kanë të bëjnë me këtë libër. Në fund, organizatorët treguan se që nga dita e sotme të interesuarit mund të fillojnë të konkurrojnë për shpërblimet e vitit 2010.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt