Shqiptarët të bëjnë bashkimin kombëtar
Shqiptarët e Maqedonisë është koha e fundit që t’i definojnë vizionet e tyre dhe njëherësh të veprojnë të bashkuar për çyshtje madhore të rëndësisë kombëtare. Publikimi i Enciklopedisë maqedonase, nxori në pah shumë defekte dhe anë të forta të shqiptarëve. Sipas analistëve, shqiptarët kur kanë rrezik bashkohen dhe janë shumë të fuqishëm, por dobësia më e madhe e tyre është se veprojnë të paorganizuar në momentin kur ndiejnë pak komoditet. "Problemi më i madh i shqiptarëve në Maqedoni është se nuk kemi një vizion të qartë me ide të qartë çfarë ardhmërie kërkojmë. Barazi e plotë nuk është vizion politik. Vizion politik është ose shtetformues ose federalizëm, ndarje, integrim etj. Shpesh herë politikanët janë pre e politikës ditore, interesave partiake dhe u mungon vullneti", tha Albert Musliu, analist politik. Sipas tij, shpeshherë ndodh që politikanët kur janë në pozitë kenë qëndrime tjera, kurse kur janë në opozitë të kenë qëndrime tjera. "Jam absolutisht pro asaj që jo vetëm partitë politike shqiptare, por akademia (intelektualët) shqiptarë, shoqëria civile të jenë këshillues të politikës shqiptare", tha Musliu. Ai sqaron se shqiptarët mundë të bashkëpunojmë ngushtë, por për shkak të mugesës së vizionit, ata nuk e kanë definuar qartë edhe ku është rreziku. "Shqiptarët janë shumë të aftë të bashkohen. Në historinë e vet, shqiptarët e kanë vërtetuar se çdoherë kur kanë rrezik ato dinë të bashkohen", tha Musliu. Në pyetjen se çfarë vizioni duhet të kenë shqiptarët në Maqedoni, Musliu thotë: "Vizioni duhet t’i përshtatet edhe realitetit më të gjerë. Unë mendoj se për shqiptarët çdo version, i cili nuk nënkupton ndarje adekuate të plotë të pushtetit të garantuar me kushtetutë është i papranueshëm. Varianti tjetër është që Maqedonia të ridefinohet si shtet i dy komuniteteve të barabarta ose të federalizohet".
Nga ana tjetër Imer Ismaili, profesor universitar vlerëson se pas problemit me enciklopedinë maqedonase, shqiptarët duhet të shkojnë drejt bashkimit kombëtar.
"Pas kësaj që ndodhi me enciklopedinë kokat e shqiptarëve janë kthyer në drejtime të tjera. Shqiptarët dita-ditës më pakë besojnë në konceptet multietnike. Këto koncepte i prodhuan 20 vjet dhe erdhëm në konstatim se neve maqedonasit nuk na duan. Pse duhet t’i duam ne ata. Shqiptarët kanë një orientim tjetër. Më nuk i besojnë këtij shteti, nuk i besojnë kësaj qeverie", tha Ismaili. Sipas tij, shqiptarët s’kanë nevojë të kërkojnë diçka të re duhet vetëm të gjurmojmë atë të vjetrën. "Ne i kemi konceptet tona. Të kthehemi te Rilindësit tanë dhe u kry muhabeti. Natyrisht që do të jetë bashkimi i shqiptarëve. Tani dalëngadalë shqiptarët do të fillojnë të flasin për modulet se si të bashkohen. Gjërat do të dalin në shesh", tha Ismaili.
Reagime të ashpra në qarqet politike dhe shoqërore shqiptare kanë ardhur pas mësimit që kanë marrë nga Akademia Maqedonase me nxjerrjen e enciklopedisë. Tendenca për të ruajtur multietnicitetin e Maqedonisë shkon duke u zbehur dhe të gjitha sondazhet kanë treguar se pas publikimit të enciklopedisë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonase janë ftohur.
Ndërkombëtarët e shohin sherrin e maqedonasve
"Ndërkombëtarët tani kanë filluar ta kuptojnë këtë se shqiptarët u kanë shtri dorën sllavëve dhe ata nuk i duan. Edhe në bashkëshortësi nuk jetohet me dikë që nuk të do, e lëre më në një shtet të përbashkët", tha profesori universitar, Imer Ismaili.
Partitë t’i urojnë fitoren fituesit
"Përderisa shqiptarët nuk vetëdijesohen politikisht që ata duhet të bëjnë garë politike, kulturologjike në bazë të niveleve universitare me njëri tjetrin dhe në fund të zgjedhjeve t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe të pranojnë vetëdijesimin e vullnetit politik të shqiptarëve, ne do të kemi gjithmonë përçarje. Fati jonë politik në zgjedhje të drejtpërdrejta nuk e caktojmë ne, por Gruevski apo Crvenkovski dhe kësaj gjëje duhet t’i vihet pikë", tha Ismaili.
Krijoni Kontakt