Gërmime klandestine në Gradishtë të fshatit Marec.

Sa më parë të bëhet riorganizimi institucional dhe të themelohet Qendra shtetërore për studim, konservim dhe restaurim. Në mesin e sektorëve të tjerë të themelohet sektori i inventarizimit të pasurive kulturore.

QAZIM NAMANI

Gradishta e fshatit Marec shtrihet në kodrinën që ngrihet mes dy përrenjve, rreth 2 km në veri nga Lagjja e Bullajve. Përroi që vazhdon në të majtë të Gradishtës quhet Përroi i zi, ndërsa përroi në të djathtë që çon në Lagjen e Simojve quhet Përroi i Gradishtës. Përballë Gradishtës, në anën jugore mbi Lagjen e Haxhajve. ngrihet Quka e Qelnasit. Mbi këtë “qukë” është Kodra e Metoviqe dhe mbi këtë kodër ngrihet Zllashi, që njihet si kodra më e lartë në këtë kompleks malor. Prej Gradishtës, përroi i zi ndahet në dy përrenj të tjerë. Duke u ngjitur lart përroit, nga ana e majtë, ndeshim përroin e madh, i cili del në Zllash, te Lagjja e Slishanëve. Kodra që ngrihet përballë Gradishtës, në anën perëndimore, quhet Blinaja, kurse kodra mbi Gradishtë quhet Ahishta e Fetahut. Kodra në anën verilindore të ahishtës së Fetahut quhet Makica, ku gjendet Lagjja e Simojve. Rreth 5 km në lindje të Gradishtës duket kulina e gjytetit të Marecit.
Në Gradishtë ka rrënoja të shumta të themeleve me gurë e tulla që ishin të lidhura me harasan. Si në shumë lokalitete të tjera të Kosovës, edhe në Gradishtën e fshatit Marec u vërejtën se janë bërë gërmime klandestine.
Mosorganizimi i duhur institucional dhe çrregullimet në planin administrativ krijuan hapësirë për veprimet e paligjshme në terren, duke bërë gërmime klandestine dhe duke i dëmtuar vlerat e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Bazuar në informata të deritanishme, gërmime klandestine janë kryer në rajonet e pasura me minerale, që kanë lënë gjurmë të eksploatimit të xeheve në disa komuna të Kosovës, që nga kohët antike. Mendohet se në këto veprime janë përfshirë disa segmente të caktuara që kanë vepruar në komunën e Artanës, Dardanës, Gjilanit, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës, Therandës, Ferizajt, Mitrovicës dhe në rajonet e tjera të Dardanisë antike.
Numri i artefakteve dhe i monedhave që rrezikohen të zhduken është i madh. Dëmi do të jetë tepër i madh nëse marrim parasysh përvojat e tilla që na kujtojnë edhe këtë fakt: në vitet e mëhershme, tregtarët e Janjevës kanë mbledhur shumë monedha antike, të cilat janë shitur apo janë dërguar në muze të tjerë. Gojko Kraljeviq përmend në buletinin e Muzeut të Kosovës të vitit 1984, që lidhet edhe me Muzeun e Sarajevës. Po ashtu, edhe në buletinin e Muzeut të Kosovës të vitit 1959/60, R. Galoviq shkruan se në vitin 1934 në Janjevë u zbulua një depo e periudhës së halshtatit, ku rëndësi të madhe kanë byzylykët e zbuluar, që lidhen me zbulimet në territorin e Maqedonisë dhe përfaqësojnë kulturën ilire mjaft të zhvilluar. Shumë gjetje të rëndësishme nga Janjeva më parë ishin dërguar edhe në Muzeun e Beogradit, fakt ky që dëshmohet edhe me dokumentin nr. 53/1, i datës 28.1.1999, ku drejtori i Muzeut të Prishtinës, Branko Jokiq, i lutet drejtorit të Muzeut popullor në Beograd, mr. Bojana Boriq Breshkoviq, që thesari i Janjevës t’i bashkëngjitet materialit tjetër nga Kosova, për t’u ekspozuar në ekspozitën “Arheolosko Blago Kosova i Metohije”.

Katër kg monedha argjendi vetëm për 400 euro!

Në vitin 2005, një qytetar nga Janjeva i kishte shitur katër kilogramë monedha të argjendit në qytetin e Prizrenit vetëm për 400 euro. Artefakte nga territori i Kosovës pothuaj gjenden në të gjitha muzetë në territorin e ish-Jugosllavisë, sidomos në Beograd, Shkup, Vranjë, Sarajevë, Nish, Leskoc, Arangjelovc etj.

Në rajonin e Shalës, Llapit dhe të Gallapit asnjë investim!

Rrezikimi i zhdukjes së artefakteve bëhet për faktin se pjesa më e madhe e tyre ende nuk është inventarizuar. Në asnjë institucion pas luftës nuk është kryer rivlerësimi i objekteve që posedojnë në fondet e tyre dhe kjo ka shkaktuar hapësirë që të zhduken vlerat e trashëgimisë kulturore. Si pasojë e keqmenaxhimit dhe e mosorganizimit të mirëfilltë, shumë prej objekteve arkeologjike dhe etnografike nuk u dihet fati, pasi nuk janë regjistruar e as fotografuar asnjëherë. Artefaktet e humbura nuk kanë mundësi të gjenden, pasi pjesa dërrmuese nuk kanë numër të inventarizimit apo të katalogizimit të mëhershëm. Ka pasur iniciativa që të kryhen inventarizimi dhe katalogimi nga MKRS-ja dhe nga institucionet që merren me ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kësaj pasurie kombëtare, por ky proces nuk ka përfunduar. Dhjetë vjet pas luftës së fundit, në asnjë fushë nuk është kryer përnjohja e terrenit në pjesën verilindore të Kosovës. Nuk është kryer inventarizimi, nuk është mbledhur thesari etnografik. Ndërkaq, në rajonin e Shalës, Llapit dhe të Gallapit nuk është investuar fare. Për 10 vjet nuk ka pasur asnjë investim në komunën e Podujevës dhe në atë të Dardanës, kurse në komunën e Prishtinës, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal, janë bërë vetëm dy investime të vogla në fshatin Keqekollë dhe në hamamin e qytetit. Prandaj, duhet bërë riorganizimi institucional dhe të themelohet Qendra shtetërore për studim, konservim dhe restaurim, si dhe në mesin e sektorëve të tjerë të themelohet sektori i inventarizimit të pasurive kulturore. Kjo humbje në kohë fajëson MKRS-në dhe institucionet e kulturës.http://www.gazetalajm.info/index.php...tid=47:kulture