A janë përgjegjës Sali Berisha

dhe Ibahim Rugova për zhdukjen e Remzi Hoxhës?!



REMZI HOXHA SURVEJOI TAKIMIN MILLOSHEVIÇ - BERISHA!



Shkruan: Artan Hoxha - Drejtues i emisionit „Xhungël“ në NEWS 24



Foto: Remzi Hoxha




Emisioni investigativ „Xhungël“ që transmetohet në NEWS 24, solli dëshmi dhe fakte të reja mbi aktivitetin e Remzi Hoxhës, shqiptarit nga Maqedonia, i rrëmbyer dhe i zhdukur pa lënë gjurmë nga agjentët e SHIK-ut më 21 tetor 1995.

Bashkëluftëtarë të Remzi Hoxhës sollën dëshmi për veprimtarinë e tyre në fillimin e viteve '90. Basri Zuka, sekretar i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës, njëherësh dhe një nga veprimtarët aktiv të Frontit të Rezistencës rrëfeu në lidhje me dyshimet për një takim të ish-presidentit të Sërbisë Sllobodan Millosheviç, presidentit të Maqedonisë Kiro Gligorov dhe presidentit të Shqipërisë Sali Berisha. Sipas Zukës, takimi është realizuar në ish-rezidencën verore të Josif Broz Titos, në Shën Naum, shumë pranë kufirit me Shqipërinë. Remzi Hoxha, një nga eksponentët kryesorë të shërbimit informativ të Frontit të Rezistencës e ka survejuar këtë takim duke njoftuar më pas kolegët e tij për të informuar presidentin e Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova. Sipas Zukës, pa u mbushur mirë dy javë nga ky informacion i Hoxhës, ai u rrëmbye dhe u zhduk pa lënë gjurmë.



Foto: Në sfond, Remzi Hoxha, Ibrahim Rugova, Sali Berisha dhe Sllobodan Millosheviçi




Në fillimin e viteve '90, aktiviteti i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël e Zejtarëve të Kosovës kishte tërhequr vëmendjen e organeve policore dhe shërbimit sekret serb (UDB) që u vunë menjëherë në lëvizje. Strukturat represive të rregjimit të Millosheviçit kishin dyshime se nëpërmjet aktiviteteve legale të sindikalistëve, fshihej një lëvizje ilegale që po përgatiste terrenin për shkëputjen e Kosovës nga zgjedha sërbe. Për ti paraprirë këtij organizimi të ri të shqiptarëve, që po i përgatiste dhe armatoste ata për ngjarjet që ndodhën në vitet e mëvonshme, policia dhe shërbimi sekret sërb u hodhën në veprim.

Basri Zuka:

„Një rast konkret ka qenë kur policia sërbe e kishte marrë në një bisedë informative zyrtare, kështu thuhej atëherë dhe Remziu, ne kolegëve, nuk na tregoi fare. E kishin kërcënuar se do t’ia likuidonin fizikisht familjen, do t'i hidhnin bombë në banesë, do t’ia hidhnin në erë veturën, si dhe kërcënime e shantazhe të tjera. Për këtë shkak ai banonte përkohësisht, më saktë, flinte natën te një koleg i veti sindikalist, te Behar Sherifi. Në një moment Behar Sherifi më tregon mua se çfarë i kishte ndodhur Remziut. Kur ishte zhveshur për të fjetur, ai kishte parë se trupi i Remziut ishte krejt me njolla dhe plagë që ia kishin shkaktuar në stacionin policor në Ferizaj. Në momentin që Behari e ka pyetur Remziun ku i kishte marrë këto plagë dhe si ishte puna, Remziu nuk i tregon. Pasi kështu ishte Remziu, një tip i heshtur, asnjëherë nuk ka fol, madje më shumë ka vepruar sesa ka folur. Por meqë ishte para faktit të kryer u detyrua ti tregonte Beharit se ato plagë ia kishte shkaktuar policia sërbe”.



Foto: Remzi Hoxha, gjatë një takimi me ish-kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori




Pavarsisht dhunës dhe torturave që provoi në trupin e tij Remzi Hoxha, ishte i vendosur të rezistonte dhe i bindur se nuk mund të kthehej pas në rrugën që kishte nisur. Ai e vazhdoi aktivitetin duke u përpjekur të mos e ekspozonte këtë rast, gjë që do të ndikonte qoftë dhe moralisht te kolegët apo veprimtarët e lëvizjes ilegale. Ai e cilësoi atë që i ndodhi, thjeshtë si një bisedë informative që u ishte dashur ta kalonin mijëra kosovarëve. Rritja e tensionit në Kosovë për shkak të shkeljes së të drejtave e lirive themelore të shqiptarëve si dhe shkërmoqja e ish-Jugosllavisë e vunë në alarm Sërbinë. Agjentura sërbe nëpërmjet burimeve të saj arriti të interceptonte një organizatë ilegale të shqiptarëve, e cila po mblidhte fonde dhe blinte armë për një lëvizje të armatosur në Kosovë.



Basri Zuka:

"Unë kur e mora vesh çfarë i kishte ndodhur, i kërkova së paku të lëshonte një dëshmi me shkrim që të mbetej në dokumentacionin e arkivës sindikale. Mirëpo Remziu, si Remziu, i mësuar të mos ankohej asnjëherë nuk e pa të arsyeshme dhe nuk e shkruajti deklaratën, kështu që edhe sot ajo nuk është e dokumentuar nga lëvizja sindikale. Ai duket donte që të mos e bënte të madhe këtë rast për të mos dekurajuar dhe krijuar panik te kolegët e vet që të vazhdonin aktivitetin normalisht".



Arrestimi i një pjese të anëtarëve më aktiv të Frontit të Rezistencës, bëri që të kërkoheshin forma të reja bashkëpunimi me lëvizjen sindikaliste në Kosovë dhe të rritej konspiracioni për të mos përfunduar në duart e policisë sërbe.



Basri Zuka:

"Gjatë këtyre përpjekjeve për të kontribuar dhe në aspektin luftarak në mënyrë që të përgatitej populli për të ardhur deri te liria, kontaktet më të mëdhaja të sindikatës së Zejtarëve kanë qenë me Frontin e Rezistencës. Me rënien në burg të 19 aktivistëve, pjestarë të Frontit, që njihej në atë kohë si grupi i Pejës, u krijua një panik dhe në mesin e sindikalistëve, sidomos të atyre që ishin drejtpërdrejt të lidhur me Frontin, pasi dihej se çdo denoncim që do të bëhej do ta pësonin dhe ata. Më kujtohet një rast kur Remziu me Shefqet Maliqin patën ardhur te unë në Prishtinë dhe qëndruan një javë. Gjatë asaj kohe u informuan se kishte rënë në burg dhe Afrim Morina. Unë ashtu siç e njihja Afrimin, u mundova ti qetësoj duke u thënë se tani jam "i gëzuar" që është arrestuar dhe Afrimi, pasi sëpaku kanë për tu ndaluar arrestimet dhe burgosja e mëtejshme e shokëve të tjerë. Në të vërtetë u krijua një rrethanë që nuk ranë në burg kolegë dhe shokë të tjerë pas arrestimit të Afrimit, pasi ne e dinim që ai ishte i vendosur dhe nuk do të zbërthehej nga policia sërbe".



Gjatë qëndrimit në Tiranë, Remziu u angazhua që nëpërmjet delegacioneve të sindikatave që vinin nga Kosova, të përfshiheshin dhe aktivistë të lëvizjes ilegale. Në rastet kur aktivistë të tillë nuk mund të kalonin legalisht kufirin, Remziu merrte përsipër paisjen e tyre me dokumenta false apo qoftë dhe kalimin ilegal të kufirit shtetëror.



Basri Zuka:

"Me rastin e vizitës që bëmë në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1995, si delegacion i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës, ne, disa nga pjestarët e delegacionit nuk kishim pasaporta. Remziu insistonte se edhe ne duhej te shkonim në Shqipëri. Mirëpo, unë, Shefqet Maliqi dhe Kadri Kuka nuk kishim pasaporta. Unë as që e mendoja sesi mund të kalohej kufiri pa pasaportë. Remziu më siguroi duke më thënë hajde me mua se nuk ka problem. U nisëm dhe ai e organizoi punën duke na kaluar në kufirin maqedonas si jo më mirë. Por kthimi këndej ishte më problematik. Në Tiranë, nëpërmjet lidhjeve që Remziu kishte krijuar me sindikatat e Shqipërisë dhe faktorin politik atje, na e mundësoi që të marrim pasaporta shqiptare. Por kur erdhëm në kufirin maqedonas, menjëherë u hetuam, pasi ushtarët maqedonas dyshuan se ato pasaporta ishin false dhe se ne ishim shtetas kosovarë. Në këto kushte kufitarët maqedonas na kthyen pas në Shqipëri. Ne u detyruam të kthehemi pas dhe të qëndrojmë një natë në Pogradec për të provuar që ta kalonim kufirin në Shën Naum nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Tushemishtit. Kur shkuam në hotel, atë natë kishte qenë aty dhe një skuadër futbolli e Ferizajt, që kishte ardhur për të luajtur në Shqipëri dhe kishin mbetur pa para. Remziu u siguroi atyre para dhe hotel me paratë e veta".



Ndërsa Remzi Hoxha ishte angazhuar tërësisht në detyrat që i ngarkoheshin nga drejtuesit e lëvizjes guerrile në Kosovë, aktiviteti i tij nuk ishte lënë jashtë vëmendjes nga rrjeti agjenturor i shërbimit sekret sërb që vepronte në Shqipëri. Shërbimet sërbe dhe maqedone mbase nuk kishin mundësi për ta goditur direkt, por përdorën një taktikë tjetër, duke infiltruar agjentë të dyfishtë që me informacionet e tyre ngrinin dyshime për aktivitetin e tij në Shqipëri. Nuk dihet nga kush u vu në lëvizje Shërbimi Informativ Shqiptar, i cili nisi të survejonte dhe mbante në vëzhgim çdo lëvizje të Remzi Hoxhës, me pretendimin se ai mund të ishte një agjent i infiltruar nga shërbimi sekret sërb. Ngjarja që do të përmbyste përfundimisht fatin e Remzi Hoxhës, ndodhi vetëm dy javë përpara se ai të zhdukej. Remziu ndodhej në Pogradec për të kaluar matanë kufirit në Maqedoni, tre aktivistë të lëvizjes guerrile në Kosovë, të cilët nuk kishin dokumenta të rregullta.



Basri Zuka:

"Kur u çuam të nesërmen në mëngjes për të kaluar kufirin në Shën Naum, u bllokuam rrugës, pasi policia shqiptare kishte bllokuar qarkullimin e automjeteve në drejtim të Shën Naumit dhe Ohrit. Ne u kërkuam policëve pse na keni blloku rrugën, pse nuk po na lini me shku? Ata na thanë se rruga ishte bllokuar pasi do të kishte një vizitë të presidentit të Shqipërisë në atë kohë, Sali Berisha, i cili do të vinte në Pogradec. Kështu që nuk lejohej me kalu në atë drejtim. Ne u detyruam atëherë me shku në Tiranë, ku siguruam pasaporta të tjera me ndihmën e Remziut dhe u kthyem përsëri në kufi, por këtë radhë në Qafë Thanë. Sepse nga Qafë Thana na kishin kthyer një ditë më parë. Gjatë rrugës për në Tiranë, hasëm në kolonën e automjeteve që shoqëronte presidentin Sali Berisha, i cili ishte duke hyrë për në Pogradec. Jemi këmby me eskortën e presidentit diku në dalje të Pogradecit, jo më shumë se 15 minuta me veturë nga qyteti. Atë ditë e mbaj mend se ka qenë dita e Bajramit. Shokët tanë kishin kaluar kufirin për në Kosovë. Pasi kishim mbetur Remziu, unë, Shefqet Maliqi dhe Kadri Kuka. Kur erdhëm në kufi, në Qafë Thanë, për fat të mirë, na lejuan për të kaluar kufirin sepse pasaportat kufitarëve ua tregoi Remziu dhe natyrisht u ofroi diçka, kështu që kaluam pa pengesa. Mirëpo për fat, u ndamë aty sapo kaluam kufirin dhe na humbi lidhja me Remziun. Mbetëm vetëm unë dhe Shefqeti, ndërsa Remziu me Kadri Kukën u kthyen pas".



Koeçidenca e vizitës së presidentit Berisha në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend ku ishte njoftuar më parë një takim i presidentit të Sërbisë, Sllobodan Millosheviç dhe presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov, e bëri Remziun të dyshonte. Ai pasi kaloi matanë kufirit aktivistët e Frontit të Rezistencës, u kthye për të ndjekur çfarë do të ndodhte në afërsi të kufirit shqiptaro-maqedonas. Takimi Millosheviç-Gligorov pritej të bëhej shumë pranë kufirit, në Shën Naum, ku ndodhet rezidenca verore i ish-liderit të Jugosllavisë Josif Broz Tito. Bllokimi i rrugës drejt Tushemishtit që të nxjerr në Shën Naum e nxiti Remziun të bëhej vigjilent për të zbuluar çfarë do të ndodhte.



Basri Zuka:

"Kur mbërritëm në Kosovë, unë mësova se të njëjtën ditë ishte bërë një takim i Millosheviçit me Gligorovin në Ohër (në ish-rezidencën e Titos në Shën Naum). Sapo dëgjova lajmin nga televizori, se Millosheviçi është takuar me Gligorovin në Ohër, më lindi dyshimi se edhe presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka qenë pjesëmarrës në atë takim dhe mbeta në një situatë pak të palakmueshme pasi nuk dija si të veproja. Ta lajmëroj rastin apo të mos e lajmëroj rastin".



Nuk dihet me saktësi se çfarë informacioni arriti të mblidhte atë ditë Remzi Hoxha, por ai njoftoi kolegët e vet të lëvizjes guerrile në Kosovë për atë që kishte parë. Për këtë takim ai njoftoi sekretarin e Sindikatës së Zejtarëve të Kosovës dhe njëherësh aktivist i Frontit të Rezistencës Basri Zuka. Remziu i kërkoi Zukës që për këtë takim të vinte në dijeni dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës Ibrahim Rugova, në mënyrë që ia të ishte në korent për atë që po ndodhte.



Basri Zuka:

"Unë personalisht të nesërmen në orën pesë pasdite, i dorëzova zyrës së presidentit Rugova një shkresë në të cilën e njoftova mbi dyshimin se në atë takim ka qenë dhe presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha. Atë shkresë e dorëzova si sekretar i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës. Adresë nuk pata lanë. Në ora 22.30 në mbrëmje shefi i protokollit të presidentit Rugova, Adnan Merovci, më merr në telefon dhe më kërkon një takim. Unë ia konfirmova takimin dhe u takum me të pas një gjysmë ore nga ora 23.00 në mbrëmje. Kur u takuam ai më pyeti pse nuk ke treguar më herët. Unë i thashë se nuk njoftova më herët për të mos shkaktuar telashe mes Rugovës dhe Sali Berishës. Se mund të ndodhte që nuk e kishin njoftuar njëri-tjetrin dhe për shkak të atij dyshimi kam hezitu që ta lajmëroj rastin. Ndërkohë ai më tha se ishte i interesuar që të njihej me mua në mënyrë që ta dinte se a jam person i pjekur apo thjeshtë kam shantazhuar. Unë ia shpjegova rastin se si ka qenë dhe ai nisi të dyshonte se vërtetë mund të ketë qenë një takim i përbashkët ndërmjet Millosheviçit, Gligorovit dhe Sali Berishës".



Mbetet mister fakti, nëse pas informacionit të siguruar nga Remzi Hoxha, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova pati ndonjë takim apo informoi presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha. E vërteta është se vetëm pas dy javësh nga ky informacion që iu dërgua presidentit të Kosovës, Rugova, Remzi Hoxha u rrëmbye nga agjentët e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, u torturua dhe u zhduk pa lënë gjurmë në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës.



Basri Zuka:

"Për fat, për fat, ajo shkresë të cilën ia kam dorëzuar QIK-ut (Qëndra për Informim e Kosovës) ashtu quhej më duket, pranë selisë së LDK-së. Kam patur dhe një kopje të saj, por për fat, pas interesimit të familjes së Remziut, pas arrestimit dhe zhdukjes në vitin 1995, një nga vëllezërit e tij si duket e ka humbur dhe s'kemi mundur me e gjet më atë dëshmi. Ajo dëshmi duhet të jetë gjend diku. Ndoshta, ndoshta dhe ajo mund të jetë një nga pretekstet që kanë çuar në gjurmimin e Remziut se kush ka qenë Remziu. Ndoshta kanë mendu se Remziu qenka një person të cilit nuk i intereson çështja kombëtare, gjë që s'ka kurfarë vërtetësie. Përkundrazi për kët takim që e njoftova unë presidencën, atëherë selinë e LDK-së, me qëllimin më të mirë e kam njoftuar që të kordinohen mes vetit dy kryetarët e shteteve, në mënyrë që të mos vijmë në situatë që dikush shkon në një drejtim dhe tjetri në tjetrin drejtim".

______



Në vijim mund të lexoni një bisedë të zhvilluar nga Nebih Hoxha (vëllau i Remziut)

me Avdyl Loshajn( personi i cili ishte rrëmbyer nga SHIK’u në vitin 1995)



“Gazeta Shqiptare” boton më poshtë pjesë të transkriptuara nga kjo bisedë:



Avdyl Loshaj: “Firmosa çka donte SHIK-u”



Foto: NH (Nebih Hoxha) dhe AL(Avdyl Loshaj)




Avdyl Loshaj: ”Nëse s’nënshkruaja çfarë më thoshin, kërciste dajaku”. Pas shumë vite kërkimesh familjarët e Remzi Hoxhës kanë mundur ta gjejnë Avdyl Loshajn në Hollandë. Vëllai i vogël i Remziut, Nebiu ka kryer një bisedë të gjatë me të.



NH (Nebih Hoxha), AL(Avdyl Loshaj)



NH: Çfarë preteksti, çka t’kan akuzu, për çka t’kan mundu ma tepër? Ç’ka kan dashtë me nxjerrë prej teje, a t’kujtohet?

AL: Vetëm për atentatin e Prel Martini. M’kujtohet emri, atentatin e Prel Martinin edhe Zef Brozit para Gjykatës së Kasacionit. Vetëm për qeto dy sene, m’kujtohet.



NH: Qëllimi im asht, nëse ke mundësi, diçka rreth ngjarjes së Remziut. Personat që janë të akuzuar si të dyshimt, nëse ki dijeni e mundsi diçka me m’ndihmu e me m’tregu rreth tyre?

AL: Sa i përket atyne emrave që i kum lexue në atë gazetë, n’at artikull a kupto, nuk jamë n’dijeni për asnja, vetëm çka mund t’jem n’dijeni për disa fytyra të tyne, pranë gjykatës, nëse vjen puna që të dalë ndonjëherë para gjyqit. Edhe kur të vjen puna, para gjyqit, kamë dëshirë që të dëshmoj mi at çka asht ushtruar mbi trupin tonë. Se nuk ua falë dot. Personat, ftyrat e SHIK-ut të asaj periudhe duhet të jepin përgjegjësi. SHIK-u, kush ka qenë prezent e krejt të tjerët. Historia e ba t’vertetën, e qet t’vërteten vetë n’shesh.



NH: A je i gatshëm, domethanë, nëse e rregullojmë punën e udhtimit, ose nëse i rregullojmë dokumentacionin, me ardhë deri atje në Shqipëri, me ardhë para ligjit në nji mnyrë?

AL: Jam i gatshëm, po e kam edhe nji frikë që do t’më ndodhë ndoshta, kam akoma frikë nga ndonji progrek a proserb?



NH: Unë, t’them t’drejtën, kam biseduar me njerëz zyrtar atje (në Shqipëri), e m’kan premtu që nëse vjen puna që të dalësh para ligjit, ta sigurojnë d o m e t h a n ë udhëtimin deri atje, prej aeroportit në gjykatë, edhe prap je i sigurt edhe nga organet shtetërore, sepse tash, në fakt, ligji është duke funksionuar si asnjiherë deri m’tani. E qëllimi im ësht që ky, domethanë nëse veç rregullohet puna e udhëtimit, se unë kam qenë mbrenda ktyre tre katër mujve tre here. E kam njifar garancie, edhe e kam njifar shprese, qi rasti i vllaut tonë mund të ndriçohet. Ja tash ja kurrë, se nëse nuk ndriçohet tash, ajo veç merr kahje tjetër edhe mund t’mos zbulohet asnjiher. Vetëm n’dorë të Zotit, nëse zbulohet ndoj herë.

AL: Sa i përket rastit të vllaut tand, i vetmi shpëtim i imi asht që jam hedhë nga tre kate e gjysmë, nga torturat ma çnjerzore që ekzistojnë, që as as çetnikët nuk ti ushtrojnë në trup, të njeriut. E kupto? I vetmi...



NH: A t’kan shti me nënshkru diçka?

AL: Po, po, çdo deklaratë qe e kanë ndrru, dhe kan dash me e nënshkru. Se bana me dëshirë, pa dëshirë kërsitke dajaki! E dajaki n’Shqypni ishte veç me hu, me shkop druni, nga organet kompetente. M’kan shti me pi, e kan mbushë shishen plot ujë me kripë, dhe e kan perzi. Ma kan dhënë ashtu me pi, që të mbarojsha prej etjes! Nuk e disha ça me ba, a tek me ba?! E njejta gja, e ujit, m’ka ndodhë edhe n’Suboticë! Pra ça t’them!? Kam dëshirë , që një ditë të dali kjo n’shesh. Edhe do të dali. Jam shum optimist për këtë punë. Kam vujt shumë. ( Gazeta shqiptare - 12. 03. 2008)


__________________

Edhe pse Avdyl Loshaj, ka thenë se do të vijë në Shqipëri, për të dëshmuar lidhur

me rastin e Remzi Hoxhës, megjithatë nuk ka ardhur, sepse kishte frikë nga SHIK’u.

Lexoni shkrimin në vijim:



Kam frike nga SHIK-u, nuk vij ne Shqiperi

Dhe

Si u përdor Vaini i Lezhës nga SHIK-u, dëshmojnë rojet

___________________

Shikoni dëshmitë e prezentuara në procesin gjyqësor lidhur

me rastin e Remzi Hoxhës.

Klikoni KETU

_______________________

Kryeministri aktual i Shqipërisë londineze - Sali Berisha, në shtator të vitit 1993 është takuar edhe me ish-kryeministrin e Malit të Zi - Momir Bullatoviç, njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sllobodan Millosheviçit. Cili ishte çëllimi i takimit?! Lexoni: Si u zhvillua takimi Berisha - Bulatoviç më 15.09.1993?, për më tepër lexoni të TË BËMAT E SALI BERISHËS me binomin kriminal Fazlliç-Mishkoviç pas ardhjes së tij në pushtet, në vitin 2005!!!



Klasa politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri duket se është nën kontrollë të mafias politike dhe ekonomike ndërkombëtare.

Shikoni: Rrëfimin për mafien në Ballkan…!



Përgatiti moderatori i www.pashtriku.org