Arkeologë shqiptarë dhe zviceranë kanë zbuluar së fundi gjurmë të një muri 2400 vjeçar në qytezën antike të Orikut, një qendër e rëndësishme në atë periudhë që ndër të tjera ka shërbyer edhe si port kryesor për rajonin e Vlorës.
Prej një muaji, qyteza antike rreth 25 kilometra në jug të Vlorës, është bërë arenë kërkimesh për një mision të përbashkët shqiptaro- zvicerian, që drejtohet nga arkeologët Vasil Bereti e prof. Jean Paul Descoeudres. Në përbërje të këtij misioni janë 11 studiues e studentë të Universitetit të Gjenevës dhe 10 punonjës shqiptarë.
“Kërkimet kanë synuar gjithmonë për të gjetur shtresën më të hershme të qytezës antike”, tha sot për ATSH-në Vasil Bereti, drejtues i palës shqiptare. Puna, sipas tij, filloi në pjesën veri perëndimore ku muri vazhdon për disa metra.
"Gjatë gërmimeve u ndeshën gjurmë të murit që përkon me shekujt IV- III para Krishtit, apo të periudhave të mëvonshme të Justinianit", tha Berati, duke shtuar se "gjatë punës u ndeshëm me një material të pasur arkeologji, si dhe zbuluam amfora që u përkasin periudhave më të hershme, shekujve VI dhe V para Krishtit, dhe kanë shërbyer për transport vaji ose vere.
Ndërtimi i jashtëm i murit vazhdon me tre radhë dhe vende- vende paraqitet i dëmtuar. Qeramika e pasur, ku dominojnë amforat, një pjesë e të cilave u zbuluan në gërmimet e një viti më parë, krijon mundësi për një perceptim më të gjerë e të plotë të përcaktimit të hershmërisë së qytetit antik të Orikut.
Drejtori i Parkut Arkeologjik Kombëtar Amantia-Orikum, Gëzim Llojdia, thotë se me zbulimin e këtij muri krijohet një potencial tjetër për qytetin antik të Orikut, gjë që me siguri do të reflektojë në shtimin e numrit të vizitorëve.
Gërmimet e këtij viti në Orik, pasojnë ato të 2008-ës, që u fokusuan në njohjen magnotomerike të zonës së nekropolit, në mënyrë që të ridokumentoheshin varret e zbuluara deri sot, si dhe për të saktësuar shtrirjen e sipërfaqes së varrezës. Ekspedita realizoi 15 sondazhe në pjesën jugore të kodrës së Orikut, përmes të cilave u testua një hapësirë me përmasa 113x30 metra.
Qyteti antik i Orikut përmendet për herë të parë nga historiani grek Skylaksi, në shekullin VI-V para Krishtit në veprën e tij "Lundrimi", ku ai përcaktohet me emrin Jeriko. Gjurmët e qytetit antik të Orikut (Pashalimani i sotëm), gjenden në pjesën më jugore të gjirit të Vlorës, 42 km në jug të Apolonisë, në një skelë të futur brenda kodrës që mban emrin Paleokastër, me një lartësi prej 20 metrash mbi nivelin e detit.
Kodra e Paleokastrës, në pjesën më të lartë të saj, ka një shesh ku ishte vendosur qyteti antik. Nga veriu ajo vjen pak e thepisur ndërsa nga lindja, deri në afërsitë e kënetës, zbret përmes dy tarracave natyrore të ngushta.
Në tarracën e sipërme shfaqen gjurmë gdhendjesh në shkëmb, të cilat sipas drejtorit Llojdia ”janë teprica të ndërtesave të ndryshme të qytetit”. Në këtë pjesë, ngjitet për në akropol, një rrugë me gjatësi 10.8 metra dhe gjerësi 2.40 metra, e cila është e ndarë në 27 shkallë të gdhendura në shkëmbin natyror.
Kodra e Paleokastrës, me një sipërfaqe prej 5 hektarësh, qarkohej prej një muri mbrojtës me gjatësi 950 metrash. Në pjesën e sipërme të kodrës ndodhej një mur i dytë, i cili krijonte akropolin. Veç tyre, një tjetër mur i tërthortë, me drejtim lindje-perëndim e ndante kodrën në dy pjesë simetrike me njera tjetrën, duke krijuar një sistem mbrojtës të përbërë prej 4 seksionesh të veçuara të cilat komunikonin mes tyre. Nga pikëpamja urbanistike qyteti i Orikut ishte i tipit ”me akropol në mes”.
Oriku u shfrytëzua prej romakëve në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonasve dhe luajti një rol të rëndësishëm në Luftën Civile mes Çezarit e Pompeut.
Flota maqedone e Aleksandrit të Madh e pushtoi Orikun në vitin 214 para Krishtit, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se Teatri Antik i Orikut, me kapacitet deri në 400 vende, i ndërtuar në shek III-II para Krishtit është identik me atë të Trojës. Ai është përdorur për mbledhje publike, për shfaqje të ndryshme dhe në epokën romake (shek III-I para Krishtit), u shfrytëzua për të organizuar ndeshje me gladiatorë dhe kafshë të egra.
40 metra në jugperëndim të Teatrit ndodhet Altari, ku flijoheshin kafshë të ndryshme për nder të perëndive. Në faqen lindore të Akropolit zbresin dy palë shkallë të gdhendura në trupin shkëmbor të kodrës, me gjerësi 2.5 metra, që kufizojnë ambiente godinash publike, të skalitura thellë në gurë.
Gjithashtu, në hapësirën e qytetit janë zbuluar edhe pesë puse me thellësi deri në 20-23 metra që shfrytëzoheshin për ujë të pijshëm në ato raste kur ujësjellësi binte në duart e armikut. Mes tyre përfshihet dhe Pusi i Shenjtë, një nga objektet më të rëndësishme të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, ndërtimi i të cilit daton në shekullin V para Krishtit. Ai ka një thellësi prej 12 metrash. Në të kryhej riti i mbushjes së ujit, përpara se të kryhej riti i blatimit të dhuratave ndaj hyut (perëndisë), në Tempullin e Apollonit.
Gërmimet e fundit në Orik datojnë të paktën 22 vjet më parë, kur u zbuluan një pjesë e amfiteatrit, nekropoli, shkallët që të çonin tek akropoli, etj. Pjesa më e madhe e gjurmëve të këtij qyteti ndodhen nën tokë dhe nën sipërfaqen e ujërave të lagunës që gjendet shumë pranë. Në ditët me mot të kthjellët, një pjesë e rrënojave reflektojnë në sipërfaqen e ujit. Oriku përjetoi një zhvillim të vrullshëm gjatë periudhës së pushtimit osman, për shkak edhe të pozitës gjeografike.
Qyteti antik i Orikut, si pjesë e Parkut Kombëtar Arkeologjik Amantia-Orikum, vlerësohet si një objekt me vlera në funksion të zhvillimit të turizmit. Veç formave të njohura, siç janë ato të përgatitjes së fletëpalosjeve e materialeve të tjera, për promovimin e tij shfrytëzohet interneti, kontaktet me agjenci turistike lokale, kombëtare etj. Në janar të vitit 2006, qyteti antik i Orikut u shpall Park Arkeologjik Kombëtar.
marr nga ShtypiDites
Krijoni Kontakt