Hashim Thaçi kërkon takim me Zoran Gjingjiqin
Sipas burimeve të “Kohës ditore”
PRISHTINË, 26 JANAR - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, kohëve të fundit përmes kanaleve të ndryshme të ndërmjetësimit ka kërkuar takim me kryeministrin e ri serb, Zoran Gjngjiq, mbështetur në burime të sigurta të “Kohës ditore”. Kjo iniciativë e kryetarit Thaçi vjen pas iniciativave të ngjashme të ndërmarra vitin e kaluar me ndërmjetësim në Maqedoni, e të cilat nuk u realizuan atëbotë, bëjnë të ditur këto burime. Sivjet, ndërkaq, iniciativa e re behet me ndërmjetësimin e personaliteteve serbe në Beograd që kanë pasur, apo kanë lidhje me Kosovën, bëjnë të ditur burimet. Po sipas këtyre burimeve thuhet se takimi është propozuar që të mbahet në Mal të Zi, ndërkohë që nuk dihet saktësisht se kur do të mund të mbahet një takim i tillë. Ndërkohë që nga PDK-ja është mohuar inicitiva për takime të tilla. Shefi i Zyrës së informacionit në PDK ka deklaruar se parimisht nuk përkrahin idenë e takimeve me zyrtarë të Beogradit për biseda rreth Kosovës. Ismalj Syla, shef i Zyrës së informacionit nga PDK-ja thotë se faktori ndërkombëtar mund t’i zhvillojë këto bisedime, ndërkaq që vendësit, “do të mund të fillonin bisedimet vetë në rast të mbajtjes së ndonjë konference të garantuar nga faktori ndërkombëtar”. Megjithatë ai nuk ka përjashtuar mundësinë që iniciativat për takime me liderët e Kosovës të përdoren “si kartë e gjallë për të mbetur në pushtet” nga ana e Gjingjiqit. “Në këtë kohë kemi një konfiguracion të çuditshëm në Serbi. Një Koshtunicë që po ngritet për shkak të nacionalizmit të tij dhe një Gjingjiq me autoritet në rënie, i cili duke ditur interesat e bashkësisë ndërkombëtare, e përdor Kosovën dhe takimet me liderët e saj për të përfituar për pozitën e vet në rënie”.
_________________________
Mani
Krijoni Kontakt