ELBASAN- Dega e Tatimeve në Elbasan ka depozituar në gjykatë 16 subjekte për fillimin e procedurave të falimentit. Sipas Administratës Tatimore, këto subjekte rezultojnë debitore prej vitesh, shfaqin një bilanc me humbje dhe nuk kanë shlyer detyrimet përkatëse.


Kreu i tatimeve, Skëndër Daja, shprehet se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore në bazë të ligjit për hapjen e procedurës së falimentit. Subjektet që rezultojnë me një bilanc me humbje për më shumë se 3 vjet janë renditur në listën për shpalljen e falimentit.


Aktualisht kërkesat për firmat janë depozituar në gjykatë dhe kjo e fundit pritet të vazhdojë procesin ligjor për shpalljen e falimentit të firmave. Sipas Dajes, pjesë e kësaj liste janë firma kryesisht në shfrytëzimin e pyjeve, transportit por edhe firma ndërtimi. Ndër këto firma që ka nisur procesi i falimentit janë "Kuqja Oil", "Ago 2006", "Haka", "Shqiponja G", "Gostima 2003", "Arjel", "Mak-Mak", "Lili 06".


Në listë gjithashtu janë edhe biznese që kanë lidhje me shtetin, si Uzina e Seleksionim Metaleve, Uzina e Nikel Kobaltit, Llixha-Qendra Balneare etj. Për këto firma për të cilat është dorëzuar edhe hapja e procesit të falimentit nga dega e tatimeve ka ende një mundësi për të tërhequr kërkesën në rastin se gjykata nuk ka dhënë një vendim të formës së prerë. Subjekti duhet të shlyejë detyrimet e praprambetura dhe t'u vërtetojë organeve tatimore për një bilanc me fitim apo mundësi për shlyerjen e detyrimeve.


referene: http://www.shekulli.com.al/2009/09/1...-faliment.html