Itali, kërkon të hapësh një restorant, duhet testi i gjuhës
Autori i Lajmit: Redaksia
Milano - “Test për aftësinë në gjuhën italiane për të gjithë emigrantët që dëshirojnë të hapin një bar apo restorant”. Ky është propozimi më i fundit në vazhdën e propozimeve dhe deklaratave antiemigrantë të “Lega Nord” në Itali. Sipas propozimit të bërë prej një zyrtari të lartë të kësaj partie në zonën e Lombardisë, duhet modifikuar ligji aktual mbi tregtinë. “Të dish italishten është e domosdoshme në një ambient publik, aq më tepër kur u ofron produkte të tjerëve. E gjithë masa duhet ndërmarrë për më tepër për shëndetin e konsumatorëve”, - ka deklaruar Fabrizio Cechetti në një tubim të forcës që përfaqëson. Gjithnjë e më tepër, argumenton këshilltari rajonal, klientët humbasin shumë përbërës në pjatë për shkak se vuajnë nga alergjitë dhe irritime nga ushqime të ndryshme. Kjo sipas tij, mund të shkaktojë një situatë të pakëndshme në restorant që mund të vërë në rrezik dhe shëndetin e një konsumatori. Cechetti përfundon duke theksuar që niveli i italishtes që duhet të ketë një emigrant, nuk duhet ekzagjeruar, por mjafton që ai të marrë certifikatën e nivelit të parë (A1). Shumë kritikë e kanë quajtur provokative një nismë të tillë të “Lega Nord”-it, madje Cechetti kërkoi dhe ndryshimin e nenit 41 të Kushtetutës. “Neni 42 sanksionon që iniciativa ekonomike është private dhe e lirë, por nuk mund të jetë në kundërshtim me nevojën sociale apo kur ajo vë në rrezik sigurinë”, - theksoi më tej Cechetti. Sipas zyrtarit të lartë të kësaj partie, emigrantët mund të ndjekin dhe një kurs profesional ose dhe të komunës, mjafton që ai të ketë kompetencat e lëshimit të një diplome që njihet nga Akademia. Cechetti thotë se për emigrantët kjo nuk do të jetë një problem. “Shpesh ne gjendemi përballë personave ekstrakomunitarë që flasin gjuhën italiane shumë herë më mirë se ne që e kemi gjuhë nëne. Ne do të presim votimin rajonal për të parë dhe rezultatet politike të këtij propozimi”, - përfundoi juristi i Legas.
Krijoni Kontakt