Kryeministri Sali Berisha foli dje për herë të parë për zhvlerësimin e monedhës kombëtare euro dhe bëri të qartë se për të "ky kurs është plotësisht i pranueshëm", ndërsa ia hodhi fajin për zhvlerësimin euros, që sipas tij "bën presion mbi monedhat tona". Berisha foli në takimin rajonal të guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve fqinje, organizuar nga Banka e Shqipërisë. Kryeministri bëri thirrje që vendet e rajonit "të dorëzohen" dhe të fillojnë të përdorin euron si monedhë zyrtare.
"Kjo monedhë e mbështetur në ekonominë më të madhe të botës, siç është ekonomia e Bashkimit Europian, bën presion mbi monedhat tona. Unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita kur ne duhet të dorëzohemi. Nuk do ta vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, nuk na mbetet rrugë tjetër", tha Berisha dje.
"Vendet tona, që jemi jashtë anëtarësisë së Bashkimit Europian, kanë gjithsej 1 për qind të prodhimit të brendshëm të Bashkimit Europian. Atëherë është e domosdoshme që disa marrëdhënie financiare, me Bankën Qendrore Europiane, duhet të negociohen", vijoi ai.
Alibi për lekun e dobët
Ekspertët financiarë në Tiranë u surprizuan nga deklarata e Kryeministrit. Shumica dërrmuese e analistëve e lidhin zhvlerësimin e lekut me shpenzimet e mëdha të qeverisë gjatë dy viteve të fundit, kur deficiti buxhetor ka qenë mbi 6 për qind të PBB-së. Edhe Banka e Shqipërisë publikoi pak javë më parë një studim ku vinte në dukje faktin se deficiti i lartë buxhetor është shkaktar i deficitit të llogarisë korrente (hyrje-daljeve valutore në Shqipëri) dhe për rrjedhojë, deficiti buxhetor është edhe fajtor për dobësimin e lekut. Por Kryeministri Sali Berisha mendon ndryshe. Sipas tij, euro si monedhë e fortë ushtron presion mbi monedhat e vendeve të vogla.
Duke i paraprirë çdo debati të mundshëm mbi këtë çështje, Berisha foli edhe për euroskeptikët.
"Ekonomitë tona po eurizohen, normal. Kjo nuk mund të them që është një gjë e keqpritur, se ky është destinacioni ynë, por kur shoh që edhe skeptikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç‘mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo", tha Kryeministri.
Anëtarësimi në eurozonë
Vendet që krijuan euron, ranë dakord në vitin 1992 që të mbajnë borxh të ulët publik prej 60 për qind të PBB-së, si dhe të mos e tejkalojnë deficitin buxhetor vjetor në më shumë se 3 për qind të PBB-së. Tetë vite më vonë, kur të gjitha vendet anëtare respektuan këto kritere, euro lindi si monedhë. Greqia, e cila nuk i plotësoi kushtet, priti edhe dy vjet. Vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian vijojnë të përdorin monedhat e tyre kombëtare, pasi nuk i kanë plotësuar kushtet e konvergjencës për kohë mjaftueshmërisht të gjatë sa të jenë të besueshëm. Pranverën e këtij viti, kur u pa se kriza financiare në vende si Rumania, Hungaria etj., rrezikonte të shkatërronte vetë monedhën euro, shumë politikanë dhe ekonomistë bënë thirrje që këto vende të pranoheshin në eurozonë pa i plotësuar kushtet, si një ilaç kundër krizës. Por Banka Qendrore Europiane e bëri të qartë shpejt pas hapjes së debatit qëndrimin e vet: "Kurrë. Vendet e interesuara për integrim në euro duhet të qëndrojnë në ‘paradhomën‘ e anëtarësimit, në sistemin e quajtur EMS II".
Pavarësisht këtij qëndrimi të qartë dhe të prerë të BQE-së, gjatë javëve të fundit në Shqipëri është rishfaqur debati nëse vendi duhet të anëtarësohet apo jo në eurozonë. Në fakt, Shqipëria nuk e ka opsion për të zgjedhur integrimin.
Anëtarësimi i njëanshëm
Kosova dhe Mali i Zi kanë zgjedhur vite më parë të heqin dorë nga e drejta e emetimit të monedhës kombëtare (biznesi më i madh që krijohet me shpalljen e pavarësisë), dhe përdorin euron në mënyrë të njëanshme. Të dyja vendet nuk kishin zgjidhje tjetër në atë kohë. Mali i Zi ishte ende pjesë e ish-Jugosllavisë dhe ekonomia e saj qe vrarë nga hiperinflacioni i kohës së luftës. Kosova nuk qe vend i pavarur. Më e rëndësishmja, të dyja vendet, ngaqë dolën nga lufta, kishin nivel kursimesh zero. Vendet e tjera, të cilat nuk kanë dalë nga katastrofa dje, nuk e kanë opsion zbatimin e njëanshëm të euros. Shqiptarët, për shembull, kanë 350 miliardë lekë depozita në sistemin bankar dhe një zbatim i njëanshëm i euros nënkupton zëvendësimin e këtyre depozitave në euro. Por kjo gjë nuk mund të bëhet, sepse qeveria nuk zotëron sasi të tilla euroje.
Stresi i zhvlerësimit të monedhës
Leku shqiptar ka humbur 8.2 për qind të vlerës së vet kundrejt euros gjatë këtij viti. Për pasojë, dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë kredi në euro po paguajnë më shtrenjtë. Çmimet e mallrave dhe shërbimeve po rriten gjithashtu. Por sipas Kryeministrit, kursi aktual është i pranueshëm.
"...ka një luhatje të kursit të këmbimit. Euro, duhet të jemi realistë, po bëhet një problem madhor për ekonomitë tona, në mënyrë të përsëritur mendoj, jo për shkak të kursit, se ky kurs është plotësisht i pranueshëm...", tha Berisha dje.
Banka e Shqipërisë paralajmëroi për herë të parë për rrezikun e zhvlerësimit të lekut në fillim të vitit 2008. Që nga ajo kohë, qeveria ka vijuar të mbajë deficit buxhetor në nivel të lartë. Këtë vit, qeveria rriti pagat dhe pensionet me 10 për qind, ndërkohë që të ardhurat buxhetore janë rritur me vetëm 7 për qind. Kjo rritje e shpenzimeve buxhetore nuk mund të sjellë asgjë tjetër veç zhvlerësim të monedhës kombëtare.
Krijoni Kontakt