http://www.youtube.com/watch?v=_dziS...e=channel_page
Encikplopedia e Shkupit. Albanologët: Plot me trillime. Ja e vërteta!
Të gjendur përballë studimit të akademikëve të Maqedonisë që kanë hartuar një Enciklopedi ku shqiptarët “urrehen”, albanologët shprehen zyrtarisht të shqetësuar për këto fakTe “trillime” sic i quajnë ata. Me fakte historike ata u tregojnë maqedonasve se kush ka jetuar në të vërtetë në trojet e tyre historike. Albanologët u bëjne thirrje homologëve maqedons që “dhuna” të mbetet vetëm në histori dhe të mos përcillet në gjeneratën e re maqedonse që po tenton të krijojë identitetin e kombit të vet
ENCIKLOPEDIA, SI I FYEN SHQIPTARET
ALBANOLOGET E PLOTE
REAGON PRISHTINA
REAGIME NGA SHKUPI
STUDIUESIT SHQIPTARE
TIRANE-Qëndra e Studimeve Albanologjike në Tiranë shprehet e alarmuar me trillimet që boton Enciklopedia e Akademikëve të Maqedonisë për kombet e tjera, si në rastin më konkret, shqiptarët. Në një reagim të fortë, albanologët i janë përgjigjur tezës së maqedonsve me fakte historike duke i kritikuar se po dëshmojnë se “e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese”.
“Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ashtu si dhe institucionet e tjera shkencore shqiptare, alarmohen nga rishfaqja në Ballkan e metodave tendencioze antishkencore me frymëzim nacionalist, të cilat minojnë urat e miqësisë dhe të solidaritetit ndëretnik që shtetet tona po përpiqen të ndërtojmë”, shprehet në një deklaratë për shtyp Qëndra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë pohon se liria akademike është gjithçka tjetër, përpos liri për të mashtruar. “Shkenca shpeshherë mund të jetë e ashpër në afirmimin e së vërtetës, por ajo nuk mund të jetë shkencë kur merr përsipër të fabrikojë fiksion dhe të prodhojë urrejtje”.
Studiuesit shqiptare shpjegojne se gjuha shqipe eshte prova e qarte qe tregon vjetersine e popullit tone. "Zhvillimi historik i gjuhës shqipe dëshmon qartë për praninë e pandërprerë të faktorit shqiptar në trevat ku shqiptarët banojnë sot. E faktojnë këtë sidomos marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me greqishten e vjetër, me latinishten, me rumanishten dhe me gjuhët sllave".
Sipas albanologëve, shkencat historike e arkeologjike kanë provuar me kohë se Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, popullsia e së cilës ishte heterogjene dhe përbëhej nga helenë, trakë e ilirë.
Ndaj sipas tyre, rimarrja, së fundi, nga studiues maqedonas e tezës së vjetër të një “ekspansioni të dhunshëm demografik” të shqiptarëve, pa sjellë kurrfarë argumenti të qenësishëm, tingëllon mjaft arkaike në kushtet e sotme. Sipas albanologëve me trillimet dëshmohet qartë se “Është e kuptueshme që kombi i ri maqedon, që e fitoi të drejtën shtetformuese mbas shembjes së Murit të Berlinit, ndodhet ende në fazën e ndërtimit të identitetit të vet”. “Për fat të keq, botimi akademik i “Enciklopedisë maqedonase”, në vend që të ndërtojë një identitet të ri dhe të qëndrueshëm maqedon për të gjithë, padit një krizë të fortë identiteti”.
Albanologët shprehen se për fat të keq studiuesit maqedons duket se nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara e hidhur e afërt, kur dokumente të ngjashme pseudoshkencore të Akademikëve serbë, sipas albanologëve u përdorën prej ultranacionalistëve shovinistë për të përgatitur fushatat e konflikteve dhe spastrimin etnik në ish-Jugosllavi, duke frymëzuar ndër të tjera genocidin kundër shqiptarëve të Kosovës dhe revoltat e armatosura të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Akademikët maqedonas po dëshmojnë se e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese”, citohet në deklaratën e sotme për shtyp.
Sipas tyre me trillime antishkencore dhe denigruese ndaj kombeve të tjerë nuk i shërbehet integrimit dhe prosperitetit të popujve ballkanikë. Në këtë pikë albanologët bëjnë thirrje se pjesa e dhunshme e historisë së copëtuar të Ballkanit, duhet thjesht të mbetet në histori.
Reagimi i albanologeve shqiptare vjne pasi Akademia e Maqedonisë publikoi një enciklopedi para pak ditësh ku në pjesën për shqiptarët përdor termat "arbanasi", "arnautë", "shiptari" me interpretimin se shqiptarët janë njerëz të ardhur nga malet. Më tej thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë dyndur në shekullin e 16-të dhe 18-të e deri pas luftës së Dytë Botërore duke e ngushtuar popullatën maqedonase, duke e terrorizuar atë dhe dëbuar nga vatrat e tyre.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt