Nga Express më 15.09.2009 në ora 21:09
Në një aksion të përbashkët të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në Javorë të Suharekës janë gjetur dhe konfiskuar 273 mina të llojit MK-8 dhe të një lloji tjetër ende i panjohur.

Kjo zonë pas lufte është kontrolluar nga KFOR-i, ndërsa ka qenë një nga pikat kryesore të policisë serbe gjate luftës.

Njësitit i krimeve rajonale të policisë së Prizrenit ka ndërmarrë një operacion në fshatin Javorë të komunës së Suharekës dhe ka rënë në gjurmët e një arsenali të tërë të minave MK-8 dhe të një lloji tjetër ende i panjohur, ka njoftuar policia.

Sipas drejtorit të policisë rajonale, Nexhmedin Krasniqi, ky armatim i rëndë, tepër i rrezikshëm për atë zonë, është vërejtur së pari nga një banor i kësaj anë, i cili ka lajmëruar stacionin policor të Prizrenit.

Pas inspektimit të terrenit nga Njësiti i krimeve rajonale është njoftuar njësiti i KFOR-it për deminim, i cili ka dalë menjëherë në vendngjarje dha ka bërë bartjen e armatimit për asgjësim.

Sipas drejtorit të policisë mendohet se një sasi kaq e madhe e këtij armatimi nuk mund të jetë futur nga pikat kufitare, por mund të ketë qenë brenda rajonit të Prizrenit. Rasti është nën hetim, derisa të mësohet origjina e dhe futja e këtij armatimi.