-
Nënat e personave të humbur ndërpresin grevën e urisë

Nga Dafina Myrtaj më 15.09.2009 në ora 13:22
(Update) Familjaret e personave të pagjetur e kanë ndëprerë sot grevën e urisë, pas një takimi që kanë zhvilluar me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.
Greva është ndërprerë, siç u tha, pas zotimeve për një angazhim më të fuqishëm në identifikimin sa më të shpejtë të 405 mbetjeve mortore, raporton Radio Evropa e Lirë.
Fillojnë me grevë urie
Nënat e personave të pagjetur që nga lufta në Kosovë të hënën kanë vazhduar grevën e tyre në kërkim të identifikimit të familjarëve të tyre të zhdukur që nga lufta në Kosovë.
Mirëpo, kësaj here në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre, të gjashtë nënat greviste kanë vendosur që të hyjnë në grevë urie.
Të shtrira në tendën e hapur në oborrin e Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi ligjore, grevistet nuk kanë pranuar të kenë asnjë kontakt me media apo me ndonjë përfaqësues tjetër të institucioneve të vendit.
Nga KMDLNj-ja bëhet e ditur se gjatë ditës së hënë njëra nga grevistet, Fikrie Saraqini ka kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, ndërkohë që thuhet se edhe gjendja shëndetësore e pesë grevisteve nuk është e mirë për shkak të qëndrimit nën tendë.
Udhëheqësja e kësaj greve, Nysrete Kumnova, pak para së të fillojnë grevën e urisë, pati deklaruar se nga 14 shtatori të vetmin komunikim do të kenë me ata persona të cilët do të bartin trupat e tyre.
“Duke e parë se deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe identifikimin e mbetjeve mortore që gjenden në kontejnerët e Institutit për Mjekësi ligjore, ndërsa durimit tonë po i vjen fundi, kemi vendosur që nga e hëna të hyjmë në grevë urie”, pati deklaruar Kumnova për mediat pak ditë më parë.
Sipas saj, kjo grevë urie është mënyra e fundit e presionit mbi qeveritarët që t’u kthehen familjeve mbetjet mortore, ose ta gjejnë mënyrën e përshpejtimit të identifikimit të mbetjeve.
Në anën tjetër, zyrtarë nga Këshilli koordinues i asociacioneve familjare të të zhdukurve të Kosovës nuk kanë përkrahur këtë grevë, pasi që, sipas tyre, kjo nuk është zgjidhja e duhur.
“Ne ndajmë dhimbjen me këto nëna, mirëpo ne nuk konsiderojmë se greva është zgjidhje”, ka thënë Haki Kasumi nga ky këshill.
Në lidhje me identifikimin e 405 mbetjeve mortore që gjenden në morgun e Prishtinës, mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu thotë se ky proces është i gjatë dhe shumë problematik, pasi që procesi duhet të kthehet që prej fillimit.
“Procesi është i gjatë dhe aq më tepër është problematik, sepse procesit duhet t’i kthehemi që në vitin 1999, që në momentin kur në Kosovë kanë zbarkuar ekipet e Tribunalit të Hagës dhe duhet medoemos t’i bëhet një analizë punës së tyre, sepse ata kanë punuar pa analizë të ADN-së, por vetëm në gjetjen e shkaktarit të vdekjes”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, në këtë rast nuk duhet të bëhet marrja e mostrave të gjakut të personave që kanë varrosur familjarët e tyre, pa autopsi dhe pa analizë të ADN-së dhe më pas të konsultohet me pjesën tjetër.
Të hënën, Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të takohet me nënat që janë në grevë dhe t’u japë atyre garanci të forta se kërkesat e nënave do të realizohen brenda një afati të përcaktuar nga të dyja palët.
-
-
Nuk kan faj te shkretat qe sua besojn dhimbjen e madhe qe kan per bijt e tyre te pagjetur ende,turp per qeverin e kosoves.......
-
-
Nuk kan faj por edhe keto po kerkojn sy nga qorri,e si te ju jep qorri sy kur nuk ka per veti.
Edhe jam shume i bindur jo ne grev po edhe me u tranu se kush nuk mundet me ju nimu.
Kosova vet nuk ka fuqi,bashkesia nderkombetare nuk don, e si ta zgjedhim ateher.
-
-
Po de ishalla ju qelen syt ndonjeher,por nuk po i len lakmia........
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt