Nga më 15.09.2009 në ora 14:54
Shqipëria tronditet sërish nga dridhjet e tokës. Këtë herë, epiqendra ka qenë në afërsi të qytetit të Kavajës, rreth 45 km larg Tiranës, me një fuqi 5 ballë të Rihterit.

Sizmiologët thonë se epiqendra e këtij tërmeti ka qene rreth 2 kilometra larg qytetit të Kavajës, diku ndërmjet fshatit Synej dhe Kavajës.

Përveç Kavajës, tërmeti që ka ndodhur rreth orës 10:37, është ndier më lehtë edhe në Durrës e Tiranë, si dhe në zonat përreth tyre.

“Intensiteti i tërmetit që u regjistrua sot në orën 10:37 ka qenë 5 ballë", ka thënë Llambro Duni, përgjegjës i Departamentit te Sizmologjisë, transmeton Top Channel.

Gjithashtu është njoftuar se ka pasur edhe një lëkundje të dytë, e intensitetit më të vogël. Ende nuk ka të dhëna nëse lëkundjet e tërmetit kanë shkaktuar dëme materiale apo të lënduar

Për sizmologët ky termet konsiderohet normal, duke pasur parasysh që Kavaja futet në një zone me aktivitet të lartë sizmologjik. Pasi sipas tyre e gjithë zona e detit Adriatik duke vazhduar në detin Jon në jug, deri në Greqi historikisht janë regjistruar lëkundje të forta tërmeti.

Pak ditë më parë lëkundje të njëpasnjëshme të tërmetit në zonën e Dibrës, në verilindje të Shqipërisë, shkatërruan dhjetëra banesa duke i bërë të pabanueshme, si dhe dëmtuan shumë të tjera.

Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të Sizmiologjisë, tërmeti u ndie mbi 7 ballë, në qytetet Peshkopi dhe Bulqizë 6-7 ballë, në qytetet e Burrelit dhe Librazhdit 5-6 ballë dhe 4-5 ballë në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Rrëshenit.