Ekspertët, Gruevski arrogant ndaj shqiptarëve


AL-SAT

Kompromisi nuk paraqet humbje të identitetit, por ai është i është i patjetërsueshëm për të krijuar një kulturë politike mes palëve të ndryshme etnike. Kjo u tha në një tryezë të rrumbullakët kushtuar dialogut politik dhe problemeve ndëretnike në vend “Kompromisi nuk duhet të na frikësoj në kuptimin se ne e humbim identitetin, kompromisi nuk është në nivel të vlerave, ne nuk shndërrohemi nga maqedonas në kozmopolit sepse bëjmë kompromis me shqiptarët dhe anasjelltas, ngelim maqedonas të bindur në vlerat tona.”, vlerëson Ljubomir Fërçkoski, profesor universitar.

Deputetja Radmilla Sheqerinka vlerësoi se aktualisht politika luan me jetën e qytetarëve dhe kështu nxit akoma më shumë tensionet mes tyre.
“Ne duhet t’i çelim sytë se jeta në Maqedoni nuk është vetëm politikë. Sikur edhe të merren vesh BDI, PDSH, Dekoracia e Re, LSDM dhe VMRO-DPMNE, sërish kur do të dalin në rrugë do të ketë probleme ndëretnike, sepse ne me dhe pa vetëdije luajmë, politika luan me kartën e tensionimit të palëve, duke favorizuar njërin grup etnik, përkundër grupit tjetër dhe ajo konsiderohet si fuqi e njërës apo grupit tjetër etnik.”, theksoi Radmilla Sheqerinska, deputete e LSDM-së.

Eksperti ekonomik Hajredini, tha se qeveria aktuale e Gruevskit po sillet në mënyrë arrogante ndaj shqiptarëve e në veçanti ndaj përfaqësueve të tyre ekzekutiv.

“Shihni tani kokëfortësinë dhe arrogancën e kryeministrit me rekonstruimin e fundit. Për shkak se ndihet profesionalisht inferiore të komunikojë me një ekonomist të talentuar shqiptar ministër të ekonomisë shkon dhe emëron një nënkryetar anonim për ekonomi me qëllim që me të mos të ketë kontakte të përditshme, për shkak se dihet çfarë studenti ka qenë premieri, ku ka mbaruar, çfarë ka mbaruar dhe kështu me rradhë.”, pohoi Xhevdet Hajredini, ekspert i ekonomisë.

Ndërkohë kryeredaktor i televizionit Alsat , Muhamed Zeqiri theksoi kjo arrogancë e Gruevskit lidhet me faktin se në Maqedoni nuk ka opozitë, dhe derisa nuk zgjohet ajo nuk do mund të ecet përpara.

“Dua ta vë theksin në atë që tha z.Hajredini në fjalimin e tij se ajo që e dallon këtë qeveri dhe kryeministrin e tij është arroganca e tij, ai është shumë arrogant. Por kjo është si rezultat e asaj që për fat të keq nuk kemi opozitë. Mua më frikëson ajo që Gruevski do të bëhet akoma më arrogant sepse e di që nuk ka kush t’i del në rrugë, nuk kemi opozitë as në bllokun maqedonas ashtu siç duhet të ketë në një shoqëri por nuk kemi as në bllokun politik shqiptar. Dominojnë dy garnitura politike që kanë shumicën edhe te maqedonasit edhe te shqiptarët. Dhe derisa opozita nuk zgjohet ne do të mbetemi në vend”, theksoi Muhamed Zeqiri, kryeredaktor i televizionit Alsat-M.

Të pranishmit në debat konstatuan se pavarësisht vullnetit politik të qeverisë, debati dhe dialogu politik duhet të bëhen rutinë dhe pjesë e përditshmërisë së njerëzve me qëllim të zhvillimit të shoqërisë dhe integrimit më të shpejtë në strukturat evropiane.

Semra Jakupi

*********************************

Ju letem deri kurr besoni dot vazhdoje kjo arrogance e gruevskit? ku dhe si e ka fundin? Dhe deri sa duhej pritur qe BDI-se "ti mbushet kupa?"