Në ateljenë e krijimit në Mira Meksit, me romanin “Porfida, Ballo në Versailles”
Mira Meksi: Kemi pasur elitën tonë me gjak blu
Juli Kristafi
Nuk është thjesht një ballo, por një histori njerëzimi. Ajo zhvendoset sa në Versaille e sa në Tiranë, nga sallonet e fisnikëve në sallën e thjeshtë ku studentët duan të organizojnë një ballo si ato të filmave. Pastaj vjen ngjarja tronditëse e ambasadave në vitin ’90, përmbysja e një regjimi dhe nisja e një kapitulli të ri. Të gjitha këto shkrimtarja dhe përkthyesja Mira Meksi i përmbledh në romanin e saj “Porfida, Ballo në Versailles”, i cili prej pak ditësh i është shtuar bibliotekës së letërsisë shqipe. Tek Porfida, personazhi i saj, është zonja e nderuar e mesjetës, qindra personazhe e njerëz anonimë e vetë autorja. Ka ngjarje reale, mister, jetë të fshehta nën diktaturë, parfume fisnikësh e vizita të fshehta të Bitëllsave të famshëm në Shqipëri.
Pse është balloja, elementi bosht i veprës dhe çfarë përfaqëson ajo për shoqërinë?
Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes. Pothuaj përherë, pothuaj në të gjithë kohërat, balloja, ballot mondane, kanë qenë sfond i ngjarjeve më të rëndësishme shoqërore në Evropë, ndërsa në roman, balloja është një nocion i shumëfishtë. Së pari, është balloja që përgatisin studentët, protagonistët e këtij rrëfimi, të cilët nisen nga ideja se nëse ia dalin të organizojnë një ballo si ato të qëmotshmet të filmave, një ngjarje shumë e madhe shoqërore do të ndodhë në vendin e tyre, pra në Shqipërinë e paraviteve ’90, ndoshta një përmbysje regjimi. Ata e mendojnë këtë, e dëshirojnë dhe mundohen për ta organizuar ballon. Nga ana tjetër, është balloja e madhe e mijëvjeçarit që bëhet në Versailles, e cila ka si pjesëmarrës fisnikët e Evropës, pinjollët e familjeve të fisnikërisë evropiane dhe që bëhet me një qëllim të përcaktuar, i cili bart një kumt sipëran, yshtjen e të keqes së vitit zero, profecisë së Nostradamusit për shkatërrimin e Evropës.
Pra është një ballo që pratikisht do të shpëtojë Evropën. Si tek “Frosina e Janinës”, sërish personazh kryesor është një grua. Pse ndodh kështu dhe ç’është ky emër i rrallë, Porfida?
Me sa duket, e shoh botën jo vetem si individ por edhe si grua. Në këtë kuptim s’ka si të jetë ndryshe personazhi im kryesor. Megjithatë nuk është kaq e prerë, mendoj se jam pak në çdo personazh. Porfida është emër i rrallë, por emër vërtet i ndritur në
historinë e shqiptarëve, siç e kam hasur në memuaret e Gjon Muzakës, despotit të Epirit. Është Porfida Komneni ose Komneniata që ka qenë një zonjë shumë e
nderuar dhe që rrinte si damë e parë në krah të mbretëreshës së Kostandinopojës në Mesjetë.
Sa biografi tuajën mbart historia e Porfidës, pavarësisht se thoni se nuk jeni vetë Porfida?
Ka shumë, sigurisht, por jo vetëm nga jeta ime personale. Ndodhemi në një realitet ku ka shumë personazhe, shumë ngjarje ku marrim dhe japim. Një vepër është si oqeani që mbledh rryma, lumenj, përrenj deri dhe rrëkeza uji. Ka copëza nga jeta ime, ka grimca nga biografia e miqve te mi, ose ka thjesht rrëfenja që kam dëgjuar apo dhe përjetuar nëpërmjet të tjerëve. Nga ana tjetër, ka edhe thjesht imagjinatë, realitete të ndryshëm nga ky i përditshmi. Një parfum, pikërisht parfumi që ndodhet mbi tavolinë, është në zanafillë të këtij romani.
Në roman, ju përshkruani me nota pothuaj të gëzueshme jetën e fshehtë që mundoheshin njerëzit të ndërtonin në diktaturë. A ekzistonte vërtet kjo jetë dhe a kishte lumturi?
Shiko, po të flasim nocionalisht për lumturinë, lumturinë thuhet që Dante edhe në ferr e gjen. Lumturia, sigurisht, nuk është një gjendje e vazhdueshme, janë momente, grimca jete. Është e vërtetë që edhe në ato kohëra izolimi, në kohërat ku liria e njeriut ishte gati e mohuar, kur shpikeshin lloj - lloj gjërash që nga aksionet e zboret e puna vullnetare të dielave për ta kufizuar skajshëm kohën e lirë të njerëzve, për t’u argëtuar ishte gjetur një modus vivendi tjetër, po e quaj jeta undergraund, jeta e dyfishtë, jeta e fshehtë që bënin njerëzit. Mundoheshin, sigurisht, harxhonin shumë energji, por ia dilnin të argetoheshin disi apo të bënin gjërat që dëshironin. Më kujtohen jo vetëm darkat në rreth të ngushtë të prindërve të mi me miqtë e tyre ku flitej për Fromin e ndaluar, por di t’ju them edhe për darkat me miqtë e mi ku qarkullonin libra të ndaluar dhe dëgjohej muzikë po e ndaluar. Ndërkohë që pëshpëritej për vende të fshehta dansi e për mësime të tangos nën ritmin e Cumparsita-s apo të Adios Muchachos dhe gjer për shtëpitë e fshehta të dashurisë së lirë. Me një fjalë, edhe asokohe, kur kaluam rininë e parë, dashurinë e parë, ku miqësia kishte një kuptim ku e ku më sublim se sot, kishte lumturi, pa dyshim.
Tek romani Porfida, kam hasur disa detaje si për shembull ardhja e Beatles-ave në Shqipëri apo parfumi Esat Pashë Toptanit…
Për parfumin e Esad Pashës, po ka ekzistuar vërtet sepse në arkivin e shtetit ka dokumenta që flasin për të, madje unë së pari në një gazetë tonën e kam lexuar. Ky parfum, është prodhuar më 1920 në Paris nga Fernand Nonza, prodhues i famshëm francez i parfumeve artistike. Me rastin e daljes në treg të parfumit, u shkrua edhe për historinë e formulës 500-vjeçare të tij, e cila vinte nga Karl Topia, paraardhesi i Esad
Pashës. Ky i fundit ia autorizoi për ta prodhuar me dekret qeveritar Fernand Nonza-së. Parfumi shoqërohej dhe me një poezi e cila gjendet e përkthyer nga unë në roman. Kjo është reale. Sa për Beatles-at kam dëgjuar se në ’67-‘68, ata kanë qenë vetëm një natë në Shqipëri dhe kanë fjetur në hotel “Adriatik” në Durrës. Nuk dihet asgjë tjetër e saktë. Porse letërsia ka të drejtë të bëjë investigimet e veta, e rëndësishme aty është një artificë letrare që i vendos djemtë e famshëm të popit në dy momente shumë të rëndësishme: ata, që në kulm të famës, priteshin kudo nga mijëra fansa (psh asokohe në aeroportin e Parisit u pritën nga 10.000 fansa) arrijnë të përjetojnë në aeroportin e Rinasit (ndërkohë që avioni i tyre bën një ulje të detyruar nga koha e keqe) ndjenjën se janë njerëzit më anonimë të universit, apo përjetimin tjetër halucinant, që në vendin më të izoluar të botës, ku muzika e tyre është e ndaluar, gjejnë një vajzë të thjeshtë kamariere në hotelin ku kalojnë natën e fatkeqësisë, e cila njeh përmendësh këngët e tyre, edhe kur ato nuk figuronin në palmareset e botës.
Ju e përmendët edhe më parë kabbala-n, ç’është ajo dhe çfarë do të thotë strukturim kabbalistik i romanit?
Kabbala është një filozofi dhe një praktikë 4 mijë vjeçare, është tradita shpirtërore hebraike, është një mendim, përsiatje, një mistikë, vizion i pafund dhe tërësor që afron njeriun me universalen dhe hyjnoren. Flitet shumë për vetitë shërimtare të kabbala-s në kuptimin shpirtëror të fjalës, të zgjidhjes së atyre nyjeve që krijohen brenda nesh, të ndarjes së fizikes nga shpirtërorja, të njëjtësimit tonë me hyjnoren, çka arrihet nëpërmjet disa fjalimeve metafizike dhe disa formulave të tjera kabalistike. Megjithatë, ajo që kam trajtuar unë në këtë roman është kabbala si luftë kundër harresës dhe si triumf i kujtesës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Strukturim kabbalistik i romanit në formë do të thotë që romani është i ndërtuar siç janë të ndërtuara petihtat e kabbala-s: zanafillohet me një skenë, e cila “hapet” si petalet e trëndafilit në të tjera skena të ndryshme nga e para, në mënyrë labirintike, për t’u kthyer më në fund te skena e parë, e cila qëndron në një shkallë më sipër.
A mund të jetë çmendina metaforë e lirisë së individit?
E vërtetë. Është ca e çuditshme të bashkosh këto dy nocione, çmendinë dhe lirinë, por mos harroni që bëhet fjalë për një kohë kur ishte e kufizuar, pothuaj e mohuar liria e njeriut; kështu që idengulitja ime në atë kohë ka qenë se i vetmi vend ku njeriu mund të ishte i lirë, në kutimin e shfaqjes së mendimit, ishte, pa dyshim çmendina, për një të çmendur të rremë. Dhe çmendina ime e qytetit të detit drejtohej nga një tjetër kabbalist, dr. Aron S., i cili përdorte me shumë sukses vetitë shërimtare të kabbala-s, jo vetëm për të çmendurit e vërtetë, por edhe për ata që i mbyllte atje “shkelja e ideologjisë ekzistuese”. Personazhet e mi të çmendinës jetojnë secili kohën e mëvetësishme që s’ka lidhje me kohën e kohëmatësve, por atë kohë që konceptohet si një energji kozmike. Dhe kjo është metafora e lirisë sipas meje.
Për herë të parë në letërsinë shqipe shkruhet për eksodin e viteve 90, dhe kjo lidhet me një pasqyrim. Cili është ky pasqyrim, dhe a ngjallte frikë për shqiptarët hapja e dyerve të botës së madhe, siç e keni shprehur edhe në roman?
Ikja nëpërmjet ambasadave është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme të pasviteve ‘90. Pasqyrimi për të cilin unë flas aty është ngjarja e ngujimit të familjes Popa në ambasadën italiane dhe që u kthye në legjendë. Përfytyroni, në një vend kaq të mbyllur siç qe ky yni, e vetmja portë, si të thuash, një “Sesam hapu” ishin pikërisht ambasadat e huaja në vend, të cilat ndonëse ishin në tokën tonë, qenë një tokëz më vete “me lirinë”. Madje edhe personazhet e mi që kërkojnë të arratisen pasi marrin ftesa për të shkuar në ballon në Versailles si pinjollë të gjakut blu të shqiptarëve, gjejnë përsëri këtë rrugë, ambasadën, si të vetmen portë nga mund të shkohet në botën e madhe. Ajo që ndodhi me ambasadat dhe që, në roman, paraqitet si imitimi i ngjarjes së Popajve, ishte vërtet e paimagjinueshme: gjer dhe makina plehërash, autobusë e kamionë rrëzuan muret për të hyrë brenda. Sa për frikën nga bota e madhe, nga bota tjetër, këtë mbaj mend që e kam marrë nga një ndodhi reale në orën e përkthimit në fakultet, ashtu siç është përshkruar në roman, kur një nga shokët e klasës pyeti, nëse do të na pranonte bota e madhe kur të hapej më në fund edhe kjo porta jonë. Praktikisht edhe vetë e kam ndier këtë frikë, këtë trysni, se si do të gjendeshim pas 50 vjetësh të izoluar në prag të botës së madhe. Eshtë gjithmonë frika nëse do të të pranojë tjetri, dhe kjo është e njohur edhe filozofikisht.
E përmendët edhe më lart, megjithatë ç’peshë zë tradita në romanin tuaj?
Një peshë të madhe. E para është kujtesa e trashëguar gjenetikisht si pjesë e kujtesës universale, por, më e plotë akoma, tradita përfaqësohet nga gjyshi dhe lidhja e Porfidës me gjyshin, me traditën, është dhe fejesa e tyre, bashkë me unazën e familjes që Porfida e vogël mban të varur në qafë. E mbi të gjitha, amaneti i gjyshit, ngulitja mirë në kujtesën e vajzës e një kronike të stërlashtë: bëhet fjalë për shekullin e 14, për një ballo të stërmadhe, dhënë në Paris nga Karli i VI, e cila përfundoi tragjikisht, u dogjën të gjithë të ftuarit, andaj u quajt Balloja e të Zjarrtëve dhe, në të cilën, mendohet se kanë marrë pjesë edhe paraardhës të ndritur të familjes së Porfidës. Dhe familje fisnike e me emër shqiptare njihen që në 1200-n. Por, në roman, tradita është edhe plaka Sare, e cila, përsëri me gjuhë kabalistike, që është gjuha e simbolit dhe metaforës, flet për këtë traditë edhe e shpall përpara Porfidës, rëndësinë e kombit dhe të gjakut blu për ekzistencën e vetë kombit.
Si është ky mekanizmi i krijimit të vetë ëngjëllit tonë?
Shiko, këtu ka diçka autobiografike. Kur kam qenë e vogël, pastaj e zbulova që ishte edhe kjo kabalistike, sepse gjyshi im merrej shumë me mistikën hebraike, ai më tregonte që ne njerëzit mund ta krijojmë vetë ëngjëllin tonë. Shpesh themi kam ëngjëllin tim mbrojtes, ky ëngjëll, sipas tim gjyshi, nuk shpiket nuk vjen së lartmi, por e krijojmë ne vetë me veprimet e mira që bëjmë me aksionet tona bujare. Pra krijojmë një kredi mirësie, e cila pastaj punon për ne dhe na sjell mirësi. Kjo është ideja e krijimit të vetë ëngjëllit tonë.
09/07/2006
KATEGORIA: Kulture.SHEKULLI.
Krijoni Kontakt