Erga Halilaj, një sukses me "Rapsodinë blu"

» Vendosur: 27/09/2009 - 13:03





Asaj nuk i duhet të sforcohet. Energjike, plot ritëm..., thua se "Rapsodia blu" është shkruar për të. Jo më kot dirigjenti i madh Eno Koço thotë gjithë gaz se fraza e saj pianistike është si këngë. Mbrëmjen e së premtes në skenën e Akademisë së Arteve, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar dha një koncert simfonik. Krahas një simfonie dhe një rapsodie shqiptare të kompozitorit Josif Minga, e cila u luajt për herë të parë, u interpretua edhe "Rapsodia blu" ("Rhapsody in Blue") e kompozitorit amerikan George Gershëin. Soliste në piano ishte pianistja Erga Halilaj, studente e prof. Nora Çashku, në vitin e katërt në Akademinë e Arteve. Ndonëse rapsodia e Gershëin, është një pjesë xhaz, të cilën Erga e ka për zemër, ajo ka të drejtë të jetë e emocionuar, madje shumëfish. Është hera e parë që ajo interpreton me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, e cila drejtohet nga dirigjenti Eno Koço, e ndër të tjera pjesë e orkestrës është edhe i ati i saj instrumentist. Me Ergën ai nuk është dot një profesor i rreptë, por një baba i dhembshur, që i kupton fare mirë emocionet e saj prej artisteje. "Ka disa momente ku ne luajmë të dy në unison dhe është një kënaqësi, por edhe përgjegjësi shumë e madhe", - thotë Erga. Por duket se skena ia largon të gjitha emocionet dhe ajo ndihet si në shtëpinë e vet. Ritmet e xhazit e përpijnë të tërën, ndërsa fundi shpërblen punën disa mujore. "Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe një kënaqësi e veçantë të punoje me dirigjentin Eno Koço dhe prof. Norën, të cilët më kanë ndihmuar shumë për këtë koncert dhe më kanë lehtësuar nga barra e emocioneve me fjalët dhe këshillat e tyre", - thotë pianistja. Koncerti me Orkestrën e Radio Televizionit, nuk ishte i pari për të. Është ngjitur edhe tre herë të tjera në skenën e Akademisë, ndërsa ka një jetë të tërë që i bie pianos dhe këndon. Madje më së shumti Ergën e njohin si këngëtare. Ajo është një ndër fitueset e spektaklit të talenteve "Star Akademi", ndërsa është ngjitur në skenat e festivaleve të fundvitit, të RTSH-së dhe "Kënga Magjike". Kur e pyet se cila ishte nxitja drejt muzikës, ajo thotë se ka lindur me muzikën. "Prindërit e mi janë të dy artistë, mami është këngëtare, babi instrumentist dhe të dy kanë ndikuar tek unë. Unë jam pianiste dhe këndoj gjithashtu. Ky është një pasion imi i hershëm. Por mendoj që është edhe e trashëguar", thotë ajo. "Nuk mund të ndodhte ndryshe, nuk e shoh veten asgjëkund tjetër, madje do të dukej absurde të bëja diçka jashtë muzikës. I jam futur rrugës së muzikës qysh 5 vjeç, ndaj nuk e kuptoj dot ekzistencën time pa muzikën. Aq më tepër që kam punuar shumë si për pianon, ashtu edhe për këngën, por në veçanti për pianon, që është edhe profesioni im", thotë Erga. Ajo i do të dyja, si pianon, ashtu edhe këngën, megjithatë zgjedhja e saj për jetën është pikërisht pianoja. Mundohet t'i rakordojë të dyja, por nuk është edhe aq e thjeshtë. Sipas saj, pianoja kërkon një ushtrim sistematik, që i merr 3 apo 4 orë në ditë dhe nuk duhet lënë kurrë, ndërsa kënga për të është më e thjeshtë për t'u menaxhuar, ndonëse edhe ajo ka vështirësitë e veta. "Duhet zë edhe talent. Ndërsa për pianon nuk mjafton talenti. Mundohem t'i gërshetoj të dyja, por në momentin që flasim, e kam lënë këngën disi pas dore, pasi nuk mund t'u jap të dyjave të njëjtën rëndësi. Unë jam pianiste dhe këngën e kam hobi". Por është pikërisht ky hobi që e vendosi atë në vëmendjen e publikut. Në një farë mënyre i vjen keq për këtë. Ajo e di se kënga është më e drejtpërdrejtë, depërton më lehtë tek dëgjuesi, pavarësisht se çfarë formimi intelektual ka, ndërsa me pianon dhe muzikën klasike ndodh ndryshe. "Pianoja ka një publik më të kufizuar, më elitar", - thotë ajo. Pas koncertit të së premtes mbrëma, të mbushur plot ankth dhe që i kushtoi disa muaj punë, i duhet pak qetësi dhe vetëm më pas do të nisë të mendoj për të tjera koncerte, apo pjesëmarrje në festivale. Ende pa u çliruar nga emocionet e koncertit, shumë e pyesin nëse do të nxjerrë ndonjë këngë të re, apo do të marrë pjesë në ndonjë garë kënge. "Do të më duhen disa ditë pushim e më tej të mendoj për këngën. Sigurisht do të mendoj diçka të bukur me të cilën do paraqitem. Festivalet janë mënyra më e mirë e promovimit në Shqipëri, bashkë me klipet", thotë ajo, ndërsa premton se nuk do ta lërë pas dore. Por ky vit duket se do të jetë më shumë impenjativ në fushën pianistike. Është viti i katërt, do të diplomohet dhe do t'i duhet jo pak punë.

Eno Koço: Frazë kënge në piano
Pas koncertit, dirigjenti Eno Koço do ta vlerësonte në veçanti lojën e Erga Halilajt në piano. "Luajti shumë mirë. Duke trajtuar edhe muzikën e lehtë, duke qenë se Erga edhe këndon, ka fituar vrull, temperament dhe kjo ndikoi edhe në lojën tërheqëse dhe plot gjallëri, që ajo i ofroi publikut. Të bën përshtypje që fraza e saj pianistike është si frazë kënge", thotë Koço. Teksa shpjegon karakterin e "Rapsodisë blu" të George Gershwin, një kompozitori të njohur amerikan xhazi, dirigjenti thotë se pianistja arriti ta transmetonte drejt karakterin e kësaj muzike, me ritmet e thyera. "E gjithë qenia e saj ishte përfshirë në këtë interpretim dhe teksa luante në piano, ajo dukej sikur kërcente, sikur këndonte. Mund t'ju them se ishte një interpretim shumë i mirë, madje më i miri nga të gjitha provat e kryera. Kjo ishte hera e parë që Erga interpretonte me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe ia doli shumë mirë", thotë Koço.

panorama