Ilir Meta, udhëheqësi i grupimit më të madh opozitar në Shqipëri, ka një biografi politike të pazakontë. Ai ka hyrë në politikën shqiptare si pjesë e delegacionit të studentëve të Dhjetorit që shkuan t’i kërkojnë pluralizëm politik Ramiz Alisë, në dhjetor të vitit 1990 dhe përfundoi më pas në krye të qeverisë së Partisë Socialiste, që ishte një trashëgimtare politike e ish-komunistëve.
Në vitin 1991 ai themeloi Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar, duke futur së pari termin evropian në politikën e së majtës shqiptare. Në vitin 1992 u zgjodh deputet i Skraparit për Partinë Socialiste. Ai u bë i njohur në shtator të vitit 1992, kur udhëhoqi një protestë të qytetarëve të Poliçanit kundër mbylljes së Kombinatit të Armëve për shkak të reformave në ushtri. PD në pushtet i hoqi atij imunitetin në Kuvend, por çështja nuk shkoi më tej.
Pas arrestimit të Fatos Nanos dhe rritjes së frymës konservatore në Partinë Socialiste, Ilir Meta, iu bashkua grupit që kërkonin ta moderonin politikën e Partisë Socialiste. Ai filloi të artikulonte më shumë orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe nevojën për bashkëpunim me institucionet perëndimore.
FRESH u bë pikënisja e kontakteve perëndimore për Partinë Socialiste, sidomos me të majtën italiane dhe ato të vendeve skandinave.
Në vitin 1995-1996 ai ishte një nga katër nënkryetarët e Partisë Socialiste, por i rreshtuar kundër mbështetësve të zotit Nano. Karriera e tij u vu në rrezik, për shkak të shigjetimeve se po punonte për të rrëzuar nga kreu i PS liderin e burgosur, Fatos Nano.
Por pozitat e tij politike u forcuan shpejt. Pas vitit 1997 ai u emërua fillimisht si sekretari Jashtëm, një post identik me zëvendësministrin e Jashtëm.
Kur Pandeli Majko u bë kryeministër pas 14 shtatorit 1998, Ilir Meta mori postin e zëvendëskryeministrit. Kongresi i 1999 i Partisë Socialiste ishte një moment dramatik. Kandidatura e shumëpritur e Pandeli Majkos për kreun e PS u rrëzua bashkë me qeverinë e tij. Fatos Nano, i cili u ri-kurorëzua kryetar i PS, pranoi më lehtë Ilir Metën për kryeministër.
Kryeministri më i ri në Evropë nisi kështu një karrierë politike të pazakontë. I vendosur të linte gjurmë, ai u përkushtua pas infrastrukturës së shkatërruar të vendit pas punëve publike dhe menaxhimit me dorë të fortë. Ai arriti të përfundojë autostradën gjysmake Tiranë-Durrës një segment të rrugës Kavajë-Rrogozhinë, rrugën e Qafës së Llogorasë, rregulloi parkun “Rinia” në Tiranë dhe mbështeti dukshëm Edi Ramën në projektet e tij për punët publike.
Zgjedhjet e vitit 2001 ishin një test i madh politik për të. I gjendur mes rrezikut të rikthimit të Fatos Nanos dhe nevojës për zgjedhje të lira, ai zgjodhi një të mesme, e cila la gjurmë në jetën e tij politike. Zgjedhjet e 2001 ishin qartësisht jashtë standardeve, por të pranuara. Policia u përdor qartë në shumë qendra votimi dhe Gjykata Kushtetuese veproi pa shumë takt në gjykimin e 40 mandateve. Komuniteti perëndimor njohu qeverinë e re, por nuk njohu një shumicë për president.
Pak muaj para se të afrohej çështja e presidentit, kryetari i PS, Fatos Nano, nisi një fushatë të pazakontë antikorrupsion të përkufizuar si katarsis. Fillimisht i vetëm, por duke mbledhur energji rrugës, Fatos Nano përdori grupin parlamentar si mekanizëm bllokues ndaj qeverisë së Ilir Metës. Në janar të vitit 2002, pas presionit publik dhe bllokimit në Kuvend, Fatos Nano e detyroi Ilir Metën të dorëhiqet. Prej atëherë nisi një luftë e ftohtë ende e pambyllur mes tij dhe partisë së zotit Nano.
Në kongresin e vitit 2003, Nano përjashtoi Ilir Metën dhe grupin e tij nga forumet e PS. Ilir Meta, i cili ishte ende formalisht zëvendëskryeministër i kabinetit të Fatos Nanos, kishte dhënë dorëheqjen që në verë.
Pas përjashtimit dhe nga forumet drejtuese në Kongres ai po shikonte të ardhmen e tij jashtë PS. Në pranverë të vitit 2004 ai formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, një strukturë politike shumë solide, bazuar te veprimi dhe aksioni politik, por dhe te lidhjet njerëzore e krahinore.
Fatos Nano e nënvleftësoi fillimisht fuqinë e saj, por në zgjedhjet e vitit 2005 partia e zotit Meta u bë varrmihësja kryesore e pushtetit të Fatos Nanos.
Pas ardhjes në pushtet të PD, Ilir Meta fillimisht ndoqi një linjë të butë bashkëpunimi, e cila u egërsua menjëherë në vitin 2006, kur PD tentoi të riformatonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjesti i tij i forcës duke hipur sipër tavolinave mbeti emblematik për parlamentin. Kuvendi u bllokua dhe pas një marrëveshjeje të re u bënë ndryshimet kushtetuese që prishën disa ekuilibra politikë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2006-2007, ai u bashkua me Partinë Socialiste nën premtimin se së bashku do të bënin një Kod Elektoral të favorshëm për LSI.
Me gjithë joshjet nga Berisha, Ilir Meta i qëndroi besnik Edi Ramës deri në përfundim të zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve Meta kërkoi të nisnin një bashkëpunim institucional për Kodin Elektoral. Por duket se këtu interesat e tij dhe të zotit Rama ndaheshin. Megjithëse të dy e tregojnë ndryshe historinë e ndarjes, e qartë është se Kodi Elektoral, i hartuar me firmën e zotit Rama, prek qartë interesat e LSI.
Kjo e armiqësoi atë ndjeshëm me Partinë Socialiste dhe e futi në një grevë urie njëjavore për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndaj këtij monopoli dypartiak.
Krijoni Kontakt