Humanisja Graf, lë spitalin për fëmijët e veriut
GJERGJ MARKU | 04/09/2009
MIRDITË - Humanistja e njohur Marianne Graf vazhdon të befasojë me ndihmat bujare për banorët e zonave të thella të veriut të Shqipërisë. Edhe pse vuan nga një sëmundje e rëndë, ajo është ngritur nga shtrati në një spital në Vjenë ku po kalon prej muajsh kimioterapinë, për të mbledhur ndihma për zonat me nevoja ekstreme.
Këto ditë ajo ka hapur në Orosh një rrjet të gjerë objektesh sociale si qendra shëndetësore, shkolla e kënde lojërash. Banorëve të Blinishtit iu mundësua qendra e re shëndetësore, po ashtu atyre të Mashtërkorit, Nënshejtit dhe Bulsharit. Me nisjen e vitit të ri shkollor Graf iu ka dhuruar nxënësve të Bulsharit, një shkollë të re.
Jashtë vëmendjes së saj nuk kanë mbetur as fëmijët e qytezës së Repsit, ku është ngritur këndi i ri i lojëra. Ndërsa në mjediset e komunës përmes një ceremoniali të thjeshtë, Graf shpërndau mjete mësimore dhe didaktike për nxënësit e kësaj qyteze.
Ndërsa komuna organizoi një veprimtari, ku humanistes së shquar i janë bërë dhurata simbolike, libra, një simbol i stemës së Arbrit, dhuruar nga famullitari i zonës dhe portreti në skulpturë i Nënë Terezës. E emocionuar Graf është shprehur se "tashmë jam në Shqipëri si një shqiptare dhe asgjë nuk e ndan nga ky vend".
Kush është Marianne Graf?
Historitë duket se puqen. Para më se një shekull në krahinat e Shqipërisë së Epërme shfaqen austriakët, humanistë të përmendur që lanë vulën e punës së tyre në fillesat e shkollave shqipe, kuvende e kisha për të sjellë qytetërimin e kohës në këto male. Dhe një shekull më pas, pikërisht kur bie regjimi komunist e Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë për kontakte me këtë shtresë humanistësh, shfaqet kjo humaniste me zemër të madhe, Marianne Graf, e ardhur nga Graci i katër universitete të shquara europiane, e cila ka 18 vite që investohet më tërë fuqinë e saj si një ravgim mirësie në zemrat e malësorëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Ka bërë aq shumë për Shqipërinë dhe sidomos për rajonet e veriut, sa vlerësimin e dikurshëm për Edit Durham si "kralica e malësorëve", drejtuesit vendorë dhe ato të organizmave joqeveritare në mbarë krahinat e vendit, e kanë konvertuar në dhënien e vlerësimit "qytetare nderi" të disa bashkive e komunave si në Fier, Mamurras, Rubik, Pukë, Drenës, Kosovë, Rrap, Qaf-Mali. Mban medaljen më të lartë shtetërore me titullin "Medalja Nënë Tereza" në Shqipëri në vitin 1996; është nderuar me çmimet kombëtare austriake si "Jozef Krajner" në Austri 1999 dhe çmimi "Johani i Madh" si dhe "Gruaja e Vitit 2002", po ashtu dhe çmimin "Humanitar-2003", dorëzuar nga Gorbacov dhe Helmut Kohl. Ka një veprimtari të begatë me publikun dhe median në Austri dhe Shqipëri si në botimet periodike, konferenca kombëtare e ndërkombëtare për çështjet e arsimit, simpoziume, organizata dhe institucione shtetërore ose jo për kulturën.
Dhjetëra shkolla të tipeve të ndryshme, ambulanca, shtëpi fëmijësh mbajnë vulën e kujdesit të saj dhe të shoqatës që drejton "Albania-Austri Partnershaft. Dhe krahas kësaj ajo qëmton dhe gjurmon në doket dhe zakonet e shqiptarëve për t'iu dedikuar shpirtërisht vendit tonë. Tërë gjurmimeve të saj, në vitin 2003 ajo i kushton një libër me fotografi dhe ilustrime me titullin "Shqipëria në veri të Shkumbinit", si dhe plot emisione e libra të tjerë promocioni për Vendin e Shqipeve. Duhet shënuar se gruaja austriake me shpirt altruist të jashtëzakonshëm, është kandidate për çmimin Nobel për Paqen.
gazeta shekulli
Zonjes Graf i uroj sherim te plote dhe jete te gjate!
Krijoni Kontakt