Shqiptar
Registered User
(7/10/00 9:19:31 am)
--------------------------------------------------------------------------------
Prof. As. Dr. David Luka
(Varianti i Pukës)
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit (varianti i Pukës) pasuria gjuhësore e shqipes është shpalosur në tërë gjerësinë dhe thellësinë e saj. Nuk besoj të ketë vepër tjetër ku gjuha shqipe të paraqitet aq saktë, aq e përkryer e në të njëjtën kohë e ndërtuar krejt thjesht, por gjithsesi e aftë për të shprehur në mënyrë të plotë norma morale e juridike që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Mbase është edhe merita e z. Meçi, që një pjesë të përmbledhjes e ka dhënë me shkronja kursive, duke ruajtur të paprekur formulimin e vetë vendësve.
Kanuni është ligj dhe ligji nuk duhet të ketë ekuivoke. Populli i krahinës së Pukës, që është autori i këtij Kanuni, i ka shprehur këto norma kaq qartë sa nuk mund t'u heqësh e as t'u shtosh asnjë fjalë pa prishur kuptimin e tyre. Gjithçka është në vendin e vet e me funksion të caktuar përsosmërisht me objektin që trajton. Këndej shumë shprehje të këtij Kanuni kthehen në sentenca jo vetëm tejet të sakta, po shpesh edhe të argumentuara e disa herë të dhëna edhe me ngjyrime artistike. Fjala në Kanunin e Pukës është "gur i çmuar", ajo nuk hidhet "pa kontroll", përndryshe po gabove detyrohesh të paguash gjobën. Prandaj duhet të jesh i matur. Fjala, pra kthehet në gur miliar që tregon se nga duhet ecur, po edhe si duhet ecur. Në këtë mes ajo kthehet në një mjet të fuqishëm ekzekutiv. Forca e fjalës në këtë Kanun është mahnitëse. S'ka asgjë mangut e asgjë tepër. Ka një kursim të tejskajshëm të saj në një ndërtim konciz të përkryer e për t'u pasur zili. Idiomat këtu kthehen në aksioma, të cilat pranohen pa diskutim. Khs. këtu Grueja e huej nuk preket me dorë, E di shpijaku kur përpushet zjarmi, Berrejshmi i humb të gjitha, Në shpi të huej nuk hyhet pa të zonë, Marren e lan pushka etj.
Të përkryera paraqiten normat e arsyetuara. Së pari jepet në mënyrë tepër koncize veprimi a fakti; më pas edhe argumentimi i domosdoshmërisë së kryerjes së tij. Khs. E bani, s'e bani pula vonë; s'ruej pulën tande!, Në va s'i dilet kuj në pritë. Gjaksorët të lypin vend tjetër, O laj, o lsho çiken e huej. Kush me zort s'të ka ba me e xanë, E pëlqeve para se me e xanë; ça do me i pa tash?!, Dazem pa mish nuk ka; banu gati pra, E pëlqeve, bleje; s'e pëlqeve, lee. Gja me zort s'po të nep kush!
Disa sentenca shprehen me një mendim të prerë. Ata janë tepër të qarta, prandaj kërkojnë zbatim pa mëdyshje. E kush nuk i zbaton, E bje, në mend katundi!. Khs. Me zort nuk mbahen bashkë gjindtë e shpisë!, Qeni do hekrat e hekrat janë në dorë të zot, Pse je shpi e madhe, mos i hap krahët përtej pashit tand, Varret nuk i preken as i trazohen kuj. As hasmit. I paburri ka punë me varret e hueja!, Morti-mort, miku-mik! Ndryshe koritesh, Gjithkush ka vendin e vet. Lypja e gjeja etj.
Shpirti i pukjanit njeh edhe të bukurën në shprehjen e normave që rregullojnë etikën morale të tij. Shprehjet: Korinë e çikës nuk mund e durojnë malet!, Njerka s'bahet nanë: Nana-diell e njerka-hanë!, Nderi i grues asht si gastarja. U thye, s'gjitet ma! etj. janë për t'u marrë si shembull ndërtimi artistik.
Fjalitë eliptike me ndërtime tejet lakonike, do të mbeten gjithnjë si kryevepra të vërteta të sintaksës popullore, ende e studiuar fare pak. Si shembull po marr katër fjalë, të cilat sqarojnë pa asnjë mëdyshje të gjitha diskutimet që ka bërë parlamenti ynë në ligjin për pronësinë e tokës. Thuhet tepër qartë në Kanu se si duhet zgjidhur kjo pronësi: I zoti tokën - puna bimën. Në këto dy fjali lapidare, mungon kallëzuesi. Sepse, në këto raste kallëzuesi del i tepërt. Ka një mësim universal në Kanu, që duhet mbajtur gjithnjë parasysh: Mos hec me kambët e tua e me mendt e hueja, dhe Kush shkon në gjyq me kambët e veta e me mend të tjetërkuj - paguen gjobën!
Ndërtimet sintaksore në Kanu janë pjesa më pak e studiuar e që ia vlen gjithnjë të bëhen objekt diskutimi. Shembujt: Ma plaku - te oxhaku, Kufini kufinin e ha, Kufi mbi kufi kanuja nuk ban etj., janë perla gjuhësore ku mendimi dhe fjala përputhen përsosmërisht.
* * *
Përpjekja për të dhënë një mendim sa më të saktë, zakonisht shoqërohet edhe me nevojën e krijimit të fjalëve të reja e të kuptimeve të reja, si edhe me formime të ndryshme para e prapashtesore. Në këtë drejtim Kanuja është minierë e pafund.
Së pari, pasuria e madhe e kompozicionit (juxtapozicionit a pranëvënies) e deri te përngjitjet, çka tregon se pukjani e ka kërkuar fjalën dhe ia ka arritur ta ndërtojë në natyrën e së folmes së vet. Krahas kompozitave pak a shumë të njohura si berrejshëm, bespremë, gjakhupës, kryekcyem, kryeshëndosh, kryeulët, krushkapar, mikpremë, ngucakeq, thekpremë etj., ka krijuar edhe kompozita të tjera tepër të goditura si shtiekeq, kryemveti, kryeherët, kanopkali, dypërnjah etj. Tashmë dihet që kompozicioni shpreh gjithnjë vitalitetin e një gjuhe.
Neologjizmat në Kanu janë të shumta e mbi të gjitha të ndërtuara bukur. Khs, këtu p.sh. tregtore për "dyqan", veshatare "ajo që vesh nusen", gjamatarë "ata që bëjnë gjamën", pritarë "ata që dalin në pritë", ngucatarë "ata që ngucin kënd", bashkari, palutë "ulur, palosur", folja prapoj "me u prapsur", që e ndeshim edhe te cikli i kreshnikëve, njome-ja në shprehjen "bukën e njomen" etj., të cilat krejt mirë mund të përdoren edhe sot, duke e pasuruar gjuhën e sotme letrare shqipe me atë leksik aq shprehës e të bukur të Veriut të vendit, që është lënë në harresë pa shkak.
Në Kanu dalin edhe shumë fjalë të rralla si brac "vjedhës", çarim në shprehjen në korrje e në çarim, folja /me/ kue, mashtrabë, hallakat, /me/ shafitë, me gjasë metateza e foljes tjetër me të njëjtin kuptim "me fashitë", kmendë në dubletën lesh e kmendë etj., gjithashtu edhe formime me parashtesa e prapashtesa, khs. /me/ përgojue, /me/ ndërkambë, gojaçe, bestar, /me/ hjeksue etj.
Fjalë të huaja në Kanu ka pak; janë kryesisht sllave (caran, çarranik, dever "djali që shoqëron nusen duke tërhequr kalin për freri" etj.) e turke (bedel, jerevi, osull, takam etj.).
Mungesa e huazimeve në Kanunin e Pukës flet në të mirë të burimit vendës. Ndikimet e huaja ngjan të jenë të pakta e të papërfillshme. Ky është tregues i qartë i zanafillës autentike të tij.
Leksiku i Kanunit mund të bëhet objekt edhe për historinë e gjuhës shqipe. Ne po analizojmë këtu vetëm dy fjalë: spanispar dhe meteh. E para, në kontekstin Nusja shkon në gjini spanispar dy javë mbas martese ... mund të zbërthehet a analizohet "se panit të parë", pra "për herë të parë", ku pan- është folja /me/ pa në trajtën arkaike të pjesores me -n, që nuk përdoret më në gegërishte, po që vazhdon të gjallojë në toskërishte në formën parë.
Fjala e dytë meteh, në kontekstin kufini asht gur a meteh, ka kuptimin "shenja për të përcaktuar kufirin e një are". Gazulli jep edhe variantin metef-i, fjalë e përdorur edhe në Malësi të Madhe e në Mirditë, me dy kuptime "1. - kufi dhe 2. - vend i naltsuem e në të lam" (Fjalorth, f. 262). Pasi bën krahasimet me serbokroatishten dhe me greqishten, jep shpjegimin e plotë: "Në Kanu të Lekës guri i kufinit për me u pranue si i tillë do t'ishte i sjellun me teh kundruell gurit tjetër". Këndej Gazulli na qet në rrugë për të gjykuar se meteh paraqet një përngjitje me kuptimin "me teh", ku me është parafjalë e teh-u "anë e mprehtë". Kemi të bëjmë këtu me një fjalë që shpjegohet nëpërmjet shqipes e me mjetet e saj e që mund të bëhet zanafilla e etimologjisë së emrit të kahinës që quhet Metohi.
Ravizuam thërrmia gjuhe vetëm duke prekur drejtimet kryesore nga duhet nisur studimi i Kanunit të Lekë Dulagjinit (varianti i Pukës) në pikëpamje gjuhësore.
E theksojmë edhe njëherë se ky variant është burim i vërtetë, një gurrë e pashtershme, ku gjuhëtari mund të shuajë gjithnjë etjen. E bash për këtë duhet përgëzuar z. Meçi, që me përkushtim ka ruajtur trajtat origjinale, duke u dhënë gjuhëtarëve lëndën e parë për punime e studime të mëtejshme.
Fran Luli
Krijoni Kontakt