Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310

    Asgjë S’është Më Fantastike Se Jeta

    Gjithmonë më ka habitur ideja e eksterritorialitetit të anijes. Anija është bartëse e sovranitetit, një pjesë mobile e tij, dhe po guxove e preke, e ke prek shtetin, ti je në luftë me shtetin. Por, nëse e ke prek njeriun, jo. Marinari i vrarë në kafen e molit nuk e ve shtetin në luftë. Vetëm marinari i vrarë në anije është alarm. E di, çështje juridiksionesh, etc.etc. por dua të them se çfarë ideje e mrekullueshme që njeriu të jetë bartës i po këtij sovraniteti, si anija. Që njeriu, më në fund, të jetë ai eksterritorialitet, ai territor biologjik i cili, po u prek, duhet të gjithë të jemi të alarmuar. Duhet të ketë ndodhur diçka thellësisht e vrazhdë dhe e gabuar në historinë e njeriut që e ka sjell në këtë situatë sa t’i ketë lakmi anijes!

    Askush më afër kësaj ideje sot nuk është sa Amerika. Ndoshta, si thotë filozofi amerikan Richard Rorty, sepse askush edhe nuk e ka përdorur fuqinë më brutalisht e më vrazhdë se Amerika, prandaj edhe askush s’është më reflektiv e më i ndieshëm ndaj keqpërdorimit të forcës, ndaj padrejtësive, dhe sidomos ndaj këtij paradoksi. Kjo gjë në një formë shumë të çuditshme e të përçudnuar na u dëshmua në rastin e Kosovës: Amerika ishte e gatshme të flijojë gjithçka materiale, edhe anijen edhe avionin, por jo njeriun, jo ushtarin. U tha po ashtu se, për herë të parë në historinë e njerëzimit, një luftë bëhet në emër të njeriut dhe të të drejtave të tij. Lufta në Kosovë në të vërtetë ishte vetëm një promovim spektakular i këtij parimi. Më në fund, një ushtar, një njeri vlente më shumë se një anije, më shumë se një avion.

    Mirëpo, sot pasi gjithçka kaloi, Kosova e ka një këndvështrim që s’e ka pasur më parë: këndvështrimin nga varreza e hapur masive. Dhe, prej atij këndi bota duket ndryshe. Po, vërtet, kjo luftë dëshmoi se njeriu vlen më shumë se një anije, por kjo ide e bukur përfundonte aty ku përfundon edhe sovraniteti amerikan, tek njeriu amerikan. Atje ku përfundon Evropa e menduar dhe disenjuar si kështjellë. Sepse, sidoqoftë, pas kësaj lufte doli se një njeri amerikan kushton më shumë se një njeri shqiptar, se një njeri tjetër jashtë Evropës së kuptuar si Kështjellë. Se gjithçka e bukur që u tha për këtë luftë vlen vetëm për të tjerët jo edhe për shqiptarët. Për shqiptarët ende vlen parimi se një anije është më e vlefshme se një njeri. Vetëmsa tashti anije për shqiptarët ishte njeriu amerikan, ushtari i saj.

    Por, më lejoni ta nis nga e para.

    Ishte ditë e mërkurë, datë 31 mars, kur mendova se kjo qenka dita e fundit në jetën time. Policia speciale serbe na mblodhi forcërisht tre mijë qytetarë të Prishtinës sa ishim në atë lagje, duke hyrë shpi më shpi, dhe na nisi diku. Askush nuk e dinte ku. Pas një gjysëm ore ecjeje nën britmat dhe urdhërat e policisë „brze, brze!“ („më shpejtë, më shpejtë“) arritëm tek stacioni i vogël i trenit në periferi të Prishtinës ku ata tashmë i kishin tubuar përafërsisht 25-30 mijë qytetarë. I pyeta se çfarë po presin. Më thanë: trenin! Vetëm atëherë e kuptova idenë e çmendur të tyre: deportimin e tërë një qyteti! Ishte ora 3 pas dite kur u gjenda në mesin e një qyteti të tërë që priste trenin, që priste të jetë i deportuar. E kisha ndjenjën e njeriut më fatkeq e më të harruar në këtë botë. Dhe, jo vetëm unë. Aty nga ora 11, diku nga qielli me hënë, u dëgjua uturima e avionëve të NATOs. Përnjëherësh, qyteti im i mbledhur te stacioni i trenit u çua në këmbë dhe nisi të duartrokiste e të brohoriste NATO, NATO, NATO...Kjo ishte shpresa, uturima e avionëve na dëshmonte se nuk jemi të harruar, se bota mendon në ne. Papritmas, kudo rreth e qark asaj ledine u dëgjuan të shtëna automatikësh të policisë serbe. Gjithçka u hesht menjëherë. Qyteti im u ul në tokë dhe u struk nga të ftohtit e natës e të fatit. NATO mbeti lart, shumë lart. Unë dhe qyteti im mbetëm poshtë, shumë poshtë. Në mëshirën e policisë serbe të armatosur dhe në pamëshirën e natës. Aty, në atë vend, në atë stacion të vogël të Prishtinës diku në periferi, ku zhvillohej tragjedia e deportimit të një qyteti të tërë, atë mbrëmje vdiqën vetëm dy pleq. Vdiqën nga ankthi dhe traumat, të bindur në fatalitetin e jetës dhe në ditën e kijametit. Po aty, atë mbrëmje, tri herë u dëgjuan të thirrmet: gjinekologu! Dhe, më pas, vaji i foshnjeve që po vinin në këtë botë në momentin më të rëndë në historinë e këtij qyteti. Unë, i strukur nga të ftohtit duke u munduar të kapi pakëz nxehtësi që lëshonte trupi i qytetit tim, po mendoja se ky duhet të ketë qenë parimi që përgjithësisht i ka mbajtur gjallë: lindnin më shumë sesa vdisnin. Madje, kjo gjithmonë ka qenë një temë e preferuar e poetëve tanë. Mirëpo, natyrisht, po ashtu e dija se asgjë s’është më fantastike se jeta, se realiteti. Unë sot, pas gjithë kësaj që ndodhi, jam i bindur se po të mos ishte vendimi i 19 demokracive perëndimore dhe NATOs për të vepruar në Kosovë ne, shqiptarët e Kosovës, do të ishim Khazarët [1] e këtij shekulli. Gjithmonë më ka interesuar si është e mundur të zhduket një popull i tërë. Zhdukja e dokumenteve dhe moslejimi i asnjë fotografie krimi të dalë nga Kosova dëshmon gjenialitetin kriminal të Millosheviqit. Atë që ai e dinte që nga fillimi e kuptova vetëm pasi u gjenda në Gjermani. Kuptova se të jesh viktimë nuk është e gjitha. Ti duhet edhe ta dëshmosh pozicionin tënd prej viktime. Duhesh të kesh fakte. Duhet t’i kesh fotot e urave të rënuara nga NATO si serbët. Sot, pas gjithë kësaj tragjedie, mendoj se e di se çfarë ka ndodhur me Khazarët. Ata nuk janë zhdukur, ata janë në mesin tonë, vetëm me identitete tjera dhe të harruar. Nuk kishin dëshmi, prova, nuk kishin foto. Ne patëm më shumë fat. As ne nuk patëm prova vizuale të krimit, pos atij numri fatkeq prej 1 milion njerëzish të deportuar, por lufta zgjati aq sa serbët nuk patën kohë t’i zhdukin gjurmët. Forensigët sot kudo në Kosovë zbulojnë varreza masive, duke zbuluar dimensionet gjenocidale të krimit. Gjëja e parë që u vërtetua me t’i zbuluar këto varreza është se derisa NATO bombardonte urat prej çimentoje dhe hekuri, tenkat dhe artileria serbe në Kosovë bombardonte urat prej mishi dhe gjaku. Ajo që dukej e dyshimtë kur flisnin të gjallët, sot është e padyshimtë kur po flasin të vdekurit.

    Nga këndvështrimi i një varreze masive fatkeqësisht, nuk po shifet vetëm krimi serb në Kosovë, por edhe ana tjetër e medaljes së kësaj lufte të proklamuar në mënyrë spektakulare si luftë për të drejtat e njeriut. Është e vërtetë, në aversin e kësaj medalje lufte stampohet për herë të parë se qeniet njerëzore janë më të rëndësishme se shteti dhe sovraniteti i tij. Se parimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë mbi parimin e sovranitetit të shtetit. Sepse, si tha presidenti Havell: shteti është krijim i njeriut, ndërkaq njerëzit janë krijesa të Zotit! Dhe mu për këtë, Serbisë edhe iu muarr licence to kill, njashtu siç i merret shoferit licence to drive, sepse abuzoi tmerrësisht të drejtat njerëzore të një populli në Kosovë. Mirëpo, fatkeqësisht, në reversin e kësaj medalje mbeti e stampuar po ajo metodë dhe po ai parim i luftës si gjithmonë deri më sot: qëllimi e arsyeton mjetin. Në emër të idesë së bukur dhe humane të të drejtave të njeriut u flijuan – njerëzit! Sot për sot, ende nuk kemi zbuluar ndonjë erzac për njeriun që duhet flijuar për ta zhvilluar dhe çuar më tej idenë e njeriut. Dhe, jo vetëm kaq. Edhe në këtë luftë që bëhej për të drejtat e njeriut, mospërgatitja e aleatëve që t’i flijojnë ushtarët e tyre dëshmonte se ende nuk ka humbur ideja se disa njerëz janë më të rëndësishëm se disa të tjerë.

    Por, sidoqoftë, vlen që t’i gëzohesh si një lajmi të mirë, si lajmit se ka jetë në Mars, se diku në botë, jashtë Kosove, njeriu më në fund është më i rëndësishëm se shteti, se njeriu është sovran. Kjo më mban me shpresë se ndoshta një ditë edhe në qytetin tim, në Prishtinë, në atë Makondon e humbur tim, do të arrijë ky parim njashtu siç një ditë prej ditësh në Prishtinë erdhi Coca Cola. Njashtu siç erdhi NATO.

    Ndërkaq, sot për sot, mbetet që në emër të një ideje të bukur e humane për njeriun t’i varrosim e t’i qajmë sipas zakonit ata që i flijuam për të – njerëzit – krijesat e Zotit!



    (Eseu u botua si kryeartikull i rubrikës së kulturës

    në të përditshmen berlineze Der Tagesspiegel, 11 gusht)


    [1] Popull historik që në një moment humb nga historia

    --------------------------------------------
    A mendoni se asgje s'eshte me fantastike se jeta?
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  2. #2
    It's not enough to speak.
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    353

    Per Ilovepeja

    Kjo esse ishte e mrekullueshme, nuk e kuptoj pse s'e ke postuar tek letersia. M'u duk sikur e pashe me syte e mi qytetin e strukur poshte qiellit, me syte nga qielli... E jashtzakonshme

Tema të Ngjashme

  1. Në kujtesën fantastike të Fellinit
    Nga Fiori në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-11-2006, 11:10
  2. PS: Qeveria s’eshte pergatitur per te perballuar emergjencat civile
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 13-12-2005, 03:44
  3. Sqarim i dyshimeve në lidhje me risitë
    Nga hasanii në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 29-05-2005, 11:21
  4. Kuptimi i shehadetit
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 13-01-2005, 13:56
  5. lexojeni se eshte fantastike
    Nga barbon në forumin Humor shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-07-2003, 13:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •