Në Ditën ndërkombëtare e personave të pagjetur, familjarë të të zhdukruve kanë kërkuar edhe një herë ndriçimi i fatit të rreth 1.900 personave të zhdukur që nga koha e luftës së fundit në Kosovë. Pas një performance para Teatrit Kombëtar, familjarët për një orë janë mbështetur në rrethojën e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke çuar mesazhin te institucionet që të bëjnë më shumë për gjetjen e më të dashurve të tyre.
Zepe Rukolli, nga Rezalla e Skenderajt, ndonëse ka mbushur 74 vjet dhe nuk është mirë me shëndet, vazhdon tu bashkangjitet aktiviteteve që organizohen për të kërkuar zbardhjen e fatit të më të dashurve të saj, që i humbi në masakrën e Rezallës. Ajo kishte ardhur sot në Prishtinë, së bashku me djalin për të marrë pjesë në shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave të pagjetur, të organizuar nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.

“ Kam të humbur, dy vllazninë, djalin tim, e djalin e vëllait. Për qatë na kanë pru këtu që me i gjete këta të vramë, po spo gjinden hiq”.

Megjithëkëtë numri i familjarëve të të zhdukurve, që ishin mbledhur përpara Teatrit Kombëtar, ku po zhvillohej ky aktivitet nuk ishte i madh. Kryesuesi i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kasumi, fajëson institucionet që nuk po bëjnë sa duhet për ta zbardhur fatin e të pagjeturve dhe e shqetëson fakti që në këto aktivitet po dalin çdo herë e më pak familjar.

“Po zvogëlohet si pasojë e gjendjes së rëndë të tyre. Nëse vazhdon ky ritëm i zgjidhjes së kësaj çështjeje, unë konsideroj se në dhjetëvjetëshin e fundit do të na mbeten shumë më tepër njerëz të cilët i kërkojmë se sa njerëz dhe familjar, të cilët do të jenë në gjendje të dalin për të kërkuar të afërmit e tyre”, tha Kosomi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri, Ramë Manaj, i cili gjithashtu ka të zhdukur djalin e që mori pjesë në këtë manifestim, tha se institucionet e Kosovës kanë bërë dhe po bëjnë gjithe maksimumin e mundshëm për ta mbyllë këtë problem.

“Por nuk varet nga ne sepse problemi i bashkëpunimit me Serbinë, prej nga ne presim të mbyllet çështja e të pagjeturve në kuptim të ndriçimit të fatit të tyre, vazhdon të mbetet tepër i vështirë, tepër delikat”, tha Manaj.

Ndërsa shefi i Misionit në Kosovës të Komitetit të Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Beat Snider, kërkon nga përgjegjësit që të kontribuojnë për zgjidhjen e këtij problemi, ku vetëm në hapësirat e vendeve të Ballkanit janë mbi 15 mijë persona të zhdukur.

“Autoritetet në Kosovë dhe Ballkan kanë obligim t’i zgjidhin rastet e zhdukjeve që kishin ndodhur në territoret që mbaheshin nën kontrollin e tyre, dhe t’i informojnë familjet”, tha Snider.

Pas një performance para Teatrit Kombëtar, familjarët për një orë janë mbështetur në rrethojën e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke çuar mesazhin te institucionet që të bëjnë më shumë për gjetjen e më të dashurve të tyre. Ndërsa nisma e të rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe rrjeti i aktivistëve “Nisma Ime”, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të zbardhë fatin e personave të pagjetur, vendosën në rrethojat e ndërtesës së saj 1887 pikëpyetje në fleta të bardha, simbolikë kjo e numrit shumë të madh të personave që nuk u dihet fati tash e 10 vjet.