Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Student Shqiptar Maska e Enri
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    Në ëndërrim për një botë ideale
    Postime
    604

    Nënë Tereza dhe diplomacia shqiptare

    Nga Skender Shkupi

    Lajmi se një shesh i Romës do të ripagëzohet me emrin “Maqedonia” dhe në qendër të tij do të vendoset një statujë e Nënë Terezës me mbishkrimin “Bijë e Maqedonisë” ka shkaktuar një shqetësim të madh e tejet të ligjshëm në të gjitha trojet shqiptare e, në radhë të parë, në Republikën e Shqipërisë. Njerëzit ndiehen të revoltuar dhe me të drejtë pyesin – si është e mundur që një ngjarje e tillë, që lidhet aq fort me interesat tona kombëtare, merret vesh vetëm tani kur përurimi i statujës dhe i sheshit gati-gati është bërë një fakt i kryer? A e dinë në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme që viti 2003 është viti i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe me rastin e kësaj ngjarjeje të pazakontë ka një program me një mori veprimtarish në Itali e kryesisht në Romë? Ç’të dhëna kanë në Ministrinë tonë për këtë program? A e dinë ata që e drejtojnë këtë dikaster se ç’përpjekje të mëdha po bën fqinji ynë lindor për ta bërë “të vetën” Nënë Terezën pasi në Shkup janë në kërkim të një identiteti që deri sot është vënë disi në dyshim?
    Dëshira për të rivalizuar me Shqipërinë për përkatësinë e Nënë Terezës është e vjetër në Maqedoni. Atë, unë dhe bashkëpunëtorët e mi në Ambasadën Shqiptare në Ankara, e kishim të qartë edhe në çastin e mbërritjes së lajmit të hidhur për vdekjen e shenjtores sonë. Menjëherë, pa pritur sugjerime nga Tirana, lajmëruam të gjitha ambasadat e akredituara në kryeqytetin turk për ngjarjen dhe ceremoninë e ngushëllimeve që do të organizonim të nesërmen në Ambasadën tonë. Shumë ambasadorë vetëm me atë rast “zbuluan” që Nënë Tereza ishte shqiptare. Pas dy ditësh të asaj ceremonie Ambasada Indiane do të organizonte një përshpirtje dhe një koncert në kujtim të Nënë Terezës. Ata kërkuan ndihmën tonë. Të gjitha gratë e Ambasadës dhe një atashe, të prira nga zonja e Ambasadorit, kaluan dy ditë të plota në Ambasadën e Indisë dhe dhanë një ndihmesë të çmuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë. Dhe vetëm një ditë më pas, Ambasada e Maqedonisë organizoi ceremoninë e saj të ngushëllimeve për përfaqësuesit e huaj. Veçse ishte tepër vonë. Ne ua patëm “djegur” letrat dhe në Ambasadën e Maqedonisë pothuaj nuk vajti askush. Ata erdhën te ne për ngushëllim. Kuptohet, askush nga ne nuk vajti tek ata sepse “gjëma” kishte ndodhur në “shtëpinë” tonë. Nënë Tereza ishte shqiptare dhe ne kapëm rastin për t’ua bërë të njohur të gjithëve një fakt të tillë.
    Nuk e kam aspak të qartë, a shfrytëzohet në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme përvoja e kaluar? A u jepen udhëzime ambasadorëve që të ndërtojnë lidhje të afërta, miqësore, me kryetarët e bashkive të kryeqyteteve përkatëse? Nëse janë dhënë udhëzime të tilla, si shpjegohet që përfaqësuesit tanë në Romë janë informuar me kaq vonesë për “sanksionimin” italian të Nënë Terezës si “maqedonase”? Ministria jonë e Punëve të Jashtme duhet të ishte, që në fillim të këtij viti, tejet e angazhuar për ngjarjen e madhe të shenjtërimit të Nënë Terezës. Ajo duhet t’i sugjeronte përfaqësuesve tanë në Romë që të viheshin në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryetarin e bashkisë të atij qyteti i cili dihet që është një personalitet politik në Itali. Diplomatët tanë atje duhet ta nxirrnin me kohë “jashtë loje” Maqedoninë në të gjitha veprimtaritë e pritshme të organizuara në kryeqytetin italian e jo të prisnin t’u bjerë në kokë si një gur i rëndë ceremonia qesharake e tjetërsimit absurd të Nënë Terezës nga shqiptare në maqedonase. Por, mbi të gjitha, i takonte MPJ-së t’u jepte orientime të qarta si drejtuesve të ambasadës që, jo vetëm të përpiqeshin të njiheshin me programet e planifikuara nga Selia e Shenjtë apo Bashkia e Romës për ceremonitë e shenjtërimit të pritshëm të Nënë Terezës, por edhe të bënin sugjerime të ndryshme me të drejtën e përfaqësuesve të kombit që kishte lindur atë grua të madhe. Me sa duket, angazhime më të rëndësishme e kanë penguar dikasterin të merret me punë të tilla që mbase duken si jashtë profilit të asaj Ministrie e që atje ndofta konsiderohen si ekskluzivitet i z. Ferdinand Samarxhi.
    Një fushë tjetër e punës së MPJ-së sonë duhet të ishte edhe “lufta me injorancën e europianëve për problemet shqiptare”. Në Europë rëndom Shqipëria paraqitet si “vend islamik”. Kjo përshtypje ekziston edhe në Itali. Në rrethana të tilla, ndonëse z. Veltroni mund ta dijë fare mirë që Nënë Tereza është shqiptare, ndofta mendon se do të ishte më mirë t’ua “blatonte” maqedonasve si “të krishterë” se shqiptarëve “myslimanë” të cilët “nuk kanë si ta kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e figurës së një shenjtoreje të krishterë”. Ne ende nuk kemi ditur të pasqyrojmë një realitet shqiptar në marrëdhëniet me europianët duke ua bërë të qartë atyre që ne jemi një vend multifetar e jo një vend islamik. Dhe së fundi, nuk kemi arritur gjithashtu t’ua shpjegojmë atyre se islamizmi shqiptar është tepër i butë, përparimdashës dhe krejt i huaj ndaj veprimtarive terroriste të sekteve ekstremiste të Lindjes së Mesme. Sikur ta bënim diçka të tillë mbase do të shmangeshin edhe shumë ngjarje të papëlqyera që ne na irritojnë. MPJ duhet të jetë shumë aktive, shumë e zhdërvjellët dhe me iniciativë. Nuk është puna të organizojmë neutralizimin e një evenimenti negativ i cili na kap në befasi. E rëndësishmja, e parapëlqyera, e dobishmja është parandalimi i saj. E për ta parandaluar një fatkeqësi, madje qoftë edhe një incident, duhet një punë e gjatë dhe këmbëngulëse por mbi të gjitha, inteligjente. Le të shpresojmë që në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme do të dinë t’i japin përparësinë që kërkon punës cilësore që ngjan e nevojshme për çdo institucion por që në dikasterin e lartpërmendur përbën një domosdoshmëri.
    Rregullorja e Forumit Shqiptar | Te Drejtat e Anetareve | Pyetje - Pergjigje |

    Verejtje dhe Keshilla| Te Drejtat e Stafit | Probleme? Klikoni ketu...
    |
    __________________

    Feja e Shqiptarit është Shqiptaria !
    __________________
    Ah moj Shqipni e mjera Shqipni!
    Kush t'ka qit me krye ne hi?
    Ti ke pas ken nje zonj e rand...
    Burrat e dheut te thirrshin NANE...
    (Pashko Vasa)

  2. #2
    Student Shqiptar Maska e Enri
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    Në ëndërrim për një botë ideale
    Postime
    604

    Kadare: Mjaft racizmit ndaj shqiptarëve

    Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka reaguar ndaj shtrembërimit të identitetit të Nënë Terezës

    Kadare: Mjaft racizmit ndaj shqiptarëve

    “Shqipëria duhet ta bëjë problem të madh këtë në të gjitha instancat europiane”

    Z.Kadare, si mendoni pse ndodh pikërisht ky incident kur është viti i shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares së madhe?
    - Kjo që po ndodh për mua është shumë shqetësuese. Është shumë shqetësuese jo vetëm për faktin se lidhet për Nënë Terezën, por merr një kuptim dhe më të gjerë. Kjo është një gjë që nuk ardhur nga mungesa e informacionit, apo nga padija, është gjë që është bërë me lloj cinizmi, sepse botërisht dihet se Nënë Tereza quhet shqiptare kudo. Zyrtarisht, botërisht nuk ka keqkuptim me këtë gjë, për shkak se ka shumë vite, me këmbënguljen e saj, ajo është deklaruar si shqiptare dhe pranohet kudo, në të gjitha gjuhët e botës si Nënë Tereza me origjinë shqiptare, që ka lindur nga prindër shqiptarë. Pra ajo njihet si murgesha, shenjtorja shqiptare. Prandaj këtu nuk ka punë mungesë informacioni, këtu duket është kureshtje shqetësuese si dukuri, lidh një dukuri më të gjërë. Europa ka kulturën e saj, por për fat keq ditët e fundit vihet re qartë një racizëm antishqiptar. Ato janë shenja shumë të këqija për botën, për kontinentet, për rajonin ku lindin. Për fat të keq kjo është një gjë nuk mund të na pëlqejë, por është e vërtetë. Shqiptarët, Shqipëria krijon nervozizëm jo vetëm në rrethe të caktuara, në ato që quhen antishqiptare, jo, por për fat të keq krijon nervozizëm shumë vende edhe në rrethe të gjëra në opinionin publik. Dhe këtu nuk është fjala që ne të hiqemi si viktima, siç e kemi patur zakon dhe të ankohemi se të gjithë janë të këqinj dhe vetëm ne jemi të mirë. Jo! Natyrisht në këtë gjë populli ka mungesat e veta, ka përgjegjësitë e veta, ka atë gjë që ka nervozuar botën, e nervozon. Megjithatë në këtë realitet të errët që kanë provuar disa herë njerëzit e këtij populli, unë vë re që populli shqiptar nuk meriton një racizëm të tillë, të kësaj përmase. Asnjë popull nuk e meriton, kjo padyshim. Racizmi është një shenjë shumë e keqe kur shfaqet dhe ne duhet të jemi shumë të shqetësuar të gjithë si Shqipëri, popull, opinion publik, si shtet, si kulturë, si institucion. Nuk duhet të rrimë duarkryq, në qoftë se bindemi nëse ka një racizëm antishqiptar. Shteti shqiptar, shoqëria dhe opinioni publik shqiptar nuk duhet të rrijë duarkryq. Është shumë i rrezikshëm racizmi, paralajmëron gjëra shumë të këqija në të gjitha format. Ai është i drejtpërdrejtë dhe i tërthotë. Racizmin e drejtpërdrejtë e vuajnë një milion refugjatët shqiptarë të shpërndarë nëpër Europë. E dinë ata që vuajnë, është një tragjedi e tmerrshme, e padukshme që është e shpërndarë në mijëra e mijëra familje. E vuajnë që nga njerëzit që ndeshen drejtpëdrejt me të, fëmijët shqiptarë që shkojnë në shkollë, nënat u thonë të mos deklarohen si shqiptarë. Duke përgatitur kështu njerëz të gjymtuar, që janë të huaj për ato nëna vetë, për vendin që i ka pjellë, të huaj për vendin ku jetojnë, të huaj për të gjithë botën. Për fat keq Shqipëria nuk flet për këto gjëra, sociologët dhe psikologët tanë nuk flasin për këto gjëra, është një temë tabu, sepse nuk duan të shikojnë të vërtetën në sy. Pra ky është rasti i drejtpërdrejtë që vuan një pjesë e madhe e popullit shqiptar. Racizmi i tërthortë në Shqipëri, është rasti i Nënë Terezës, ku duan ta heqin popullin shqiptar nga çdo kujtim i tij i vyer, që është Nënë Tereza, që tregon një simbol, një dëshirë e popullit shqiptar për të patur një kontakt me botën, për t’u lidhur me familjen e popujve, nëpërmjet dashurisë dhe jo nëpërmjet mllefeve, urrejtjes, disa herë siç paraqitet, egërsisë. Por ja që tashti ka disa mendje që mendojnë se si ta neutralizojmë së paku, si t’ua heqim shqiptarëve.
    Duke marrë shkas nga rasti i Nënë Terezës, si mendoni zoti Kadare, kujt i shërben manipulimi i historisë së shqiptarëve?
    - Unë nuk mendoj se ka ndonjë vendim që është marrë në zyrë për të fituar në kurriz të shqiptarëve. Kjo është një rrjedhojë e nervozizmit të shqiptarëve, e një psikoze të rrezikshme, të hapur në Europë ndaj shqiptarëve. Nuk duan që populli shqiptar të çmohet për diçka, që për këtë shkak është qortuar gjithmonë se është shkatërruar, nuk është i aftë të krijojë shtet dhe të ndërtojë. Kjo figurë, Nënë Tereza, papritur e kundërshton këtë gjë, duke treguar se është një popull që ka nxjerrë simbole të mëdha të dashurisë në shkallë planetare dhe të tillë nuk i pëlqen. Kësaj lloj psikoze nuk mund t’i pëlqejë ky kundërshtim, ashtu siç nuk mund t’i pëlqejë për fat keq edhe rretheve shqiptare dhe antishqiptare që janë sot, siç ka një fushatë të heshtur në Shqipëri ndaj Skënderbeut, figura më e madhe e Ballkanit dhe vendit tonë, figurë e ndritur për Europën politike, që mishëron zhvillon krejt Ballkanin drejt Europës, prandaj ka propagandë kundër tij. Vlera të tilla duan ta privojnë popullin shqiptar, ta ndajnë prej tyre, në mënyrë që të triumfojë kjo psikozë negative, ky racizëm. Prandaj ndaj racizmit nuk duhet qëndruar duarkryq. Shqipëria duhet ta bëjë problem të madh këtë në të gjitha instancat europiane, qoftë në planin kulturor, etik, edhe në atë politik. Kur ajo konstaton racizëm flagrant, Shqipëria duhet të ankohet qoftë edhe në Këshillin e Europës, sepse racizmi është i dënuar nga Europa. Ajo i ka larë duart nga racizmi, i ka mbyllur hesapet me të, nuk duhet të ringjallet. Është njëlloj si të ringjallet nazizmi, sepse racizmi është vëlla i nazizmit, bën pjesë në kuzhinat fashiste. Prandaj të gjitha institucionet shqiptare dhe opinioni publik duhet të mobilizohet kundër kësaj gjëje.
    Pavarësisht iniciativës të ndërmarrë nga intelektualët shqiptarë, si mendoni ç’rol duhet të ketë shteti shqiptar për këtë incident të ndodhur me shqiptaren e madhe Nënë Tereza?
    -Unë nuk jam specialst i diplomacisë, por mendoj se duhen bërë të gjitha demarshet. E para, ko është një falsifikim shumë i rëndë, një mashtrim përpara gjithë opinionit botëror. Është e çuditshme se kjo ndodh në Itali. Në Romë, vendin kur njerëzit e kulturës dhe dijes e dinë se kush është Nënë Tereza, nga vjen dhe si është cilësuar ajo zyrtarisht që nga Vatikani dhe nga Papa vetë, nga vetë kështjella e katolicizmit. Atëherë si shpjegohet, pse në Romë ndodh kjo sfidë, ky përçudnim, ky mashtrim. Prandaj këtu duhen bërë të gjitha lëvizjet, ndërhyrjet që nga diplomacia shqiptare, organizmat, institucionet shqiptare kudo që janë, të kërkojnë se përse bëhet kjo gjë, ku është qëllimi, pasi kjo është një gënjeshtër kaq e trashë që të lejohet përpara opinionit botëror, në qendër, në Romë, nuk është në një qytet jo të rëndësishëm të Europës. Dhe Roma në këtë rast lidhet me emrin e Nënë Terezës, sikurse lidhet Shqipëria. Prandaj nuk duhet të rrimë duarkryq dhe nuk mjafton ky peticion që kemi bërë ne, ky është vetëm fillimi, të paktën ndonjë reagim duhet bërë. Sigurisht ky është incident. Nuk e di se kryetari i Bashkisë së Romës, kujt bindjeje politike i përket, sa lidhje ka me qeverinë italiane ose jo, me luftën politike-kulturore në Itali. Por është një incident, madje unë do të thosha është më kot t’i themi një incident, sidoqoftë mbetet në rrethe të kufizuara diplomatike, shtetërore dhe zyrtare, kjo është një fyerje, një lloj shuplake që i bëhet një populli të tërë. Ajo çka fshihet prapa është edhe më e shëmtuar. Përse bëhet kur dihet se këtu nuk ka mungesë informacioni, është një lloj sfide, përçmimi që bëhet publikisht përpara gjithë botës një populli.
    Mendoni se Ballkani vazhdon të vuajë ende nga nacionalizmat, ka ende qarqe antishqiptare kur liderët e Europës dhe të vetë rajonit janë angazhuar për integrimin europian të rajonit?
    -Ballkani nuk mund të çlirohet lehtë nga psikoza nacionaliste. Sigurisht çdo pastrim i tij çdo vit është një sukses për të gjithë. Unë besoj se Ballkani do shplahet nga kjo damkë. Besoj se ne duhet të gëzohemi për këdo që fillon të shplahet nga Ballkani, nuk duhet të jemi xhelozë. Për fat keq cmira dhe xhelozia janë sporti kombëtar i të gjithë ballkansave, vuajnë të gjithë nga kjo dhe duhet të dimë të shkëputemi nga kjo metodologji, pseudokulturë e keqe. Unë shpresoj se megjithë këtë kaluar të keqe, ballkanasit do e kapërcejnë këtë gjë. Ne shqiptarët, pavarësisht se i bëjnë të tjerët nuk duhet të ushqejmë më urrejtje, duhet të përpiqemi që të emancipohemi, të përpiqemi edhe vetë. Por emancipimi kalon nëpërmjet ndërtimit dhe jo shkatërrimit. Në qoftë se ne ndërtojmë jetën tonë siç duhet, çdo ditë ekonominë, kulturën tonë, gjithçka që përbën jetën tonë njerëzore, vetvetiu mund të emancipohemi. Vetvetiu edhe imazhi i keq që u krijua në botë do të fillojë të retushohet, të pastrohet.

    Si e komentoni ndikimin e faktorit shqiptar për integrimin europian?

    Faktori shqiptar është shumë i rëndësishëm në Ballkan dhe ka shumë peshë. Por ai peshën e vet do ta fitojë kur ai të shkëputet, të luftojë edhe vetë, të mos kënaqet me atë ç’ka arritur. Është gjë e mirë që populli shqiptar ka një autokritikë sot dhe kjo po vërehet nga shumë njerëz, mendje të ndritura sot në Evropë, domethënë që populli shqiptar ka filluar të shikojë me kritikë veten e vet, të kuptojë se çfarë duhet ndrequr, të mos kënaqet kot me përralla dhe me fantazira të kota. Natyrisht kjo nuk bëhet vetëm, miqësitë nuk ndërtohen vetëm, miqësitë ndërtohen mbi një bazë reciprociteti, miqësitë janë të ndërsjellta, kështu që populli shqiptar nuk mund të ndërtojë vetëm miqësitë duke shpallur atë pa iu përgjigjur të tjerët. Kështu që kthehemi prapë te figura e Nënë Terezës, adhurimi i shqiptarëve për të është një mesazh miqësie që ai i dërgon popujve të tjerë. Kjo është një gjë e madhe, sepse ky mesazh kthehet mbrapsht, si të thuash në rrethe të caktuara, e për fat të keq hidhet një dush i ftohtë mbi këtë prurje të mirë të vlerave të popullit tonë që tregon në këto çaste në Evropën e sotme, në Ballkanin e sotëm.
    Marrë nga TV Alsat
    Rregullorja e Forumit Shqiptar | Te Drejtat e Anetareve | Pyetje - Pergjigje |

    Verejtje dhe Keshilla| Te Drejtat e Stafit | Probleme? Klikoni ketu...
    |
    __________________

    Feja e Shqiptarit është Shqiptaria !
    __________________
    Ah moj Shqipni e mjera Shqipni!
    Kush t'ka qit me krye ne hi?
    Ti ke pas ken nje zonj e rand...
    Burrat e dheut te thirrshin NANE...
    (Pashko Vasa)

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-06-2002
    Postime
    131

    Re: Kadare: Mjaft racizmit ndaj shqiptarëve

    Postuar më parë nga Enri
    Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka reaguar ndaj shtrembërimit të identitetit të Nënë Terezës

    Kadare: Mjaft racizmit ndaj shqiptarëve

    “Shqipëria duhet ta bëjë problem të madh këtë në të gjitha instancat europiane”

    me ke te reagoje????
    me ilir meten?!?!?

  4. #4
    Student Shqiptar Maska e Enri
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    Në ëndërrim për një botë ideale
    Postime
    604
    Nënë Tereza, lëvizjet e diplomacisë kundër projektit maqedonas

    TIRANE- Diplomacia shqiptare aktivizohet për të mos lejuar vendosjen e emrit “Maqedonia” një prej shesheve të Romës ku do të vendoset busti i Nënë Terezës në prag të shenjtërimit të saj nga Vatikani. Burime nga Ministria e Jashtme thanë dje se hapat e ndërmarra për këtë çështje nisin me interesimin e ambasadorit tonë në Romë Pëllumb Xhufi pranë kryetarit të Bashkisë së Romës, Veltroni, ku është informuar se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë. Po kështu, është realizuar një takim me zyrtarë të lartë të Selisë së Shenjtë ku i është paraqitur ky shqetësim, dhe janë marrë garancitë për shmangien e një veprimi të tillë. Kjo çështje sipas të njëjtave burime, është ngritur në takimin midis presidentit Moisiu me kryetarin e Dhomës së deputetëve të Parlamentit italian, Kazini.
    Në këtë konteks është dhënë intervistë për të sqaruar këtë çështje nga ambasadori Xhufi në gazetën “Shekulli”.
    Në këtë intervistë ai shprehej se ka marrë garanci se nuk bëhet fjalë që ndonjë sheshi në Romë t’i vihet emri Maqedonia dhe as që Nënë Tereza të quhet bijë e Maqedonisë. Por për të mos mbetur në kuadër të garancive që vijnë përmes deklaratave diplomatike po vazhdojnë të marrin kontakte në nivele të larta me autoritetet përgjegjëse italiane. Ministria e Jashtme garantoi se janë në proces peticione të intelektualëve të shquar shqiptarë.
    Rregullorja e Forumit Shqiptar | Te Drejtat e Anetareve | Pyetje - Pergjigje |

    Verejtje dhe Keshilla| Te Drejtat e Stafit | Probleme? Klikoni ketu...
    |
    __________________

    Feja e Shqiptarit është Shqiptaria !
    __________________
    Ah moj Shqipni e mjera Shqipni!
    Kush t'ka qit me krye ne hi?
    Ti ke pas ken nje zonj e rand...
    Burrat e dheut te thirrshin NANE...
    (Pashko Vasa)

  5. #5
    Student Shqiptar Maska e Enri
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    Në ëndërrim për një botë ideale
    Postime
    604
    Akademia e Shkencave: Nënë Tereza ka deklaruar: “Atdheu im është Shqipëria”
    TIRANË – “Fakti që Nënë Tereza ka prejardhje shqiptare është i pamohueshmëm. Ajo e ka deklaruar vetë në ceremoninë e marrjes së çmimit “Nobel” me plot gojën: “Atdheu im është Shqipëria”. Akademia e Shkencave të Shqipërisë në lidhje me vënien në dyshim të origjinës së Nënë Terezës pikërisht para shenjtërimit të pritshëm të saj në Romë, ka dalë me një deklaratë në të cilën shprehet se nuk ka asnjë dyshim se humanistja e madhe është bijë e kombit shqiptar, se varret e të parëve dhe të të afërmve të saj gjenden në Shqipëri dhe se ajo vetë ka deklaruar me rastin e marrjes së çmimit “Nobel” se atdheu i saj është Shqipëria. “Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe me shqetësim të madh lajmet e përhapura përmes medias për përpjekjet për të mohuar origjinën shqiptare të Nënë Terezës. Asnjë përpjekje e frymëzuar nga motive të mbrapshta nuk mund të verë në dyshim një të vërtetë të njohur botërisht. Kryesia e Akademisë ka besim në përpjekjet e shtetit shqiptar për ta mbrojtur këtë të vërtetë pranë autoriteteve të huaja kompetente”, - konkludon në deklaratën e djeshme për shtyp kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sa i përket debatit për ngritjen e një shtatoreje të Nënë Terezës në Tiranë, kryesia e Akademisë shprehet se në kuadrin e programit qeveritar për kremtimin e shenjtërimit të Nënë Terezës është parashikuar pikërisht ngritja e përmendores së saj në Tiranë. Është shpallur madje edhe një konkurs për këtë qëllim, si edhe është parashikuar mbajtja e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Nënë Tereza dhe vepra e saj”, që do të organizohet nga Akademia e Shkencave dhe do të mbahet në muajin tetor në Tiranë, muaji i shenjtërimit të Nënë Terezës në Romë.
    Rregullorja e Forumit Shqiptar | Te Drejtat e Anetareve | Pyetje - Pergjigje |

    Verejtje dhe Keshilla| Te Drejtat e Stafit | Probleme? Klikoni ketu...
    |
    __________________

    Feja e Shqiptarit është Shqiptaria !
    __________________
    Ah moj Shqipni e mjera Shqipni!
    Kush t'ka qit me krye ne hi?
    Ti ke pas ken nje zonj e rand...
    Burrat e dheut te thirrshin NANE...
    (Pashko Vasa)

  6. #6
    Student Shqiptar Maska e Enri
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    Në ëndërrim për një botë ideale
    Postime
    604

    Shqiptarja e shenjtë

    Nga Franko Egro

    Afro 50 vjet më parë në shkallët e një spitali të Kalkutës në Indi, Nënë Tereza gjeti një grua thuajse të copëtuar nga kafshimet e minjve dhe të kafshëve të tjera endacake që sorollateshin aty pranë. Pasi e futi menjëherë brenda, i gjeti një shtrat dhe i qëndroi pranë derisa dha shpirt. Ishte pikërisht kjo ngjarja që shënoi edhe startin e misionit të jetës së saj, njerit prej më fisnikëve në historinë e njerëzimit. “Vdekja është natyrore dhe vjen nga Zoti, por është detyra jonë të bëjnë që njerëzit të vdesin me dinjitet”, ishte lajtmotivi i punës dhe i jetës së saj. Nënë Tereza nuk rreshti për asnjë çast së kujdesuri për individët më të braktisur të shoqërisë, pra për ata që bota vazhdimisht tentonte t’i harronte. Në një tempull Hindu, i ngritur në afërsi të Kalkutës, për nder të Perëndisë indiane Kali, por krejtësisht të braktisur dhe të harruar, ajo krijoi shtëpinë e parë për ata që ishin në prag të vdekjes. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, urdhri i saj themeloi Qytetin e Paqes për koloninë me lebrozë në mesin e viteve ’50. Kjo sipërfaqe toke iu dha më pas dhuratë prej autoriteteve indiane. Në Indi, por jo vetëm atje, Nënë Tereza ju dedikua të verbërve, të paaftëve, të moshuarve dhe të varfërve. Ajo çeli shkolla, jetimore dhe shtëpi për njerëzit në nevojë. Murgesha më e famshme në botë e ktheu vëmendjen shpejt edhe tek viktimat e SIDA-s, në kohën kur ajo filloi të paraqitej shumë rrezikshëm. Deri në vitin 1996, ajo çeli 517 misione në më shumë se 100 vende të ndryshme të botës. Vullneti i saj i çeliktë nuk njihte kufi. Engjëlli i paqes ishte e pranishme kudo. Nuk mund të harrohet lehtë se në vitin 1982, pikërisht në kulmin e rrethimit të Bejrutit, Nënë Tereza shpëtoi jetën e 37 fëmijëve të rrethuar në një spital. Askush tjetër, përveç saj nuk arriti të vendoste qoftë edhe përkohësisht ndonjë armëpushim të vetëm midis ushtrive izraelite dhe guerilasve palestinezë. Edhe pas fitimit të çmimit Nobel, asgjë nuk ndryshoi në jetën dhe angazhimin e saj të përditshëm. Vishte gjithnjë sarin e saj të bardhë e të gjatë karakteristik që kushtonte vetëm një dollar. Kjo ishte mënyra për t’u identifikuar plotësisht me të varfrit në kohën kur çeli misionin e saj “Misionaret e Paqes”. Vlerat e kësaj pune sa njerëzore, aq edhe fisnike u ndjenë menjëherë në qytetin e saj të adoptuar, Kalkuta. Por urdhri i saj u zgjerua ndjeshëm pas vitit 1965, në kohën kur vetë Papa Pali VI e vlerësoi dhe urdhëroi ekspansionin e saj nëpërmjet autoritetit të Kishës Katolike. Duke përfituar nga realiteti i ri, Nënë Tereza krijoi shtëpi për të varfrit duke filluar nga kasollet e Kalkutës e deri në getot e frikshme të Nju Jorkut. Puna e saj gjithnjë e vlerësuar është shpërblyer vazhdimisht me dekorata dhe çmime të pafund si nga shtete, ashtu edhe organizata ndërkombëtare. Por, ishin metodat e financimit ato që tërhoqën të vetmet kritika në adresë të punës së saj. Operacionet bamirëse të Nënë Terezës financoheshin si nga fondacione publike, ashtu edhe donatorët privatë. Por jo gjithçka kaloi qetë dhe pa andralla. Në vitin 1994 një dokumentar i përgatitur nga një stacion televiziv britanik i titulluar “Engjëlli i Ferrit: Nënë Tereza e Kalkutës” e akuzonte atë se kishte pranuar fonde edhe nga burime të dyshimta dhe shpeshherë tepër të diskutueshme. Atje përmendej rasti i fondeve që i dhuroi misionit të saj diktatori haitian Zhan Klod Duvalier. Por, në stilin e saj tipik, Nënë Tereza nuk u shqetësua. Ajo dha vetëm një përgjigje të shkurtër ku nënvizonte se për të nuk kishte aspak rëndësi burimi nga vinin paratë. Ato ishin të mirëseardhura për të vazhduar misionin e financimit të qendrave të bamirësisë. Ishin këto të vetmet kritika për murgeshën e mpakët, aktiviteti humanitar i së cilës u shtri në më shumë se gjysmë shekulli, pra kritikë siç u shprehën vëzhguesit, tërësisht e papërfillshme dhe e pallogaritshme. Ndoshta vlerësimin më të madh për të e bëri presidenti Francez Zhak Shirak, i cili ditën e vdekjes u shpreh: "Këtë mbrëmje, ka më pak dashuri, më pak humanizëm dhe më pak dritë në botë". Nuk kishte dyshim se Nënë Tereza do të shenjtërohej. Ky është vlerësim për jetën dhe punën e saj, por mbi të gjitha kjo është më së shumti në interesin e vetë Vatikanit. Papa Gjon Pali II në një ceremoni apostolike fundvitin e kaluar konfirmoi mrekullinë që i atribuohej asaj. Sipas saj një vajzë e re indiane, që vuante prej kohësh nga kanceri i stomakut u shërua plotësisht si rezultat i bekimit dhe i lutjeve që i kishte bërë statujës së Nënë Terezës. Një grup i posaçëm mjekësh nuk mundën ta shpjegonin shërimin e beftë dhe të plotë të saj. Ishte pikërisht ky proces që krijoi të gjitha hapësirat e nevojshme që Nëna e mpakët të shenjtërohet në 19 Tetor. Në kushte normale procesi i shenjtërimit nuk mund të fillojë deri në pesë vjet pas vdekjes së kandidates. Megjithatë Papa ka shprehur në mënyrë konstante ndjenjat e tij tepër të veçanta për angazhimin e misionares së madhe. Motivacioni i shenjtërimit është tepër domethënës dhe kuptimplotë: "Trupi i saj i vogël u shndërrua në emblemë botërore të vlerave humanitare të krishtërimit. Nëpërmjet shembullit të saj ajo frymëzoi një lëvizje të gjerë bamirësie dhe pune sociale në dobi të pjesës së margjinalizuar të shoqërisë".
    Rregullorja e Forumit Shqiptar | Te Drejtat e Anetareve | Pyetje - Pergjigje |

    Verejtje dhe Keshilla| Te Drejtat e Stafit | Probleme? Klikoni ketu...
    |
    __________________

    Feja e Shqiptarit është Shqiptaria !
    __________________
    Ah moj Shqipni e mjera Shqipni!
    Kush t'ka qit me krye ne hi?
    Ti ke pas ken nje zonj e rand...
    Burrat e dheut te thirrshin NANE...
    (Pashko Vasa)

  7. #7
    xha Barka Maska e Jonian
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Ec drejt bulevardit deri te Skenderbeu. Aty pastaj futja nga te duash...
    Postime
    332
    Keshilli Kombetar Shqiptaro Amerikan
    2021 L Street, N.W., Suite 402, Washington, DC 20036
    481 8th Avenue, Suite 922, New York, NY 10001
    Brigada e Krajishtes, No. 8, 38000 Prishtina, Kosova
    Telephone: (202) 466-6900 Fax: (202) 466-5593
    Web: www.naac.org Email: naac@naac.org
    __________________________________________________ ______________________
    Për Shtyp: 8 gusht 2003
    Deklaratë për Shtyp

    KKSHA i shkruan New York Times: Nënë Tereza është shqiptare

    Washington, DC, 8 gusht 2003: Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan nxorri këtë njoftim për shtyp në lidhje me letrën që i është derguar sot gazetës New York Times rreth kombësisë së Nënë Terezës.

    I nderuar redaktor i gazetës "New York Times"!
    Në artikullin e tij "Shpirti shenjtor kujtohet, ne një mënyrë vërtetë
    ballkanike", botuar më 6 gusht 2003, Ian Fisher raporton mbi një
    argument në lidhje me identitetin etnik të Nënë Terezës, argument ky i cili nuk ka asnje merite.
    Artikulli i z. Fisher adopton një tendencë të re ballkanike që faktet e pavolitshme i prek tepër kalimthi. Jo vetëm që autori nuk përmend faktin se Nënë Tereza e ka identifikuar veten haptazi si shqiptare, por ai citon një deklaratë maqedonase të pavërtetë se kinse Nënë Tereza nuk ka folur shqip dhe si rrjedhojë nuk ka patur prejardhje shqiptare.
    Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj e ka shprehur qartë se ajo ka qenë shqiptare dhe, në fakt, kur mori Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1979, ajo shkroi prej Oslos: "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar. Unë lutem për ju." Murgesha katolike më e njohur në botë pohoi të njëjtën gjë rreth një dekade më vonë gjatë një vizite në Organizatën e Kombeve të
    Bashkuara (OKB). Gjatë një meshe që komuniteti shqiptar në Bronx (New York) mbajti në nder të saj më 17 qershor 1988, Nënë Tereza foli në shqip dhe recitoi në gjuhën amtare "Punën e Pendimit". Ka shumë fakte të tjera që pohojnë etnicitetin shqiptar të Nënë Terezës.
    Për shembull, në faqen zyrtare të Çështjes së Shenjtërimit të Nënë Terezës
    (http://www.motherteresacause.info) shënohet se "Agnes Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, ka lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, Maqedoni, me prejardhje shqiptare."
    Për më tepër, kohët e fundit Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan
    (KKSHA) i akordoi ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, çmimin "Duart e Shpresës". Gjatë fjalimit të tij më 19 qershor 2003, Presidenti Clinton i kushtoi rëndësi të veçantë figurës së nderuar të Nënë Terezës, duke thënë: "Dëshiroj të them një fjalë falënderimi për një
    shqiptare madhështore e cila nuk jeton më në këtë tokë. Do të doja të flasmë shumë për Nënë Terezën, të cilën unë kam pasur nderin ta njoh personalisht. Hillary [Clinton] ka punuar me të [ Nënë Terezen] për të ndërtuar një qendër spitali në Washington, D.C....". Në artikullin e tij të fundit z. Fisher gjithashtu shkruan se çështja në fjalë komplikohet edhe më teper nga fakti se Nënë Tereza i përkiste fesë katolike, "ndërkohë që shumica e shqiptarëve janë muslimanë, gjë që ka hapur një shteg
    për spekulim rreth rrënjëve etnike të vërteta të Nënë Terezës." Fjalia e mësipërme demonstron që z. Fisher nuk ka hulumtuar aq sa duhet para shkrimit të artikullit. Autori nuk merr mundimin të tregojë se Shqipëria historikisht është njohur si një vend laik ku të gjitha besimet fetare kryesore kanë bashkë-ekzistuar
    paqësisht për shekuj me rradhë dhe martesat ndër-fetare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mëse të zakonshme. Shqipëria është vendi i të gjithë besimeve kryesore të botës - duke përfshirë fenë islame, katolicizmin, besimin ortodoks dhe atë hebre. Në të vërtetë besimtarët kristianë përbëjnë
    më shumë se 30 për qind të popullsisë së Shqipërisë.
    Përqasja e autorit i bën jehonë një tendence tjetër ballkanike: besimi fetar është baza nëpërmjet të cilës caktohet etniciteti i dikujt. Kjo metodë është përdorur herë pas here prej shteteve fqinje të Shqipërisë për të vënë në pikëpyetje në mënyrë të padrejtë etnicitetin e atyre shqiptarëve që nuk i përkasin fesë muslimane. Prandaj, vërejtjet e z. Fisher janë ofenduese
    ndaj të gjithë shqiptarëve - pavarësisht nga besimet e tyre fetare - përderisa ato nënkuptojnë se vetëm ata individë që i përkasin besimit musliman janë shqiptarë.
    Evidencë e mëtejshme që dëshmon për tolerancën fetare të shqiptarëve është parashtruar qartë edhe në deklaratën që Kardinali O'Connor dha më 28 korrik 1999 në mbështetje të nisjes së procesit të shenjtërimit të Nënë Terezës.
    Duke rikujtuar vizitën e tij në Shqipëri në fillim të viteve '90,
    Kardinali O'Connor thotë se, "kur pata privilegjin e madh që të vizitoj Shqipërinë me Atin Tonë të Shenjtë, Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezën e Kalkutës, pas kaq shumë vitesh që ky vend ka qenë krejt i izoluar prej Perëndimit, unë pashë se si muslimanë e të krishterë bashkë e përshendetën Nënë Terezën me të njëjtin entuziazëm dhe përzemërsi".
    Pavarësisht se kohët e fundit kanë nisur të qarkullojnë një sërë
    raportesh ndërkombëtare që bëjnë të ditur se Shqipëria po planifikon të shënojë shenjtërimin e Nënë Terezës me një sërë konferencash dhe simpoziumesh kombëtare, me publikimin e librave dhe albumeve rreth jetës së saj, dhe me inagurimin e një filmi të ri dokumentar si dhe një sërë koncertesh, z.Fisher as që nuk e merr mundimin të përmendë ndonjë prej këtyre ngjarjeve të
    rëndësishme në artikullin e tij të fundit. Ai lë jasht faktin se i vetmi
    aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë mban emrin e hirësisë së saj të nderuar, të njëjtin emër që ka edhe Spitali Qendror i kryeqytetit të Shqipërisë, si dhe një shesh i madh në zemër të Tiranës ku qeveria shqiptare së shpejti do të ngrejë një përmendore në nder të kësaj bije shqiptare.
    Së fundi, mungesa e objektivitetit në artikullin e z. Fisher nuk tregon asnjë pikë respekti ndaj vetë-identifikimit të Nënë Terezës si shqiptare, dhe duke dështuar të respektojë këtë ai përpiqet të ndezë një debat të cilin vetë Nënë Tereza i dha fund shumë vite më parë.
    ----------------------------------------------------------------------------------
    Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) është një organizatë jo
    përfituese dhe jo qeveritare e dedikuar ndaj përkrahjes së çështjeve
    shqiptare, promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan për

    forcuar politikat demokratike, për të inkurajuar respektin për të
    drejtat e
    njeriut nëpërmjet ofrimit të programeve të zhvillimit dhe edukative.
    Për
    më shumë informacion mbi KKSHA-në luteni të vizitoni këtë faqe
    Interneti:
    www.naac.org.
    Trimi i mirë me shoqe shumë

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e D&G Feminine
    Anëtarësuar
    08-08-2003
    Postime
    2,659
    Ky Ian Fisher me eshte dukur objektiv vjet ne artikujt per Maqedonine. Si s'e moren vesh njehere keta te huajt punen e fese tone, i duket shume absurde. Kam lexuar para 2 muajsh nje artikull ne Times Magazine nga nje qe ishte Drejtor i nje Instituti per Mardheniet Nderkombetare ne Londer dhe na klasifikonte si vend mysliman. I dergova nje e-mail Time Magazine ku i shpjegoja secularitetin e shtetit dhe sidomos individeve shqiptare. Une jam me te dy prinderit msylimane po eshte gabimi me i madh ta konsiderosh Shqiperine shtet mysliman. Leje ky mo qe s'paska idene per origjinen e Nene Terezes. Dhe une qe thashe kot bejne kaq zhurme para ca kohesh qe vlonin gazetat shqiptare per kete pune. E kane thene mire: Perseritja mema e dijes.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  2. Drafti për Unitet
    Nga Modesti në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 04-08-2010, 16:10
  3. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  4. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •