Pellazgët, ilirët, shqiptarët. Me këtë analizë mbi etnogjenezën tonë, mbyllim ciklin e shkrime nga dhe për Mustafa Krujën
Nji gjâ aq'e habiçme âsht trûn'i njeriut, sa ka mbërrîmë t'a shtŷjë subjektin e vet, për faqe krejt normal, me pyetun vetveten: "A jam apo s'jam?". Dhe ai qi ka qênë me të vërtetë normal, ka besuem e thânë: "Jam tue menduem, pra qênkam!"
Por pa mbërrîmë ende me e çuem kureshtën e shqeptiqizmën deri për të qênët e vet, njeriu ka filluem nga sqyrtim'i botës së përjashtme, të cilën e ka damë në tri pjesë: âsht, ndoshta âsht, jo s'âsht!
Ka thânë për të parën: "Âsht, se qe, jam tue e pamë, ndëgjuem, shijuem, prekun a tue i ndiem erën", ase: "âsht, se, mbas sa jam tue vërtetuem me shqiset e mija, po ma merr mêndja qi duhet të jetë".
Për të dytën: "Sa jam tue vërtetuem me shqiset e mija, s'po ma mbushin mênden se âsht, por mundet edhe me qênë".
E për të tretën: "Kurrgjâ rreth meje qi të më shtŷjë nemose me lodhun mênden për t'a vërtetuem; pra s'âsht"!
E keqja për njerzinë ka qênë se shqiset përfshijnë pak sende pa marrë pjesë edhe mêndja për t'i vërtetuem e se kjo e shkreta s'ka qênë kurrë e njâjtë as për dy vetë. Prandej bota na paraqitet krejt si nji lâmsh problemash, tue u nisun qyshë prej krijesës, e lodhen njerzit për t'i zgjidhun, hahen, zien, grihen, si të jetë rândsija e tyne dhe interesa e secilit për to.
Ja, jemi tash edhe këtu përpara nji probleme. Âsht nji problemë shkencore qi lidhet me të kaluemen t'onë, problem'e Pelazgjet. Madje janë dý problema në nji emën: e para, kush kanë qênë përnjimênd Pelazgjit, kur e ku kanë jetuem, cila ka qênë origjin'e tyne? Dhe dyta, a jemi na Shqiptarët stërnipnit e largë të tyne? Do të ketë ndoshta shumë prej kënduesish t'anë qi kujtojnë se zgjidhja e ksaj probleme, sidomos për sa i përket pjesës së dytë, âsht gjetun me kohë: s'ka dyshim se Pelazgjit kanë qênë të parët t'anë, mâ të lashtët qi njihen!
Mjerisht për mue ka shumë dyshim, e tash po kallzoj se pse. Por t'a nisim bisedën me rend, tue folë pikë së pari mbi Pelazgjit mbë vete, d.m.th. pa lidhje me ne.
Emnin Pelazgj e ka nxânë bota prej Helenvet. Flet mâ së pari për ta Epopeja, mbasandej historjanët e tyne. Thonë se ishin populli autokthon i visevet qi pushtuen mbandej Helenët: u shtruen, u shpërdanë ase u grînë prej këtyne. Kritika moderne shfaq disa dyshime: ishin vërtet Pelazgjit nji popull i unjishëm qi kishte për banë të tij të gjitha viset e pushtueme prej Helenvet? Ishin ato banorë autokthonë t'atyne viseve fise të ndryshme të nji race? Ishin fise me origjina të ndryshme e pa lidhní politike ndërmjet sish? Arqeologjija s'ka mbërrîmë deri sod ende me u dhânë nji përgjegje as të preme as të bindshme për të gjithë këtyne pyetjeve. Dihet, po, qi ai popull ase ato popullata autokthone qi Helenët i kanë quejtun Pelazgj kanë pasun nji farë qytetnije mjaft të përparueme. Shênji mâ karakteristik i ksaj qytetnije kanë qênë pikrisht qytetet, të rrethueme me mure qyklopjane, d.m.th. të ndërtueme me gurë shumë të mëdhaj e të vumë cip mbi cip pa çementë. Këto mure si pyramidet e Egjyptit, kanë mujtun me u qëndrue kohnavet, mvatjevet e luftavet pa ndiem aspak për to. Egjyptjanët ishin besimtarë të thellë dhe urdhnat e faraunvet ishin për ta hyjnorë; skllavë a të lirë, i u kurrusnin punës në gërmime kanalesh a ndërtime tempujsh e pyramidesh me ndienjën e besimtarit qi kryen nji detyrë fetare. Por Pelazgjit nën ç'farë shtŷsi i kanë bâmë gjth'ato punë të rânda? Sigurisht kanë pasun edhe ata prinjsat e tyne, me tituj qi na janë të panjohun. Kishin edhe këta mbi popullin nji ndëkim e pushtet despotik, të pranuem prej frike të zotnavet a të robvet, si faraunët a mbretna kohësh e vêndesh tjera? Apo ishin njerëz të lirë me nji ndërgjegje solidarije shëmbllore e të pabesueshme për ato kohna? Nuk dijmë kurrgjâ.
Pelazgjit ishin bulq e prandej dashamirë të paqës. Do të kenë qênë edhe detarë të zott, sepse na thuhet se edhe ishujt e Egjeut ishin të banueme prej sish. Por kur flitet për qytetninë egjejane, paralele e thuejse të njikohshme me ato t'Egjyptit e të Mesopotamisë, s'përmênden Pelazgjit. Si djep i ksaj qytetnije përmêndet Kreta, pa u pohuem përgjithsisht se popullsij'e atij ishulli ka qênë pelazge. Âsht e vërtetë se ndërmjet qytetnisë së Kretës e asaj të kontinentit ka pasun nji ndryshim të madh. Ndër sa veçorí tjera, në Kretë janë zbuluem përmendore me mbishkrime, të cilat s'kanë mundun me u decifruem; tjetërkund ndër banorë të Pelazgjet jo. Por arqeologjija ka ende shumë punë për t'a thânë fjalën e fundit për Pelazgjit.
Dy historianë të shquem, si Gustave Glotz e Robert Cohen na sigurojnë në vllimin e parë të veprës së tyne (HGr.) se Pelazgjit s'kanë qênë indoevropjanë. Gjithashtu edhe për popullin e Kretës na flasin me gjithaqë sigurí qi s'kanë as arjanë as semitë. Por as për njânën palë as për tjetrën nuk shtŷhen mâ gjatë, deri aty, thonë ata, ka mundun të mbërrîjë sod shkenca. Anthropologjija i ep mjaft rândsí, për karakterizimin e racës, edhe matjes së kafkës, simbas së cilës i dán racat në tri kategorí: kokgjatë, kokshkurtën dhe kokmesëm. Por për të kuptuem se sa i gënjyeshëm âsht ky kriter në praktikë, mjafton të marrim para sŷshë se në bazë të kafkavet thrako-ilire qi ka zbuluem deri sod arqeologjija, Thrakët ishin kokgjatë dhe Ilirët kokshkurtën! E pra në ka gjetun gjâ krejt të sigurtë shkenca deri tash për sa u përket atyne dy popujve, ajo âsht qi ata ishin gjak e gjiní fare t'afër. Prandej as për Pelazgjit nuk shoh nevojë t'i mërzis kënduesit me tfillime akademike rreth ksaj pike.
Greqija parahelenike ishte e banueme prej Pelazgjet. Mbi këtë pikë, nemose, të gjithë shkrimtarët kompetenta gjinden në nji mendim. Larisa ka qênë, me gjithë emnin qi ka sod, nji qytet pelazg. Por deri ku mbërrîjshin ata kah veriu e deri ku në brigjet e Egjeut? Këtu hypothesat janë të shumta e të ndryshme e âsht kot qi të zgjatem mbi to, mbasi asnjâna s'âsht mâ e bindshme se tjerat. Gjithashtu, dijetarët qi janë marrë me problemën e Pelazgjet s'janë aspak në nji mendim për të caktuem trevën se nga kanë dalë e ardhun n'Egjè e në Balkan. Dikush thotë se kanë pushtuem mâ së pari Qykladet; pra duhet të kenë ardhun nga Asija e Vogël; tjerë ende u shënojnë për banë origjinore Maqedoninë.
Ndërsa âsht fakt i sigurtë qi Helenët, tue rrjedhun ndër trojet e tyne balkanike, së pari me Akajanët, aty në të XV qv. p.K., kishin gjetun atje Pelazgjit. Përkundrazi gjindemi krejt në nji fushë hypothesash shum'a pak të ngjashme për sa i përket epokës në të cilën Pelazgjit ishin vëndosun n'ato treva. Fillim'i ksaj epoke vêhet nj'aty kah 3000 vjet p.k., kur atje përballë, n'Egjypt shkëlqente mâ e vjetra qytetní e kulturë e botës, sikurse në Mesopotamí. Por ai popull nuk u dynd i gjithë për nji herë nga trojet e vjetra, cilat do paçin qênë, për me zânë vêndet ku i gjetën Akajanët mbas 15 qindvjeç; duket se mërgatat e tyne kanë vazhduem valë-valë nja 500 vjet. Kështu ka ndodhun për të gjitha mërgatat e mëdhà parahistorike e, shum'a pak , edhe për ato të kohnavet historike.
E mos të kujtojmë se atje ku votën për me krijuem nji atdhe të ri e nji jetë të re, Pelazgjit gjetën shkretina, pyje e male qi s'kishin pamë veçse egërsina. Dijetarët na flasin për nji qytetní mâ të vjetër, me kuptimin shkencuer të fjalës, siç e kam tfilluem mâ nalt, të cilën e cilësojnë danubjane dhe i caktojnë këta kufîj: lumnat Neckar e Main të Gjermanisë, shpatin juguer të Karpathvet dhe Egjeun e Adrijatikun. Gjithashtu, edhe qytetnija kreteze kishte nisun të zhvillohej shumë mâ heret e mbishkrimet gjeroglyfore të përmendorevet qi janë zbuluem n'at'ishull llogariten qyshë prej qv. XXVI p.k,. E në qoftë se e pranojmë si nji gjâ të pakuptueshme qi Pelazgjit mos t'a kenë pushtuem edhe atê si ishujt tjerë t'Egjeut, do të quhet nji nderë për ta qi e kanë lânë atë qytetní jo vetëm me jetuem, por edhe me përparuem e rrëgjyem përherë mâ fort. Të na falen hypothesat, se kur flitet për ndodhí qi janë zhvilluem mija vjetsh para epokës historike do t'ishte guxim me pohuem ase mohuem si t'ishin fakte të dokumentueme.
Mbi Pelazgjit s'jet gjâ tjetër mâ për t'u shënuem. Po të dojë njeriu me u zgjatun tue regjistruem të gjitha hypothesat e ndryshme e të kundërta qi janë paraqitun rreth sish, mund të mbushet nji koxha vllim. Por në fund të fundit, kur të shoshitet gjithë sa shkruem mbi ta, vetëm kaqë tepron në shoshët e jo mâ tepër. Prandej mund të kalojmë tash në problemën e dytë, pa të cilën ky kapitull as vênd s'do të kishte pasun në këtë vepër. A kemi të bâjmë na Shqiptarët me Pelazgjit, jemi apo s'jemi përnjimênd stërnipnit e sodshëm të tyne?
Para se të hyjmë me e rrahun këtë problemë, due mâ së pari të vê para sŷve të kënduesit disa parime a pika themelore:
1. Nga gjithë sa u tha mâ nalt, kuptuem se kur kanë pushtuem Helenët ato vise qi sod quhen Greqí, kanë gjetun atje nji popull autokthon për të cilin ata vetë na kanë lânë emnin Pelazgj.
2. Historjanë të shquem qi janë marrë me çeshtjen pelazgjike na sigurojnë qi ata s'kanë qênë prej race arjane .
3.Pelazgjit, kur u ranë mbë shpinë e i mundën Helenët ishin nji popull mâ i qytetnuem se ata. Por asgjâ positive s'dihet prej qytetnisë së tyne qi të mundet me u thânë se i ka shërbyem njerzisë, me fjalë tjera, zhvillimit të mâvonshëm të qytetnisë së përgjithëshme.
4. Historija âsht nji shkencë e si çdo shkencë duhet t'i shërbejë vetëm së vërtetës universale, si fillosofija, e asnji qëllimi tjetër. Historjani duhet të bâhet nji gjyqtar krejt objektiv e jo avokat i nji kafshe të veçantë, sado e dashun a e shênjtë qi të jetë.
5. Jam i bindun se vetëm ata popuj, si dhe njerzit, qi s'kanë ç'tregojnë kurrgjâ të vetën shohin nevojë të mbahen me vërtytet e meritat e të parvet. Nji proverb shqip thotë: "S'të pyet kush si ke qênë, por si je", e nji filosof i hershëm ka thânë se vërtytet e meritat e të parvet janë vetëm nji dritë për me vûmë në dukë të mirat e të këqijat e paslindësve të tyne. Un ato i quej si nji stolí qi i ka hije vetëm nji femne, të cilën vetë natyra e ka falë të bukur: e shëmtueta le t'a mbulojë, në dashtë krejt shtatin me margaritarë e gurë të çëmueshëm, ka për t'i tërhjekun syt'e lakmit'e botës vetëm mbi këta!
6. Jam i bindun edhe se vjetërsija, vetëm, e thatë, xhveshun prej vërtytesh e meritash kundrejt njerzisë, s'ka asnji vlerë: në fund të fundit të gjithë njerzit e të gjithë popujt, nëpër stërgjyshnit e shpellavet, venë e mbarojnë te Adami ase te majmuni, simbas besimeve të ndryshme qi mbretnojnë sod në botën t'onë.
Mbi këto të dhâna e parime do të pështetet gjykim'i im për sa i përket lidhnisë s'onë me Pelazgjit. Mbas arqeologjisë, anthropologjisë e ethnografisë, qyshë nja nji qindvjetë para nesh, nji shkencë tjetër, gjuhsija ( linguistique, schprachëissenchaft) ka sjellë elementa tepër të rândsishëm e aty-këtu krejt vendimtarë për caktimin e origjinës e të gjenealogjisë së popujve të ndryshëm. Deri në të lemë të ksaj shkence të re, kurrgjâ nuk dihej nga parahistorij'e popullit shqiptar. Sod, mbas shumë studimesh themelore të bâme prej gjuhtarësh të shquem si Bopp-i (Gjermaní), Meyer-i (Austrí), Andersen-i (Danimarkë) e sidomos Norbert Jokl-i (Austrí), Bartoli e Tagliavini (Italí) askush nuk dyshon mâ qi gjuha shqipe i përket familjes indoevropjane.
E në qoftë se provohet qi kjo gjuhë me origjinë indoevropjane nuk âsht marrë hua prej nji race tjetër, sikurse slavishtja e Bulgarvet për shëmbull, por âsht ajo qi na kemi trashiguem drejtpërdrejt nga të parët t'anë mâ të vjetrit, vërtetohet edhe se popull'i ynë i përket racës arjane. E në qoftë se Shqiptarët janë Arjanë, nuk munden të jenë njikohsisht stërnipnit e Pelazgjet qi, dersa mos të jetë provuem e kundërta, s'paskeshin qênë t'asaj race.
Mb'anë tjetër, le të zbresim shumë mâ poshtë nga origjina e përbashkët e popujvet indoevropjanë, deri te Thrako-Ilirët, të cilët shkenctarë pushtetplotë në lâmën e tyne i quejnë indoevropjanë aqë sa Helenët. Mërgim'i tyne në gjysishullin ballkanik vêhet përgjithsisht aty nja 2000 vjet p.k., d.m.th. nja 5-600 vjet para Helenvet. Albanologët mâ kompetentat na rrjedhin drejtpërdrejt prej Ilirvet, ndonji tjetër mendon edhe se mund të kemi rrjedhun prej Thrakvet e kemi qênë ilirosun. Sepse në gjuhën t'onë u gjindkan edhe disa elementa qi mund t'auktorizojnë nji mendim të këtillë. Sido qi të jetë, për Thrakët e Ilirët s'ka asnji dijetar qi mos t'a ketë pohuem, në qoftë se âsht marrë me problemën e tyne, se kanë qênë dy popuj vllazën. Pra prej cilit do nga ata dy vllazën qi të rrjedhim, jemi prej së njâjtës origjinë me të dy bashkë.
Mirpo edhe mbi origjinën indoevropjane të Thrako-Ilirvet ka studjuesa ethnografije e gjuhsije qi dyshojnë e pohojnë të kundërtën, madje. Albert Wirth-i, bie fjala, në veprën e tij Der Balkan u ep nji origjinë kavkasjane indoevropjane, por thotë se ishin 90% t'arjanosun. Veçse kjo theorí mue më duket mjaft fantastike, se auktori nuk thotë se prej kuj e ku u arjanosën ata dy popuj qi kishin mbuluem gati krejt gjysishullin balkanik e ishin shtŷmë shumë mâ larg, edhe mbas pohimit të tij, kah veriu.
Por mb'anë tjetër ka dhe shkrimtarë qi thonë se Thrako-Ilirët, sidhe Karjanët, Lydjanët e Frygjanët e Asisë Vogël mbë nj'anë, si dhe popujt italikë, me gjithë Etruskët, nga tjetra kanë qênë Pelazgj! Këtu kemi haptas nji theorí qi kishte me e lidhun popullin t'onë nëpër Ilirët me Pelazgjit. Ka këto anë të dobta: pikë së pari, problema gjuhsore etruske, qi s'na përket neve drejtpërdrejt, dihet se âsht ende nji enigëm ethnografike; gërmimet arqeologjike, studimet e përmendorevet e të mbishkrimevet qi janë bâmë deri tash, s'kanë dhânë asnji përfundim të premë e të bindshëm. Prjerja mâ e forta e dijetarvet âsht me i përjashtuem Etruskët nga origjina indoevropjane, pra në kundërshtim me popullatat tjera italike për të cilat s'ka kush dyshim qi kanë qênë indoevropjane. Tash, po të pranojmë thesën qi Pelazgjit s'kanë qênë arjanë, mund të pranojmë edhe qi Etruskët të kenë qênë ndoshta nji rremb i tyne.
Por atbotë jo Italikët tjerë. Sa për Thrako-Ilirët e farefiset tjera të tyne, me kapërcimin e dy pengesave do të besojshim qi Pelazgjit kanë qênë këta. Pengesat janë: 1) Me besuem, qi don me thânë me provuem, njânën dyshë: ndo qi s'âsht e vërtetë se Pelazgjit s'kanë qênë arjanë, ndo qi, përkundrazi, Thrako-Ilirët e tjerë gjiní të tyne s'kanë qênë as ata arjanë. 2) Me u mbyllë gojën atyne qi pretendojnë se Helenë e Thrako-Ilirë ishin kushrîj, dalë prej nji të njâjtit bark indoevropjan, flitshin nji gjuhë e rrojshin brí shoshoqit ndo në zonën kavkasiane ndose ndër bregjet e Baltikut, nga u shkëputën mâ së pari fisi mâ i vjetri i Helenvet, d.m.th. Akajanët (1700-1400 p.k.) e vetëm mbas këtyne zbritën tjerë Helenë e Thrako-Ilirët, mâ të mbrapmit Dorjanët (1200 p.k.).
Si po shihet e siç âsht edhe fare e natyrshme për nji popull parahistorik, problema pelazgjike âsht tejet e koklavitun. Un e ftilloj si vijon:
1. Shumë para se t'arrijshin popujt indoevropjanë në Balkan, atje rrojshin do tjerë, qi s'ishin arjanë.
2. Të parët Indoevropjanë qi mbërrînë e zûnë vênd n'atë gysishull qenë Ilirët e mbas tyne Thrakët, nja 2000 vjet p.k. (Thaloczy), Akajanët e fise tjera helenike, njâni mbas tjetrit (1700-1400); mâ të mbrapmit Dorjanët (1200). Këta, duket se nuk u shtŷnë deri në gjysishullin e Moresë e ndoshta as në Thesalí e në Greqí të mesme s'u ranë tepër mbë qafë popullatave të vêndit.
3. Mâ vonë i a beftën të parat fise helenike, Akajanët e tjerë (1700-1400). Këta s'mujtën me ngulë ndër viset e pushtueme prej Thrako-Ilirvet, u shtrënguen të zbresin mâ poshtë, n'ato vise qi andej e mbrapa muerën emnin Akaí e mâ gjânsisht Heladë. Atje gjetën autokthonët, qi kishin pasë shpëtuem prej mënderës thrako-ilire, e i quejtën Pelazgj, sigurisht siç ndëgjuen prej gojës së tyne vetë, drejt apo shtrêmbët Zoti e di. I mundën, i grînë, i robnuen, i shpërndanë andej e këndej ku mundën me gjetun strehë maleve e ishujve.
4. Sa për origjinën t'onë kombtare, neve duhet të na mjaftojë aqë sa na ka njohun positivisht shkenca:
a) Jemi arjanë me gjuhë e me racë, stërnipën t'Ilirvet a, simbas nji these qi do t'a rrahim në nji tjetër kapitull të ksaj vepre, Arbanë vëllazën me Ilirët e Thrakët. Theorit'e kundërta qi na çojnë n'origjina tjera të pavërtetueme, përpara ksaj së vërtete të provueme i prapsim si fantasí pa kurrfarë dobije as interese për kombin t'onë. N'u provoftë ndonji herë se edhe Pelazgjit kanë qênë arjanë si Thrakët e Ilirët dhe këta kanë qênë Pelazgj, vetëm atëhere lypset të thomi se Shqiptarët rrjedhin nga Pelazgjit.
b) Ka dijetarë qi kanë pohuem e pohojnë se të parët Indoevropjanë qi kanë shkelë në Balkan kanë qênë stërgjyshnit t'anë, Ilirët; por ka dhe asish qi va lânë parinë Helenvet, stërgjyshnave të Grekve të sodshëm. Por vallë ç'rândsí kanë pak shekuj parahistorije të dyshimtë përpara 2500 vjet historije të sigurtë. Të dy palët janë authoktonët e vërtetë të gjysishullit, Slavët dihet se kanë ardhun n'epokë historike nja së paku nja 2000 vjet mbas tyne. Megjithë këtê, tashmâ edhe ata ndër viset e tyne quhen authoktonë në krahasim me popuj tjerë, dikur mvatës e zotnues.
http://www.shekulli.com.al/2009/08/2...aret-tane.html
Krijoni Kontakt