Kabineti i kryeministrit shqiptar Sali Berisha siguroi bursë studimi për nxënësen e talentuar nga Shkupi, Arjeta Alili, të cilës i`u refuzua një bursë shkollimi nga ana e Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë.
Nxënësja Arjeta Alili javën e kaluar në rrëfimin e saj në gazetën “24 orë”, të transmetuar edhe nga agjencia e lajmeve INA, pas refuzimit nga institucionet arsimore maqedonase, kërkoi ndihmën e Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Berisha për të ndihmuar shkollimin e saj. Disa ditë pas publikimit të lajmit, ka reaguar edhe kabineti i kryeministrit Berisha, duke njoftuar stafin e agjencisë INA dhe familjen Alili se “qeveria shqiptare ka vendosur të marrë masa për të mos lënë pa studime vajzën nga Maqedonia që kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë, bursë studimi”.
Madje ditën e mërkurë, këshilltari Tafaj është lidhur përmes kontakteve të ofruara nga agjencia e Lajmeve INA në Maqedoni dhe “Koha Jonë” në Shqipëri, me Arjeta Alilin dhe të atin e saj, duke u bërë të ditur se “do të gjejmë një zgjidhje për kërkesën tuaj”.
Arjeta Alili nga Shkupi, një nxënëse e talentuar dhe e shkëlqyer me dhjetëra çertifikata e diploma, mbi tetë muaj që lufton për të kërkuar të drejtën e një burse në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë. Familja Alili thotë se kurrë në jetë nuk ka qenë aq e gëzuar, kur ka mësuar lajmin nga redaksia e “24 orë” se do të sigurohet bursa nga shteti shqiptar.
“O zot, jemi shumë të emocionuar dhe kjo është një ditë e veçantë në jetën tonë familjare. Kryeministrin Berisha nuk dijmë se si ta faleminderojmë për këtë vepër aq të madhe kombëtare dhe humane për ne. Ai me këtë goditi diskriminimin që po na bën kjo qeveri me Gruevskin e të tjerët”, janë rrëfimet e përshkruara me lotë në sy tek Arjeta dhe babai i saj, i cili thotë se është kontaktuar nga kryeministria shqiptare dhe i ka dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara. Ai është këmbëngulës që vajza e tij të realizojë dëshirën e saj për t`u shkolluar në Tiranë.
(A.Mehmeti/INA)
Diskriminimi ndaj Shqiptarëve të Maqedonisë po arinë kulminacionin.
Krijoni Kontakt