Nisin zhvendosjet në Bashkinë e Tiranës. Largohen drejtorët
Boshatiset zyra e Ramës nga biblioteka dhe pikturat e shumta
Rotacioni i parë i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranën po nis të japë edhe efektet e para në stafin e institucionit më të rëndësishëm vendor në Shqipëri. Kështu, burimet nga Bashkia bënë dje të ditur për gazetën “Shqip”, se me dhjetëra anëtarë kabineti dhe drejtorë të drejtorive kanë depozituar dorëheqjet e tyre në pritje të firmës se Edi Ramës. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se motivacioni për këto dorëheqje lidhet me arsye politike, nisur nga fakti se brenda javëve të ardhshme bashkia më e madhe në vend do t’i dorëzohet kandidatit të mazhorancës, Lulzim Bashës. Por ndonëse këtyre largimeve, një pjesë e rëndësishme e stafit të përbërë nga 431 punonjës do të qëndrojë në bashki, e mbrojtur nga statusi i nëpunësit civil, i cili mbulon edhe rreth 2/3-ën e punonjësve të kësaj njësie vendore. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se dy ditë më parë, kryetari në ikje, Edi Rama është paraqitur në Bashkinë e Tiranës për të ndjekur nga afër edhe procesin e transferimit të zyrës së tij, të cilën e ka mbajtur për 10 vitet e fundit. Punonjësit të cilët kanë kontaktuar me Ramën, bëjnë të ditur se kryetari i PS-së u ka kërkuar që gjatë procesit të zbrazjes së zyrës që do të mbajë një tjetër kryetar, të kenë kujdes me librat dhe pikturat. Ata, madje e kanë përshkruar këtë vizitë si emocionale dhe jo formale, e cila është përqendruar tek një përshëndetje e shpejtë e stafit dhe një vështrim horizontal i zyrës ku mbizotëron ngjyra e kuqe. Fakti që Rama dekadën e fundit e ka pasur zyrën në Bashkinë e Tiranës të palëvizur, solli aty edhe krijimin e një biblioteke të madhe me libra, dhe po kështu një mini-galerie me piktura të ndryshme. Procesit të zhvendosjes nuk i kanë shpëtuar edhe dy breshkat e famshme të ujit, të cilat prej vitesh kanë qëndruar në një akuarium në zyrën e tij. Të gjitha materialet personale të zyrës së Ramës prej ditësh janë mbledhur në katin e parë të godinës së bashkisë, në pritje të transportit drejt shtëpisë së Edi Ramës. Por me një tjetër gjendje emocionale, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mësohet se po bën negociata për të zgjedhur edhe pjesën e parë dhe të rëndësishme të bashkëpunëtorëve që do ta shoqërojnë gjatë hyrjes së tij në njësinë më të madhe vendore në vend. Pas konstituimit si kryetar, ligjet në fuqi i japin të drejtën kryetarit të ri të bashkisë që të rekrutojë një staf të ngushtë për të krijuar edhe kabinetin e tij, staf ky i cili nuk pritet t’i kalojë 30 vetët. Brenda këtij grupi të ngushtë të zgjedhurish pritet të spikasin emrat e nënkryetarëve të rinj të Bashkisë së Tiranës. Burimet bëjnë të ditur se Lulzim Basha do të preferojë të mbajë tre nënkryetarë, për të kënaqur kështu edhe aleatët e tij, të cilët kanë pasur një kontribut të rëndësishëm për marrjen e fitores së tij në Tiranë. Kështu, mësohet se të paktën dy nga tre nënkryetarët e ardhshëm pritet t’i lihen aleatëve të PD-së, të cilët në garën për kryeqytetin patën një kontribut të madh. Por nga ana tjetër, ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Lulzim Bashës me atë pjesë të stafit të Ramës, i cili nën mbrojtjen e ligjit për nëpunësin civil, ka preferuar të qëndrojë për të vazhduar punën në bashkinë më të madhe në vend. Por më e rëndësishme nga të gjitha këto elemente pritet të jetë edhe plani i ri që do të zbatojë Basha për të mbajtur edhe premtimet e tij elektorale për ndryshimin e Tiranës. Në lidhje me nismën e parë që do të ndërmarrë, Basha ka deklaruar se ajo do të jetë ndërtimi i një inspektorati për mbrojtjen e konsumatorëve të Tiranës, për të vazhduar pastaj me projekte të mëdha infrastrukturore.
Shqip
Krijoni Kontakt