Gëzim Peshkëpia, tetë vitet e burgut për agjitacion
» Vendosur: 13/08/2009 - 07:44
•
Alma Mile
Sipas nenit 73, 55, apo ndonjë tjetri, ai do ta kishte pasur burgun e sigurt në vitet e diktaturës. Të paktën tani mund të flasë. Nuk ka mllef, por një detyrim, që të rrëfejë të vërtetën e tij, që brezat ta mësojnë dhe e kaluara të mos harrohet. “O njeri...!”, titullohet libri me episode nga jeta në burg e autorit Gëzim Peshkëpia, i promovuar dje në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë. Nëpërmjet 35 episodeve të shkëputura nga vitet përtej hekurave, autori Peshkëpia, tregon për vuajtjet gjatë 8 viteve të dënimit, kryer kryesisht në burgun e Ballshit, nën akuzën për “agjitacion e propagandë në fushën e artit dhe kulturës”. “Atë tragjedi të madhe jam munduar të paraqes pa ndonjë mllef, por pikërisht për të ngacmuar tek secili memorien e vështirë që kaluam së bashku”, tha gjatë prezantimit Peshkëpia. Nuk tregon thjesht për veten, por shokët e qelisë, njerëzve të thjeshtë, të pashkollë që nuk e dinin përse ishin futur në burg dhe figurave të njohura intelektuale, politike e klerike. “Është e vështirë të shkruash për ato kohëra, por më e vështirë është shmangia e unit nga cilido këndvështrim që e sheh atë epokë, në të cilën në mos pjesëmarrës të paktën jam dëshmitar e ky status më vë përpara detyrës të rrëfej sa mundem”, thotë autori. I rrethuar nga shumë miq e bashkëvuajtës në promovimin e librit të tij, Peshkëpia thotë se “përshkrimi pasiv i ngjarjeve të asaj kohe nuk shkonte dhe për këtë arsye mu desh të bëhem komentator i asaj periudhe, me qëllim, jo vetëm paraqitjen e tragjikes, por në përgjithësi të jetësores”. Me anë të një episodi të shkurtër, ai shpjegon titullin e librit ët tij. Kur arriti në kampin e Ballshit, që i ngjante më shumë një çmendine, njohu një njeri të verbër dhe sapo ndjente t’i afrohej dikush, thërriste “O njeri...!”. Ndërsa kërkonte gjithnjë t’i ndiznin cigaren, Peshkëpisë i ngjasonte me Diogjenin. Libri “O Njeri...!” do të pasohet nga një tjetër libër, me të tjera episode nga jeta në qeli. Duke e cilësuar librin e Gëzim Peshkëpisë si një rezistencë ndaj së keqes, analisti Fatos Lubonja, bashkëvuajtës i autorit, vlerëson se “ ish të burgosurit dhe ish të dënuarit që vazhdojnë të shkruajnë për vuajtjet e tyre në kampe, burgje dhe vende internimi në një farë mënyrë më duken sikur janë ende në procesin e rezistencës ndaj së keqes, dhe kësaj rezistence të kujtesës i shtohet edhe libri “O Njeri....!’”. Për Lubonjën ky libër është si një mision më shumë për ata që nuk e kanë provuar burgimin, por edhe një mesazh që duhet transmetuar e kaluar tek ata që njerëz që se kanë provuar kurrë atë përvojë. Në këtë kontekst, tha ai, nga këto kujtime që shkruhen burgu është konsideruar gjithmonë si një pjesë e periudhës së komunizmit, por në fakt këtë plagë e ka pas shoqëria dhe prandaj është e nevojshme që ta kurojë e gjithë shoqëria.
Ish i dënuari, 35 episode nga burgu
“Ka letërsi të vërtetë dhe letërsi të pavërtetë”. Kështu thotë Fatos Lubonja në lidhje me etiketimin “letërsi burgu”, të atyre veprave, ku autorët rrëfejnë vitet e dënimit gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Gëzim Peshkëpia nuk synon etiketime, por të tregojë të vërtetën e tij. “O njeri...!” titullohet libri, që autori sapo ia ka ofruar lexuesit përmes shtëpisë botuese “Media print”. Është një libër prej gati 155 faqesh, ku përmes episodesh të shkurtra, jo të renditura në mënyrë kronologjike, Peshkëpia, tregon për vitet e tij të burgut. Në rrëfimin e tij dalin shumë emra të njohur si At Zef Pllumi, patër Aleks Baqli, Fatos Lubonja, Valer Dyrzi(Tarasov), Jamarbër Marko, Koço Plaku, etj., të cilët i ka njohur në qeli, por edhe shumë emra të tjerë, ish-drejtues të lartë të shtetit, për të cilët kishte dëgjuar shumë histori nga të tjerë. Por ndërkohë ai vizaton edhe shumë personazhe të panjohur, por që e bëjnë më të pasur e më të gjallë rrëfimin e tij. Historitë e tyre tregojnë edhe vuajtjet e tij njëkohësisht dhe të mijëra bashkëvuajtësve të tjerë në burgje e kampe të tjera në të gjithë Shqipërinë. Pasi provoi sprovën e parë, Peshkëpia, i cili edhe më parë ka shkruar në shtypin shqiptar e atë gjerman, mendon të vijojë rrëfimin e tij, duke e pasuruar vëllimin e parë me të tjera ngjarje.
Peshkëpia: Si ndoqa fatin e tim eti
Shkurt, 1976, muaji i pestë i hetuesisë
Është viti i përvjetorit të babait tim. Njëzet e pesë vjet më parë, më 21 shkurt, u arrestua babai dhe mbas një jave torturash të tmerrshme, duke u gdhirë 27 shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 persona të tjerë, ndër ta edhe një grua. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, i kam të fiksuara mirë shumë momente..
Fjeta më herët atë natë dhe nuk e prita babanë, sepse i tërhequr nga loja lashë mësimet pa përgatitur. Ai ma kontrollonte përgatitjen për çdo ditë. Afër mesnatës zgjohem nga zhurma zërash. Shoh babanë me flokët e ndarë në mes, që mu duk se hodhi vështrimin nga unë me çudi, një person me uniformë dhe një tjetër civil, ndërsa gjyshja rrinte kruspull mbi minder. Babai më ktheu nga muri duke thënë “Fli xhan i babit!” gjumi më mbylli qepallat për të ndarë përjetë nga im atë. Ikja majë një kamioni të hapur bashkë me tri familje të tjera. Gjyshja, mamaja, unë dhe motra tre vjeçare që shikonte familjen dhe nuk guxonte të pyeste për babanë, thuaj se parandiente diçka të keqe. Gra me sy të ënjtura nga të qarët, një tufë fëmijësh që kuptonin dhe nuk kuptonin se këtej e tutje ishin pa baballarë, kush e di për çfarë shkaku..! Në atë thëllim të atij fillimi marsi udhëtonte ky kontingjent i çuditshëm, i shoqëruar nga një polic me automatik. Para tre ditësh, në dyert e këtyre familjeve kishin ardhur dy oficerë sigurimi për t’i komunikuar thatë “X është pushkatuar si armik i popullit. Bëhuni gati se në datë 3 mars do të internoheni..” Kështu u shkrua dhe u komunikua një nga masakrat më rrëqethëse të njërit prej kapitujve më gjakësorë të diktaturës enveriane; në mes të Evropës...duke bërë sehir Shën Bartolomeon shqiptar. Tani ecja duarlidhur, i shoqëruar nga polici në po ato korridore e ndoshta edhe biruca ku kishte kaluar e qenë im atë atëherë. Asokohe, nëna ime ndiente dhimbjen për bashkëshortin që i la fëmijët jetimë, ndërsa sot po përjetonte dhimbjen e nënës, që djalin ia kishin shkëputur tre muaj pas martesës së tij, të cilës as nuk arriti t’i gëzohej dot, sepse do ta priste i njëjti fat. Një jetë e tërë e shoqëruar me makthe. Tani sillte me siguri ndërmend gjyshen time, e cila e përballoi me stoicizëm të rrallë atë goditje. Së gjorës, rrallëherë i dilte thellë nga gjoksi një lloj psherëtime e bashkuar me ulërimë: “U-u-u...uh!” Ne fëmijët i përgjëroheshim: “Nëno mos bëj kështu!”. Kjo klithmë më ka shoqëruar dhe më shoqëron dhe sot e kësaj dite dhe përgjatë gjithë jetës sime. Kishte dhimbje, vaj, protestë, kjo klithmë.
panorama.
Krijoni Kontakt