Ankohet për volumin e lartë të radios në lokalin e fqinjit, por si kundërpërgjigje është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Hamallajt, 30 km në veri të Durrësit, ku viktima dhe autori i krimit administronin nga një kioskë-rulot ambulante si bar-restorant, bënë të ditur burime nga drejtoria e policisë së qarkut.
Burimet thanë se viktima Marenglen Jahoelezi, 30 vjeç, nga Tirana, është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda nga arma e zjarrit.
Sipas burimeve të mësipërme, policia ka mundur të prangosë sot në orët e para të mëngjesit shtetasin Zihni Dushku, 53 vjeç, lindur dhe banues në Hamallaj të komunës së Sukthit. Gjatë kontrollit në vendngjarje është gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale një automatik prodhim kinez, një krehër me 18 fishekë, si dhe pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.
Burimet thanë se grindja mes dy shtetasve ka nisur mëngjesin e së hënës dhe ka patur si shkak volumin e lartë të radios në lokalin e 53 vjeçarit Dushku.
Grindja mes viktimës Jahoelezi dhe miqve të tij ka rifilluar dje në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa rreth mesnatës Zihni Dushku ka qëlluar ndaj tyre me armë automatike.
Burimet thanë se 53-vjeçari i arrestuar do të hetohet për veprat penale të "vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje" të armëve dhe municioneve luftarake. /gazeta-start/
Krijoni Kontakt