KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
SINODI I SHENJTË
Deklaratë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mbi Projektligjin për «martesa» ndërmjet personave të së njëjtës gjini
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për projektligjin që do të paraqitet nga qeveria në Kuvendin e Shqipërisë, me anë të të cilit do të kërkohet legalizimi i «martesave» brenda së njëjtës gjini.
Në çdo shoqëri dhe kulturë njerëzore martesa ka qenë gjithmonë ndërmjet burrit dhe gruas. Në veçanti martesën e institucionalizoi Shkrimi i Shenjtë dhe rëndësinë dhe shenjtërinë e saj e thekson Kisha për njëzetë shekuj me radhë. Ajo përbën themelin e shoqërisë dhe të rendit njerëzor. Sa herë janë bërë eksperimente duke krijuar ligje në kundërshtim me ligjet e përjetshme të Perëndisë, ato kanë çuar në katastrofa të mëdha njerëzore dhe shoqërore.
Për këto arsye e ndiejmë për detyrë të shprehim kundërshtinë e hapur të Kishës Orthodhokse ndaj këtij Projektligji dhe i bëjmë thirrje atyre që kanë përgjegjësinë për legjislacionin e këtij vendi dhe u kërkojmë që të tregojnë përgjegjshmëri në lidhje me të ardhmen e shoqërisë sonë. I lutemi Perëndisë që të ndriçojë mendjet e tyre që të marrin vendimet e duhura dhe të drejta për të mbrojtur familjen dhe shoqërinë tonë të brishtë.
Tiranë, më 17 gusht 2009
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Rruga e Kavajës 151. Tiranë, Albania. Tel. 22-34-117, Fax. 22-32-109 web: www.orthodoxalbanian.org, e-mail: orthchal@orthodoxalbanian.org
Krijoni Kontakt