UKRAIN: AKUZAT E MEDVEDEV DREJTOHEN KUNDËR TË GJITHË KOMBIT


Akuzat e presidentit rus Dimitri Medvedev, sipas të cilit Kievi po ndjek një politikë anti-ruse, drejtohen kundër të gjithë Ukrainës dhe jo vetëm kundër presidentit Viktor Jushçenko, deklaroi sot një zyrtare e lartë e stafit të presidencës.
Dje Medvedev paralajmëroi se siguria energjetike në rajon po cënohej nga politikat e presidentit ukrainas Jushçenko kundrejt Rusisë, deklaratë të cilën analistët ukrainas e komentuan si shprehje të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Ukrainë.
"Lidershipi i ri i Rusisë po kthehet në peng të komplekseve të hershme perandorake, që në mënyrë konstante i duhet të mbajë gjallë idenë e një armiku të huaj dhe dialogun e barabartë me fqinjët e tij ta zëvendësojë me kërcënime dhe fyerje", deklaroi Vera Ulyanchenko, shefja e stafit të presidentit.
"Toni agresiv në deklaratat e liderit rus, shqetëson jo vetëm Viktor Andriyivich Jushçenkon, por të gjithë shtetin dhe kombin", thuhet në një deklaratë të saj, publikuar në faqen e internetit të partisë së tyre.
Jushçenko deri tani nuk ka bërë asnjë koment lidhur me akuzat e Medvedevit.
Presidenti ukrainas, që e mori pushtetin gjatë "Revolucionit Portokalli" pro-perëndimor të vitit 2004, ka pak shnase që të rizgjidhet në zgjedhjet e ardhshme të 17 janarit 2010.
Viktor Janukoviç, lideri opozitar dhe kandidati presidencial i mbështetur nga Moska, i cili humbi në "Revolucionin Portokalli", kryeson sondazhet i ndjekur nga ish-aleatja e Jushçenkos, kryeministrja Julia Timoshenko.
Janukoviç është zotuar se do të rikthejë marrëdhëniet e mira me Moskën, që u ftohën nga aspiratat e Jushçenkos për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çështjen e portit ushtarak të Sevastopolit në Detin e Zi.


Burimi / Autori i lajmit : ShtypiDites.com