Greqi, pushohet gazetari pse “nxori” Marko Boçarin shqiptar
ARDIT BIDO
Të thuash në Greqi se Marko Boçari ishte shqiptar, përbën një herezi, që mund të të shkaktojë edhe vendin e punës dhe një sulm masiv nga ... politika e vendit fqinj. Më së miri këtë e provoi prezantuesi grek Ilias Mamalaqis, që pas dokumentarit të tij për “shqiptarin krenar” siç e cilësonte Lord Bajroni, u gjend në mes të një polemike politike dhe shoqërore.
“I riu Marko Boçari, pasardhës i farës së ndritur të Boçarëve, me prejardhje shqiptare, pasi u fut në ushtrinë franceze, filloi të mësonte edhe greqisht, sepse nuk dinte fare greqisht, vetëm shqip dhe në përpjekjen për t`i mësuar, madje shkroi edhe fjalorin e parë shqip-greqisht që ndodhet sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit”. Kjo shprehje, që për çdo vend të botës do të ishte thjesht një përshkrim i saktë i historisë së Marko Boçarit, është kthyer në Greqi në një debat ... politik, me rezultat pushimin nga puna të një gazetari grek. Kjo shprehje ishte pjesë e dokumentarit për Marko Boçarin, në serinë e dokumentarëve “Dhe me histori” që jepej në kanalin e tretë shtetëror grek ET3, nga prezantuesi Ilias Mamalaqis.
Por, shfaqja e një dokumentari të tillë, në një vend ku çdo shqiptar që ka luftuar për çlirimin e Greqisë në fillim të shekullit të 19-të, prezantohet si grek, nuk mund të lihej pa u vënë re. Nacionalistët grekë filluan menjëherë kundërshtitë, duke e çuar çështjen deri në Parlament, ku kryetari i Partisë Neofashiste greke, Jorgos Karaxaferis, e akuzoi gazetarin për “tradhti” dhe për “punë në shërbim të një shteti tjetër”, për fajin e vetëm se ai guxoi të riprodhonte atë që thonë të gjithë historianët që kanë shkruar për Marko Boçarin, prej George Finley deri tek Hobsbawm.
“Si ka mundësi që në një televizion shtetëror grek bëhet propagandë shqiptare”, - deklaroi ai. Rezultati i situatës së krijuar ishte pushimi nga puna pa asnjë motivacion nga televizioni grek ET3 i Ilias Mamalaqis dhe mospublikimi i dokumentarëve të tjera të përgatitura për këtë seri dokumentarësh. Një e vërtetë e dokumentuar nga të gjithë bashkëkohësit dhe miqtë e afërt të Boçarit si mentori i tij Pukëvil dhe bashkëluftëtari i tij Lordi Bajron, ende përbën një herezi për vendin fqinj.
Mamalaqis, prezantuesi i këtij emisioni u kontraktua menjëherë nga një kanal televiziv privat, ndërkohë që dokumentari në fjalë ... nuk pritet të transmetohet më nga ET3. Në shumë raste, autoritetet shtetërore greke, nuk ngurrojnë të tregojnë herezi ndaj veprimeve proshqiptare që ndodhin aty, qoftë edhe kur këto janë thjeshtë e vërteta.
Përpara disa muajsh, një drejtore shkolle u arrestua vetëm pse kishte lejuar që nxënësit shqiptarë të shkollës së saj të mësonin gjuhën shqipe gjatë orëve kur shkolla ishte e lirë. Kuptohet, pasi u arrestua dhe u sorollat, u shpall e pafajshme nga gjykata e shkallës së parë, për të pritur tashmë vendimin e apelit, duke u akuzuar për “abuzim me detyrën”, vetëm pse lejoi që shqiptarët të mësonin shqip.
04/08/2009 - Standard
Krijoni Kontakt